Populli shqiptar i Kosovës, pati fatin që detyrimisht t’i rrok armët. Ne luftën e bëmë jo për të uzurpuar, jo për të pushtuar, jo për të vjedhur, jo për të sunduar, por për të jetuar ashtu siç jeton çdo popull tjetër në Evropë, të lirë.
Ne, populli shqiptar i Kosovës, kishim fatin që në kohën kur më së shumti i duhej vendit, edhe për ne lindi një dritë shprese, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Secili e priti me gëzim, secilit ia përshkonte trupin një emocion që kurrë më parë nuk e kishte ndier kur përmendej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mirëpo, si jo rrallë herë në histori, edhe kësaj here shumë shpejt dikush arriti ta ndaj popullin në dy pjesë: në pjesën që frymonte siç frymonte edhe vet UÇK-ja, dhe pjesën që frymonte ndryshe…
Ndonëse ishte ushtri e lindur nga njerëzit që përfundimisht kishin vendosur për t’i dhënë fund nënshtrimit dhe qysh në ditët e para të daljes në skenë filluan të dëshmojnë se ishin të gatshëm për të luftuar me Serbinë, shumë shpejt gjetën mbështetje të madhe në popull, sidomos tek ata njerëz që më shumë e kishin përjetuar robërinë.
Mirëpo, për të bërë këtë luftë, ushtarët e UÇK-së kishin dhënë betim në të cilin ndër të tjera thuhej: “Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut”.
Hyrja në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte vullnetare ngase luftohej për çlirim dhe rrjedhimisht nënkuptohet se të gjithë do të duhej të ishim vullnetarë për të luftuar për çlirim. Mirëpo, kur bëhet fjalë për daljen nga ushtria nuk kishte (me aq sa di unë) ndonjë ligj, rregullore, udhëzim ushtarak që e rregullonte këtë. Mirëpo, këtë e rregullonte pjesa tjetër e Betimit të Ushtarit ku thuhej: “Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem, betohem, betohem”.
Përkundër betimit të dhënë, kishte të atillë që të shtyrë nga frika, kishte edhe të tjerë (një numër shumë i vogël) që për shkaqe shëndetësore, u detyruan ta lënë armën, siç edhe thuhet në ligjin për veteranët “për arsye të ndryshme” për të mos u kthyer më në vijën e frontit të luftës për liri.
Me përfundimin e luftës, pothuajse shumica e luftëtarëve e treguan misionin e luftës së tyre. Ata që kishin luftuar për liri iu kthyen jetës së tyre dhe filluan ta gëzojnë lirinë bashkë me popullin. Ata që kishin luftuar për pushtet, shpejt arritën që t’iu ngjiten shkallëve të pushtetit, kuptohet pa zgjedhur forma se si të ngjiten shkallëve të pushtetit (me rëndësi ishte që të ngjiten sa më lartë, qoftë edhe në maje të pushtetit). Disa të tjerë që luftën e kishin bërë për pasuri, asgjë nuk iu interesonte përveç grabitjes së gjithçkaje, ngase gjithçka duhej t’ju takonte atyre. Fati i keq i gjithë kësaj ishte se pak ishin ata komandantë që i ishin kthyer popullit për të jetuar lirinë ashtu siç po e jetonte populli, ngase komandantët (shumica prej tyre) kishin luftuar për diçka tjetër.
Komandantët (shumica prej tyre) u bënë të pushtetshëm, u bënë të pasur. Ata u bënë gjithçka falë ushtarëve të tyre, të cilëve nuk iu interesonte shumë se kush po i udhëhiqte dhe si po i udhëhiqte, se për ushtarët ishte e rëndësishme se po luftohej kundër armikut.
Komandantët (shumica prej tyre) arritën që pushtetin e tyre të cilin e kishin “fituar” (grabitur) në luftë, ta ruajnë edhe pas luftës dhe me pushtetin e tyre, me pasurinë e tyre të kontrollojnë gjithçka në Kosovë, madje edhe lirinë. Ata kontrollonin privatizimet, tenderët, lëshonin vërtetime për të bërë ushtarë këdo që dëshironin. Ata shpallnin dëshmorë, shpallnin invalidë, shpallnin heronj, shpallnin tradhtarë. Ata ishin liria. Ata ishin ligji. Ata ishin Kushtetuta. Ata ishin Kosova.
Kaluan pesëmbëdhjetë vite nga përfundimi i luftës çlirimtare dhe si asnjë ushtri tjetër në botë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, falë komandantëve të saj, përveç heronjve, dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve e çka jo tjetër që nxori nga gjiri i saj, ajo nuk nxori dot asnjë dezertor, por nxori si asnjë ushtri tjetër aq shumë komandantë invalidë (ata, shumica prej tyre, u bënë invalidë për të përfituar jo se u plagosën), sa që historianët në të ardhmen do të mbesin të habitur dhe historia do të shkruajë se si duhet të “luftojnë” komandantët, se si pothuajse të gjithë komandantët u plagosën. Kjo dëshmon “trimërinë” e tyre. Kjo dëshmon “sakrificën dhe heroizmin”.
Listat e pashpallura të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dikë po e mbajnë nën ethe. E, ata që janë nën ethe natyrisht se janë Komandantët (shumica prej tyre), por edhe familjet e “dëshmorëve”, “invalidët”, “veteranët” të cilët të tillë i bënë komandantët.
Një luftëtar i mirë dhe i ndershëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk pa pse të jetë nën ethe, ngase atë të drejtë nuk ia fali askush.
Unë nuk mërzitem se çka mendojnë ish komandantët, ngase deshën apo nuk deshën ata, unë do të jem veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mua nuk më intereson se a do ta aprovojë Sami Lushtaku apo Rrahman Rama (i përmend këta dy emra ngase kisha fatin të jem ushtar i UÇK-së në dy Zona, në atë të Drenicës dhe në atë të Shalës) statusin tim veteran, ngase këtë status nuk ma falë asnjëri. Deshën apo s’deshën ata unë do të jem veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë do të jem veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç nëse ata u kanë “dhuruar” shumë njerëzve pa meritë këtë status, ndoshta në këtë formë do të mund të më shtyjnë që publikisht të heq dorë nga statusi i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë do të jem veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por publikisht do të mundohem t’ua çjerrë maskat të gjithë atyre komandantëve, të gjithë servilëve të atyre komandantëve, të gjithë atyre mashtruesve që për pesëmbëdhjetë vite përfituan në emër të luftës çlirimtare, të cilën ata nuk e bënë.