Në Paris shkëlqeu kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve

Me rastin e “Marshit të Paqes” në Paris, më 11 janar 2015, kanë marrë pjesë shumë burrështetas, intelektualë, prijës fetarë nga vende të ndryshme të botës, si dhe qindra mijëra parisienë e qytetarë nga Franca e më gjerë.


 


Gjithsesi se e veçanta e këtij manifestimi të solidarësisë njerëzore me viktimat, (gazetarë dhe qytetarë të Francës) ishte delegacioni i Shqipërisë,  ku katër përfaqësuesit fetarë në radhët e kombit tonë, kreu i myslimanëve të Shqipërisë, kreu ortodoks, katolik  dhe kreu i bektashinjve shqiptarë,  të bashkuar dhe dora-doras kanë defiluar nëpër rrugët Parisit, në shenjë solidarësie e tolerance fetare,  me ç rast  janë duartrokitur gjatë nga qytetarët e pranishëm. Krerët fetarë shqiptarë i treguan edhe njëherë botës se kultura e tolerancës fetare shqiptare është shembull unik që duhet të përfaqësohet kudo në botë. Harmonia  historike  fetare e  shqiptarëve, vetvetiu  ka demonstruar  një mesazh paqësor, që me të drejtë është cilësuar si ngjarje e veçantë për Parisin e tronditur nga sulmi kundër gazetarëve.


 


Por kjo nuk është e tëra. Pavarësisht se kreu fetar në Shqipëri, gjatë shekujve dhe në vazhdimësi ka qenë dhe ka mbetur tolerant, disa drejtues të medieve, madje edhe analistë të papërgjegjshëm, vazhdimisht kanë pretenduar ta dëmtojnë këtë kulturë historike të shqiptarëve, jo me gjuhën e fakteve, por me cinizmin e ironinë e tyre, madje edhe duke pretenduar të na bindin se kjo kulturë është farsë, demagogji dhe në të vërtetë ajo  nuk ekziston. Të përkujtojmë me këtë rast se “Kryqëzatori” italian, profesori i Universitetit të Bolonjës, Gjovani Cimbalo mendon se toleranca fetare në Shqipëri i përket folklorit dhe jo realitetit. Ai porosit shtetin dhe shoqërinë shqiptare që të jenë të vëmendshëm ndaj islamit dhe të nxjerrin ligje kundër zgjerimit të kësaj feje, meqë islami, sipas tij  jeton, por  nuk u dashka të jetojë,   në një Gadishull ku mbizotëron ortodoksia”.


 


Gjuha e urrejtjes sidomos kundër islamit, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, pretendimet për ta paraqitur Kosovën një shtet të rrezikshëm të ekstremit islam, sepse shteti duke u mbështetur në fushatën e disa medieve ka hapur hetime kundër 130 shqiptarëve të dyshuar për lidhjet e tyre me luftën në Siri apo ISIS,  janë thjesht një propagandë  papërgjegjshme e 20 apo 30 gazetarëve shqiptarë dhe shqipfolës, të cilët të paguar nga nëntoka antishqiptare, kanë arritur, që duke e trumbetuar gënjeshtrën në vazhdimësi, çdo ditë nga 24 orë, të krijojnë një imazh të keq, i cili krejtësisht orientohet kundër islamit dhe asnjëherë kundër ekstremit të tipit Cimbalo, Breivik, apo të Anton Kçirës dhe disa kriptikatolikëve shqiptarë.


Kjo gjuhë e urrejtjes ka hutuar një masë të shqiptarëve, të cilët kanë rënë dhe po bien pre e propagandës së  fuqishme të disa krerëve medialë, të medieve të quajtura të lira dhe të pavarura, por që në esencë janë të varura dhe të shitura te ata, të cilët i financojnë dhe ua përkufizojnë konceptin redaktues.


Këtyre dhe të tillëve që shkojnë aq larg në eksterimin e tyre naiv, duhet të iu bëjmë me dije se në historinë e gjatë të kulturës së tolerancës fetare ndër shqiptarë, nuk është shënuar as edhe një rast i vetëm, ( përveç ndonjë rast izoluar, i mundshëm) që shqiptari i krishterë ta ketë vrarë myslimanin, vetëm pse është mysliman apo që myslimani shqiptar ta ketë vrarë katolikun apo ortodoksin, vetëm sepse i takon një feje të tillë. Përkundrazi ka pasur unitet dhe solidarësi që nuk njihet në mesin a asnjë kombi tjetër  në botë. Me rastin e arrestimit, rrahjes dhe maltretimit të Hafiz Ibrahim Dalliut në Tiranë nga Mbreti Zog, ishte Gjergj Fishta ai i cili kishte reaguar energjikisht, madje duke bërë thirrje që Qeveria sa më parë ta lirojë “hafizin” tonë.


 


Shembujt, kur në vepër është manifestuar dhe manifestohet toleranca fetare ndër shqiptarë, janë të shumtë dhe i përkasin praktikës së jetës së përditshme mbarëshqiptare, qoftë me pjesëmarrje në varrim të pjesëtarëve të feve të ndryshme, qoftë në urime e përgëzime për festat fetare, qoftë në lidhje miqësore, martesa e të tjera.


 


Po sjellim vetëm disa shembuj karakteristikë, mbase edhe antologjikë të tolerancës fetare ndër ne


 


Në një fshat të malësisë së Madhe vdes një besimtar i fesë islame. Hoxha nuk ndodhej në fshat dhe nuk pritej të vinte për disa ditë. Hoxhë tjetër nuk kishte atypari dhe koha nuk priste për ta bërë ceremoninë e varrimit. Pasi familjarët, kryejnë ritet e larjes dhe e përgatisin tabutin i drejtohen priftit të fshatit me lutje, që të marrë përsipër varrimin e të afërmit të tyre. Prifti pa hezituar fare, gjen në qelën e tij një kapitull të përkthyer nga Kurani dhe shkon në varrim. Lexon tri sure të shkurta të Kur-anit dhe familjarët e të afërmit e varrosin të vdekurin e tyre.( Shembull të cilin e vë në pah edhe studiuesi, Genc Myftiu). Në aspektin fondamental fetar kemi të bëjmë me një sjellje blasfemie, por në traditën e tolerancës fetare ndër ne, ky është vetëm një shembull më shumë, shembull unik i tolerancës fetare shqiptare në vepër. Diçka krejt e veçantë, që nuk mund të jetë frymë e primitivizmit, as paganizmit, por thjesht frymë tolerance, tipike shqiptare.


 


Ja disa shembuj që sjellë Tomë Berisha: në studimin e tij “Toleranca fetare ndër shqiptarët e Kosovës, shembulli më i mirë në Evropë dhe në botë”


 


“Në vitin 1913, kur brigadat vrastare e masakruese serbo-malazeze kishin pushtuar Rrafshin e Dukagjinit, duke kryer krime  monsotroze dhe duke i detyruar shqiptarët e besimit katolik dhe mysliman të ndërronin fenë dhe të bëheshin ortodoksë, për t’u sllavizuar më lehtë, në atë kohë, ushtria serbo-malazeze kishte tubuar në Gjakovë shqiptarët e besimit katolik në një anë dhe të besimit mysliman në anën tjetër, për t’i pushkatuar, sepse  nuk donin të ndërronin fenë e tyre. Për këtë akt tmerri alarmohet ipeshkvi katolik i Prizrenit,  imzot Lazer Mjeda, i cili shkon dhe ndërhyn shpejt tek komandanti malazez, duke i thënë, se po nuk i lëshove shqiptarët e zënë rob do të alarmoj Evropën, për këtë gjenocid dhe etnocid të paparë. Ndërkaq, komandanti malazez, i thotë Ipeshkvit të Kosovës imzot Lazër Mjeda këto fjalë: “Ja ku i ke, merri katolikët tuaj!”  Mirëpo, Ipeshkëvi Mjeda, i përgjigjet komandantit malazez, jo deria nuk i liron të gjithë, sepse të gjithë jemi shqiptarë”.


Në vitin 1914, kur forcat e  Austro-Hungarisë, kishin hyrë në Gjakovë dhe kishin kërkuar të ndërtohej një kishë për nevojat e besimtarëve katolikë, tribuni i madh popullor, Bajram Curri, i thotë Konsullit austriak: “Ne shqiptarët myslimanë në Gjakovë, i kemi 18 xhami, zgjidhe njërën prej tyre, që  ta bëjmë kishë”.


 


Në Kosovë ka pasur raste deri vonë, kur nën një kulm shtëpie kanë jetuar dy familje, përkatësisht dy vëllezër, njëra e besimit katolik dhe tjetra e besimit islam, ku toleranca fetare ka qenë për çdo lakmi, madje gjatë muajit të Ramazanit, femrat e shtëpisë së besimit katolik, kanë qëndruar pa gjumë gjatë natës, për t’ua përgatitur “syfyrin”, anëtarëve të familjes së besimit mysliman. Përveç kësaj, në Kosovë, në shumë vendbanime të përziera islame-katolike, besimtarët katolikë nuk kanë mbajtur derra, për hir të familjeve të besimit islam. Pjesëtarët e besimit islam, gjatë kohës së sundimit turk i kanë ruajtur manastiret dhe kishat, duke i konsideruar ato si objekte të shenjta fetare, si dëshmi e kulturës, tolerancës dhe e civilizimit të popullit shqiptar në Evropë.


 


Edhe studiuesi Genc Myftiu, në një shkrim të tij ka konstatuar se “Shqiptarët kanë qenë tolerantë dhe kurrë nuk kanë derdhur gjakun e  njëri tjetrit për shkaqe fetare”


 


Ai ka shkruar se mbreti i Malit të Zi, Mark Milani, ka pohuar në të kaluarën se “sa herë që ne malazezët  përpiqeshim të ndërsenim në Shkodër katolikët kundër myslimanëve,  apo anasjelltas e kishim betejën e humbur, sepse Shqiptarët e kishin ndjenjën kombëtare shumë më të fortë. Ekzistencën e tolerancës fetare e vunë re edhe fashistët italianë të cilët hartuan një strategji për ta ruajtur këtë ekuilibër, sa që katolikët e ndjenë vetën si të lënë pas dore.Prej fundit të mesjetës e këndej hapësira shqiptare ishte zonë ekuilibri ndërmjet dy perandorive më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Austro-hungareze. Midis këtyre dy perandorive janë nënshkruar disa marrëveshje, të quajtura “kapitulacione”, të cilat rregullonin barazinë e ndikimeve, duke i njohur Perëndimit të drejtën e kujdesit për faltoret e të krishterëve.


Në Shqipëri mund te gjesh shpesh dy fe, në një familje ose në një fis (Lurë, veri). Heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti lindi në një familje ortodokse, u be mysliman në oborrin e sulltanit, u bë bektashi (ky ishte kusht për t’u bërë jeniçer), u kthye në Shqipëri dhe mori fenë e babait (ortodoks) dhe kur vdiq la amanet që të varrosej në një katedrale të të krishterëve katolikë në Lezhë.


Në Shqipëri nuk njihen konfliktet fetare, as në formë episodike. Ka qenë krejt normale në të kaluarën që një shqiptar, nëse nuk i pëlqen prifti, predikimi apo sjelljet e tij, të braktisë kishën dhe ta kërkojë lidhjen me zotin në xhami. Përkthyesi i parë i Kur’anit ishte i krishterë (Ilo Mitkë Qafëzezi). Myslimanët shqiptarë festojnë Shën Gjergjin e Shën Mërinë, një pjesë tjetër Shën Nikollën e Krishtlindjet, kurse të krishterët u bëjnë vizita vëllazërore myslimanëve për festat e tyre karakteristike në Bajram, Kurban Bajram etj. Në një qytet si Shkodra, ku popullsia myslimane është e përzier me të krishterë katolikë dhe ortodoksë, në ditët e ramazanit edhe tregtarët jo-islamikë ndalonin shitjen e mishit të derrit në dyqanet e tyre. Po në Shkodër kane qene familjet bujare myslimane, të cilët mbrojtën ndërtimin e kishës katolike, kur disa fanatike filluan shkatërrimin e themeleve gjatë natës. Ndërtimet e kishës vazhduan kur bujarët myslimane dolën në mes të popullit duke thënë “mos i prek kush se këto janë themelet tona”.


 


Është shumë e gjatë me shembuj konkretë kjo kulturë fetare ndër shqiptarë, por mjerisht fare pak studiues janë marrë me këtë  temë, ndërsa prania e shembujve të tillë  dëshmon në vepër kulturën e tolerancës fetare shqiptare, e cila më 11 janar të vitit 2015,qendër të Parisit, shfaqi pamjen e vet të dinjitetshme, jo vetëm në formë, por në radhë të parë në realitetin historik që ka mbijetuar ndër shqiptarë. Cili popull tjetër tolerant dhe i pangarkuar me racizëm e ekstremizëm shpëtoi mijëra hebraikë, në kohën kur Gjemania Naziste por edhe një pjesë e Evropës antisemite i kishte sjellë ata buzë shfarosjes  kolektive? Këto vlera duhet pasur para sysh të gjithë ata që me vetëdije apo me shpirtin e tyre të shitur pretendojnë të heqin gurë nga kështjella shqiptare e solidarësisë, humanizmit, tolerancës fetare e njerëzore përgjithësisht.  Janë të mjerë ata që përmes didsa shembujve ekstremë pretendojnë të mbjellin urrejtje, me qëllim për ta dëmtuar imazhin kulturor e fetar të vendit, të një popullit të lashtë që ka manifestuar edhe vlera universale dhe ka habitur botën me kulturën e tolerancës.


Ahmet Qeriqi


12. 1. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …