Hapet një pikë e re grumbulluese për konservimin dhe përpunimin e pemëve e perimeve

Hapet një pikë e re grumbulluese për konservimin dhe përpunimin e pemëve e perimeve. Në hapjen e kësaj pike grumbulluese të pemëve dhe perimeve, mori pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, drejtori i Bujqësisë Burim Bajrami, drejtorë të drejtorive si dhe përfaqësues të organizatës IADK. Familja Maloku në Pleshinë të Ferizajt prej sot ka hapur një pikë grumbulluese për përpunimin dhe konservimin e pemëve dhe perimeve e cila ka qenë mjaft e nevojshme në këtë mjedis. Projekti i hapjes së kësaj pike u konsiderua një fuqizim dhe motivim për të rritur prodhimin vendor, por edhe si një iniciativë për punësim të grave me mjedise rurale. Projekti i hapjes së kësaj pike u mbështet nga IADK Iniciativa për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë si dhe komuna e Ferizajt. Zenel Bunjaku nga IADK pohon se projektet e tilla tashmë kanë shënuar mjaft suksese në pjesët rurale të Kosovës. Me rastin e hapjes së kësaj pike grumbulluese edhe nënkryetari i Komunës së Ferizajt Naim Ferati deklaroi se komuna u gëzohet angazhimeve të tilla për t’u vlerësuar angazhimi në fushën e bujqësisë. Ai shprehu gatishmërinë e komunës që idetë e tilla të përkrahen edhe për pjesët e tjera të komunës së Ferizajt. Kurse vet Lumturie Maloku e cila ka përfituar nga ky projekt thotë se ndjehet me fat që është përzgjedhur të punojë për pikën e re grumbulluese. Ajo premton se do të angazhojë edhe gra të tjera në bazë të kërkesave që do të ketë tregu për shitjen e këtyre produkteve. Behet e ditur se në këtë pikë grumbulluese janë dhënë pajisje për konservimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në vlerë rreth 13 mijë euro nga organizata IADK , ndërkaq prodhimet e bëra këtu eksportohen edhe jashtë Kosovës në bazë të marrëveshjeve që ka lidhur ky përfitues.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …