Rock, rep, hip-hop, dance, tango, tallava, turbofolk, muzikë e lehtë… të gjitha bashkë, shkartisur në një babiloni shijesh që ekspozon mrekullisht çoroditjen tonë kulturore dhe estetike. Konferencierë që riprodhojne përmendësh dialogje qesharake të përcaktuara në skenar, duke bërë sikur po thuhen në spontanitet, batuta bajate që bëjnë të qeshë vetëm atë që i thotë, reklama që futen në mënyrën më të shëmtuar në skenar si pjesë intervistash për këngëtarët… Këngëtarë që qurraviten, të tjerë shesin tangërllëk, kalamaj të llastuar që shpenzojnë paratë e prindërve për t’i thënë botës që “unë ekzistoj”, të tjerë që e shohin veten befas në zenit të vëmendjes publike dhe ndjejnë se kanë kapur qiellin me dorë… Idiotësia ishte në festë kombëtare këto tre net!
Një festival për të gjithë dhe për gjithçka! Nuk ka rëndësi çfarë muzike apo çfarë teksti ke! Nuk ka rëndësi di apo nuk di të këndosh! Rëndësi ka të “performosh”, pra të vraposh, çirresh, ulërasësh, zhvishesh sa më shumë! Kjo është mënyra sesi mund tërheqësh vëmendjen e audiencës. Është një festival që, si rrallëkund, punohet vetëm për aspektin vizual, sepse muzika luhet nga regjia pas kuintave. Studiot e regjistrimit sot, mund të të bëjnë këngëtar edhe po të jesh shurdh-memec. Ti vetëm, kujdesu të luash gojën sikur po këndon dhe të tjerat bëji gjimnastikë!
Kudo ku ka pak kulturë në botë festivalet janë të profilizuar: festival jazz-i, festival rock-u, festival folku, festival i muzikës së lehtë etj. Normalisht, kjo është elementare nëse mendojmë se kemi të bëjmë me një garë. Të konkurrosh dhe të vlerësohesh do të thotë të krahasohesh me të tjerët dhe kjo kërkon minimalisht që konkurruentët të prodhojnë gjëra të krahasueshme. Mbi ç’kritere krahasohet një këngë rock me një serenatë, këtë vetëm Ardit Gjebrea e di! Është njësoj si të vesh në një garë një skuadër futbolli me një grup alpinistësh dhe të gjykosh se kush është më i mirë.
Përtej kësaj, edhe vetë një event muzikor apo televiziv ka nevojë t’i drejtohet një audience të përcaktuar. Njerëzit nuk janë kope, por, nëse janë sadopak të kultivuar, funksionojnë si qenie që veçohen në grupe të ndryshme sociale e kulturore. Sidomos në muzikë, shijet kanë prirjen të klasifikohen në mënyrë shumë të hollë. P.sh. brenda grupmoshave të njëjta, të rinj që ndajnë bashkë të njëjtin mjedis kulturor, të njëjtën mendësi e të njëjtin perceptim për botën, krijohen orientime kaq të ndryshme të shijes muzikore, sa nuk puqen bashkë në asgjë.
Nga kjo kuptojmë se shqiptarët funksionojnë ende si një turmë: të gjithë tok, të gjithë të hapur për të pëlqyer gjithçka! Kjo do të thotë se nuk kanë kultivuar asgjë. Kjo do të thotë se jemi ende popull pa kulturë dhe evente të tilla si këto, shpërfaqin brutalisht barbarinë e një mjedisi që fyen inteligjencën tonë, shijet tona estetike, nevojat tona kulturore, standardet tona etike.
Evente të tilla nuk kanë të qartë pikë së pari se cilit shikues i drejtohen. Në thelb ato i drejtohen pikërisht turmës, kategorisë sociale më të paformuar kulturalisht e intelektualisht, që në këtë vend përbën një shumicë dërrmuese. Ato pra i drejtohen shikuesit të trashë, që nuk merr vesh nga asgjë dhe mund të kënaqet me gjithçka. Ky ndoshta është suksesi i këtij festivali. Vetë standardi profesional i këngëve ruan këtë tipar të përbashkët: skarcitetin, – , ose siç i thonë në një gjuhë më të rafinuar: komercialitetin. Kjo është e vetmja gjë që mund t’i bëjë bashkë të gjithë njerëzit, çdo qenie vanitoze që popullon këtë shkretëtirë kulturore ku jetojmë.
Deri këtu jemi OK. Është e kuptueshme që në këtë vend të ketë kopukë që ua shesin njerëzve sapunin për djathë. Por ajo që nuk mund të pranohet është se, në këtë përçudnim profesional, intelektual, etik e kulturor, përfshihen edhe njerëz që pretendohet se u përkasin elitave. Një armatë të ftuarish, politikanë, artistë, intelektualë etj., kollarisin prezencën e tyre në sallë si konsumatorë VIP-ë të kësaj shpifësie. Të gjithë duket se e kanë pranuar këtë degradim kulturor me pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht nga statusi social që pretendojnë. Shfaqen para kamerave duke ndjekur me vëmendje e seriozitet një batërdi shpërdorimi të tingullit dhe një degradim ordiner të mesazhit artistik, ku të paktën dy këngë ishin vetëm për Selfie-t.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që përballë një publiku, jo pak të kollarisur, ku prezent është edhe vetë Presidenti i Republikës, të këndohet turbofolk, tallava, hip-hop apo edhe porno-muzikë me këngëtarë e balerinë që ofrojnë striptizë falas për zengjinë e fukarenj, pa dallim feje, krahine, ideje. Fatkeqësia në këtë vend është se vulgariteti pozon me petka elitare dhe pranohet tashmë kudo si normë. Ai futet nëpërmjet ekranit në çdo shtëpi, duke duke shantazhuar sqimën tonë, e duke vulgarizuar me dhunë shijet tona e principet tona etiko-estetike. /Postbllok/