Sjellja dhe varrosja e eshtrave të Mid-hat Frashërit në Shqipëri, pasoi me një përplasje mendimesh e idesh të dy forcave kryesore politike në Shqipëri, ballistëve të dikurshëm sot të vetëquajtur demokratë të grumbulluar në Partinë Demokratike dhe në disa parti të djathta, dhe komunistëve shqiptarë tani të grumbulluar në partinë Socialiste.
Nismën për riatdhesimin e eshtrave të Mid-hat Frashërit e ka marrë, kryeministri Edi Rama, madje e ka realizuar me një ceremoni qeveritare, e cila pretendon amnisti për këtë figure kontroverse të kombit.
Atdheu është i të gjithë dhe ka vend për të gjithë, madje edhe për atdhemohuesit dhe bijtë shkapërdarë. Asnjë mendje e arsyeshme nuk mund ta quajë akt antikombëtar varrosjen e cilitdo shqiptar nga cilado pjesë e botës në vendlindjen e tij, në Shqipëri, dhe kudo në trojet shqiptare, organizuar nga familja, të afërmit apo ndonjë shoqatë e caktuar.
Por sjellja në Atdhe e eshtrave të Mid-hat Frashërit, u bë për qëllime politike, për të mos thënë për qëllime bizare politike, duke kamufluar qëllimin e vërtetë, apo duke pranuar dorëzimin para kundërshtarit të djeshëm e të sotëm politik.
Nëse Edi Rama me këtë akt politik ka filluar të përgatisë opinionin për kthimin e shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë, meqë Sali Berisha ka kthyer me kohë shtatoren e Mbretit Zog, kjo edhe do të mund të arsyetohej. Një veprim i tillë Ramës do t’i jepte epitetin e pajtuesit. Po kjo nuk duhet se është ideja e Ramës. Ja si arsyeton dhe logjikon Edi Rama për Mih-hat Frashërin:
Mid-hati ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Ai shfaqej si armik natyral sa here tentohej përçarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të Çamërisë të zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve të lirive themelore, pa dallim etnie dhe feje”, u shpreh Rama në fjalimin e tij,
“Shumë mund të kenë parë arrogancë, kokëfortësi, tërheqje, konservatorizëm apo besëthyerje virtytet e tij e bëjnë një personalitet pa të dytë në historinë e elitave të paqëndrueshme shqiptare”, vijoi me tej kryeministri ndërsa u shpreh se kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim dhe borxh.
“Mid’Hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimtarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdimensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij, të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit”, vijoi me tej kryeministri ndërsa theksoi se kthimi i eshtrave të tij, të shërbejë edhe si një reflektim.
“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive”, tha Rama ndërsa theksoi se Mid’Hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot.( Dita)
Ky fjalim i Edi Ramës në dukje ka një retorikë, por në esencë është kumtuar me pozicionin e krahut politik, të cilit politikisht i ka shërbyer, pa asnjë dilemë vetë Mid-hat Frashëri.
Nuk është fjala për një eklekticizëm politik-filozofik të Edi Ramës, por është fjala për një injorim dhe përçmim të asaj pjese, të historisë, të cilën e kanë shkruar fitimtarët dhe jo vetëm në libra të historisë në dokumente e argumente. Rama ka harruar të thotë se ajo pjesë e historisë së fitimtarëve është shkruar me gjakun e 28.000 dëshmorëve, martirëve e heronjve të kombit dhe me shkatërrimin 80 për qind të asaj Shqipërie edhe ashtu të shkatërruar e të katandisur.
Edi Rama e di fort mirë se ballistët patriotë, punëtorë e fshatarë, mijëra syresh me kohë iu bashkuan luftës Antifashiste, por këtë nuk e bëri asnjë nga krerët e Ballit. Madje disa si Mid-hati, asnjëherë nuk e reshtën aktivitetin kundër Shtetit shqiptar, vetëm sepse kishin fituar komunistët dhe jo ballistët, fashistët e nazistët, të cilët si rrjedhë logjike e përfundimit të luftës kishin rezultuar me humbësit, por jo me humbës të rëndomtë, por duke u radhitur në humbësit më të çoroditur që i kishte parë bota e qytetërimi deri atëherë. Asnjë ideologji famëkeqe botërore nuk mund të barazohet me nazizmin gjerman të asaj kohe, por kjo nuk i vë damkë kombëtare këtij kombi.
Sesa “vlerë” kishte “Balli Kombëtar”, këtë më së miri e shpjegon rasti i Kosovës, e cila me ndihmën e forcave italo shqiptare ishte çliruar nga monarkia super-fashiste e naziste e Jugosllavisë, që në prill të vitit 1941. Jugosllavia e kohës kishte për qëllim shfarosjen kolektive të shqiptarëve, por atdhetarët e Kosovës e të trevave të tjera nuk e pranuan dekalogun e Ballit kombëtar, por organizuan Lëvizjen Nacional-Demokratike shqiptare e cila veproi prej vitit 1943 deri në vitin 1951.
Ja si e ka përkufizuar këtë Lëvizje, Gjon Serreçi, në deklaratën e tij para OZN-së jugosllave. Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….
Balli Kombëtar i Mid-hat Frashërit nuk e ka njohur as ka bashkëpunuar me këtë lëvizje, të cilën e goditën partizanët e Titos, duke e trajtuar si organizatë balliste, me qëllim që të ndëshkohej një popull i tërë se paskësh bashkëpunuar me fashizmin, dhe me të drejtën e fitimtarit ishte ushtruar hakmarrje kolektive kundër tyre.
Edhe një fakt tjetër. Nacional Demokratët e Kosovë, ata që i kishin shpëtuar plojës shfaronjëse të partizanëve e komunistëve jugosllavë, gjatë jetës së tyre në mërgim, nuk u bënë pre e Ballit, Legalitetit e CIA-s apo KGB-së. At qëndruan burrërisht dhe nuk pranuan të rreshtoheshin në mesin e diversantëve që i përgatiste dhe i fuste në Shqipëri rrjeti perëndimor i spiunazhit. Është i njohur qëndrimi i Hysen Tërpezës më mesin e emigracionit në Amerikë, kur kishte thënë se pavarësisht se në Shqipëri qeverisin komunistët, me mund pesëqind-vjeçar është krijuar ajo gjysmë Shqipëri dhe kurrë nuk pranoj të hyj atje dhe të vrasim shqiptarë. Ballistët e kishin etiketuar si komunist dhe e kishin përshëndetu me grusht, në shenjë përçmimi.
Me apo pa keqardhje, konkludohet me fakte e dokumente se atdhetarët të tillë si Hysen Tërpeza dhe mijëra shqiptarë të Kosovës e trevave të mbetura nën robëri, nuk iu bashkuan mbetjeve balliste të Mid-hat Frashërit, madje jo as për hir si ishte djali dhe nipi i Frashëriotëve të Mëdhenj të kombit.
Mbase këto fakte nuk i di Edi Rama, por edhe po t i dinte nuk do t’i bënin fare përshtypje, sepse ai e ka ndarë mendjen, në radhë të parë, duke bërë veprime për përfitime politike, dhe mbase mendon se mund ta përmirësojë imazhin e tij shumë të përfolur për të keq, edhe pse e them me bindje se gjatë këtyre viteve të qeverisjes ka bërë shumë punë me mend dhe ka kthyer për së mbari shumë deformime e devijime të qeverisjeve të kaluara.
Cili do të jetë përfitimi politik i Edi Ramës, kjo do të shihet së shpejti por edhe po të kthente në qendër të Tiranës dhe përballë Skënderbeut, në Tiranë, Ballaban Badherën, Esad pashë Toptanin, Hamit Matjanin apo mbetje të tjera të tradhtisë së rëndë kombëtare, Edi Rama kurrë nuk do ta marrë përkrahjen e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe klanit tash e mot më regresist dhe kolaboracionist të Shqipërisë.