leoni

Ruzhdi Jashari: Reçaku i historisë dhe themeleve të lirisë, në 16-vjetorin e përkujtimit

Nuk harrohen kurrë ditët e martirizimi të qytetarëve të Reçakut në 15 janarin e ftohtë të vitit 1999. Nuk harrohet as një ditë e asaj të kaluare, jo vetëm të ditëve të luftës në Reçak, të luftimeve të pabarabarta katërditore, në mes të luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe të ushtrisë, policisë dhe kriminelëve të organizuar nga regjimi serb, përmes njësive rezerviste ushtarake e policore. Janë, po kështu, të freskëta kujtimet e luftimeve për kufomat. Në historitë e luftërave nuk mund të gjenden kësi lloj tregimesh të flijimeve të të gjallëve për të vdekurit.


Kosova përjetoi shumë krime, të pakta janë vendbanimet që nuk kanë të martirizuar apo dëshmorë të rënë për liri. Afro dy mijë qytetarë të Kosovës ende nuk dimë se ku janë, as për së vdekuri. Shumica e tyre ishin varrosur nga ushtria dhe policia serbe e regjimit të Millosheviqit nëpër varreza kolektive në vende të ndryshme në Serbi.


 


Përjetimet janë të shumta. Secili fragment i kohës së luftës, i secilit qytetar dhe ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga secili vendbanim, është një histori në vete. Por përjetimet e atyre që drejtpërdrjet ishin rreshtuar përmes organizimit ushtarak të UÇK-së, në luftime të pabarabarta, para grykave të topave të ushtrisë serbe dhe me vetëdije flijoheshin për të shtrenjtën liri, janë pak më të veçanta.


 


Qytetarët e Reçakut, sikurse gati të gjithë qytetarët e Kosovës, ishin të lidhur bashkërisht me ushtarët e UÇK-së. Nuk mund të ishte ndryshe, secilit i mungonte liria ku me dekada të tëra e kishin përjetuar dhunën dhe shtypjen. Okupimin e egër te regjimeve serbe përmes formave të ndryshme e bartnin mbi supe tashmë të gjithë qytetarët. Shumë djem të këtij fshati, sikurse edhe të shumë vendbanimeve tjera në Kosovë, ishin kthyer nga kurbeti, por tash jo për të bërë pushimin e për te parë familjen e farefisin, por për ta bërë detyrën e shenjtë që e kërkonte Kosova, për ta përmbushur amanetin e shumë gjeneratave që ishin sakrifikuar për ta parë atdheun e lirë. Për çlirimin, e truallit stërgjyshor, nga Serbia, për t`i thënë jo okupimit, shumë djem e vajza të këtij fshati me ata që ishin kthyer nga kurbeti i kishin veshur uniformat e UÇK-së dhe i kishin rrëmbyer armët për të këputur prangat e robërisë.


 


Reçakasit, burra e gra, punuan pandalshëm me përkushtim, ditë e natë, me të gjitha format në mbështetje të bijve dhe bijave të tyre që ishin rreshtuar nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


 


Sot, me këtë shkrim, në shenjë kujtimi e respekti për të rënët e Reçakut, me këta pak rreshta kujtimi, nuk është qëllimi që të numërojmë viktimat të tregojmë për plagët tona e të shpalosim shumë plagë shpirtërore e të bëjmë ankesa të panumërta. Të gjitha kanë arsye të thuhen. Tregimet e vuajtjet  tona për të kaluarën, se çka përjetuam, u thanë vazhdimisht në secilin përvjetor përkujtues. Kjo sakrificë e madhe është pikë kthese e vendit në drejtim të dritës dhe të lirisë. E tashmja duhet të kthehet në punë të pandalshme dhe duhet të numërojë rezultate pune, të japë mesazhe zhvillimi, mesazhe paqeje, mesazhe tolerance, dhe të mbjellë dashurinë e madhe ndër gjenerata për ndërtimin e shtetit të së drejtës, për mbjelljen e vazhdueshme të vlerave të humanizmit e të solidaritetit dhe të drejtave fundamentale të njeriut. Këto atribute përherë ishin pronësia, vlera e tipari kryesor i të rënëve në Reçak dhe i popullit tonë që e dallonin nga popujt tjerë.


 


Këto vlera i patën të gjithë të dashurit tanë që tashmë prehen të qetë, nëpër shumë komplekse përkujtimore tjera në Kosovë. Mbi këto vlera të tolerencës dhe humanizmit njerëzor, sakrifica e pashembullt e qytetarit tonë, jehoi në të katër anët e botës së qytetëruar dhe bashkoi si asnjëherë më parë liderët botërorë në veprimin e tyre unifikues për të mbështetur luftën e drejtë të popullit tonë, kundër hordhive vrastare serbe që po e masakronin popullsinë civile në Kosovë, po e deportonin atë, po i plaçkisnin dhe po ua vënin flakën vendbanimeve shqiptare.


 


Mbi këto vlera të lirisë dhe humanizmit, ndodhi organizimi i Konferencës së Ramhujesë, u bashkua Aleanca Ushtarake e Sigurisë Globale të Njrëzimit, NATO-ja, për bombardimin e Serbisë. Mbi këto vlera u çlirua vendi ynë. Natyrisht, u dha shumëçka, u dhanë shumë jetë njerëzish dhe çmimi i lirisë ishte i shtrejtë.


 


Sot, po kështu, mbi këto vlera kërkohet, vazhdimisht, ndërtimi i shtetit tonë të rinj, ndërtimi i raporteve të shëndosha në marrëdhëniet tona në shoqëri, kërkohet; humanizmi, drejtësia, solidariteti e respekti për të gjithë qytetarët në Kosovë. Këto janë atribute të shtetit të Kosovës, të cilat akoma më tepër duhet thelluar në marrëdhëniet tona të përditshme në shoqëri. Këto janë vlera nga trashëgimia e jonë e lashtë, janë edhe vlera të botës së qytetëruar me të cilat duhet të ecim përpara.


 


Çka mund të themi për punën tonë? Reçaku, pas lufte, në përvjetorin e katërt të kujtimit, nxori një publikim të shkruar prej shumë autorësh “Masakra e Reçakut – krim kundër njerëzimit” (15. Janar. 2004) dhe hartoi projektin për ngritjen e Memorialit Përkujtimor. Po kështu në këtë përvjetor, me përkushtim u sistemuan afro 720 eksponate nga dëshmitë e luftës së UÇK-së dhe të masakruarve në Reçak në një, lokal muzeal që, për nga vlera, është i veçantë, dhe nuk ka ndonjë shembull të ngjashëm në Kosovë.


 


Qeveria e Kosovës siguroi mjete afro 1.5 milion euro për ndërtimin e Memorialit i cili po kryhet përmes disa fazave të punës. Faza e parë është kryer dhe është hapur për vizitor tri vite më parë. Nëpër përvjetorë janë ndarë edhe mirënjohje për liderë të ndryshëm e veprimtarë të dalluar për punë, sakrificë, humanizëm e liri, duke filluar nga aktorët e drejtë për drejtë të Masakres së Reçakut, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, në sensibilizimin dhe njohjen e opinionit botërorë lidhur me krimin që kishte ndodhur në Reçak. Medalje, në shenjë mirënjohje dhe nderimi, ishte ndarë për Ambasadorin Amerikan, z.VilamVallker. Mirënjohje, në shenjë respekti, për sakrificë e rezistencë, për lirinë e Kosovës, i ishte ndarë, edhe liderit të vlerave universale të të drejtave të njeriut, z. Adem Demaqi.


 


Çka në fakt duhet bërë? për t`i dhënë jetë kompleksit… Këtu mungon një mirëmbajtje adekuate, mungon prezenca e vazhdueshme e informatorëve “ciceronëve”, të cilët do të informonin vizitorët për krimin në Reçak. Mungon rregulli e pastërtia. Mungojnë suvenire, rekuizita, simbole, publikime e fletushka informative. Mungon një shenjë treguese për vendndodhjen e Muzeut tash e sa vite. Mungojnë edhe pika pushimi e tregtie për vizitorët ku mund të bisedohej e blihej ndonjë simbol kujtimi nga vizita, që simbolizon qëndresën, krenarin e kujtimin për të kaluarën dhe do të jepte mesazhet e kulturës sonë të trashëgimisë dhe tolerancës ndër njerëzore. Ne duhet të punojmë bashkërisht, pa egoizma. Me punë të përbashkët përmirësimet një ditë do të ndodhin. Reçaku duhet vizituar, ky vend i shenjtërisë po kthehet ngadalë në vend të luleve, të turizmit dhe të zhvillimit kulturor-ekonomik. Një numër i madh i banorëve do të punësoheshin në këtë memorial të vlerave tona të historisë sonë të re.


 


Potenciali kreativ – zhvillimor dhe i shpresës është në mes nesh, nuk duhet të presim, të gjitha pengesat duhet mënjanuar, ne jemi ata që shpresën e mbjellë për ditë të mira, duhet ta bëjmë realitet. Ne, të gjithë, kudo që jemi me punën dhe përgjegjësitë tona që kemi, që nga fshati, komuna, agjencitë e mirëmbajtjes së memorialeve, autoritet e trashëgimisë kulturore e turistike, dikasterët e caktuar të ministrive etj., të kordinuar bashkërisht do t`i vendosim në vend gjërat që kërkon koha dhe ashtu si ju ka hije, më në fundë, do t`u japim pamjen e merituar këtyre vendeve të shenjta. Dhe se, konkretisht e ballë hapur, si qytetarë do ta presim me krenari secilin vizitor nga secili këndë i rruzullit tokësorë. Nuk kemi kohë për të humbur, duke u zhytur në kritika të gjetjes së “fajtorëve të ngecjeve”. Nëse ka “fajtorë”, aty jemi të gjithë me faje.


 


Jo vetëm kaq, ne duhet ta rrënjosim një kulturë edukimi e dijeje ndër gjenerata nxënësish e studentësh, për mirëmbajtje kulturore të këtyre memorialeve, të kësaj historie dhe të këtyre vlerave të lirisë. Kjo do të jetë fitorja e jonë drejt ndërtimit të shtetit të idealeve tona për të cilat sakrifikuan prindërit tanë të shumë brezave. 


 


Për derisa Prekazi heroik i lavdisë, bashkoi shqiptarët në luftën tonë për liri, Reçaku i krenarisë dhe historisë ishte pika mbështetëse e unifikimit përfundimtar të qytetërimit, në largimin e serbisë nga këto troje. Mirënjohja për këtë kthesë është e padiskutueshme për të gjitha fuqitë e demokracive Perëndimore, e veçmas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që, në vend të diktatit, të unitarizmit e të njëmendësisë bartin alternativat e vlerave të demokracisë mbi të drejtat universale të njeriut.


 


Kompleksi në Reçak dhe kjo histori e re, nuk është pronë individuale e familjare, grupi apo partie. Reçaku dhe të gjitha komplekset e përkujtimit, janë sipër nesh, janë institucione të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Padyshim këto janë vlera qytetëruese universale të gjithë njerëzimit.


 


T`i vizitojmë vendet tona të shenjta! Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, mos harroni, vizitoni edhe Muzeun në Shtime. Të marrim pak mësim nga e kaluara e jonë, nga jetët  a atyre që nuk fiken kurrë, por si qirinj të ndezur rrinë duke flakëruar përditshmërinë tonë. Andaj, ky amanet na obligon ta shohim dritën e drejtësisë, rrugëtimin dhe detyrimin, për të tashmen dhe të ardhmen.


 


( Autori i shkrimit ka qenë  ish-zëdhënës për informim pran ZON-së, gjatë luftës së UÇK-së)


 

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës

Mbi 1.300 kontrata njëburimore të lidhura gjatë katër viteve të fundit në Kosovë janë duke u hetuar nga prokuroria për korrupsion

Mbi 1.300 kontrata njëburimore të lidhura gjatë katër viteve të fundit në Kosovë janë duke …