RKL: Migrimi i qytetarëve të Kosovës është rezultat i shumë gabimeve e dështimeve

Afër 16-vjet pas luftës në vend dhe fitores historike kundër dhunës kolonialiste e hegjemoniste serbe, nga viti në vit gjendja sociale e popullatës është përkeqësuar, edhe pse në vend janë derdhur milionë e miliardë dollarë, marka  e euro ndihma nga shumë shtete të botës. Krejt ato ndihma të dedikuara për zhvillimin e vendit kanë rrëshqitur në kontot e politikanëve dhe mentorëve të tyre të huaj.  Diferencat sociale, mes të pasurve dhe të varfërve në vitet e pas luftës u rritën në mënyrë rapide. Pasuritë dhe resurset e vendit dolën në “ankandin e privatizimit”, ndërsa në emër të instalimit të kapitalizmit dhe të ekonomisë së tregut, prona e përgjithshme, e etiketuar si pronë shoqërore, socialiste, u përvetësua, u ble për pak para dhe u plaçkit në mënyrë mizore. Këtë proces të konsolidimit të ekonomisë kapitaliste e udhëhoqën për mrekulli protektorët e huaj dhe politikanët tanë, tashmë të vetë deklaruar të djathtë, po me prejardhje 50-vjeçare  nga e majta jugosllave.

 

Në “zhvillimin” tonë ekonomik,  kapitalist,  të pas luftës kemi arritur deri në atë nivel që katër pesë miliarderë të vendit të kenë më shumë pasuri se tërë popullata e Kosovës. Vetëm një bos i madh si Pacolli ka pasuri më shumë se një e treta e krejt banorëve të vendit. Janë disa miliarderë të tjerë, të cilët po kështu realizojnë më shumë të ardhura vjetore sesa realizon tërë  buxheti i vendit.

Shkalla e papunësisë në vend është e nivelit të rajoneve  më të pazhvilluara të Afrikës dhe Azisë. 

Këta janë vetëm pak tregues, që shpërfaqin lakuriq gjendjen e rëndë ekzistuese në vend. Dhe kjo gjendje nuk përmirësohet me konstatime si këto, as me identifikimin e faktorëve që kanë sjellë këtë gjendje, sepse as ka kush të japë përgjegjësi, as ka kujt i jepet përgjegjësia, meqë mungon shteti i mirëfilltë, sepse  kryetarin e shtetit nuk e zgjedh  populli, por zarfi i një ambasadori. Fjala përgjegjësi për politikanët tanë është vetëm një fjalë e “Fjalorit të gjuhës shqipe” dhe asgjë më shumë. Për 15 vjet rresht nuk patëm asnjë rast që një zyrtar i lartë, një politikan, apo një qeveritar të japë dorëheqje për dështimet apo të japë përgjegjësi për politikat e bankrotuara, sepse tërë sistemi është kapur nga korrupsioni, madje edhe agjencitë që janë themeluar për ta luftuar korrupsionin. Madje edhe ata që fryjnë bulçitë e kritikojnë natë e ditë korrupsionin. Ka edhe të tillë në mesin e tyre që mendojnë se mund të mbijetojë një sistem kapitalist në botë pa korrupsion dhe shfrytëzim të egër të ekonomisë dhe resurseve të një vendi të caktuar.

 

Pas luftës në Kosovë janë pasuruar politikanët e të gjitha partive politike, grupet e interesit, klanet e ndryshme mafioze, bosët e prostitucionit, bosët e trafiqeve të ndryshme, narko-dilerët e drogës, disa nga bosët e medieve dhe tërë një klasë vrasësish, plaçkitësish e shfrytëzuesish, të cilët madje e kanë kapur për fyti shtetin dhe të gjitha institucionet e tij.

Tani është vonë për të bërë përmirësime, ashtu sikur është e palogjikshme të pritet mos këta kapitalistët e vendit do të shfaqin mëshirë dhe do t’i ndihmojnë qytetarëve materialisht për të mos  e braktisur  vendin. Përkundrazi janë po këto ushejza, që për përfitimet e tyre janë të gatshëm ta zbrazin vendin, ashtu sikur ndodhi në vitet ‘90, kur regjimi i Milosheviqit bënte përpjekje të rekrutonte shqiptarët në ushtrinë jugosllave dhe kur kishte filluar vala e ikjes masive të të rinjve nga vendi. Janë mjaft  të pasur sot, ata,  të cilët asokohe ishin vënë në shërbim të Milosheviqit, me qëllim  për ta zbrazur Kosovën sidomos nga gjenerata e re.

 

Disa javë më parë, ministri i Brendshëm, ish përkthyesi i Rugovës, Skënder Hyseni u pati mbledhë benë trafikantëve, që po u mundësonin ikjen e qytetarëve nga Kosova,  madje duke i kërcënuar se për ta nuk do të kenë vend askund. Duket se kërcënimin e tij e mbuloi tymi i nxjerrë nga prapa i një autobusi, që pikërisht në ato momente po rrugëtonte mes për mes Serbisë, për në kufi të Hungarisë. Fjalët e serta të ministrit shkuan dhe po shkojnë huq, ashtu si lutjet patriotike të  kryeministrit Mustafa, i cili u premton qytetarëve jetë më të mirë, ashtu sikur ka premtuar qe 15 apo 30 vjet,

 

Kush janë ata që po ikin nga Kosova?

 

Nuk është kjo hera e parë që shqiptarët në kushte dhe rrethana si këto kanë ikur dhe tash po ikin nga vendi. Në kohën e para luftës, shumë syresh kanë deklaruar se kanë ikur nga presioni i Serbisë, ndërsa ne që nuk ikëm duket se Serbia  nuk na paska ndjekur, arrestuar, burgosur e vrarë.

Në kohën e luftës shumë nga shqiptarët e vendit tonë  ikën për të mos i vrarë Serbia dhe gjeten shpëtim, jo vetëm në Shqipëri dhe në Maqedoni po kudo në vendet e botës. Pas luftës, shumica e tyre u kthyen “ngadhënjimtarë”  dhe i ranë në gjunjë “çlirimtarëve të NATO-s”, çlirimtarëve të vërtetë, duke menduar se tani e tutje Kosova do të bëhej Amerikë. Kur u kthyen desh na nxorën sytë duke na akuzuar se ua kishim prishur rehatinë, meqë, sipas tyre liria do të kishte ardhur edhe pa luftë. Pati mjaft prej tyre që u zhgënjyen, që në ditët e para dhe pa humbur kohë u kthyen atje, nga ku kishin ardhur.

 

Ka pasur dhe ka shumë qelepirxhinj në Kosovë dhe kudo, të cilët  shumë më lehtë përcaktohen për të jetuar si parazitë, kudo qoftë në botë, vetëm të mos vdesin urie, sesa ta punojnë tokën dhe të merren me bujqësi, apo me çfarëdo veprimtarie tjetër. Ka mjaftë shpifarakë, që paraqiten si të lënë anash, gjoja  për shkak të bindjeve të tyre politike, ka të tillë që kanë marrë kredi dhe janë zhytur në borxhe dhe shpëtimin e kërkojnë në ikje nga vendi,  ka të tillë që deklarohen  si ashkali e egjiptas, të tillë që ankohen se kanë qenë në shënjestër të UÇK-së dhe çka nuk ka nga ajo masë njerëzish që po bën turr drejt vendeve të BE-së, të cilat me kohë kanë bërë të ditur se do t’ i kthejnë të gjithë të ikurit nga Kosova dhe si ndëshkim ky migrim do ta shtyjë afatin e heqjes së vizave. Kjo aq u bën ikanakëve. Ata do ta provojnë fatin duke u paraqitur viktima. Nëse mund të përfitojnë diçka, mirë, nëse jo Kosovën e gjejnë kur të kthehen. Mjafton të jenë vetvetja, t’ ia mësyjnë atje ku jeta është më e mirë, sepse për ata Atdheu është vendi ku jetohet më mirë, mundësisht duke jetuar si parazitë.

 

Ikja e shqiptarëve nga Kosova në radhë të parë i konvenon Serbisë, e cila po pretendon të kthejë në vendin tonë disa qindra mijëra serbë, për të cilët Beogradi zyrtar thotë se janë dëbuar nga shqiptarët e Kosovës. Këtu qëndron edhe zelli që po tregon Serbia për të larguar sa më shumë shqiptarë nga vendi. Gjatë tërë ekzistencës së Serbisë kolonialiste hegjemoniste, shqiptarët janë akuzuar se po i përzënë dhe po i shpërngulin serbët me dhunë, madje edhe atëherë kur regjimet serbe  kanë kryer, gjenocidin  etnocidin më të madh në histori, dëbimin nga trojet e tyre të qindra mijëra shqiptarëve nga Nishi me rrethinë, nga krahina e Toplicës dhe nga viset e sotme të  jugut të Serbisë. Ata po ashtu vetëm gjatë Luftërave Ballkanike vranë, masakruan e dëbuan mbi 400 mijë shqiptarë.

Migrimi nga vendi, në mos më shumë tregon se Shteti i Kosovës nuk udhëhiqet nga ata që japim gjithçka për vendin, por nga ata që me çdo kusht duan të  përfitojë gjithçka nga qeverisja për vete dhe për klanet  e tyre. Si do të reagojë një qytetar i vendit  kur të mësojë lajmin se vetëm për lule, që iu dashkan aq shumë presidencës, kryetarja Jahjaga shpenzon 8.000 euro të Buxhetit të vendit. Sa shpenzon ajo për veshjet më të kushtueshme, që blihen në Amerikë, sa shpenzon  për 12 këshilltarët, që marrin rroga të majme, sa shpenzon   për tërë personelin, për dreka e darka, për vizita e shëtitje qejfi? Sa shpenzon kryetarja e Shtetit të Kosovës, për të cilën nuk ka votuar as një votues i vendit, madje as familja e saj dhe as ajo vetë?

Qeveria e Kosovës ka rreth  20 ministra dhe do të ketë hiq më pak se 50 zëvendës-ministra, të cilët, nuk janë postuar në zyrat e tyre  as tetë muaj pas zgjedhjeve dhe dy muaj pas lidhjes së Koalicionit qeveritar, për shkak të shtyrjes me bërryla të klaneve përbrenda partive të koalicionit: LDK-PDK-SRPSKA.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …