Kongresi i Manastirit i ka zhvilluar punimet prej 14 e deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit, ka qenë një konferencë akademike, e mbajtur në qytetin e Manastirit, e cila i ka zhvilluar punimet mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Data e përfundimit të Kongresit 22 nëntori, përbën tashmë një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nën variantet.
Kongresi i organizuar prej shoqërisë “Bashkimi” u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzetetre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetedy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë ishin vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë: Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë nga familja ishin, Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës dhe Gjergj Zavalani. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.