“Zhvlerësoje të vlefshmen, në daç të ecësh përpara” – Niçe
Është e njohur se shumë luftëra dhe konflikte në botë, mbulohen dhe kamuflohen me arsyetime të çuditshme (bile, edhe krimineli serb, Sllobodan Millosheviqi, të gjitha luftëra në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë i bëri, krejt në emër: të paqes, të lirisë, të dashurisë dhe të lumturisë!)
Gjatë historisë njerëzore, ligjet kanë ardhur, gjithmonë, duke u ndryshuar, përsosur e precizuar në të mirën e njerëzimit. Në këtë kontekst, edhe ligji universal mbi SHPREHJEN E LIRË (fjalën e lirë) duhet ndryshuar urgjentisht, sepse, deri më sot, praktika jetësore, ngjarjet tragjike në botë, vërtetuan se liria për të fyer tjetrin mbi baza njerëzore, nacionale, fetare, racore, klasore – ka çuar deri në racizëm (sot ka edhe shtete në botë, të cilat, për fyerjet mbi baza fetare e racore, kanë paraparë dënime deri në 5 vjet burg). Atëherë shtrohet pyetja: Pse nuk e ngriti zërin bota deri më sot kundër lejimit për fyerje mbi këto baza? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Sepse shteteve që janë në luftë me shtetet islame (në luftën për naftë, për ujë dhe për dominim mbi territore të caktuara) u ka shkuar shumë për shtati çmenduria individuale, deri në terrorizëm, e ndonjë të krisuri, i cili shkon aq larg, sa edhe vret njerëz në emër të një kauze fetare, nacionale, racore etj. të cilat nuk janë kompetencë e tij fare!
Për shtetet që janë në luftë me shtetet arabe, vlen përralla e dhelprës me korbin që mbante një copë djathi në sqep (nën maskën e terrorizmit e xhihadizmit, lakmia për naftë dhe për dominim mbi këto shtete e territore, kanë bërë që të mos sheshohet kurrë haptas qëllimi i vërtetë, hegjemonia dhe pushtimet janë shtrirë, gjithnjë nën maskën e luftës kundër terrorizmit e xhihadizmit islamik).
Megjithatë, pas ngjarjeve në Holandë, në Francë e gjetiu, gjithë bota duhet t’ia vërë gishtin kokës dhe të ndërmarrë diçka, në mënyrë që të mos lejojë (të mos lerë shtegun hapur) që edhe në të ardhmen të ndodhin gjëra të atilla.
Si autor i disa veprave letrare, poenta kryesore e disave prej të cilave është, pikërisht, humori e satira, u bëj thirrje të gjithë satirikëve të botës:KUJDES ME NDJENJAT FETARE TË TË TJERËVE, fyerja e të cilave ngjall urrejtje fetare kundër popujve e besimeve të ndryshme. E çka kanë faj familjarët e një individi (aq më pak besimtarët e të njëjtës fe) nëse një person çmendet dhe bën ndonjë marrëzi?! Ose: Çfarë faji mund t’i vesh një personi, nëse ndonjëri nga anëtarët familjes së tij (ose të besimit fetar që ka edhe ai) bën ndonjë krim?!
Poshtë fjalori cinik me shprehjet: “Terroristët islamikë” dhe “terrorizmi islamik!”
Poshtë keqpërdorimi i fjalës së lirë deri në fyerje!
Rroftë fjala e lirë e ndershme dhe pa fyerje kulturash, racash, popujsh e religjionesh!
Për kriminelët dhe terroristët mjaftojnë vetëm fjalët: Terrorizmi, terroristi, terroristët”. Sepse terrorizmi nuk njeh as fe, as komb, as atdhe (a ishte terrorist edhe Brejviku në Norvegji, i cili vrau 77 njerëz të pafajshëm?! Dhe a iu ngjit, edhe atij, edhe ndonjë bisht tjetër, përveç fjalës terrorist?). Krimi është vepër penale individuale, me të cilin nuk duhet të pajtohet, as të bëjë kompromis askush: as familja, as kombi, as feja, as shteti.
1. Nevoja e dikujt për të fyer ndjenjat e tjetrit përmes diçkaje – nuk është art, por është sëmundje çnjerëzore e cila çon drejt racizmit.
2. Por edhe nevoja për të vrarë njerëz për shkak të fyerjes së ndjenjave të tyre – nuk është as njerëzore as e drejtë e askujt (është krim i rëndë që meriton dënime me ligje adekuate) sepse veprimet terroriste të askujt nuk gjejnë mbështetje në asnjë ligj tokësor, por as në ligjet e Perëndisë.
3. Është e drejtë e secilit njeri të shprehet lirshëm, deri aty ku nuk preket liria dhe dinjiteti i të tjerëve, por nuk është e drejtë e askujt: të fyejë të tjerët.
4. Edhe E Keqja, edhe E Mira kanë nga dy anë të medaljeve: shkakun dhe pasojën, gjegjësisht: shkaktarin dhe vepruesin.
5. Ai që ushqen të Keqen dhe ai që e bën të Keqen (e kjo vlen edhe për të Mirën) – kanë pak dallim, sepse, fundi: edhe ushqyesi a nxitësi, edhe vepruesi, që të dy janë shkaktarë të tyre.
Kohëve të fundit dëgjohen njerëz të profesioneve të ndryshme, tek pyesin: “ A nuk paskan mbetur motive të tjera të të gjithë karikaturistëve, satirikëve e parodistëve të botës, përveç të merren me fyerjet e shenjtorëve e profetëve të cilësdo fe?!” Dhe: “A duhet të ketë kufij edhe fjala dhe shprehja e lirë?”
Në këto kontekste, mendojmë se duhet shikuar karikaturat, satirat, paroditë dhe ndonjë lloj tjetër të krijimtarisë njerëzore, të cilat duhet të jenë, tërësisht, në funksion të të mirave njerëzore, gjegjësisht: në funksion të luftimit të dukurive negative në shoqëri, e jo në funksione të tjera.
Na duket e arsyeshme të tërheqim vëmendjen në këtë drejtim, ngase ne, në shoqërinë globale, po merremi vazhdimisht vetëm me pasojat e disa problemeve, pa analizuar fare shkaqet dhe mundësitë e parandalimeve të tyre. Pra: Jo sulm, karikim, satirizim, parodizim dhe satanizim të ndjenjave të njerëzimit, por respekt të secilës kulturë fetare dhe shenjtorëve të saj, në çdo cep të botës.
Atëherë shtrohet pyetja: Si është e mundur që në shoqërinë globale të merremi më shumë me pasojat e një dukurie kriminale: me vrasjen e njerëzve, e të mos merremi, e, bile, as të mos prekim fare shkakun që çon deri te pasojat, të cilat janë, gjithsesi: të papranueshme dhe kriminale?!
Po të bëhet një analizë e kujdesshme në të të dyja drejtimet: shkak-pasojë, atëherë vijmë në përfundim se disa shteteve e qarqeve të caktuara e të njohura ndërkombëtare, mbase, u kanë shkuar shumë për shtati vrasjet nëpër shtete të ndryshme të botës: për motive fetare, kinse për fyerjen e profetit Muhamed etj.
Kjo, zaten, qarqeve antiislame u ka mjaftuar për ta drejtuar akuzën dhe për të thënë: “Ja! Këta janë xhihadistët, ekstremistët fetarë myslimanë, terroristët myslimanë” etj, duke lënduar ndjenjat e rreth 2 miliardë besimtarëve myslimanë në mbarë botën dhe, nganjëherë edhe duke futur në të njëjtin thes: si terroristët, si të gjithë pjesëtarët e pafajshëm të botës islame, anembanë botës, kudo që janë!
Megjithatë këto qarqe të njohura botërore, kurrë nuk kanë shtruar edhe pyetjen për shkaktarin fillestar të vrasjeve: për motivin e autorëve të karikaturave, të satirave e të parodive fyese mbi baza të religjioneve e besimeve të caktuara. Dhe ka ndodhur kështu, mbase, jo pse nuk kanë ditur të bëjnë edhe këso analizash parandaluese, por sepse (me gjithë dhembjen për humbjen edhe të njerëzve krejtësisht të pafajshëm dhe të papërzier në këto punë) krimet me këso motivesh, qarqeve të caktuara anti islame u kanë dhënë motive shtesë për ta luftuar islamizmin si religjion me kulturë fetare në rritje. Por, në rend të parë, qarqeve që janë në luftë me disa shtete arabe, vrasjet e këtilla u kanë dhënë mundësi për alibi të ndryshme si dhe mbulesë shtesë për t’i luftuar ( ani pse këto krime të rënda u kanë bërë dëme të mëdha, në rend të parë: vetë pjesëtarëve të këtij religjioni).
Edhe më konkretisht: Keqpërdoruesit e të gjitha veprimtarive, kudo nëpër botë, janë si ujqit. Ata duan mjegull. Dhe nëpër atë mjegull, ata kryejnë shumë veprime cinike, të pamoralshme, të paligjshme dhe të pandërgjegjshme, të cilave pastaj, ua sheh sherrin krejt bota. Në këtë mënyrë, në emër të lirisë së fjalës, nga individë të të gjitha veprimtarive, me qëllime të caktuara, por gjithsesi destruktive, bëhen keqpërdorime e shtrembërime të të vërtetave për veprimet e tyre, të cilat thyejnë kodin e etikës njerëzore. Këto veprime cinike, kamuflohen mirë nga qarqe të caktuara antiislame, të cilat, pastaj, mundohen t’i shesin si diçka tjetër…
Në këtë mënyrë liria e fjalës, e shprehjes, individëve të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, u jep mundësi gati të pakufizuara keqpërdorimesh. Zaten, kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kjo liri e shprehjes, e keqpërdorur me mendjemadhësi deri në mospërfillje se si ndihen të tjerët ndaj saj, gjegjësisht ndaj shkrimit apo vizatimit, karikaturës së tij, jo pak herë shkoi aq larg, sa që në disa raste, edhe ua hëngri kokat disa individëve (jo vetëm autorëve dhe jo vetëm të religjioneve të tjera, por edhe disa pjesëtarëve të religjionit islam). Me këtë rast na kujtohen edhe veprimet kriminale të një të çmenduri në Norvegji, i cili vrau 77 njerëz të pafajshëm – në emër të besimit të gabuar se kinse, duke i vrarë ata njerëz, ai po mbronte një kauzë, një fe, një besim…! Gjithashtu edhe karikaturat e shfaqura në Danimarkë në lidhje me profetin Muhamed, pastaj, më 7 Janar 2015 edhe vrasjet makabre në Francë, të cilat u bënë kinse fyenin po këtë profet myslimanë, shkaktuan shumë viktima njerëzish dhe mblodhën në Paris krerët e shteteve demokratike të botës për ta dënuar dhe demaskuar krimin dhe vrasjet (mes atyre të vrarëve pati edhe myslimanë).
Është gjë e ditur se një karikaturë e drejtpërdrejtë, një satirë, apo një parodi e drejtpërdrejtë, sa më shumë të lexohet, të analizohet dhe të komentohet, aq më shumë krijon miq, por edhe armiq të autorit. Mu për këtë thuhet se këto lloje artistike nuk duhet të lidhen drejtpërdrejt me një individ (aq më pak: me një shenjtor), por duhet të thumbojnë DUKURITË NEGATIVE në një shoqëri. Këto ditë, kur ndodhën vrasjet në Francë, u fol e u shkrua se revista: Charlie Hebdo, e cila vetëm para pak kohe luftonte për ekzistencë, tani, pas këtyre vrasjeve, në shitjen e miliona ekzemplarëve fitoi hiq më pak se 10 milionë euro. Mirëpo të ndalemi edhe me pak fjalë në këtë ngjarje tragjike, e cila tronditi njerëzimin:
Vrasjet makabre të kudo ndodhura, për shkak të një karikature, të një parodie apo të një humori a satire, nuk mund të arsyetohen nga asnjë mendje e shëndoshë njerëzore. Epo, kush ia jep të drejtën një individi, apo një grupi njerëzish që për shkak të një karikature, apo të një shkrimi, çfarëdo qoftë ai, të marrë guximin dhe të vrasë autorët e atij shkrimi, apo të asaj karikature, sado fyese të jetë ajo?
Megjithatë, derisa tashmë po dihet se në botë ka edhe individë e grupe individësh, të cilët, jashtë ligjeve të Zotit dhe jashtë të drejtave universale njerëzore, për qëllime të caktuara dhe për interesa të caktuara (ose edhe pa asnjë interes, fare, përveç nga mendjemadhësia dhe mendjelehtësia) gjejnë ndonjë pretekst për të shkaktuar viktima, por edhe për t’u vetëflijuar për besimet e tyre. Andaj na duket se me të drejtë shtrohet pyetja:
A është normale që në emër të lirisë së fjalës e të shprehjes, nga autorë të llojeve të ndryshme të krijimtarisë njerëzore, të krijohen (me vetëdije) rreziqe me përmasa katastrofike, jo vetëm për autorin, por edhe për tërë një mjedis të gjerë shoqëror, duke vënë në lojë shenjtorët e një feje, kur në secilën shoqëri, sot e gjithë ditën, mund të gjenden me mijëra tema aktuale, me të cilat mund të bëhet humor, karikatura, satira, mund të parodizohen, të shpotiten e të luftohen dukuri të panumërta negative – me qëllimet më të mira: që shoqëria njerëzore, në përgjithësi, të emancipohet dhe të shkojë përpara? Sepse, në të vërtetë, ky është (dhe duhet të jetë) qëllimi kryesor i një karikature, i një parodie, apo i një satire të mirëfilltë artistike. Pse atëherë dikush ka nevojë të shkojë aq larg sa të prekë ndjenjat më të thella të besimeve fetare të tjerëve?!
Apo mos karikaturimet dhe shkrimet e këtilla satirike, janë edhe të porositura nga forca të caktuara botërore?!
Si përfundim: Lëmë anash çmendurinë e ndonjë individi të padukshëm në shikim të parë, nga i cili mund të vijë një rrezik i papritur dhe ndalemi te një autor i një karikature, satire a parodie dhe pyesim: A e vlen barra qiranë të rrezikohet jeta e njerëzve (edhe e vetë autorit) për një shkrim apo për një vizatim të kësaj natyre? Përgjigja gjithsesi do të ishte se një autor i vetëdijshëm, me vetëdije të plotë, kurrë nuk do duhej ta bënte këtë.
Tek e fundit, vrasjet e paskrupullta të njerëzve (terrorizmin) e dënojnë të gjithë njerëzit e civilizuar dhe të gjitha shtetet e botës. Por të luftosh pasojat, pa analizuar dhe dënuar edhe shkaqet që kanë sjellë deri te ato pasoja, do të thotë ta lësh gjithmonë rrugën të hapur, që në emër të lirisë së shprehjes, të ketë, edhe më tutje, edhe keqpërdorim të kësaj lirie.
Andaj, krahas vetëpërmbajtjes së autorëve, na e merr mendja se në nivel botëror, duhet të ketë tërheqje të vëmendjes, edhe nga institucione kulturore e politike (duhet një ligj tjetër nga ky i sotmi)në mënyrë që në të ardhmen, autorët e krijimeve me përmbajtje satirike, të kenë kujdes që në asnjë rast, të mos ndodh më askund në botë që të lëndohen ndjenjat e besimeve fetare të pjesëtarëve të asnjë besimi, kur të gjithë krijuesit dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë kanë shumë punë më të mençura, sesa të merren me fyerjet e njëri-tjetrit. Pra: ne mendojmë se praktika po tregon se E DREJTA UNIVERSALE për lirinë e fjalës dhe të shprehjes DUHET TË KORRIGJOHET, TË NDËRROHET DHE Të PRECIZOHET, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë vend për keqpërdorime dhe që në botë të mos ndodhin më tragjedi si këto të gjertanishmet. Aq më tepër kur, sot, më shumë se kurrë, flitet se tashmë, në pjesë të ndryshme të botës, ka edhe përplasje qytetërimesh e besimesh fetare (sot flitet se gati kudo nëpër vatrat e krizave botërore po bëhen luftëra mes qytetërimesh të ndryshme, por me kamuflime dhe me pretekste të tjera) luftëra të cilat, siç po shihet, janë një rrezik potencial për përgjigje edhe terroriste të individëve vetëflijues.
Për më tepër në këtë temë mund të lexoni:
1. Pse u distancua dhe pse kritikoi redaktorin e revistës Charlie Hebdo, themeluesi i kësaj reviste, Henri Rauswelt? – indeksonline e enjte, 15. 01.2015
2. Pse thuhet se bëri vetëvrasje një hetues i rastit të kësaj reviste?
3. Pse sulmohen? – NOA, e enjte, 15.01.2015
4. A u morën masa ligjore kundër deklaratës së prezantueses TV në Amerikë, e cila në një emision televiziv tha:” Vrasje të gjithë myslimanëve!”?
5. Sa medie në botë si: gazeta, revista e televizione punojnë në shërbim të kauzës për degradimin me çdo kusht të pjesëtarëve të religjionit mysliman?
6. Fyerjet në baza fetare, para pak ditësh i dënoi edhe Papa Françesku.