Ikja e grupeve të qytetarëve nga vendi, kryesisht po i përshkruhet gjendjes së tyre të pavolitshme sociale dhe përpjekjeve për të siguruar një jetë më të mirë, kudo jashtë Kosovës, por mundësisht në Gjermani.
Ky është vlerësimi i përgjithshëm, por në disa raste realiteti e demanton këtë konstatim.
Numri i të ikurve nga Kosova në dy muajt e fundit nga pikëpamja sociale nuk i përket klasës së varfër, por asaj të mesme. Në një raport të ambasadës gjermane në Prishtinë, bëhet e ditur se pjesëtarët e shumicës shqiptare të të gjitha shtresave dhe sidomos shtresës së mesme (mësues, mjekë, punëtorë e të papunë me familje) janë nga mesi i atyre që janë mësyrë drejt Gjermanisë.
Në mesin e të ikurve, nga ajo që kemi parë në të gjitha mediet, të vendit dhe të mbarë botës, hetohet se të ikurit janë të veshur mirë, kanë para, përderisa paguajnë çmimin mjaft të lartë të ikjes për trafikantët, kanë lënë shtëpi të mira, disa syresh edhe shumëkatëshe, disa i kanë lënë me qira mujore, disa ua kanë lënë në shfrytëzim të afërmve të tyre, të gjithë janë të pajisur me telefonë mobilë, madje edhe me ifhone të prodhimit të fundit dhe përveç rasteve të veçanta nuk hetohet brenga se janë detyruar ta lëshojnë vendin. Vetëm kur i kapin organet e policisë, ata vajtojnë fatin e tyre dhe mundohen me çdo kusht të paraqiten viktima të varfërisë.
Kjo shtresë e ikanakëve, që nuk është ndonjë karakteristikë vetëm e shqiptarëve, ka qenë dhe po mbetet në lëvizje, për të kërkuar jetë më të mirë, aty ku mund të kërkohet dhe aty ku besojnë se do ta fillojnë jetën nga e para.
Në mesin e të ikurve ka mjaft nga ata që janë futur në borxhe, meqë kreditë me kamata të mëdha të bankave u ofrohen kudo. Për një ditë bankat e vendit u ofrojnë shuma marramendëse të kredive, duke lënë peng shtëpitë apo pasuritë e tyre të tundshme dhe të patundshme. Bankat në Kosovë kanë kamatat më të mëdha në rajon ndërsa kamatat më të ulëta për depozitim. Në vitin e kaluar bankat e vendit kanë fituar qindra milionë euro nga qytetarët e varfër të vendit. Kjo formë e lejimit të kredive i ka futur në borxh dhjetëra mijëra familje, të cilat në vend të përfitimit kanë humbur madje edhe pasurinë.
Ikja e një numri të arsimtarëve, mjekëve, të papunëve që kanë diplomuar në universitetet private, nuk ka të bëjë me varfërinë ekstreme me të cilën ballafaqohen disa nga fshatarët dhe qytetarët e vendit tonë.
Nga do të studiohet ky fenomen, del se kjo ikje ka një prapavijë organizimi nga qarqe të caktuara në Serbi, meqë ikja nga Kosova e shqiptarëve dhe kthimi i serbëve në vendin tonë, ka qenë dhe ka mbetur aspiratë historike e të gjithë serbëve, të cilët jo vetëm që trimërojnë popullatën shqiptare të ikë nga vendi, tashmë shtet i pavarur, por edhe i lejon të lëvizin shpengueshëm nëpër tërë territorin e Serbisë. Jo rastësisht Ministria e Brendshme e Serbisë publikon një shifër prej 60000 shqiptarësh që paskan kërkuar shtetësinë e këtij shteti. Nëpër Serbi nuk mund të lëvizin lirshëm vetëm luftëtarët e lirisë nga radhët e UÇK-së.
Në mesin e të ikurve, nuk ka veteranë të UÇK-së, përveç ndonjë rasti të rrallë, nuk ka familjarë të dëshmorëve, apo të invalidëve të luftës, nuk ka ish të përndjekur e të burgosur nga regjimet e dikurshme pushtuese, nuk ka apo ka krejt pak fshatarë, ka krejt pak të ikur nga zonat e varfra dhe ka shumë të ikur nga zonat e pasura të Kosovës sikur është Ferizaj, Gjilani, Prishtina, Vushtrria, Peja, Prizreni etj.
Kjo valë e ikjeve të qytetarëve nga vendi, në mesin e tyre edhe një numër i konsiderueshëm nga radhët e ashakalijve, romëve egjiptianëve, është një fenomen i llojit të vet.
Në vitet e para të pas luftës, të ikurit nga Kosova me përkatësi jo shqiptare kanë marrë azil në Francë. Madje janë shënuar edhe falsifikime të shumta të dokumenteve, kur shqiptarë të caktuar kanë marrë dokument se janë shkali. Për falsifikime të tilla të dokumenteve ishin dënuar disa zyrtarë në mesin e tyre edhe një deputet i Kosovës nga radhët e këtij komuniteti.
Një pjesë e shqiptarëve ikanakë, pas luftës, janë paraqitur viktima të përndjekur nga UÇK-ja dhe mbi këtë bazë kanë fituar edhe azil politik sidomos në Francë, Belgjikë dhe në vende të tjera.
Nga do të studiohet ky fenomen, del se ikja është e organizuar në radhë të parë nga bandat e trafikantëve, dhe nuk është kjo ikja e parë e me siguri se nuk do të jetë as e fundit. Kjo është një lëvizje e qytetarëve për të kërkuar jetë më të mirë, mundësisht jetë parazite, me qëllim për të përfituar nga liberalizimi i lëvizjes së lirë në vendet e Evropës, edhe pse Kosova është oaza e fundit e Evropës Plakë dhe kësaj Evropës maskotë të BE-së, së cilës i ndalohet liberalizimi i vizave, për shkaqe të shumta e të ndryshme për të cilat nuk do të shkruajmë kësaj radhe.
Fushatës së ikjes nga vendi po i kontribuojnë mediet me prejardhje titiste rankoviqiste, të cilat pasqyrojnë vetëm anën e errët të Kosovës, trumbetojnë mungesën e perspektivës, veçojnë raste individuale dhe iu japin dimension të përgjithshëm, fajtor për ikjen e bëjnë shtetin me 2 milionë qytetarë dhe me një miliardë e gjysmë buxhet, madje ka të tillë që fajtorin e kërkojnë në koalicionin qeveritar, në frikën nga islami radikal, në frikën nga Gjykata speciale kundër UÇK-së, si dhe shpifje e trillime të tjera Këta trumbetues apatridë, ikjen e mijëra qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë eksod, madje me përmasa të kohës së luftës.
Përpjekjet e qarqeve të caktuara për ta goditur Kosovën në të gjitha segmentet, sidomos tani kur sërish do të fillojë dialogu me Serbinë dhe kur BE-ja, në Bruksel sërish do t i gjunjëzojë negociatorët shqiptarë nga Kosova për t’i lëshuar pe Serbisë, përpjekjet për ta dëmtuar krejtësisht imazhin e shtetit të Kosovës, i shkojnë për shtati Beogradit, Moskës dhe Athinës si dhe pretendimeve të tyre se shteti i Kosovës nuk mund të qëndrojë. Mjerisht, shumë zyrtarë dhe politikanë servilë të vendit, me qëllim për t’ i realizuar qëllimet e tyre, kanë krijuara një gjendje të tillë kaotike, nga e cila nuk do të dalim lehtë me një politikë poltrone ndaj BE-së e të nënshtruar ndaj Serbisë.
Nga Kosova kurrë nuk kanë ikur dhe nuk do të ikin ata që kanë qëndruar gjatë tërë kohës së luftës. Nga vendi po ikin ata, të cilëve iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e Atdheut, pikërisht atëherë kur duhej të qëndronin, të luftonin dhe ta largonin barbarinë serbe nga vendi. Ikanakëve që nuk iu pëlqen Kosova u qoftë udhë e mbarë dhe në mos u ndaleshin në Evropë, le të shkojnë në Alaskë e në Sibir, se atje e gjejnë më mirë se në Kosovë.