Adil Fetahu: Kur kriminelët serbë mbrojnë njëri tjetrin

Kur ish-kryetari i Serbisë, Boris Tadiq në dhjetor 2011 me dekret e emëroi Ljubisha Dikoviqin në postin e krye-shefit të Ushtrisë së Serbisë, kryetarja e Fondit për të Drejtën Humanitare, znj.Natasha Kandiq bëri një deklaratë kundër këtij emërimi dhe ua dërgoi mediave, me një dosje për të kaluarën kriminale të Dikoviqit, duke e cilësuar atë si njeri i padenjë për postin e caktuar. Një dosje me të bërat e të pabërat e Dikoviqit në Kosovë në vitin 1999, në të cilën kishte shumë prova për krimet që kishte kryer në Drenicë (prill-maj 1999), si komandant i Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë,  Natasha ia dërgoi Prokurorisë Speciale për Krime të Luftës, por ajo prokurori që tërë kohën i fshehë  krimet serbe, “nuk gjeti  prova për të ngritur aktakuzë kundër Dikoviqit”. Atëherë, ministri i mbrojtjes (Dragan Shutanovac) doli në mbrojtje të Dikoviqit, të cilit i rekomandoi  ta padis Natasha Kandiqin për gënjeshtra e shpifje. Më vonë Dikoviqi e paditi Natashën, dhe gjykimi kundër saj do të fillojë më 17 shkurt të këtij viti.

 

Po Natasha Kandiqi, kjo veprimtare e guximshme për mbrojtjen e të drejtës humanitare, nuk u mbraps as nuk u ndal në punën e saj. Mblodhi shumë dëshmi  plotësuese, deklarata  nga ata që kanë përjetuar masakrat apo familjarët e viktimave, deklarata  të vërtetuara nga dëshmitarët e proceduar në Tribunalin e Hagës në procesin gjyqësor kundër Millutinoviqit e të tjerëve për krimet në Kosovë, dokumente tjera zyrtare të nxjerra nga Baza e të dhënave të Tribunalit, dhe formoi Dosjen e re “Rudnica”, me të dhëna, dokumente e prova për përgjegjësinë e Dikoviqit, për krime të rënda masovike të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Drenicë; përgjegjësinë objektive si komandant i njësive që bënë krime, por edhe përgjegjësinë e tij subjektive për pjesëmarrje direkte në plaçkitjen e madhe. Pas kompletimit të dosjes, këto ditë përfaqësuesja e Fondit, Sandra Orlloviq mbajti një konferencë për media në Beograd (29 janar), duke prezentuar dosjen me prova për përgjegjësinë e Dikoviqit.

 

Menjëherë reaguan: ministri i mbrojtjes  Bratisllav Gashiq, kryeministri Aleksandar Vuçiqi, ministri i jashtëm  Ivica Daçiq, e së fundi edhe kryetari i shtetit Tomisllav Nikolliq, të gjithë duke e quajtur Dikoviqin si oficer i ndershëm dhe ia pafajshëm, e duke i dhënë përkrahje të pa rezervë, por  se këto akuza ndaj Dikoviqit gjoja se qenkan të orkestruara e sinkronizuara nga disa qarqe të brendshme e të jashtme, me qëllim diskreditimi të ushtrisë së Serbisë, si segmenti më i besueshëm i popullit, dhe për ta destabilizuar shtetin e Serbisë. Madje Nikolliqi e priti në rezidencën e tij Dikoviqin dhe i dha mbështetje të plotë për punën e tij të suksesshme. Natyrisht se Dikoviqin e mbrojnë dhe përkrahin edhe shumë media, gazetarë, redaktorë, analistë, personalitete e qarqe të ndryshme në Serbi. Nga personalitetet e njohura ne Serbi, vetëm Boris Tadiq, i cili vet e kishte emëruar Dikoviqin kryeshef të ushtrisë së Serbisë, deklaroi se duhet të vërtetohen akuzat, nëse janë të vërteta apo jo.

 

Për çka e akuzon Dikoviqin Fondi për të Drejtën Humanitare

 

Edhe në dosjen e parë “Dikoviq” (2009 e 2011), edhe në këtë dosjen e re “ Rudnica”, Dikoviqi akuzohet për krime të rënda të luftës, krime në masë kundër civilëve shqiptarë, të kryera në prill-maj 1999 në fshatrat: Izbicë, Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Vërbofc, Zabeli i Poshtëm, Gllanasellë, Gllogofc (të Drenicës), vrasjen në masë të  civilëve, në mesin e të cilëve afro 50 të mitur,  plaçkitje, dhunime, granatime e djegëje të shtëpive, transportimin dhe fshehjen e së paku 250 kufomave në varrezën masive në Rudnice, afër Rashkës. Fondi qysh në vitin 2009 i ka dërguar Prokurorisë Speciale për Krime të Luftës fletëparaqitje kundër Dikoviqit, por ajo Prokurori “nuk ka gjetur prova” për filluar procedurën kundër tij.

 

Përfaqësueset e Fondit thonë se dosja “Rudnica” është formuar në bazë të dokumenteve autentike të ushtrisë dhe policisë, deklaratave të disa dëshmitarëve oficerë  të ushtrisë dhe policisë të njësive që kanë operuar në atë rajon,  e që deklaratat e tyre i kanë dhënë Tribunalit të Hagës, pastaj deklaratat e atyre që kanë mbijetuar krimet apo të familjarëve të viktimave, të raporteve të forenzisë, etj. 

 

Dikoviqi  me gradën e kolonelit ishte komandant i Brigadës 37 të Motorizuar të ushtrisë së Jugosllavisë (atëherë: Serbi-Mali Zi). Ajo Brigadë në vitin 1998 u transferua nga Rashka në Kosovë, dhe u përqendrua në zonën e fshatrave të përmendura, por ka vepruar edhe në zona tjera në Kosovë. Brigada përbëhej nga 4500 ushtarë e oficerë, e ndarë në katër njësi, me 31 tanke, 18 haubica, 105 minahedhës 82 dhe 120 mm, e mjete tjera luftarake, me  plan dhe detyrë për “pastrimin e terrenit”. Mungesën e personelit Brigada e kishte plotësuar me kriminelë të marrë nga Burgu i Sremska Mitrovicës (korrik 1998), të cilët si ushtarë-vullnetarë i ushtronin dy nënkolonelë të Dikoviqit: Sllobodan Stoshiq dhe Miodrag Gjorgjeviq, se si të vrisnin e plaçkitnin. Operacionet e njësive të Dikoviqit vepronin sipas parimit: ushtria heret në mëngjes granatonte fshatrat, u hapte rrugën këmbësorisë, policisë e paramilitarëve për të hyrë nëpër shtëpi, frikësuar, maltretuar, dhunuar, vrarë, masakruar, plaçkitur e djegur. Burrat, madje edhe djem të mitur, i ndanin nga gratë e fëmijët, i vritnin aty për aty, apo në grupe i dërgonin në vende të caktuara ku i masakronin e vritnin. Femra të reja i ndanin e dhunonin e disa i vritnin pas dhunimit. Paraprakisht iu plaçkitnin të holla e stoli, dokumente, pastaj plaçkitnin gjithçka të vlefshme që mund të bartej e lëvizej. Kanë plaçkitur me mija vetura të shtrenjta, autobusë, kamionë, traktorë, kombajna, mijëra frymë bagëti të trasha e të ima, të cilat i kanë transportuar e shitur në Rashkë, në Novi Pazar e në vende tjera në Serbi. Madje, një bager e kishin marrë nga Mihja Sipërfaqësore në Bellaçevc, të cilin ia kishin shitur një personi privat në Rashkë, dhe me gjasë me të njëjtin kanë hapur varrezen masive në Rudnice, mbi të cilën pastaj kishin ngritur një objekt, për t’i mbuluar gjurmët e krimit. Tash në procesin zhvarrimit, pala  serbe ka kërkuar nga Kosova 300.000 euro kompensim për objektin qe duhej rrezuar! Trupat e të vrarëve i kanë transportuar me mjete të ushtrisë dhe policisë serbe, për të cilat Dikoviqi e ka ditur, ose së paku është dashur ta dinte. Dikoviqi edhe vet personalisht ka marrë pjesë direkte në plaçkë dhe, përveç plaçkës që ua ka shitur të tjerëve, për vete ka mbajtur një “ landrover” të shtrenjtë dhe një “mercedes 300”. Për të gjitha këto, Dosja “Rudnica” e akuzon Dikoviqin, që si komandant i asaj njësie mban përgjegjësi objektive pse nuk e ka penguar kryerjen e krimeve, por edhe për përgjegjësi subjektive, si pjesëmarrës direkt në krime.

 

Mediat bëjnë të ditur se menjëherë pas paraqitjes publike të dosjes me akuzat kundër Dikoviqit, Prokuroria Speciale për Krime të Luftës (e Serbisë) ka kërkuar që dosja me provat për akuzat e ngritura t’i dorëzohet asaj Prokurorie.  Natyrisht se Fondi do t’ia dorëzojë dosjen, por as Fondi, as ne, nuk besojmë se ajo Prokurori do të zhvillojë procedurë të mirëfilltë për vërtetimin e përgjegjësisë së Dikoviqit. Prokuroria dhe kryeprokurori i saj, Vukçeviq, tërë kohën kanë fshehur sa kanë mundur krimet serbe, dhe në të njëjtën kohë kanë sajuar “prova për krimet që kanë kryer të tjerët”, në rend të parë për shqiptarët, e të cilat do t’i përtypë e gëlltitë Gjykata Speciale që do themelohet për Kosovën!

 

Në Serbi kriminelët mbrohen dhe avancohen me grada e pozita

 

Për krimet monstruoze kanë bërë  të ditur e dëshmuar edhe pjesëtarët aktivë të brigadës së Dikoviqit dhe të policisë. Rrëfimet e Sllobodan Stojanoviqit, ish-komandir i Stacionit të Policisë në Cërna Trava, që si pjesëtar i  çetës së katërt të Brigadës 37, se çfarë mizorishë kishte parë – janë tmerruese. Ju kujtohet, i njëjti dëshmitar pat treguar edhe në media, se si një kriminel nga Piroti u kishte prerë kokat një mashkulli e një femre, të cilat “i ka përpunuar” dhe i  mbanë si abazhure në dhomën e tij! Poashtu rrëfime të tmerrshme ka treguar koloneli në pension, ushtaraku Llakiq Gjoroviq, por edhe të tjerë. Ata për të gjitha këto e kanë informuar Fondin për të Drejtën Humanitare dhe Gjykatën Speciale për Krime të Luftës,  por  në vend se të  gëzojnë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, ata janë izoluar, linçuar e kanë pasur peripeci e kërcënime nga vet organet e policisë, ushtrisë e prokurorisë. Ndërkaq,  Dikoviqi  dhe shumë dikoviqë tjerë, të cilët është  dashur të përgjigjen  e të gjykohen,  janë shpërblyer me grada, me avancime në shërbim e deri edhe me pozitën e shefit të ushtrisë (kriminale). Ish-kryekrimineli S.Millosheviq, e ka dekoruar Brigadën e tij me Urdhërin e Herojit! Kështu, janë avancuar e shpërblyer shume kriminelë nga radhët e policisë dhe ushtrisë në Serbi, dhe ata sot trajtohen si heroj! Madje edhe komandanti i KFOR-it mbane takime të rregullta me Dikoviqin e përfaqësues tjerë të ushtrisë kriminale serbe, gjoja për të shqyrtuar sigurinë (në Kosovë) dhe zbatimin e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës! Kryetari i Serbisë, që sipas kushtetutës është komandant suprem i ushtrisë së  Serbisë dhe epror i drejtpërdrejt i Dikoviqit, sapo Fondi i Drejtës Humanitare e bëri publike dosjen “Rudnica”, e cila përmban dokumente provuese për përgjegjësinë e Dikoviqit, në vend se ta suspendojë atë deri sa të vërtetohet  fajësia ose pafajësia, menjëherë i  ofroi përkrahje të pa rezervë, duke ndërruar tezat, gjoja  ajo dosje është konspiracion i qarqeve antiserbe brenda e jashtë vendit. Dhe kjo përkrahje është presion i drejtpërdrejt mbi sistemin e drejtësisë, që të mos  guxojë të gjykojë kriminelët e tillë.

 

Natyrisht, njohësit e rrethanave dhe mentalitetit që dominon në Serbi, as nuk kanë pritur as nuk presin që  drejtësia e Serbisë t’i gjykojë kriminelët më të mëdhenj, sepse atëherë do të vinte në rend për t’u gjykuar edhe vet kryetari i shtetit, si bashkëpunëtori më i ngushtë i kriminelit Sheshel, të cilit është dashur tërë kohën “ t’i bëjë shoqëri në Hagë”. As Prokuroria për Krime të Luftës nuk do ta gjykojë Dikoviqin e dikoviqët e tjerë, sepse ajo Prokurori është bërë qendra kryesore e fshehjes së krimeve të kryera  nga udhëheqësit e kaluar dhe të tashëm të Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …