Adriatik Alimadhi

Kryeballisti i Shqipërisë, Alimadhi, kërcënoi me plumbin ballit gazetarin e Ditës, Xhevdet Shehu

Si është bërë e ditur, pak ditë më parë, shefi i ballistëve të rinj, Adriatik  Alimadhi, krejt haptas, megjithëse përmes telefonit, kërcënoi me jetë gazetarin e DITA-s, Xhevdet Shehu, duke i thënë se “ ju të gjithë e doni plumbin ballit”. Megjithëse gazetari i afroi faqet e gazetës, për të thënë mendimin e tij, si e donte dhe kur ta donte, Alimadhi, i shkundur nga një shkrim i gazetarit Shehu, për fitimtarët e kolaboracionistët gjatë luftës së dytë botërore, i është drejtuar autorit ashpër, jo për qartësim, por si një kërcënim jetësor, duke menduar se, pas një fjalimi të shefit të qeverisë, Rama, në rivarrimin e Mit’hat Frashërit, gjërat janë kthyer përmbys. Dhe se, ai, me forcën e tij, përmes një fjalori të padenjë edhe për një njeri të zakonshëm, ka menduar se historia mund të kthehet 75 vite pas, kur pararendësit e tij ishin zotër të jetës dhe të vdekjes, kur, duke rendur bashkë me makinerinë vrastare gjermane, të cilës i afruan 10 mijë të quajtur nacionalistë , digjnin, vrisnin, internonin dhe burgosnin.

Ftesës së gazetarit Shehu, çka rrallë herë ndodh në medien tonë, pra për t’i lënë rrugë të hapur mendimit të tij, jo si shenjë droje, por si qëndrim tolerant edhe ndaj atij që është i një mendimi tjetër, Alimadhi iu përgjigj me kërcënimin e pabesuar edhe të një banditi rrugësh, “ ju e doni plumbin ballit të gjithë”.

Historia zoti Alimadhi nuk kthehet pas, edhe sikur ju, si parti e papërfillshme sot të rriteni dhjetë herë, e përsëri do të jeni e papërfillshme; edhe sikur shefi i qeverisë të recitojë çdo ditë nga një apologji për shefat e ballit, edhe sikur PD-ja, të rrjeshtohet pas jush.

Ju e provuat dikur si forcë politike; bëtë çka mundët dhe ikët pas pushtuesit, pjesë e së cilës ishit. PD-ja e provoi në vitin 1997 , duke dashur të sjellë me dhunë një luftë civile veri jug, çka ngjante si dy pika iuji me manovrat e fundit të Mit’hat Frashërit, kur në fundin e luftës, shtator – tetor 1944, synoi të ngrinte bajraqet e veriut kundër krahinave të jugut. Pasi e provoi edhe PD-ja, ajo gati u fundos dhe ishte vetëm përceptimi fëmijëror i politikës së të majtës që e ngritën edhe një herë nga hiri që lanë pas.

Pra, zoti Alimadhi, historia e plumbit ballit, ka shkuar një herë e mirë. E provuat në katër vite dhe latë mijra të vrarë. E provuan fitimtarët pas luftës dhe lanë , po ashtu, mijra të vrarë, por në 45 vite, disa herë më pak se ju. Asnjëra nuk dëshmoi rrugë dhe ura pajtimi, por, duke gjykuar sot, nga një çjerrje e juaja, për një shkrim, mund të them “ubububu”, nëse do të ishit ju përsëri në pushtet edhe pas vitit 1944. Ju, sipas kësaj mendësie, do i varnit antifashistët nëpër pisha e plepa dhe nuk do të ishit të kënaqur me aq.

Nga ju edhe është pritur kjo. Ajo zanafillë, edhe pas 7 dekadave e gjysmë, atë vazhdim ka, kur njerëzit nuk mbushen në mend dhe , ashtu si gjarpërinjtë, kërkojnë të kafshojnë. Dhëmbët ju kanë rënë , zoti Alimadhi.

Jo rastësisht, edhe “ rilindasit” heshtën ndaj këtij akti paralajmërues të tipit fashist. Ata, pra, “rilindasit”, që në themelin e tyre kanë edhe pjesë të mbrojtjes së vlerave antifashiste dhe ku kanë ende sot një forcë të madhe votuese pro saj, heshtën dhe vazhdojnë të heshtin.

Gazeta DITA nuk është e Rilindjes. Ajo ka ndikuar fuqishëm, më fort e më ndershmërisht se çdo media tjetër, për të ardhur e majta në pushtet, megjithëse ka dashur dhe ka synuar të ketë një të majtë të bashkuar, solide, të ndershme, që aspiron për më shumë hapësirë jetësore, prosperitet për shtresën hekakeqe të shoqërisë, shkulje të oligarkisë financiare e politike dhe, mbi të gjitha, ndëshkimin e krimit në të gjithë etapat e pushtetit pluralist.

Politika e DITA-s, herë i ka pëlqyer dhe herë nuk i ka tërhequr rilindasit, por ky nuk është faji ynë dhe as meraku ynë.

Heshtja e tashme ndaj kërcënimit jetësor të një gazetari të vjetër, i cili ka patur detyra të rëndësishme në median pluraliste dhe i njohur për qëndrimet e tij, nuk i bën nder socialistëve dhe sidomos asaj pjese që është emërtuar si “rilindasit” e rinj.

Të heshtësh para një kërcënimi për vrasje ndaj një gazetari nuk i bën nder atyre që heshtën edhe kur shefi i tyre, pa pyetur askënd dhe përmes një vendimi, ku vetë shkruan, dikush tjetër vulos dhe pastaj, edhe një herë, ai vetë e përmbaron, ishte , po ashtu, pa asnjë dyshim, një akt që nuk është në nderin e tyre si njerëz të veçantë dhe në nderin e saj si strukturë partiake.

Shefi i qeverisë, Rama, mund të jetë zemëruar me gazetën DITA për këtë qëndrim të saj, që ishte ndryshe nga shumë media të tjera, të cilat, ose heshtën, ose, edhe më tej, synuan të përdhosin një pjesë të historisë, e cila nuk ndryshon dot nga askush, as nga vetë shefi i qeverisë.

Shefat qeveritarë vijnë e ikin, historia mbetet.

Në shumë raste, Edi Rama, por edhe njerëzit pranë tij, shpesh herë kanë protestuar me të drejtë kur metingashët pëdëistë kanë sulmuar gazetarë të ndryshëm; u janë gjendur atyre afër, shembulli u ka shërbyer për të ngritur probleme, megjithëse rrallë herë kanë qenë kërcënime të kësaj natyre.

“ Rilindasit” janë në pushtet. Atyre u takon të qeverisin. U takon të mbrojnë jetë njerëzore dhe mes tyre edhe të bëjnë lëvizje kur kërcënohet me jetë një gazetar apo një staf gazetarësh. Ne dimë se Alimadhi ia merr të keqen stafit të gazetës sonë dhe se, Xhevdet Shehu nuk është trembur nga kërcënimi i një njeriu që i ka mbetur ora në vitin 1943, kohë kur Mit’hat Frashëri tha urdhër që çetat nacionaliste, pa konceptin e nacionit, të pushonin luftën kundër gjermanëve dhe të goditnin antifashistët.

Shqetësimi ynë është pikërisht heshtja e qeverisë, e liderëve të saj, të cilët nga njëherë kanë protestuar edhe kur disa huliganë shqupas kanë prerë dy a tri pemë, por që tani heshtin, pasi mendojnë se DITA, pasi nuk ishte e një mendje me shefin e qeverisë për një lëvizje budallshëm politikisht të gabuar, tani është kundërshtare e tyre dhe si e tillë, qameti le të bëhet, atyre nuk u intereson.

Më shumë se sa nga kërcënimi jemi të habitur pikërisht nga ky mentalitet politik i forcës politike që drejton shtetin, sipas të cilit, nëse nuk je me mua, atëherë  je kundër meje dhe , si i tillë, rri në fatin tënd, rri në kërcënimin e ballistëve të rinj.

Ky koncept , që i ka fillimet në ballizëm është krejt e kundërta e asaj që predikoi me aq pathos shefi i qeverisë disa ditë më parë, kur i jepte edhe një herë lamtumirën një figure të njohur që, pasi kishte agjëruar 29 ditë, në të tridhjetën, çeli , dhe çeli për faqe të zezë.

DITA e ke vlerësuar dhe e vlerëson Mit’hat Frashërin për atë çfarë ai ka bërë si Lumo Skendo dhe është kundër qëndrimit të tij kapitulles, poshtërues dhe pro forcave naziste e fashiste.

Ky qëndrim i yni bëri që një pinjoll ballist të lëshojë një kërcënim, i cili nuk na bëri përshtypje.

Por, ajo që na la shijen e hidhur të zemërimit kryeqeveritar është pikërisht heshtja e “ rilindasve” ndaj kërcënimit me jetë të një gazetari dhe të një stafi botues.

Të heshtësh nuk do të thotë se je i mënçur. Në këtë rast, të heshtësh do të thotë të jesh i bashkuar me mendimin ndëshkues, sepse nuk të duhet e vërteta.(Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …