leoni

Ismet Azizi: Në prag të 90-vjetorit të vrasjeve masive të sanxhaklinjve në Shahoviq të Sanxhakut

Për krimin në Shahoviq të Sanxhakut që ndodhi në fillim të nëntorit të vitit 1924 pothuajse askush nuk ka guxuar të flas apo të shkruaj. Ky krim është fshehur aq shumë sa që edhe sot dihet pak  për te. Milovan Gjilas  ishte ndër të rrallët që ka shkruar në librin e tij “ Bezpravna Zemlja”.  Aty ai  përshkroi Gjenocidin në Shahoviq duke bërë me dije se ky krim, i përmasave të gjenocidit, nuk ka qenë një hakmarrje spontane, siç e ka përshkruar shtypi serb e malazez, por i planifikuar në detaje. 


 


Shqiptarët dhe myslimanët në vitin 1924 kanë përbërë gati gjysmën e popullsisë të vendbanimit të quajtur Shahoviq. Kjo popullsi është vrarë dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre brenda 24 orëve nga malazezët. Kjo ngjarje jo e ndriçuar sa duhet, u jep mundësi historianëve të ndryshëm të japin shifra të ndryshme për numrin e viktimave.


Malazezët duke publikuar shifrën vetëm 80 viktimave, në shkrimet e ndryshme japin edhe arsyet e sulmeve malazeze ndaj fqinjëve të tyre.


Numri i saktë i viktimave të krimit në Shahoviq nuk dihet, por mendohet se është diku rreth 600-750 të vrarë. Në Shahoviq para kësaj ngjarje kanë qenë të banuara 576 shtëpi me malazezë, 1580 shtëpi me shqiptarë dhe boshnjakë, ose 26.8% serb e malazezë dhe 73.2 % shqiptarë e boshnjakë.


Vazhdimësia e krimeve kundër sanxhaklinjëve ka vazhduar nga luftërat ballkanike të vitit 1912, mandej krijimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në 1918 e deri në rënien e Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941 por edhe gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë së Titos. Jeta e shqiptarëve dhe myslimanëve të Sanxhakut dhe më gjerë në Jugosllavinë e Parë, nuk kishte asnjë vlerë, sikurse edhe në viset tjera të banuara me shqiptarë dhe jo serb edhe në Sanxhak ishte tejet e vështirë.


 


Në Sarajevë, në vitin 1919 qëndroi gazetari francez i revistës Tempos, i cili është takuar me Reis-ul-Ulemanë Xhemaludin Çausheviqin. Gazeta në fjalë citon deklaratën e Reisit: Mijëra njerëz u vranë, gjashtë gra u dogjën, 270 fshatra u shkatërruan dhe u plaçkitën, ky është bilanci për ne myslimanët me rastin e krijimit të Jugosllavisë…


Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS. Gjenocidi është kryer më datën 9 dhe 10 nëntor të viti 1924. Praprakisht më 7 nëntor të viti 1924, komitat malazeze kanë vrarë Boshko Boshkoviqin në një pritë në malin Cer. Është me rëndësi të përshkruajmë se kush ishte Boshko Boshkoviq dhe çka thotë në lidhje me te në librin e tij Milovan Gjilas “Vendi pa drejtësi”(anglisht: Land Without Justice), (serbisht: Besuda zemlja, 2005).


Boshkoviq ishte një toger i këmbësorisë në formacionin rezervë, inspektor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shefi i qarkut të Kollashinit, mbështetës fanatik i krahut të Pribiqeviqit të Partisë Demokratike. Ishte dalluar në shtypjen e lëvizjes së kaçakëve. Këto detyra i kishte kryer me arrogancë dhe mizori, duke i terrorizuar kundërshtarët politikë. Kjo ishte arsyeja që kundër tij në vitin 1921 është ngritë interpelancë në Asamblenë Kombëtare. Gjillasi e përshkruan në detaje vrasjen e vëllaut të plaqkitësit të famshëm Todor Duloviqit gjë që më vonë do të jetë shkak i likuidimit Boshkoviqit nga komitët malazezë. Sipas të gjitha gjasave Boshkoviq është vrarë nga vëllezërit Drago dhe Radosh Bullatoviq.


 


Krimi apo vrasja masive kundër sanxhalinjëve në Shahoviq është kryer më 9 dhe 10 Nëntor 1924


 


Togeri Boshkoviq me një batalion bënë krime të rënda, plaçkitje dhe vrasje në vitin 1912 në fshatrat e banuara me shqiptar në Peshter. Në fshatin Doliq ka vrarë 20 persona, pesë vetë u vranë nga ai në  fashatin Uglla kurse në Tuzinje janë vrarë 10 veta. Në fshatin Rasnë një përson ka ekzekutuar katër anëtarë të familjes Kurtagaj kurse në Koritim u vranë 58 meshkuj dhe dy femra.


Për vrasjen e Boshkoviqit u akuzua komiti i njohur Jusuf Mehonjiqi, i cili në këtë kohë nuk gjendej në këtë anë. Varrosja e Boshkoviqit është bërë më 9 tetor në fushën e Kollashinit. Aty ishte një numër i madh i njerëzve, zyrtarë e qeveritarë, të cilët ishin ftuar nëpërmjet korrierëve. Vlerësohej se ka pasur rreth 2000 njerëz. Janë mbajtur fjalime që kishin ndezur masën duke akuzuar Jusuf  Mehonjiqin dhe banorët e fshatit Shahoviq dhe Vranesh si përkrahës të tij, ku u kërkua hakmarrje.


Një ditë para se të kryhej varrimi i Boshkoviqit autoritetet urdhëruan popullsinë myslimane që të sjellin të gjitha armët e tyre për t’iu ndarë malazezëve. Kryeshefi i qarkut të Bjellopoles, Cemoviq, duke kaluar nëpër Shahoviq, dhe duke shkuar në varrimin e Boshkoviqit, xhandarëve u  urdhëroi evidentimin  e të gjithë myslimanëve të dalluar të Shahoviqit dhe rrethinës. Evidentuesi kishte mbledhur 32 myslimanë me pretekstin se jeta e tyre ishte në rrezik por në realitet u burgosën. 


 


Kur kryeshefi Cemoviq ishte kthyer nga funerali dhe pa se ishin vetëm 32 pengje kërkoi më “turq “. Xhandarët me shpejtësi arrestuan edhe 20 të tjerë. Të gjithë këta njerëz janë kapur në mashtrim. Këto pengje, pranë varrezave myslimane, jo larg vendbanimit, në mënyrën më mizore janë ekzekutuar . Nga i gjithë grupi vetëm dy kanë shpëtuar. Një fëmijë 13 vjeç u shpëtua nga nji malazez i cili gati u vra për shkak të këtij veprimi. Sipas dëshmisë së Bahrës, bijës së myftiut të Bjello Poles, Mustafa Salihbegoviqit, i cili ishte në komisionin për hetim, tha se janë identifikuar 60 pengje të masakruara.


Në peticionin për mbretin Aleksandër Karagjorgjeviq, të 21 nëntor të viti 1924, të cilin e dërguan popullsia myslimane e Shahoviqit dhe Pavino Polës, thuhet se sulmi është kryer nga rreth 2000 malazezë të armatosur të Kollashint dhe nga viset tjera kurse fronti shtrihej në vijën prej 19 kilometra gjatësi. Hamdi Beg Hasanbegoviqi dhe Amir Musiqi u përpoqën personalisht ta informojnë mbretin në Beograd, por ai i refuzoi kurse ankesën ia kishin dorëzuar stafit të mbretit.


Gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5947 e 13 nëntorit të vitit 1924 raporton se pas vrasjes së Boshkoviqit, gjatë ndjekjes së hajdutëve, kanë marrë pjesë fshatarët nga rrethina e Bijelo Poles, për dy ditë të plota gjatë 10 dhe 11 nëntorit. Gjithë ky aksion ishte nën zinxhirin komandues, i cili u ndërmor kinse ishin “lodhur” nga komiti Jusuf Mehonjiqi. Sikur mos të kishte reaguar xhandarmëria dhe ushtria, pasojat do të ishin edhe më të mëdha.


Kryetari i Xhemijetit  Ferhat bej Draga më 14 nëntor të viti 1924 iu drejtua ministrit të Punëve të Brendshme me një mocion lidhur me mizoritë e tmerrshme në këtë rajon. Ky mocion u botua në “Pravda” të Sarajevës (nr. 262) të 18 nëntorit. Aty,  në mes të tjerash, thuhet: Zoti ministër! Kjo masakër si një veprim i përbashkët i autoriteteve policore lokale dhe Vasojeviqëve, përgjegjës janë autoritetet policore, të cilët kanë qenë me kohë të paralajmëruara për rrezikun dhe nuk ndërmorën asnjë veprim për ta parandaluar këtë masakër. Në këto rrethana përgjegjësia është më e madhe e pushtetit se sa e bandave, sepse deri tash askush nuk është arrestuar …


Ndërsa gazeta “Politika” e Beogradit nr. 5949 e datës 15 nëntor 1924 raporton me titullin: Protesta e Ferhat Beg Dragës me rastin e hakmarrjes së Vasojeviqëve ndaj vrasjes së Bosko Boshkoviq. Mandej gazeta shkruan për veprimin e Ferhat beut, i cili i dërgoi një letër proteste ministrit të Punëve të Brendshme  V. Maksimoviqit.


 


Gazeta “Politika”, kështu kishte parë të nevojshme të shkruaj në lidhje të një letër proteste të Ferhat Beut dhe krimet e kryera ndaj qindra burrave të pafajshëm, grave dhe fëmijëve. Më shumë ka pasur viktima se sa shkronja të harxhuara për këtë artikull të botuar në gazetën Politika. Krejt kjo flet për qëllimin e paramenduar të spastrimit etnik dhe fshehjes me qëllim që askush mos të thirret  në përgjegjësi.


Përsëri duhet cituar Millovan Gjilasin: prijësve myslimanë u janë shkulur mjekrat dhe u është gdhendur kryqi në kokat e tyre. Në një fshat i kanë lidhur një grup  të njerëzve me tela rreth stokut me kashtë dhe iu është dhënë zjarri. Pas kësaj njerëzit për një kohë të gjatë kanë folur për mënyrën e djegies së njerëzve në flakë. Një grup prej tyre kishin sulmuar një fshatar në shtëpinë e tij  në një zonë të largët. Fshatari sapo kishte rrjep një qengj të varur në një kumbull. Ata kishin për qëllim ta pushkatonin edhe këtë fshatar, t’ia djegnin shtëpinë por qengji i rrjepur i kishte nxitur që edhe me fshatarin e gjallë të veprojnë njësoj siç kishte vepruar ai me qengjin. Njëri prej tyre e vari fshatarin në kumbullë kurse një një kasap me përvojë, me sopatë is përgjysmoi trupin.


 


Në librin e Gjillasit në gjuhën serbe “Vendi pa drejtësi” këto pjesë të dëshmimeve të krimeve janë hequr por ato  gjenden në versionin anglisht.


 


Menjëherë pas vrasjes së pengjeve filloi një sulm i përgjithshëm, dogjën  shtëpi, vranë të rinj dhe të vjetër, gra dhe fëmijë nga krahët e nënave të tyre. Numri i viktimave nga tregimet e njerëzve të cilët mbijetuan tmerret është mbi 500 kurse sipas disa tregimeve dhe të dhënave historike, numri është shumë më i lartë. Këto të dhëna u siguruan nga numërimi i të afërmve dhe fqinjëve të tyre. Derisa ndodhte tmerri autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë asgjë ndaj kriminelëve bile edhe në këtë krim kishin marrë pjesë edhe ata vet. Rasti i vetëm ishte kur shefi i qarkut Plevlës, Kreckoviq, iu vjen në ndihmë njerëzve të pafajshëm, duke iu kërcënuar se do ta angazhoj ushtrinë.


Sanxhaklinjtë të cilët i mbijetuan gjenocidit në Shahoviq dhe rrethinë kurrë nuk u kthyen në tokën e tyre. Shumë shpejt, kjo zonë mbeti e shkretë ndërsa tokën e mbetur e grabitën fqinjët e tyre malazezë. Askush ndonjëherë nuk është përgjigjur për këtë këtë vrasje masive.


Popullsia e mbetur u shpërngul në brendësi të Sanxhakut dhe Bosnjës. U shpërndanë nëpër tërë viset e Sanxhakut, trevave të Vishegradit dhe nëpër qytetet tjera por një numër i konsiderueshëm i tyre më tepër se 100 shtëpi emigruan në Turqi kryesisht në Izmir.


Sot vendbanimi Shahoviq quhet Tomashevo, sipas një komandanti partizan, në të nuk jeton më asnjë mysliman. Kolonët e tanishëm në Shahoviq thonë se shpesh gjatë natës nuk mund të flenë, sepse dëgjojnë zëra të thirrjes së ezanit për namaz, shkruan revista e Podgorices “Vjesnik “ e 25 janarit 2005. Për të njëjtin fenomen shkruajnë edhe Harun Crnovrshanin dhe Nuro Sadikoviq në librin e tyre “ Bijtë e Sanxhakut”(“Sinovi Sandžaka” ).

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …