leoni

Zamira Çavo: Frika nga Enveri apo nga e Vërteta?

Më në fund dhe Shqipëria do të hapë dosjet! Shumë vonë për të rihapur edhe njëherë plagët që kishin zënë të mbyllen! Politika më shumë se vendi, do të përjetojë tronditje të forta. Kam qenë për t’u hapur dosjet që 15 vite më parë. Që atëherë kur Shqipëria po kërkonte rrugën e së vërtetës. Por politika, e ngatërruar me dosjet e së shkuarës, nuk deshi t’i hapte. Shkaku duhet kërkuar në ata që e patën në dorë dhe nuk e bënë kur duhej. Pasoja? 24 vite dhe vetëm ca hapa përpara! Sot, në një kohë kur duhen shmangur sa më shumë përplasjet sociale e ku shteti ende nuk ka vënë nën kontroll gjakmarrjen, hapja e kësaj plage duket pak e sforcuar.


 


Sot, hapja e dosjeve duket më shumë si një manovër që ka dy qasje: e para, t’u tregojë më shumë partnerëve të huaj sesa popullit, se janë kundër Enverit dhe rrjetave të tij të zgjatura ende në politikë; së dyti, t’i tregojë kujtdo që do të përpiqet të vërë “shkopinj” nën rrota se do t’i nxirret në shesh sekreti … Sepse jam e sigurt që një pjesë e ish-spiunëve të diktaturës është sërish në politikë me “veshje” të re.


 


Nëse qeveria do të hapë dosjet, sepse “do të ndahet njëherë e mirë nga Enveri”, do të thosha se kjo nuk është rruga. Realisht figura e Enverit del në krye të radhës politike sa herë vështirësitë e brendshme janë të mëdha. Është një kujtesë që politika u bën qytetarëve, të cilët nuk e pëshpëritin, por e thonë hapur: “Ishim më mirë kur ishim më keq”. Ndaj Enveri nuk është i pranishëm në mënyrë permanente tek aktiviteti i ditës, por del hera-herës i nxitur nga qarqe të caktuara që e përdorin si tërheqje vëmendjeje. Të shpallësh ndarjen nga Enveri është një gjë, e të mos veprosh si ai është një tjetër! Nëse kërkojmë vërtet ta lëmë pas atë kohë, atë ideologji e politikë, duhet ta shohim në sy, ta studiojmë pa pasione politike, pa ndërhyrje, me të mirat e të këqijat, sepse vetëm kështu do të përballemi me të vërtetat e atij sistemi! Me të shara, me të fshehura pas “gogolit” Enver, nuk bëjmë gjë tjetër veçse dëshmojmë se e kemi ende objekt referimi për të mirë apo për të keq.


 


Të rinjtë e sotëm nuk e njohin atë kohë. Por kanë gjithë jetën që dëgjojnë Berishën që bërtet kundër komunistëve dhe Enverit. Ata nuk dinë asgjë mbi luftën dhe punën e komunistëve, sepse balta e hedhur nga politika mediokre nuk kanë lënë asnjë cep të pastër nga ku mund të dallonin të vërtetën. Nëse nuk e studiojmë, nëse nuk dallojmë ato çka u bënë mirë dhe ato çka mbollën kob e varfëri, asnjë hapje dosjesh nuk do ta zgjidhë braktisjen përfundimtare nga Enveri dhe enverizmi. Asgjë nuk mund të mohohet pa pohuar! Në mendimin tim nuk besoj se ka shqiptarë që mendon se sistemi i Enverit rrezikon kthimin.


 


Shoqëria nuk bën kurrë hapa prapa, por enverizmi është ende i pranishëm si majtas ashtu dhe djathtas, jo si filozofi, por si metodologji e pushtetit. Kjo është frika më e madhe, ndaj jam e bindur që duhet ballafaqim me të djeshmen dhe jo fshehje pas frikës. Sa për muzetë, them me bindje se ato janë e mbeten vlera të paçmuara të historisë sonë. Nëse në Muzeun Historik Kombëtar është një pavijon i tërë vetëm me fotografitë e Ahmet Zogut, nuk ka pse të mos jetë edhe një pavijon për historinë e diktaturës. Njerëzit duhet ta shohin realisht të vërtetën e asaj kohe! Dhe 45 vjet nuk janë pak në një histori që flet ende me gjuhën e faktit real.


 


Ana e dytë e medaljes ka të bëjë me “frikën” e atyre që i kanë shërbyer në mënyrën më të ulët atij sistemi. Spiunët e djeshëm mund të jenë tërhequr me kohë në jetën e tyre. Akuzatorët e djeshëm mund të kenë ngjitur shkallët e politikës dhe sot mund të “nderohen” si personazhe VIP. Personalisht jam që për këta persona një orë e më parë të largohen nga politika, sepse janë ata që sjellin rrezikun e kthimit të enverizmit në një model tjetër! Por sikundër ka ndodhur edhe më parë, politika shqiptare është kaq e korkolepsur sa asnjë qeveri nuk ka mundur që ta realizojë vërtet një sipërmarrje të tillë.


 


Të pastrosh politikën nga ish akuzatorët dhe ekzekutorët e lirisë, do të thotë të prishësh marrëveshje, të prishësh aleanca, të prishësh ekuilibra, që edhe sot janë shumë të brishta. Ndaj gjykoj që hapja e dosjeve shërben më shumë si një “kartë” e fortë ndaj atyre që dalin kundër për t’i mbajtur “urtë”, sesa një ndërmarrje kaq e fortë politike. Realisht jam skeptike, sepse gjykoj mbi mungesën e mundësive reale për ta bërë këtë.


 


Së fundmi, të nderosh luftën për çlirim nuk do të thotë aspak të kthesh Enverin, por të nderosh gjakun e mijëra shqiptarëve që vunë jetën në themel të lirisë sonë. Përkundrazi, çdo tendencë për t’iu shmangur këtij realiteti, çdo tendencë për ta shndërruar imazhin e lavdishëm të asaj lufte në një leckë për të fshirë pluhurat e pushtetit, është një gabim i rëndë që historia do ta dënojë në përjetësi. Nuk të bën enverist shalli i kuq, por gjuha e “kuqe”, demagogjia dhe mashtrimi. Ajo luftë është sinjali ynë i një rilindjeje të vërtetë dhe të nënvlerësosh atë moment, do të thotë të përdhosësh në emër të një rilindjeje iluzive, madhështinë e një rilindjeje të vërtetë të lirisë sonë.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …