Franca, do të kishte bërë ma mirë, që të angazhohej në liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët të shkonin lirshëm dhe të ktheheshin, madje si shtet i fuqishëm që është, të angazhohej në ndonjë investim kapital në vendin tonë, ku do të mund të punësoheshin të rinjtë tanë të cilët ndodhen para halleve të mëdha për punë.
Skandali, që po i ri përsëritet vendit tonë me largimet masive të përkujton largimet e dhunshme, pas viteve të 90-ta, që i bënte regjimi kriminal i Millosheviqit ndaj shqiptarëve me qëllim të popullimit të Kosovës me pjesëtarë të pakicave serbe nga Bosnja dhe Kroacia. Atë kohë, regjimi kriminal i Millosheviqit pat mundësuar hapjen e shumë “agjencive turistike” të cilat ndihmoheshin nga institucionet e atëhershme: policia, sigurimi i shtetit dhe ai i armatës , nga kisha dhe grupet paramilitare serbe që operonin në Kosovë. Këto kishin synim parësor spastrimin etnik të vendit. Atë periudhë, rrugë kryesore për depërtim në shtetet e Perëndimit ishte pikërisht Serbia e cila stimulonte mafian që bartnin njerëz e familje të tëra . Atëherë pjesa dërrmuese e të larguarve kishin arsye, sepse ndodheshin në prag të rrezikimit individual dhe kolektiv , që pasoi në vitet 1998-1999, jo vetëm për zhdukje, por edhe për shkak të urisë, ngase vendet e punës u spastruan etnikisht nga regjimi në fuqi. Udhëheqja e kohës në Kosovë heshte për ballë një rreziku të tillë, që i kanosej vendit, në periudhën kur qindra autobusë të “agjencive turistike” parkoheshin para Pallatit të Mediave dhe largoheshin me udhëtarë drejt vendeve të Evropës. Ishin tepër të dhembshme ato pamje, që sot kur i kujtojmë, na duken se i kemi parasysh.
Çuditërisht, pamje të tilla na shfaqen, sot, para syve tanë edhe gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së vendit. Pamjet e tilla janë të tmerrshme dhe sinjal i keq për vendin në ndërtim e sipër. Si lugetër, janë ringjallur “agjencitë” e djeshme dhe të pa prekura nga askush janë futur në zingjirin e ri spastrimit etnik të Kosovës . Nëse pas viteve të nëntëdhjeta strukturat e shtetit paralel të Kosovës, kur i atakonim për këtë çështje, ankoheshin për mungesë të mekanizmave për ndalimin e këtij fenomeni, sot, është një situatë krejt tjetër. Kosova i ka institucionet qendrore dhe lokale, i ka mekanizmat e shtetit, policinë, të cilat duhet t’i ndërmarrin hapat e tyre seriozë dhe ta ndalin hovin e këtij fillimi fatkeq për ri zbrazjen e Kosovës.
Nuk do mend se kjo fushatë e largimit e ka një skenar që duket sheshazi . E ky skenar iu konvenon edhe përfituesve (mafias serbo-shqiptare) të cilët , si më parë, nxjerrin përfitime të mëdha nga këto largime. Një njoftim i MPB-së për largim të 26 mijë qytetarëve (21 mijë vjet e 14 mijë sivjet) dhe një njoftim tjetër medial për 35 mijë azilkërkues nga Kosova anekënd Evropës, flet për seriozitetin e kësaj çështjeje.
Pos kësaj, ishte lajm shumë i keq i Qeverisë Franceze, i kumtuar nëpër media, për heqjen e Kosovës nga vendet stabile dhe rihapjen e mundësisë për kosovarët për marrje të azilit në atë shtet. Ky hap i Qeverisë franceze, doli pas lajmit për botimin e librit të komandantit të forcave speciale franceze Zhak Hogar, i cili ka pranuar se “ishin trupat franceze ato që e ndanë Mitrovicën në vitin 1999”, mbi baza etnike, që nënkupton futjen e një pyke të destabilitetit afatgjatë në Kosovë. Këtu, na del edhe një element jo i këndshëm nga Marrëveshja e nënshkruar me Serbinë, për qarkullim nëpër Serbi vetëm me leje të njoftimit e cila ua lehtëson njerëzve kalimin nëpër atë shtet, që është në funksion të ri zbrazjes së vendit.
Franca, do të kishte bërë ma mirë, që të angazhohej në liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët të shkonin lirshëm dhe të ktheheshin, madje si shtet i fuqishëm që është, të angazhohej në ndonjë investim kapital në vendin tonë, ku do të mund të punësoheshin të rinjtë tanë të cilët ndodhen para halleve të mëdha. Investimi në projekte kapitale është ndihmë për Kosovën, jo hapja e derës dhe strehimi politik, që gjithsesi janë me sherr.
(Autori ka qenë gazetar i “Rilindjes” (“Bujkut”)