Edhe unë dikur, si shumë bashkëkohës, fillova Fakultetin nga që e doja shkollimin sa edhe vet jetën, por për shkak të aktiviteteve, ashtu si edhe shumë shokë të asaj kohe u detyrova ta lë fakultetin edhe Atdheun.
Jeta në mërgim ishte po aq e rëndë sa edhe shtypja serbo-sllave në Kosovë, por më pak e rrezikshme për jetën. Qëndrova atje sepse më jepej mundësia të punoja për ta mbajtur familjen në atdhe dhe çka ishte edhe më e rëndësishme ishim më të lirë po jo edhe pa rreziqe që të ri-grupoheshim më shumicën e shokëve të idealit për të vazhduar aktivitetet ( e aktivitetet e mia dhe të shokëve të mi i dinë të gjithë shqiptarët atje) siç ishim betuar deri në çlirimin e plotë të atdheut.
E gjithë puna jonë u kurorëzua me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku brumi i parë i së cilës ishin po thuajse të njëjtat grupe që organizonin protesta e demonstrata si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
Ishin ata djem e vajza që u mbijetuan torturave serbo-sllave dhe langonjve të tyre shqipfolës e të cilët kurrë nuk u thyen por edhe pas burgut vazhduan rrugën atdhetare.
Unë nuk u ktheva vetëm, por përkundër kundërshtimit të të gjithë miqve e dashamirëve e mora edhe familjen me vete, mora edhe vajzën gjashtë muaj, të cilën si lloj betimi e kisha pagëzuar, DOKTHENË.
Ne u kishim thënë shokëve qe mbeten në Kosovë se do të ktheheshim, shumë u kthyem, po jo mjaftueshëm e me shumicën prej tyre nuk u pamë kurrë më për se gjalli, por mallin me ta e shuajmë pranë varreve dhe lapidarëve të tyre.
Gjatë kësaj kohe, edhe pse lufta ishte përhap gati në gjithë Kosovën një pjesë e popullit mashtronte vetën gjoja se po bënte jetë normale. Kafenetë ishin plot, tregtia zhvillohej e nga kjo tregti furnizoheshin tigrat e Arkanit, e ku është edhe më e keqja, disa nga ata njerëz kryenin edhe fakultete.
Tani, dua ti tregoj zotit Matoshi diçka çka nuk ju kam treguar as shokëve të mi: Derisa unë vet i katërti vëlla isha rreshtuar në të lavdishmen UÇK, kushëriri im i parë i thotë babës tim plak, ma mirë djemtë e mi që po kryejnë fakultet se sa djemtë e tu rrugëve.
Edhe nja zoti Matoshi, gruaja e një shokut tonë e të dy këta burrë e grua të burgosur politikë, invalid e familje dëshmori, konkurroi në Shkollën Ekonomike në Pejë.
A e din çka i thanë?
-Edhe pse je e diplomuar nuk ke përvojë pune, prandaj nuk mund të pranojmë.
Ajo ua ktheu. -po s’ keni faj more, se kur ju e keni krye praktikën unë kam qenë në burg.
U thash në fillim se e doja shkollimin sa edhe vet jetën prandaj mbas lufte u regjistrova në fakultet dhe fillova mbarë, me nota maksimale.
Edhe këtu na dolën përpara mbeturinat komunisto-jugosllave përmes gazetave e propagandës se tyre speciale se gjoja po i marrim diplomat pa dije dhe kjo ma humbi gjithë atë vullnet për shkollë dhe e lash fakultetin.
E tash shtrohet pyetja. Pas gjitha këtyre përjetimeve, unë dhe shokët e mi a mund të jemi të barabartë me ju të sefasë?
Po fëmijët tanë a mund të jenë të barabartë me fëmijët tuaj të cilët jetojnë në luksin e fituar në kohet më të vështira të popullit?
Një pjesë e fëmijëve tanë kanë arritur pa ndihmën e askujt të regjistrohen, ndërsa kjo pjesa tjetër nuk kanë arritur të fitojnë pikë të mjaftueshme, e që besojmë se kanë ndikuar edhe kushtet e mjerueshme ekonomike në të cilën gjenden familjet e tyre po edhe për shkak të traumave që kanë fituar gjatë luftës, prindërit e tyre nuk kanë mundur të merren me ta.
Po pse more nuk e thatë as edhe një fjalë për minoritetet që u regjistruan pa as edhe një kriter.
Ato taksat tua, ty dhe sojit tënd nuk po iu dhimben për serbë e minoritete tjera, po veç për fëmijët tanë?
M’u kalltë ndihma që ma jep Shteti nga taksat e tua!
(Autori është kryetar i Degës së OVL të UÇK-së, në Pejë)