Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse ndaj shtetit dhe popullit hungarez për mbështetjen e palëkundur, të shumanshme dhe në të gjitha fazat e procesit të shtetndërtimit të vendit tonë dhe bashkëpunimi në mes dy vendeve do të rritet në gjitha fushat e interesit dy-palësh dhe shumëpalësh. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, gjatë pritjes që i ka bërë ministrit të Jashtëm dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, dhe delegacionit të tij në ambientet e MPJ-së. “Jemi shumë të kënaqur që t’ju mirëpresim në Kosovë. Ju jemi shumë mirënjohës, që ju dhe delegacioni juaj jeni këtu dhe e përsëris edhe një herë mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për mbështetjen e Hungarisë, që nga njohja (10 vjet më parë), mbështetjen në proceset e ndërtimit të shtetit, në integrimet rajonale dhe euroatlantike deri në nisma të ndryshme të rëndësishme dhe projekte, asistencë me ekspertizë në sektorë të ndryshëm, dhe tani me thellimin e bashkëpunimit ekonomik”, ka thënë Pacolli. Ai ka falënderuar Hungarinë për ndihmën e madhe në kuadër të programit të bursave “Stipendium Hungaricum”, nga i cili kanë përfituar 118 studentë kosovarë. Pacolli ka thënë se gjatë takimi me homologun hungarez kanë diskutuar edhe për mbështetjen e nevojshme të shtetit hungarez për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, integrimet euroatlantike dhe liberalizimin e vizave. Për të gjitha këto çështje, Pacolli ka marrë mbështetjen e ministrit të Jashtëm dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto. Pas takimit bilateral dhe me prezencën edhe të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, është nënshkruar marrëveshja për projektin për sigurinë në autostradë në kuadër të marrëveshjes së ndihmës së asociuar, projekt ky në vlerë prej 5.1 milionë euro.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …