Melsi Labi: Kush ka frikë nga Lufta Nacionalçlirimtare?

Duke u ngacmuar nga debati i zhvilluar këto ditë, për sa i përket rolit të organizatave politike, gjatë periudhës 1939-1944, duke parë edhe përplasjet e mendimeve të historianëve, ndiej obligimin tim si qytetar dhe historian, që të sqaroj se, në lidhje me këtë çështje ka dokumente historike që provojnë se rezistenca shqiptare, ishte njohur ndërkombëtarisht si pjesëtare e Koalicionit Antifashist.

Deklaratat e tri Fuqive Aleate janë një dëshmi, ndërsa një rëndësi e veçantë u është kushtuar edhe misioneve britanike dhe amerikane në Shqipëri, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këtë mes janë të dërguarit e posaçëm ushtarakë të Anglisë, SHBA, BS dhe nga shtabet e shteteve fqinje, që u vendosën pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, pranë disa shtabeve të njësive të UNÇSH dhe pranë formacioneve të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Misionet Aleate në Shqipëri synonin të jepnin ndihmesë për organizimin, drejtimin, dhe furnizimin me materiale të formacioneve luftarake shqiptare për angazhimin maksimal të forcave të qëndresës kundër nazifashistëve, të mblidhnin të dhëna për vendndodhjen dhe lëvizjet e forcave armike etj.

Gjatë vitit 1943 u rrit edhe më tej interesimi i Britanisë së Madhe në rajon dhe në Shqipëri. Ky interesim u shpreh qartë edhe në hapat konkretë që mori Britania e Madhe me misionet e saj. Serinë e tyre e nisi misioni i koduar ”Consensus” (në fund të prillit 1943), i drejtuar nga majori Bill Maklin, Dejvis Smail e togeri Geri Defi, të cilët erdhën në Shqipëri nga Greqia dhe vazhduan punën e tyre në Shqipërinë e Jugut. Çdo mision i SOE në Shqipëri kishte emrin e vet të koduar dhe po ashtu çdo fluturim e çdo hedhje për një mision mbante emrin e koduar të misionit në fjalë dhe një numër në vazhdim. Ky mision pati rëndësi të veçantë, pasi me të u vendosën kontaktet e drejtpërdrejta me rezistencën shqiptare. Pas një qëndrimi të shkurtër misioni u urdhërua të largohej nga Shqipëria, por u kthye përsëri bashkë me Dejvi Smailin dhe Xh. Emerin. Në fillim të vitit 1944 Bill. Maklin kishte lidhje të ngushta me Abaz Kupin, të cilin e admironte dhe dëshironte ta mbështeste, si edhe me Enver Hoxhën dhe forcat partizane, të drejtuara prej Spiro Moisiut.

Ai mbajti lidhje me shtabin ushtarak britanik për të bashkërenduar veprimet dhe furnizimet me armë. Ai u largua nga Shqipëria më shtator 1944 me urdhër të eprorëve të tij, duke lënë Abaz Kupin dhe forcat e tij pa përkrahje. Ai do të pasohej dhe nga misione të tjera aleate. Ardhja e tyre ishte në përputhje me strategjinë e aleatëve. Britania e Madhe dhe aleatët në tërësi ishin të interesuar që të mbështesnin e të përkrahnin kudo forcat e rezistencës, pavarësisht nga orientimet e tyre ideologjike, në rast se ato angazhoheshin në luftime kundër agresorëve nazifashistë. Bazat e kushtet e krijuara prej tij pasuan në periudhën korrik-gusht 1943 hedhjen e 6 misioneve të tjera. Në datën 15-16 tetor erdhi në Shqipëri nga Biza misioni i kryesuar nga gjeneral brigade Edmund Dejvis, për të udhëhequr të gjitha misionet, ku dhe ishte misioni më i madh britanik në Shqipëri. Ai erdhi me një shtab të madh, me kolonelit A. Nikols, si shef shtabi. Misioni “Dejvis” do të bashkërendonte punën e grupeve angleze që vepronin në Shqipëri dhe do të ndihmonte në përmbushjen e misionit që atyre u ishte ngarkuar. Gjenerali Dejvis ishte dyzet e tre vjeç dhe e kishte kaluar gjithë karrierën e tij në ushtri.

Oficeri kryesor i shtabit të tij ishte nënkoloneli Artor Nikols i Gardës Koltstrim, gjithashtu një ushtarak profesionist dhe fizikisht jo nga njerëzit më të fortë. Aleatët ishin mjaft të interesuar që në Ballkan të rritej e të forcohej sa më shumë lufta e armatosur kundër pushtuesve nazifashistë, në mënyrë që të gozhdoheshin edhe këtu forca të mëdha armike. Duke parë këto zhvillime Çërçilli shumë shpejt do të nxiste publikisht aksionin e gueriljeve shqiptare. Më 4 nëntor 1943, ai do të deklaronte në Dhomën e Komunave se: “Mijëra partizanë shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë të ndërlidhjes që janë pranë tyre kanë çmuar cilësitë e tyre luftarake. Në këtë mënyrë, shqiptarët po luajnë rolin e vet në përputhje me traditat e tyre”.

Gjenerali Dejvis, sapo erdhi, mori kontakt me Enver Hoxhën, të cilit i parashtroi kërkesën për të ndalur sulmet ndaj Ballit Kombëtar. E. Hoxha pranoi, por me kusht që Balli Kombëtar të hiqte dorë nga bashkëpunimi me gjermanët dhe të niste luftën kundër tyre. Dejvisi në javën e parë të nëntorit u takua edhe me kreun e Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, ku mori edhe premtimin me shkrim, se do të luftonin kundër gjermanëve. Pas këtyre kontakteve dukej se çdo gjë po shkonte mirë, por pas vëzhgimeve në vend mbi forcat politike, mbi qëndrimin dhe veprimtarinë e tyre, më 19 nëntor 1943 gjenerali Dejvis dërgoi në Londër raportin e tij të parë, me gjykime për gjendjen në Shqipëri e me rekomandimin për masat që duheshin marrë për të ndihmuar në forcimin e rezistencës shqiptare. Sugjerimi i parë ishte:

 1- Londra duhet të mbështeste të gjitha grupet e qëndresës. Po në këtë kohë ai përpiloi udhëzimet që duhet t’u përmbaheshin oficerët britanikë që vepronin në Shqipëri.

2- ata duhet të ndihmonin pa paragjykim të gjitha forcat e angazhuara në luftë, pavarësisht nga orientimi i tyre ideologjik. Më 17 dhjetor 1943 gjenerali Dejvis dërgon në Londër raportin e tij të dytë, me të cilin kërkon ndryshimin e politikës britanike në Shqipëri.

 

Dejvisi shkruante se tani situata në vend kishte ndryshuar dhe denoncimi i Ballit Kombëtar e i zogistëve ishe bërë i domosdoshëm, pasi ata po bashkëpunonin hapur me gjermanët. Pavarësisht që ekzistojnë 2 a tri dokumente të firmosura që Balli Kombëtar do ta mbështeste luftën kundër pushtuesve, siç do të shohim më poshtë sikurse edhe vetë ngjarjet e tregojnë që ata nuk e bënë një gjë të tillë. Mbas gjithë debatit të ngritur nga historianët, pyetja ime është: Cili ka merak nga vërtetësia e veprimeve të kohës dhe këtyre dokumenteve? Tashmë e dimë që Abaz Kupi, si një nga patriotët e parë të luftës për mbrojtjen e territoreve dhe integritetit të Kombit, në këtë periudhë kohore del qartë nga të gjithë raportuesit e kohës se forcat partizane, po ndesheshin me njësi të përziera gjermano-balliste dhe Abaz Kupi nuk kishte marrë ndonjë vendim për të mbështetur njërin krah apo tjetrin. Gjenerali Dejvis propozonte që qeveria britanike të deklarohej hapur se distancohej nga forcat që bashkëpunonin me gjermanët e se ajo do të mbështeste lëvizjen partizane që luftonte kundër pushtuesve gjermanë dhe jo grupet që bashkëpunonin me ta. Ky është mesazhi i fundit që gjenerali Dejvis u drejtonte eprorëve të vet në Londër.

Brenda javës ai u kap nga forcat e ballit dhe u dorëzua te gjermanët. Foreign Office vendosi të mos e denonconte menjëherë Ballin Kombëtar, por të vazhdonte të përkrahte partizanët e njëkohësisht dhe Abaz Kupin, duke e nxitur këtë të fundit që të luftonte. Misioni që do të vepronte pranë Abaz Kupit quhej ”Consensus II”, i cili iu besua Xhulian Emerit, Devi Smailit dhe Bill Maklin. Me rritjen e LANÇ dhe të veprimeve luftarake të njësive partizane, aleatët u bindën për efektivitetin e luftës partizane, për shkallën e lartë të organizimit e të disiplinës që karakterizonte forcat partizane. Në dhjetor 1943, Maklin dhe Smaili përpilojnë një raport, ku në ndihmë të këtij raporti është edhe Xhulian Emeri. Raporti përmban një histori të ngjeshur për rritjen e Lëvizjes së rezistencës në Shqipëri.

 Politika jonë duhet të jetë që t’i mbështesim partizanët me gjithë ndihmën e mundshme materiale, meqë ata janë e vetmja forcë ushtarake në vend. Britanikët mendonin se arkitektët e ngritjes së partizanëve ishin gjermanët dhe Balli Kombëtar, domethënë grabitjet dhe shkatërrimet që ata kishin bërë. Aleatët në strategjinë e tyre parashikonin se operacionet e mëdha do të bëheshin prej UNÇSH vetëm me ndihmën e tyre. Çlirimi i Shqipërisë, sipas tyre, do të arrihej nga veprimet ushtarake të forcave aleate, në bashkëveprim me forcat e UNÇSH. Memorandumi i 3 janarit 1943 titullohej “strategjia anglo-amerikane dhe parashikohej që, krahas veprimeve të njësive të UNÇSH, armiku të goditet edhe nga forcat aleate, të cilat do të zbarkonin në Shqipëri sapo të krijoheshin kushtet. Misionet angleze në raportet që i dërgonin Qendrës në Londër theksonin se “partizanët shqiptarë kanë një prirje të theksuar për të kryer veprime të mëdha jashtë mundësive të tyre”. Kjo gjë tregon se Fronti Nacionalçlirimtar, për hir të kontributit që kishin dhënë gjatë rezistencës antifashiste gëzonin një konsideratë më të madhe se BK në arenën ndërkombëtare. Dëshmi janë porositë që komanda e forcave anglo-amerikane i dha qeverisë së re antifashiste italiane të mareshalit Pietro Badoglio në çastin e kapitullimit.

 Sipas këtyre porosive, divizionet ushtarake italiane që ndodheshin në Shqipëri të hynin në bisedime për dorëzim me misionet ushtarake aleate që këtu vepronin edhe me krerët e formacioneve të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare. Njëkohësisht ata porositeshin që të mos u dorëzoheshin bandave të parregullta të organizatave nacionaliste. Vendosja e pushtimit gjerman shkaktoi një zhvendosje të pozitave politike të Ballit Kombëtar dhe të Lëvizjes së Legalitetit. Për të rifituar kapitalin politik të humbur përballë frontit, “Balli Kombëtar”, në vend që të zhvillonte luftën kundër okupatorëve të rinj, u kthye përsëri te qëndrimi i mëparshëm i pritmërisë. Krerët Ballistë shpresuan se me këtë qëndrim do të fitonin kohë për të forcuar pozitat e tyre politike dhe ushtarake. Ndërkohë që ekziston një dokument kur më 7 tetor 1943 në emër të KQ të BK Mithat Frashëri lëshoi në adresë të gjithë komiteteve krahinore këtë qarkore: “Meqenëse vendi ynë sot ka nevojën më të ngutshme për rregull dhe disiplinë , gjithë komiteti, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen që me të arritur kjo qarkore, të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash. Më vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera”.

 

Kjo tregon se Balli Kombëtar dita-ditës filloi t’i largohej qëllimit të vërtetë të luftës. Në këndvështrimin tim, Balli Kombëtar bashkëpunoi me okupatorin, jo se ishin pro gjermanë, por ata urrenin komunizmin dhe mendonin se me ndihmën e tij mund ta parandalonin atë. Kjo ishte dhe një nga arsyet pse ata gabuan, duke bashkëpunuar me ta. Kur forcat hitleriane ndërmorën “Operacionin e Dimrit” në vitet 1943-1944 për të shtypur Lëvizjen Nacionalçlirimtare, BK i ktheu repartet e veta të armatosura në shtojca të reparteve ushtarake hitleriane dhe të forcave të xhandarmërisë kolaboracioniste. Natyrisht, duhet të kuptojmë se jo të gjithë u bashkuan me gjermanët. Kemi tri akte zyrtare të administratës kuislinge të Rexhep Mitrovicës ose të vetë Ballit Kombëtar, të cilat flasin për bashkëpunim midis çetave balliste, xhandarmërisë kuislinge dhe reparteve hitleriane kundër forcave partizane gjatë “Operacionit të Dimrit”.

 

Dokumenti i parë: më 11 janar 1944.

 

 “Qark Komanda e Xhandarmërisë së Durrësit na lajmëron se si mbas njoftimit qi i ashtë bae prej Komandës Rrethit Shijakut nji fuqi gjermane në bashkë punim me fuqit e Ballit Kombëtar të Kavajës e të Shijakut janë vue në ndjekje të çetës Myslym Pezës, një pjesë e së cilës thuhet të ketë kalue në rajonin e Shijakut.

Dokumenti i dytë: Mesazh i komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar me nënshkrimin e Mithat Frashërit drejtuar Komitetit krahinor të Korçës, me të cilin njofton se për të përballuar vrullin e pandalshëm të forcave partizane, në Korçë e në Berat, BK kishte siguruar nihmën e reparteve kosovare të organizuara nga komanda ushtarake hitleriane. Dokumenti i tretë: Komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë Koloneli Hysni Dema me një shkresë drejtuar Ministrisë së Punve të Brendshme , Tiranë, 11 mars 1944 njoftonte se ‘më datë 8 mars 1944 para dreke dy batalione të Regjimentit Kosova, një kompani gjermane dhe fuqitë e BK, janë nisur për veprimtari operative, në rajonin e Sevasterit e të Terbllovës’. Me këto veprime dhe me kaq sa na servirin dokumentet origjinale të kohës mund ta shohim qartë që fatkeqësisht Balli Kombëtar shkau gradualisht në prehrin e gjermanëve, të cilët u shkonin në momente të caktuara në ndihmë forcave balliste. Pasi i bëmë një rezyme kësaj situate, për të qartësuar sadopak të gjithë këtë tymnajë të përhapur në opinionin publik shqiptar, pyetja ime përsëri është: Cilët janë ata njerëz që frikësohen nga suksesi i Luftës Nacionalçlirimtare dhe nga e vërteta historike? Mendoj se të gjithë duhet të jenë të qartë për diçka.

Në situatën gjeopolitike të kohës, kishte jashtë mase presion dhe shtypje që Lufta Nacionalçlirimtare të mos ishte në të vërtetë e tillë, por të përkthehej si një luftë vëllavrasëse dhe me këtë rast ithtarët e 2 filozofive të prapambetura të kohës, Naçertania dhe Megaliidea të zbatonin planin e tyre të vjetër për ricopëtimin e trojeve shqiptare, veprim i cili nëse do të ishte përkrahur, nuk do të na jepte si rezultat këtë Shqipëri që kemi sot. Pyetja ime e fundit, që më lind pas gjithë kësaj logjike historike është: Kush ka frikë nga integriteti i Shqipërisë?

Kontrolloni gjithashtu

Ministritë përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit …