U promovua libri “Shteti- Formimi i shteteve në të drejtën ndërkombëtare: shtetësia faktike dhe juridike- evolucioni historik”, me autor Arton Musliu.
Profesori Bekim Baliqi në tregoi për veprën e autorit Musliu, e cila shtjellon Historinë që nga periudhat e lashta, e deri te Paqja e Vestfalisë.“Këtë e dëshmon më së miri edhe vepra e studiuesit të ri Arton Musliu, i cili na sjell në gjuhën shqipe një libër mjaft voluminoz, pra 600 faqesh, me literaturë jashtëzakonisht të pasur dhe me një qasje shumë interesante. Trajtimin e shtetit e fillon në format e hershme të entiteve, organizimeve politike që nga periudha e lashtë në Mesopotami, Greqinë antike, Romën, Bizantin, Khalifatin Arab e deri të Mesjeta me Paqen e Vestfalisë”, tha Baliqi.
Ndërsa recenzenti i kësaj vepre, profeson Afrim Hoti pati fjalë të mëdha për veprën dhe vetë autorin. “Në këtë promovim të një libri të cilin unë padyshim do ta konsideroja si libër ekzemplar dhe si libër unikat, për të drejtën në përgjithësi, për shtetin në veçanti, për të Drejtën Ndërkombëtare po ashtu si disiplinë e veçantë e shkencës. Para se të flasë për librin më lejoni t’i them nja dy-tri fjalë për autorin. Nuk ka shumë kohë që e njoha, rastësisht ishte edhe takimi, rastësisht ndodhi edhe gjithçka tjetër dhe saktësisht gjuha dhe ajo për të cilën po komunikonim ishin saktësisht këto pika për të cilën edhe sonte po diskutojmë, pra gjuha shkencore. Janë dy adresa, ose janë dy burime prej nga më pastaj mora një impakt dhe një vlerësim të jashtëzakonshëm për autorin e ri të librit Shteti, për Artonin. E para ishin refleksionet dhe vlerësimet që vinin nga fakulteti ku ka diplomuar Artoni, nga fakulteti Juridik, nga profesorët e Artonit të cilët e vlerësuan në piedestal dhe e dyta nga kolegët e tij disa nga të cilët po i shoh këtu në mesin tonë, profesor Besimi, profesor Muhameti dhe shumë profesorë të tjerë të cilët janë bashkëpunëtor të Artonit”, theksoi Hoti.Më pas Hoti më në detaje tregoi për tematikën që zhvillohet në tetë kapitujt e kësaj vepre.
“Vepra ‘Shteti- Formimi i shteteve në të drejtën ndërkombëtare: shtetësia faktike dhe juridike’, është e ndarë në shtatë, respektivisht tetë kapituj, dhe unë e kam bërë me kënaqësi recenzurën dhe e kam përcjell pothuajse në pjesën më të madhe të punës së autorit i cili niset sëpari me një lloj trajtimi historik, siç është e zakonshme jo vetëm në veprën aktuale por thuajse në të gjitha veprat tjera. Një pjesë e mirë e librit të Artonit i referohet një tematike që edhe ka rendësi shkencore, por përtej rëndësisë shkencorë është ashtu në mënyrë të dukshme edhe vlera në kuptimin praktik, njohjet, rëndësia e tyre, llojet e tyre a janë të rëndësishme apo jo, a na duhen apo jo sidomos në këtë trendin aktual, ndoshta me theks të veçantë për rrethanat në Kosovë. Dhe pjesa e fundit sipas autorit kemi rrëshqitjen ku autori trajton në mënyrë shumë të suksesshme lëvizjen nga teoria e Zhan Godedit, ose teoritë absolutiste në teori të tjera relative të udhëhequra nga Max Veber kryesisht dhe nga Zhan Zhak Rusou, ku kemi elementet e para të ndarjes së pushtetit nga monarkët dhe qytetarët, mendoj qe ky është një atribut i jashtëzakonshëm dhe një punë e jashtëzakonshme e autorit Musliu”, shtoi Hoti.
Ndërsa autori i kësaj vepre Arton Musliu më një fjalë rasti i ka falënderuar të pranishmit për ardhjen e tyre dhe ka thënë se ky libër është rezultat i një pune sistematike tre vjeçare, raporton KosovaPress.