Skënder Hyseni barazon luftën e UÇK-së me atë të Milosheviqit

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka deklaruar për Agjencinë italiane të lajmeve “Agenzia Nuova” se Beogradi do të duhej t’i ndiqte kriminelët e vet të luftës ashtu siç është duke bërë Prishtina me ish-(kriminelët) pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet krijimit të Gjykatës Speciale të mbështetur nga BE-ja. (!)

“Të gjitha krimet, duhet të hetohen, duke u nisur nga autorët dhe nga vendi ku janë kryer. Shpresoj që edhe Serbia ta pranojë nevojën e inkriminimit të të gjithë ish ushtarëve të vet dhe të pjesëtarëve të grupeve paramilitare që janë njollosur me krime të tmerrshme në Kosovë… Autoritetet e Prishtinës, sipas ministrit Brendshëm i Kosovës, janë “të gatshme ta hetojnë çdo krim të kryer nga kosovarët: edhe Serbia do të duhej ta bënte të njëjtën gjë”. (Agenzia Nova)

 

Ky ministër i papërgjegjshëm pse jo edhe i paturpshëm, barazon  luftën e drejtë dhe çlirimtare të popullit të Kosovës me luftën kriminale dhe antishqiptare të regjimit të Milosheviqit. Pretendimet për të baras-vlerësuar luftën e UÇK-së me luftën për shfarosjen e shqiptarëve nga regjimi i Beogradit nga ana e një ministri me përkatësi etnike shqiptare (deri tani nuk është përcaktuar ndryshe), përveç se paraqesin një papërgjegjësi të thellë, ato pretendime në esencë janë edhe antikombëtare.

Pozita e tij partiake ndaj luftës së UÇK-së nuk i jep të drejtë ta demaskojë luftën e UÇK-së në pozitën e ministrit të Brendshëm, meqë ai post nuk është partiak, por është post qeveritar dhe përderisa nuk ka një qëndrim qeveritar për vlerësimin e tillë të luftës së UÇK-së, ai nuk do  guxonte  të bënte deklarata të tilla, në emër të qytetarëve të Kosovës, madje as në emër të atyre qindra qytetarëve të afërmve e ilakave të vet, të cilët e kanë votuar për deputet, por nuk ka siguruar madje as minimumin e votave.

 

Ky farë  ministri i Brendshëm thotë se organet relevante të vendit qenkan të gatshme ta hetojnë çdo krim të kryer nga kosovarët: edhe Serbia do të duhej ta bënte të njëjtën gjë”, por nuk ka dhënë as edhe një shifër të vetme, nuk ka përmendur as edhe një emër të një “krimineli” shqiptar, i cili sipas tij paska kryer krime lufte kundër serbëve. Edhe ata shqiptarë që i ka dënuar UNMIK-u dhe EULEX-i janë dënuar në saje të akuzave të Ministrisë së Drejtësisë së kohës së Milosheviqit dhe jo nga gjykatat e vendit.

 

Në emër të kujt flet kështu ky ministër?

 

Nuk besoj se flet as në emrin e LDK-së, sado që në atë parti ka mjaft që mendojnë si ai dhe që për disa vite kanë sajuar dosje kundër luftëtarëve të lirisë, në bashkëpunim me hetuesit e UNMIK-ut dhe të shërbimeve të huaja në Kosovës.  Ai, thjesht lëshon fjalë pa kontroll nga goja, sepse paragjykon një Gjykatë e cila ende  nuk është themeluar, dhe kurrsesi nuk guxon të paragjykohet se domosdo do të themelohet. Ai paragjykon krime lufte nga UÇK-ja,  të cilat nuk janë faktuar as dëshmuar, madje as në Tribunalin e Hagës.

Si mund të japë deklarata të tilla të papërgjegjshme dhe krejt të pamatura një ministër, pa u bazuar në asnjë fakt apo argument relevant?

Kjo ndodh vetëm në Kosovë, ku anëtarët e kabinetit qeveritar  i cakton një ambasador apo ambasadore në bashkëpunim me  BE-në, Beogradin zyrtar  dhe njerëzit e tyre në Kosovë.

 

Ku i mbështet konstatimet e tij ky ministër, kur kërkon nga Serbia t’ i dënojë kriminelët e vetë, përderisa Kosova po i dënuaka ata të UÇK-së?

 

Si mund të komentohet deklarata e tij e papërgjegjshme ku thotë: “Shpresoj që edhe Serbia ta pranojë nevojën e inkriminimit të të gjithë ish ushtarëve të vet dhe të pjesëtarëve të grupeve paramilitare që janë njollosur me krime të tmerrshme në Kosovë”… Fjalia e ndërshtënë, “që edhe Serbia ta pranojë”, lë për të kuptuar se Kosova paska pranuar inkriminimin  e luftës së UÇK-së. 

 Si i tingëllon kjo fjali, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si i tingëllon, ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi e të tjerëve që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së?

A thua a mendojnë edhe ata njëjtë me këtë Hysenin e LDK-së?

 Nëse nuk reagojnë në deklaratat  e tij të papërgjegjshme,  të shpërfytyruara dhe të pabaza me siguri se pajtohen me vlerësimet e tij lidhur me kriminelët nga të dyja anët…

Nëse Qeveria e Kosovës ka përjashtuar nga radhët e veta ministrin serb, që i ka fyer nënat shqiptare, ky ministër duhet të japë përgjegjësi, pse jo edhe penale për deklaratat e tij të papërgjegjshme, paushalle  dhe krejtësisht në kundërshtim me realitetin historik që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Të shpresojnë se organizatat e luftës, invalidët e veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe forcat liridashëse të vendit të reagojnë kundër deklaratave të tilla të këtij ministri.

 

 

 

 

Burimi:” Agenzia Nuova”

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës Skënder Hyseni i ka thënë agjencisë italiane të lajmeve Agenzia Nova se Beogradi do të duhej t’i ndiqte kriminelët e vet të luftës ashtu siç është duke bërë Prishtina me ish – pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nëpërmjet krijimit të Gjykatës Speciale të ardhshme të mbështetur nga BE.Hyseni, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Romë, ka folur ‘Agenzia Nova’.

 

Ai iu është përgjigjur deklaratave të gjeneralit dhe deputetit serb Momir Stojanovic, sipas të cilit, “red notice ” i lëshuar dje nga Interpoli ndaj tij për krime të supozuara kundër civilëve gjatë konfliktit të vitit 1999 është një “reagim” ndaj Gjykatës Speciale të mbështetur nga BE për t’i gjykuar ish pjesëtarët e UÇK-së.

 

“Këto deklarata nuk anë kurrfarë baze”, komenton Hyseni.

 

“Të gjitha krimet – vazhdon ministri kosovar – duhet të hetohen, duke u nisur nga autorët dhe nga vendi ku janë kryer. Shpresoj që edhe Serbia ta pranojë nevojën e inkriminimit të të gjithë ish ushtarëve të vet dhe të pjesëtarëve të grupeve paramilitare që janë njollosur me krime të tmerrshme në Kosovë. Nuk duhet të harrojmë se në Kosovë janë vrarë mbi 12 mijë persona në më pak se gjashtë muaj”. Interpoli ka lëshuar dje 17 “red notice ” (instrument i përafërt me fletarrestin), për po aq ish- anëtarë të ushtrisë jugosllave, forcave të policisë dhe luftëtarëve serbë në konfliktin në Kosovë në fund të viteve nëntëdhjetë. “Çdo përpjekje për të bërë një krahasim mes këtij fakti dhe Gjykatës Speciale është i pakuptimtë, ngase bëhet fjalë për situata që dallojnë”, pohon Hyseni.

 

Ish ushtarët dhe agjentët e policisë serbe janë të dyshuar se kanë marrë pjesë në vrasjen e mbi 300 vetave të etnisë shqiptare në fshatrat Mejë dhe Korenicë, të cilat gjenden në zonën e Gjakovës dhe Rekës së Keqe, pranë kufirit me Shqipërinë. Stojanovic i ka hedhur poshtë akuzat, duke shtuar se “lëvizja është bërë për t’i trembur serbët”, në mënyrë që të mos kthehen në Kosovë. “Uroj ta kem prapa meje shtetin dhe ai ta thotë fjalën e vet për këtë çështje”, ka theksuar Stojanovic në një deklaratë të dhënë dje shtypit serb në selinë e Parlamentit të Beogradit.

 

Autoritetet e Prishtinës, përfundon Ministri i Brendshëm i Kosovës, janë “të gatshme ta hetojnë çdo krim të kryer nga kosovarët: edhe Serbia do të duhej ta bënte të njëjtën gjë”. (Agenzia Nova)

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …