U zgjodh struktura e re drejtuese e Asamblesë së Fëmijëve në Ferizaj

Qeverisja lokale ka vëmendje të shtuar edhe në fushën e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve. Edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu në platformën e tij qeverisëse ka pjesë të veçantë programore, kujdesin institucional për familjen, rrjedhimisht fëmijët. Në prag të 20 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, në Ferizaj janë zgjedhur përfaqësuesit e rinj të Asamblesë së Fëmijëve, strukturë kjo përfaqësuese e fëmijëve në nivel lokal. Kryetare e Asamblesë së Fëmijëve u zgjodh nxënësja e Shkollës Fillore “Jeronim De Rada”, Azra Maksuti. Një iniciativë e tillë e realizuar nga Drejtoria e Arsimit dhe Save the Children, përkatësisht OJQ Syri i Vizionit, integrohet në kuadër të fushës së qeverisjes për të drejtat e fëmijëve ku pjesëmarrës ishin dhjetëra nxënës të shkollave fillore dhe mesme të ulëta të Ferizajt. Doruntina Asllani nga Drejtoria e Arsimit, Gresa Haxhimusa nga Save the Children, zyra në Kosovë dhe Teuta Uka nga OJQ “Syri i Vizionit” ishin nikoqiret e këtij takimi konstituiv me ç’rast edhe monitoruan procesin e zgjedhjeve për këtë strukturë. Muajve të fundit, qeverisja lokale i ka propozuar Kuvendit të Komunës një varg dokumentesh, strategji e koncept dokumente me qëllim avancimin e rolit dhe të drejtave të fëmijëve në shoqëri, gjegjësisht angazhimin e institucionit të Komunës në këtë drejtim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …