Mbyllja e Shtëpisë së Kulturës, në Preshevë u bë me ndërhyrjen e pushtetarëve të Beogradit. Ky festival sivjet u mbajt nën qiellin e hapur pasi që Shtëpia e Kulturës në Preshevë u mbyll me urdhër të autoriteteve komunale. Edon Agushi, drejtor artistik i festivalit “Pre Foto”, në një intervistë për KosovaPress thotë se mbyllja e Shtëpisë së Kulturës u bë me ndërhyrjen e pushtetarëve.“Këtu kishte një ndërhyrje nga vetë pushtetarët e qytetit të Preshevës, pikërisht për ta goditur festivalin ‘Pre Foto’ një ditë para festivalit. Ata nuk e kishin menduar që ne do të organizohesishm jo vetëm si staf, por edhe si qytetarë dhe mund ta mbanim ekspozitën edhe jashtë, edhe pse është -10 gradë. Salla ndoshta që e patëm menduar më herët për ta mbajtur ekspozitën në ambientet e Shtëpisë së Kulturës, nuk do t’i kishte zënë gjithë këta njerëz. Kjo ishte një mbështetje jo vetëm për ‘Pre Foto-n’, por për artin e kulturën për rininë preshevare që po mundohen t’i sjellin diçka qytetit tonë”, ka thënë Agushi. “Pre Foto” këtë edicion u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ajo e Serbisë, komuna e Bujanocit e disa biznese private, por jo edhe nga komuna e Preshevës, në të cilën mbahet. Agushi thotë komuna nuk kishte paraparë fonde për këtë projekt, e sipas tij, e refuzoi me arsyetime tjera.