Frank Shkreli: Kur humbë Rusia humbë edhe Serbia

Rusia njoftoi se po heqë dorë nga ndërtimi i  të ashtuquajturit  projekti i gazsjellësit jugor, vendim ky që po cilësohet nga ekspertët dhe analistët si një humbje diplomatike dhe ekonomike për Moskën, e i cili njëkohësisht ka shqetsuar shumë edhe aleaten e saj  të ngushtë në Ballkan, Serbinë.   Presidenti rus, Vladimir Putin pohoi se është anulluar ndërtimi i këtij projekti pasi Bashkimi Europian vendosi ta kundërshtonte këtë projekt, sepse sipas shpjegimit zyrtar të Brukselit, projekti nuk ishte në përputhje me normat dhe standardet e BE-së për konkurim dhe si i tillë do t’i jepte Gazpromit rus një monopol ekonomik dhe do i garantonte Rusisë një kontroll politik mbi vendet që do të blenin gazin rus.   Për anullimin e vendimit për ndërtimin e gazsjellësit jugor, Presidenti rus Vladimir Putin, fajësoi Bashkimin Evropian, por analistët janë të mendimit se pa marrë parasyshë shpjegimin zyrtar të BE-së dhe pa marrë parasyshë pohimet e Putinit —  e vërteta është se, e pranon ose jo Vladimir Putin, ky projekt ra viktimë e politikës së tij ekspansioniste ruse në Ukrainë dhe e izolimit të vendit të tij në arenën ndërkombëtare.


Anulimi i këtij projekti është një lajm i mirë për kontinentin europian por edhe më i mirë për rajonin e Ballkanit, ku mendohej se përfundimi i këtij projekti rus do të shtonte edhe më shumë influencën dhe dominimin politik dhe ekonomik rus në vendet e Ballkanit perëndimor.  Gazsjellësi do të kishte furnizuar me gaz rus Europën perëndimore dhe vendet e Europës jugore, nepërmjet Bullgarisë dhe Serbisë.  Anulimin e këtij projekti nga Presidenti Putin,  gazeta  amerikane the New York Times, e cilëson si “një fitore të rrallë të Bashkimit Europian dhe të administratës së Presidentit Obama, të cilët gjatë këtij viti u dukën si të pafuqishëm për të bërë gjë kur Putini aneksoi Krimenë dhe ndërkohë  që Rusia nxitë kryengritjen në pjesën lindore të Ukrainës.”   


 


 Është e qartë se me anullimin e këtij projekti humbi Rusia, jo vetëm në pikpamje ekonomike por edhe në pikëpamje politike, diplomatike dhe ushtarake, pasi mos ndërtimi i këtij projekti rajonal afekton drejtë për së drejti dominimin dhe influencën e Rusisë, sidomos në rajonin e Ballkanit. Por humbi edhe Serbia, e cila priste shumë nga ky projekt i Gazpromit rus. Serbia e cila priste përfitime të mëdha ekonomike nga ky projekt si dhe një përforcim të dominimit rus në rajon, shfaqi keqardhjen e saj të thellë nepërmjet Kryeministrit të saj Alekandër Vuçiq, i cili u shpreh për mediat se anullimi i projektit të gazsjellësit jugor ishte një lajm i keq për Serbinë.


  Analistët thonë se tensionet politike në rritje e sipër midis Rusisë dhe Bashkimit Europian influencuan në anullimin e këtij projekti nga ana e Moskës.  Kjo është venë re sidomos nga shqetësimet që ka shfaqur kohët e fundit Gjermania, vendi kryesor i BE-së,  mbi rrritjen e influencës ruse në Ballkan.  Ishte vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila në mbledhjen ndërkombëtare të nivelit të lartë të grupit G20 në Australi ngriti zërin duke venë në dukje shqetësimet e vendit të sajë në lidhje me influencën ruse në rritje e sipër në Ballkan. 


Në këtë ndërkohë,  javën që kaloi,  Presidenti i Gjermanisë vizitoi Slloveninë në përpjekje, sipas medias për të venë në dukje interesimin dhe angazhimin gjerman për atë atë rajon, por edhe si një masë për të kundërshtuar influencën ruse në rritje e sipër në Ballkanin perëndimor.   Gjithashtu kohët e fundit, Berlini dërgoi edhe në Kosovë një diplomat të lartë të çështjeve ballkanike, ish-ambsadorin e Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, “me qëllim për tu njohur me situatën”, sipas ambasadës gjermane në Prishtinë.   Është e  qartë se Gjermania dërgoi diplomatin e saj të lartë në Kosovë, si pjesë e përpjekjeve të miqëve perëndimorë të Kosovës, përveç shqetësimeve rajonale, njëkohësisht  edhe për të bindur politikanët dhe partitë politike që ata përfqësojnë, që të zgjidhin sa më shpejt gërçin politik dhe të formojnë  sa më parë institucionet qeveritare të vendit. 


Duket se Gjermania është me të drejtë e shqetësuar se Rusia dhe aleatja e saj Serbia mund të përfitojnë nga mos stabiliteti politik dhe ekonomik në vende të ndryshme të asaj zone, përfshirë edhe Kosovën.  Dhe si rrjedhim Berlini, me politikat e tij dhe me vizitat e zyrtarëve të saj të lartë në Ballkan po përpiqet të vejë në dukje vendosmërinë e tij politike dhe ekonomike, se Gjermania mbetet e interesuar dhe e angazhuar ndaj rajonit të Ballkanit, me ose pa projektin e gazsjellësit jugor dhe se është e gatëshme të kundërshtojë dominimin rus në rajonin e Ballkanit perëndimor.  Nga këndvështrimi i Berlinit, thotë revista gjermane Spiegel, Rusia nga një ortak i vështirë, brenda një viti, është këthyer tani në një vend kundërshtar dhe se Berlini tani është duke diskutuar mbi mënyrat për të ngadalësuar fushatën ekspansioniste të Rusisë — veçanërisht në Ballkan, një rajon ky në të cilin disa shtete nuk janë krejtsisht stabile, shkruan Spiegel. Revista e njohur gjermane citon gjithashtu Elmar Brock, anëtar i  Partisë Demokristiane konservatore të Kancelares Angela  Merkel dhe kryetar i Komisionit të Punëve të jashtme të BE-së, i cili ka shfaqur shqetësimin e tij mbi politikën ruse në rajonin e Ballkanit, duke thënë se ajo, “Është pjesë e një strategjie të përgjithëshme e Rusisë për të infiltruar ato vende politikisht dhe  ekonomikisht”, ka thënë parlamentari gjerman.


 


 Angazhimi më i madh ekonomik dhe politik i Gjermanisë në rajonin ballkanik, është një politikë që i shkon për shtat interesave strategjike kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe si të tilla këto dy vende duhet të inkurajojnë dhe të mirëpresin angazhimet e vendeve perëndimore, e sidomos përpjekjet diplomatike dhe ekonomike të Gjermanisë ndaj rajonit të Ballkanit.  Shqipëria dhe Shqiptarët kurrë nuk ia kanë parë hajrin influencës dhe dominimit rus në Ballkan as nuk do ia shohin as sot.  Moska, përveç interesave ekonomike dhe diplomatike në Ballkanin perëndimor — në politikën e saj ndaj këtij rajoni — ajo nuk ka fshehur kurrë ndjenjat dhe interesat pansllaviste, që në vetvete përbën një politikë anti-shqiptare, veçanërisht përball Republikës së Kosovës.  Për më tepër, interesat ruse në Ballkan janë të tilla që asnjë nga këto vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën,  të mos antarësohen në Bashkimin Europian dhe si të tilla të mbeten nën mëshirën e politikës ruse dhe pre e Serbisë dhe e interesave të saja, si aleatja më e ngushtë dhe më me rëndësi e Rusisë në Ballkan.   


 


 Anulimi i projektit rus të gazsjellësit jugor është lajm i keq për Rusinë dhe aleaten e saj Serbinë, por është lajm i mirë për vendet e Ballkanit, pasi nënkupton mundësisht ngadalësimin e një fushate për një influencë dhe dominim më të madh rus në atë rajon, që natyrisht do të afektonte edhe Shqipërinë e Kosovën në përpjekjet e tyre për integrim në organizmat euro-atlantike dhe për një përafrim të mëtejshëm, sidomos me Bashkimin Europian.  A janë gati Shqipëria dhe Kosova që t’i përgjigjen seriozisht atij që duke se është një angazhim i ri i Gjermanisë për të kundërshtuar rritjen e influencës dhe dominimit rus në Ballkan si dhe premtimit të Berlinit për një përspektivë europiane për to?

Kontrolloni gjithashtu

Ministritë përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit …