Eksodet, deportimet shpërnguljet dhe migrimet paraqiten sikur të jenë sinonime të të njejtës fjalë. Por nuk është ashtu. Bile kanë dallime të dukshme mes veti. Secila nga këto dukuri e kanë specifikën e tyre. E përbashkëta e tyre është se ne,shqiptarët,i kemi provua të gjitha llojet veq e veq. Nga asnjëri nocion nuk jemi kursye përgjatë historisë tonë. Eksode të përmasave të mëdha kemi patur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës ose pas rënjes së sistemit njëpartiak në Shqipëri. Deportimet kanë ndodhur në kohën e Luftës së UÇK-së e gjatë bombardimeve të NATO-së të nxitura dhe të realizuara nga Millosheviqi. Shpërngulje ka patur në kohën e luftës turko – austrohungareze në shekullin e shtatëmbëdhejtë ( shpërngulja e shqiptarëve nga Shestani etj për në Kroaci dhe Vojvodinë),para dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ( kur shpërngulet e tërë popullata shqiptare nga sanxhaku i Nishit dhe më gjërë),pas masakrës së madhe në Drenicë dhe në Llap e Gollak në dimrin dhe në pranverën e vitit 1920-21,para dhe pas Luftës së Dytë Botërore( në kohën e mbretërisë jugosllave dhe në kohën e ish-jugosllavisë komuniste) duke përfshirë këtu edhe periudhën e akcionit famkeq të mbledhjes së armëve. Migrimet për shkaqe politike apo ekonomike ka patur që nga viti 1944 e deri në ditët e sotit(për fatin tone të keq).
Të gjitha këto eksode, deportime, shpërngulje dhe migrime kanë ndodhë për shkaqe dhe arsye të ndryshme. Të gjitha nga këto i kanë veçoritë dhe specifikat e veta. Disa nga këto kanë qenë të detyruara dhe me çmim të çfarosjes së popullatës e disa të tjera kanë qenë të nxitura nga elemente keqdashëse mbrendashqiptare por edhe nga jashtë. Për shumicën e këtyre largimeve nga mëmëdheu ka patur edhe plane dhe projekte nga fqinjët tanë greko-sllavë dhe turq. Ka patur edhe marrëveshje ndërshtetërore ose disa shtetëshe për zbrazjen e hapsirës shqiptare. Të gjitha ato plane, projekte dhe marrëveshje të pëpiluara dhe të realizuara në kurrizin e shqiptarëve janë kuptua nga ne me dhjetra vite pas realizimit të tyre. Tani dihen edhe nënshkruesit e atyre marrëveshje me emër dhe mbiemër.Me sa dihet deri tani në asnjerën nga këto marrëveshje nuk kanë patur dijeni dhe nuk janë pyetur dhe nuk kanë vënë firmën shqiptarët. Për shumicën dërmuese të rasteve që u thanë më lartë shqiptarët nuk kanë patur shtet e as qeveri të tyre. Disa herë trojet shqiptare janë zbrazur ose përgjysmua por shqiptarët nuk u çfarosën.Por është dëmtuar shumë supstanca shqiptare në disa hapsira të cilat kanë qenë thjesht dhe vetëm shqiptare.
Nga përmendja dhe rikujtimi i këtyre eksodeve,deportimeve,shpënguljeve dhe migrimeve tani nuk kemi asnjë dobi.Sepse ato kanë ndodhur dhe më nuk mund të shbëhen. Por nëse nga një e keqe që na ka ndodhur më herët ( dhe madje disa herë !) nuk marrim mësim ajo e keqe do të na përsëritet,sikurse po na përsëritet tani në ditët tona më të mira. Në kohën kur me plot gojën po themi se i kemi dy shtete dhe dy qeveri shqiptare. Nuk janë të largëta vitet 1998/99 kur nisën me të madhe me u largua qytetarët e Kosovës (atëherë të okupuar dhe të terrorizuar deri në skajshmëri) nga trojet e veta për të gjetur shpëtim në shtetet perëndimore të Europës. Këto migrime bëheshin nga frika e ndonjë masakre masive dhe shumë të mundëshme. Migrimet u shtuan dhe u bënë trishtuese sidomos nga fundi i vitit 1997,në tërë vitin 1998 e posaqërisht në fillimin e vitit 1999 kur Kosovës i vinte era shkrumb dhe pritej një luftë frontale me ushtrinë sërbe. Atëherë na përfshiu një lloj trishtimi kur i shikonim për çdo ditë që largoheshin familje të tëra me makina për në Shkup e pastaj nga t´i shihnin sytë dhe nga t´i ecnin këmbët. Ndodhte që në një ndërtesë dhjetëkatëshe ,me nga 50 banesa ,mbrenda ditës të largoheshin deri në dhjetra familje. Pë r 4-5 ditë hyrja e një ndërtese të mbetej vetëm me 4-5 familje. Nuk është vështirë që të kuptohet se si ndjeheshin ato pak familje që kishin mbetur. Ishin të tmerruara dhe të trishtuara. Vetmia e ngulfat edhe optimistin më te madh. Trishtimi dhe tmerri sa vinin e shtoheshin jo gjithaqë nga era dhe tymi i luftës por më shumë nga vetmia. Një atmosferë të tillë për largim nga Kosova e nxitën dhe e ndihmuan Sërbia bashkë me sejmenët e tyre shqiptarë. Tepër më të frikshëm e ndjenin veten banorët që nuk ishin përfshi në luftën aktive se sa vetë luftëtarët. Ky migrim ose ikje masive nga Kosova ia lehtësoi shumë mundin e Sërbisë për deportime në kohën e bombardimeve të NATO-s sepse gati u përgjysmua popullata që deportohej. Por edhe gjatë deportimeve Sërbia i përdori skenarët e vjetër dhe të ri për ndryshim të struktures së popullsisë në Kosovë e cila pastaj do të paraqitej si gjendje e kryer dhe si e pamundur që të rikthhej në gjendjen e para një viti. Ajo në pikat kufitare ua merrte dokumentet shqiptarëve dhe ua asgjësonte në mënyrë që t´u pamundësohej kthimi i sërishëm në Kosovë në rrethana krejtësisht të tjera në terren. Pas të gjitha këtyre peripetive me mbarimin e luftës shumica dërmuese e shqiptarëve u kthyen në Kosovën e tyre me plot entuziazëm se do të punojnë dhe do ta rindërtojnë Kosovën sipas shijes dhe dëshirës së tyre. Tani nuk do të kishte kush t´ua ndalte hovin e punës dhe të gjallërisë në shtëpitë e tyre të djegura, të cilat për një kohë të shkurtë u rindërtuan dhe u populluan. E gjithë bota u mahnit me rikthimin e shqiptarëve në Kosovën e rrënuar nga lufta. Edhepse patën kërkesa që të vazhdojnë të rrinë në ato shtete mikpritëse ata e lane mjaltën e huaj dhe e zgjodhën baltën e tokës së tyre. Shumë sondazhe të huaja e paraqitën popullin e Kosovës ndër popujt më optimist në të gjithë globin tonë.
Atëherë ndodhi mrekullia për ne dhe me ne! Por tani po ndodhë çudia me ne dhe përrreth nesh! Po përsërirtet migrimi i viteve 1997/98 por sidomos i vitit 1999. Por në kushte dhe rrethana krejtësht të tjera. Atëherë e akuzonim Sërbinë si nxitëse dhe organizatore të migrimeve trishtuese. Dhe kishim të drejt. Por tani kend ta akuzojmë? Kush na pruni në këtë situatë kaq të pashpresë për një të ardhme më të begatë dhe të rehatshme për rininë tone? Si brezi që e kemi përjetua vetë migrimin e fundshekullit të kaluar nuk mund që ta rradhis se cili ka qenë migrim më trishtues ai i fundshekullit apo ky i sotit? Për migrimin pata shkrua edhe më 18 dhjetortë vitit të kaluar në të përditëshmen “Epoka e Re”. Atëherë e pata çmua si në kufi të normales por gjithësesi si dukuri shumë të padëshiruar për ne. Tani ky migrim ka marrë përmasa trishtuese dhe alarmuese! Tani po mendoj se kësaj katrahure nuk po i shihet fundi! Dhe nuk dihet se kush e nxiti dhe kush po e përmban!? Por po hetohet se nuk ka kush t´i del përpara kësaj të keqeje! Në fundvitin e kaluar autobusët niseshin nga Dragashi dhe Shtërpca dhe mendojsha se është vetëm ndonjë përpjekje për tensionim të gjendjes në mënyrë artificiale. Por tani që kjo e keqe po merr pëmasa në të gjithë Kosovën popullatën e ka përfshi një trishtim i natyrshëm. Autobusët nisen me plot emigrantë nga e tërë Kosova dhe mu nga mesi i Prishtinës e në sy të pushtetarëve. Tani po flitet se nuk ka mbetë rini në Besianë, në Vushtrri dhe në shumë qytete tjera. Për çdo ditë raportohet në media se po mbyllen klasë të tëra nëpër shkolla fillore dhe të mesme. Për mua është hera e tretë që përjetoj kësi trishtimi. Hera e parë më 1950-1960 në kohën e akcionit famëkeq të mbledhjes së armëve,e që shërbeu si arsyetim,,sepse qëllimi ishte tek shpërngulja e shqiptarëve. Si nxënës i shkollës fillore mbaj mend kur për çdo ditë na mungonin nga 3-4 nxënës të cilët iknin me familje për në Turqi. Hera e dytë është ajo e vitit 1998/99 që e përmenda më lartë dhe hera e tretë është kjo e tashmja. Për të dy të parat kishim një shpresë se dikush do t´i del në ballë kësaj tragjedie. Por tani nga kush të presim që ta ndal këtë të keqe shumë të madhe. Politika nuk merret me këtë punë fare. Kjo politikë dhe këta politikanë e kanë prue në këtë gjendje situatën e tanishme. Pushtetarët e të gjitha legjislaturave të pas luftës e kanë hisen e vet të përgjegjësisë ndaj kësaj situate. Të gjithë pa përjashtim. Në të gjitha fushatat parazgjedhore,të gjitha partitë premtojshin zhvillim ekonomik dhe punësim për rininë tonë shumë të pastër dhe punëtore. Dhe sapo e marrshin pushtetin i shitnin edhe ato pak fabrika dhe uzina që kishin shpëtua nga lufta vetëm për t´i mbush xhepat e vet. I freskët është premtimi i zgjedhejve të fundit kur PDK-ja i premtoi 200.000 vende të punës dhe LDK-ja 150.000 vende pune. Premtimet e dhëna edhe i “mbajtën” sepse,vërtetë, i hapën aq vende pune por në Gjermani,Francë e gjetiu e jo në Kosovë. Të gjitha këto transportime bëhen nëpër Sërbi dhe me ndihmën e sajë. Me një dallim të vogël se në vitin 1999 në pikat kufitare ua shkatërronte dokumentet për të pamundësua rikthimin ,kurse tani i lejon vetëm me lejetë njoftimit ta kalojnë kufirin e Sërbisë e kur ndonjeri nga të emigruarit pendohet dhe përpiqet që të kthehet në Kosovë nëpër Sërbi nuk i lejohen kalimi vetëm me leje të njoftimit. Pra po përsëriten skenarët e vjetër sërbë por në rrethana të tjera.Prandaj nga qytetarët më optimist të globit,vetëm brenda 15 vjetësh, u kthyem në qytetarët më pesimist.
Krejt çka mund të thuhet tani për këto migrime të egra,trishtuese dhe tmerruese është se më së paku po brengoset klasa politike e Kosovës. Kjo të bënë të dyshosh se këtu ( mos e bëftë zoti) po veprohet me plane të kurdisura pas shpine për Kosovën dhe popullin e sajë. Ndoshta tani ka ardhur koha që : “Megallideja”, Ilia Garashanini,Vasa Çubrilloviqi, Ivo Andriq, Francuska 7 dhe shumë projekte të tjera të realizohen në kohën tonë dhe me pajtimin dhe firmat e njerzëve tanë nëpër kancelaritë e Rambujesë,Vjenës, Brukselit apo të ndonjë selie tjetër europjane për të cilën opinion nuk është në dijeni fare. Prandaj thonë se me të lidhë dikush mund të gjindet dikush tjetër që të zgjidhë,kurse po u lidhe vetë nuk ka kush të zgjidhë më.
Bashkëpjesëmarrës në këtë të keqe të madhe që po bëhet tani janë të gjitha elitat politike të pasluftës qofshin ata të rangut të parë apo të dytë.Edhe të gjithë deputetët e të gjitha legjislaturave nuk i shpëtojnë pjesëmarrjes në këto pazarllëqe nëse me gishtat e tyre i kanë votua këto mbrapshtira të cilat e kanë prue popullin në këtë situatë nga e cila mendojnë se mund të dalin vetëm me largim nga vendi. Natyrisht se edhe këtu ka përjashtime por ato janë shumë të rralla. Frikohem se për të gjitha këto mbrapshtira që ia kanë sjellë pushtetarët popullit të vet do të mallkohen nga historia. Dhe mallkimi i historisë i prekë shumë breza dhe pasojat do t´i vuajnë edhe disa breza në vazhdim. Historia e jonë, ndoshta, nuk njeh arsye më të madhe se kjo për të mallkuar një brez pushtetarësh të vet. Sepse kjo është një prej tragjedive të rradhës që po na ndodhë në ditën për diell.
6 janar 2015
Prishtinë