leoni

RKL: Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, duhet të respektohet nga Serbia

Vizita e pritur me tensione dhe me paralajmërime se jo gjithçka do të zhvillohet në rregull, mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Serbisë Aleksander Vuçiq, megjithatë konfirmoi qëndrimet e patundura të të dyja palëve,  në pozicionet e tyre, sa i përket çështjes së Kosovës në veçanti dhe çështjes shqiptare-serbe në përgjithësi.


Edhe sot ndodhi ajo të kishte ndodhur 68 vjet më parë në takimin mes kryetarit të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito dhe kryetarit të Shqipërisë, Enver Hoxha. Si atëbotë, ashtu edhe sot, çështja e Kosovës bën që këto dy shtete të kenë gjithnjë qëndrime të ndryshme, meqë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe trojet shqiptare në përgjithësi kanë mbetur pretendime hegjemoniste, kolonialiste, tashmë edhe iluzore, pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare dhe krijimit edhe të një shteti shqiptar në Ballkan, me ndihmën e Amerikës dhe Britanisë së Madhe.


Sot megjithatë diçka për të mirën dhe të drejtat e shqiptarëve ka ndërruar në formë dhe në brendi. Kosova është shtet i pavarur dhe i pranuar nga 108 shtete të botës, në mesin e tyre të shumicë së shteteve më të fuqishme dhe më me ndikim në rruzull. Këtë realitet, Serbia nuk e pranon me kokëfortësi, edhe pse në heshtje e ka pranuar qysh kur Ushtria dhe polica e saj vrastare si dhe tërë aparati shtetëror, janë dëbuar përgjithmonëë nga Kosova, në qershor të vitit 1999.


Serbët, mjerisht kanë mbetur të indoktrinuar me mesjetën e tyre të temjanit dhe tymit të dendur, që nuk i lejon ta shohin botën, qartë e kthjellët, ashtu sikur e shohin realisht njerëzit, që nuk jetojnë me paragjykime e iluzione.


Serbët ende rezonojnë me mitet dhe legjendat e krijuara dhe të deformuara  nga Kisha, e cila ende i bekon serbët për të vrarë e për të zhdukur të gjithë shqiptarët. Një disponim i tillë fashist u shfaq edhe gjatë ndeshjes futbollistike mes Shqipërisë dhe Serbisë me 14 tetor në Beograd.


Në një klimë të tillë të urrejtjes fashiste sot ende jetohet në Serbi dhe ende fitohen poenë poltikë, njëjtë sikur kishte fituar Milosheviqi në kohën e tij, i cili sa i përket dhunës dhe brutalitetit në Kosovë kundër shqiptarëve, kishte marrë pëlqimin e 90 përqind të serbëve të tij të manipuluar.


Edhe pas bombardimeve të NATO-s, edhe pas goditjeve që mori Serbia nga Aleanca më e fuqishme e botës, edhe pas largimit të përjetshëm të ushtrisë dhe policisë kriminale serbe nga Kosova, edhe pas njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, militarizmi çetnik serb, ka bllokuar kokat edhe të politikanëve aktualë, të cilët kurrsesi nuk po arrijnë të pajtohen me realitetin e ri, me Kosovën e pavarur, të çliruar njëherë e përgjithmonë nga robëria serbe e sllave.


Qëndrimet  zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë që sot u konfirmuan në Beograd, gjithsesi se do të prodhojnë efekte për BE-në, meqë edhe vizita si e tillë është preferuar por edhe është aranzhuar nga Brukseli.


Në ditët në vijim mbetet të shihet se si do të reagojë Brukseli zyrtar, meqë edhe bisedimet e sotme në Beograd, nuk kaluan pa provokime nga ana e Serbisë. Ka gjasa që Evropa ta kritikojë Edi Ramën, për shkak se ai ka përmendur pavarësinë e Kosovës, por kurrsesi nuk do ta kritikojë Beogradin për veprime në kundërshtim me protokollet shtetërore, gjatë pritjes së një burri të shtetit, flamuri i të cilit nuk afishohet publikisht, por vetëm brenda pallatit të Qeverisë. Pavarësisht nga kjo Edi Rama tregoi se është politikan serioz dhe nuk frikësohet ta thotë të vërtetën, qoftë edhe në Beograd. Dhe kjo ndodhi, para serbëve të frustruar rëndë  me nacioanlshevinizmin e tyre të lindur antishqiptar.


Duke komentuar vizitën e kryeministri Rama në Beograd, Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi, ka vlerësuar se gjatë  vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, ai  ka qenë në nivel të detyrës. “Unë e kam ditur  se  kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është një burrë shteti serioz dhe seriozitetin e vet e tregoi pas të gjithë atyre që ndodhen në ndeshjen Shqipëri-Serbi. Ai pranoi të shkojë  edhe ta vizitojë edhe Beogradin.  E kam ditur se Rama nuk do të frikësohet dhe do ta thotë troç të vërtetën. I lumtë Edi Ramës, vetëm në këtë mënyrë Europës i tregohet se Serbia ka qenë shtet dhe ka mbetur shtet çetnik. Edhe në Serbi duhet ta flasim të flasim të vërtetën, ka theksuar Demaçi për Radion Kosova e Lirë.


Pavarësisht se si do të reflektohet kjo vizitë në diplomacinë botërore, veçmas në atë të BE-së, duhet pranuar fakti se Serbia, dashur pa dashur, po detyrohet t’i dëgjojë fjalët e shqiptarëve, qoftë edhe në Beli Dvor, ku 68 vjet më parë edhe Enver Hoxha kishte konfirmuar qëndrimin e shtetit dhe të Partisë lidhur me Kosovën, qëndrim ky i njohur botësisht  por i mjegulluar për shumë dekada nga kundërshtarët politikë.


Pikërisht çështja e Kosovës kishte bërë që marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, asnjëherë dhe në asnjë rreathanë nuk kishin qenë miqësore, por në vazhdimësinë e tyre kishin qenë dhe ende kanë mbetur armiqësore, kuptohet jo me fajin e shqiptarëve, të cilët kurrë nuk e kanë pranuar Jugosllavinë si shtet të vetin, përveç një klase servile politike, komuniste e pacifiste, të cilën Beogradi e kishte zgjedhur dhe i kishte dhënë pak pushtet vazal, për intersat e veta kolonialiste e hegjemoniste.


Rama në Beograd shënoi edhe një fitore, një fitore bindëse, kundër mentalitetit çetnik të Serbisë,  pavarësisht se si do ta vlerësojë këtë vizitë, BE-ja dhe qarqet antishqiptare në Evropë dhe në botë. Kësaj radhe “Droni” që u shfaq si fantazmë ogurzezë për Serbinë mu në qendër të Beogradi dhe  që simbolizon të drejtën e natyrshme  të shqiptarëve për të jetuar në një shtet të vetëm  në Ballkan, po ajo “fluturake” hyri edhe  brenda Qeverisë së Serbisë, në rrugë diplomatike, përmes deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.


Serbia ende ka shumë punë për të bërë, ende ka shumë mëkate për të larë jo vetëm ndaj shqiptarëve, por ndaj të gjithë popujve të Ballkanit. Deri atëherë ajo do të përtypë mitet e krijuara e të mbajtuar gjallë nga Kisha dhe errësia e dendur mesjetare, e cila ende noton turbull në mendjet e serbëve të manipuluar ndër shekuj.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …