Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në Gjenevë në prani të ministrave homolog të Zvicrës, Norvegjisë, Lihtenshtajnit dhe Islandës, nënshkroi Deklaratën e Përbashkët për Bashkëpunim me këto 4 vende anëtare të EFTA-së. Ky dokument me rendësi strategjike për Republikën e Kosovës parasheh thellimin e bashkëpunimit ekonomik me EFTA-në dhe gjatë vitit 2019 edhe fillimin e negociatave për Marrëveshje të Tregtisë së Lire me vendet e EFTAs-së. Ministri Shala ka thënë se sot është një moment i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës dhe për ekonominë, pasi është një hap drejt rrugës për arritjen e nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për ne si shtet, për ekonominë tonë, pasi është një hap para, në rrugën e duhur deri ta arrijmë nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me këto vende. Një marrëveshje e tillë nënkupton që të gjitha produktet që prodhohen në Kosovë të eksportohen në Zvicër dhe në vendet tjera të lartpërmendura pa asnjë taks. Në vazhdën e punës tonë për ta promovuar prodhimin vendor dhe eksportin ne tashmë po hapim rrugë dhe po gjejmë partner dhe tregje të reja për produktet tona”, ka thënë ministri Shala.