Ibrahim Kelmendi: UDB-ashi, Jusuf Buxhovi, bën përpjekje ta përvetësojë Adem Jasharin

 Publikimin e “fjalës” së tij Jusuf Buxhovi e ka shoqëruar me sqarimin: “Fjala që është dashtë të mbahet në Akademinë e sotme Përkujtimore kushtuar Adem Jasharit, me rastin e përvjetorit të vrasjes heroike, i ftuar nga Qeveria e Kosovës e nga e cila hoqa dorë për shkak të ruajtjes së paqes politike.”

Nga ky sqarim ekcesiv po rezulton se kjo qeveri e Kosovës e paskësh vlerësuar Jusuf Buxhovin si më të merituarin për të paraqit fjalën kryesore në akademinë përkujtimore për 17 vjetorin e rënies së Adem Jasharit. Kjo është një dëshmi që karakterizon përmbajtjen e kësaj qeverie, respektivisht të koalicionit aktual Thaçi-Mustafa (meqë PDK dhe LDK ishin kundër).

Sikur duket se koordinatorë të padukshëm përkujdesjen për këso gjetjesh, meqë vet kryeministri Mustafa duhet të kishte harruar “meritat” e Jusuf Buxhovit, siç duhet të jenë përkujdesur të njëjtit koordinatorë që të ndodhte edhe koalicioni në mes të Thaçit e Mustafës, armiq të egërsuar mes tyre, por siç rezultoi, vetëm në dukje. Pra, koordinatorët ndajnë rolet, kur liderucët duhet të simulojnë armiqësi të madhe dhe të konvertohen në partnerë e ortakë…

 

Jusuf Buxhovi tashmë e ka për borxh për të dhënë edhe shpjegime plotësuese, pse ishte rrezikuar “paqja politike” në ato përmasa, sa ai të hiqte dorë nga paraqitja e fjalës së tij.

Tepër interesant është autorizimi i Jusuf Buxhovit për të paraqit në këtë akademi tradicionale “një ridimenzionim historik”, – siç e quan vet Buxhovi, – të Heroit Adem Jashari. Për këtë qëllim ai shtron pyetjen:

 

“Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik?”

 

Kësaj pyetje të tij sugjestive Buxhovi i përgjigjet:

 

“Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllanë, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshinë sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror.”

 

Siç po vetëkuptohet, qysh në këtë formulim fillestar të përçartë, Buxhovi është përcaktuar gjithsesi ta shkëput Adem Jasharin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke na mashtruar me përngjasimin me Oso Kukën legjendar, që do të thotë një si heroizëm individulist, jashtë çdo përgjegjësie e strukture të organizuar politike e çlirimtare. Në fakt, në gjithë këtë “fjalë” Buxhovi çuditërisht është treguar konsekuent për të mos ia përmend fare emrin Ushtrisë së Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij, edhe pse edhe kjo akademi mbahet në kuadër të manifestimit tashmë tradicional: Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

 

Buxhovi vazhdon:

 

“Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK.”

 

Pasi në pasuesin paraprak Buxhovi pati për qëllim kryesor që ta paraqes heroizmin e Adem Jasharit të shkëputur nga UÇK-ja, tani ai e integroi në “shtet-ndërtimin” e LDK-së. Ja pra, “historia” e Adem Jasharit dhe e Familjes së tij, – sipas Buxhovit, – fillon vetëm atëherë kur vet Jusuf Buxhovi zbaton urdhrin e eprorëve të tij për të themeluar LDK-në, e cila, nga të njëjtit eprorë, urdhërohet që të udhëheq “shtet-ndërtimin” e Kosovës.

 

Çfarë mendësie skandaloze: Marioneta Buxhovi flet për shtet-ndërtimin e Kosovës në kohën kur asaj sapo i ishte abroguar edhe autonomia që ia njihte Kushtetuta e vitit 1974! Sipas atij skenari mashtrues e komplotist, populli nuk duhej të angazhohej fillimisht për çlirimin e Kosovës, që të mund të realizonte pastaj shtet-ndërtimin e saj. Ky ishte ai karremi kryesor mashtrues i skenaristëve serbë: populli ynë i robëruar, përmes simulimeve atraktive duhej të kishte prioritet “shtet-ndërtimin” virtual, edhe pse Kosova ishte e pushtuar nga Serbia.

 

Sigurisht Buxhovi e ka mundësinë të argumentoi këtë konstatim të tij me përkrahje masovike, sepse vërtet populli besoi se LDK-ja ishte krijesë autentike, nga njerëzit e duhur, në kohë të duhur, që të udhëhiqte çlirimin e Kosovës. Jo vetëm kaq. Ndodhnin edhe lajthitjet tipike, – të motivuara nga grevat e minatorëve e të manipuluara nga marioneta si Azem Vllasi e soji i tij, – që turmat të marshonin rrugëve të Kosovës me fotografi të Titos dhe me flamuj të RSFJ-së në ballë, gjoja si taktikë se ashtu do të mashtronin pushtetarët e RSFJ-së për të barazuar popullin shqiptar me popuj tjerë në atë federatë monstrume!

 

Buxhovi në vazhdim shfaq konkretizimin e radhës për ridimenzionimin e historisë sipas përcaktimit të tij:

 

“Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm më metoda paqësore. LDK madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak… Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet.”

 

Nuk kam ndërmend të kontestoj, nëse vërtet kanë bërë marrëveshje ushtarake Ramiz Alija dhe Ibrahim Rugova (ky i fundit nuk kishte ushtri), edhe pse askush deri tani nuk ka ofruar dokument konkret ose ndonjë shënim arkivor, që dëshmon ekzistencën e asaj marrëveshjeje. Mua, si investigues i vëmendshëm dhe si veprimtar i Lëvizjes, për aq sa mbaj mend, më rezulton se në atë kohë testimet që ia bënin skenaristët e Baogradit Ramiz Alisë përmes liderucëve të LDK-së, duhet ta kenë shtyrë Ramiz Alinë që të ngarkonte ushtarakun Adem Çobani që të merrej me kërkesat e grupeve ilegale për ushtrime ushtarake…

 

Sa i përket “planit B”, i karakterit ushtarak, – siç (dez)informon Buxhovi, – ai duhet të ketë ekzistuar si fragment i megaskenarit beogradas për “alternativë kosovare”, “organizim legal demokratik”, “zgjedhje të lira”, “institucione paralele”, “shtet-ndërtim”, etj. Qëllimi kryesor i “planit B” duhet të ketë qenë diskreditimi i përcaktimit të veprimtarëve çlirimtarë për domosdoshmëri të organizimit ushtarak çlirimtar dhe identifikimi i tyre. Për konkretizim të tij duhet të jenë angazhuar konkretisht marioneta si Rexhep Gjergji e Anton Kola, për të rekrutuar vullnetarë për “ushtrime ushtarake”. Edhe disa veprimtarë të Organizatës sonë (LPK-së) e hëngrën simulimin e “planit B”, prandaj iu bashkuan atyre “ushtrimeve ushtarake”. Por tashmë ndodhi identifikimi dhe rrezikimi i tyre, edhe i Adem Jasharit…

 

Buxhovi e kulmon konkretisht ridimenzionimin e tij:

 

“Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Labinot, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shumë emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtar të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës. Cili ka qene roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi.”

 

Këtë pjesëmarrje Buxhovi e paraqet për të argumentuar ekzistimin e “planit B” të LDK-së. Dhe Buxhovi “plak”, që tashmë po pleqëron “ridimenzionimin e historisë” , i zvogëlon në “djem të ri” viktimat e “planit B”, edhe pse Adem Jashari (1955) ishte rreth 37-vjeçar, Sali Çeku (1956) rreth 36-vjeçar, Zahir Pajaziti (1962) rreth 30-vjeçar. Nuk na mbetet tjetër, pos të besojmë se ata, me pjesëmarrjen e tyre në ato “ushtrime” u thënçin ushtarake, qenkëshin angazhuar për të realizuar “planin B” të Buxhovit me bashkëveprimtarë. Por e vërteta e hidhur dëshmon se ata u identifikuan dhe viktimizuan, për tu survejuar e përndjekur ekstra. Kështu “plani B” e përmbylli me fiasko irritues qëllimin e tij.

 

Ky dështim dhe dështimet e përpjekjeve tjera të Organizatës sonë për të koordinuar veprimtarinë çlirimtare bashkë me LDK-në, qeverinë “bukoshi”, etj., mbase ndikuan në vendimmarrjen e Kuvendit të LPK-së në verën e vitit 1993 në Prishtinë, për të formuar ushtrinë çlirimtare; pas realizimit të organizimit fillestar dhe sprovave në disa aksione guerile, ajo u emërtua Ushtria Çlirimtare e Kosovës – pjesë e së cilës ishte edhe komandanti Adem Jashari, me bashkëluftëtarë!

 

Konstatimi i radhës i marionetës Buxhovi është:

 

“Mirëpo një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve.”

 

Këtë konstatim duhet pranuar për të saktë, edhe pse unë kisha idenë se në disa hapësira të Kosovës, si reaksion, pat shpërthyer vetëm kryengritja e armatosur çlirimtare dhe jo lufta. E nëse kishte shpërthyer lufta, Buxhovi ndoshta ka sqaruar në librat e tij voluminoz, se vetëm zgjedhje të lira nuk mund të cilësoheshin “zgjedhjet e lira” që i komandoi “presidenti” Rugova dhe i realizoi LDK-ja edhe pas nisjes së asaj lufte!

 

Konstatimi vijuesi i Buxhovit:

 

“Rënia e tij jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të mvishet me një vel mistik sa që për një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë. E vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën por jo bashkë me formacionet ushtarake…”

 

Ndoshta qëndron interpretimi se Adem Jashari e paskësh filluar luftën vetëm familjarisht, pa pas ndonjë vendim politik e ushtarak nga institucionet kompetente “shtetërore”. E konkretizuar edhe më shumë na rezulton se lufta paskësh filluar me përcaktimin familjar të Jasharëve për të mos iu dorëzua rrethimit policor e ushtarak serb! Unë nuk ndihem kompetent për të bërë konstatime profesionale, meqë edhe këto rrëfime të Buxhovit më duken goxha spekulative.

 

Ridimenzionimin e tij historik Buxhovi e kulmon me konstatimin:

 

“Është e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me luftën.”

 

Tashmë Buxhovi, pas shumë rreth-rrotullimeve, e pjellë troç qëllimin e tij kryesor: Adem Jashari i paskësh takuar vetëm “formacionit ushtarak” të “vijës institucionale”, i cili paskësh ndërlidh politikën pacifiste dhe “planin B” (ushtarak) të LDK-së. Kështu rezulton se vetë LDK-ja ishte “shteti” dhe “shtet-ndërtimi”, ndërsa Adem Jashari vetëm pjesëtar i atij “formacioni ushtarak” të LDK-së dhe jo i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

 

Në vend që të vazhdoj me sqarime e komentime, për momentin po shfryej me mallkimin: Mos të pastë hije, Jusuf Buxhovi, për këtë falsifikim kaq skandaloz e hileçar!

 

Po të mos ishin vlerë madhore patriotike e çlirimtare Adem, Hamzë e Shaban JASHARI, me bashkëfamiljarë pjesëmarrës në ato luftime, nuk do të garonin individ e subjekte për t’i përvetësuar e shpërdoruar sa më shumë dhe sa më njëanshmërisht.

 

Si dëshmitar i kohës unë këmbëngul se Adem Jashari, politikisht ishte veprimtar i Lëvizjes, i cili, si shumë të tjerë, mbi bazë të një vendimi përkatës, u angazhuan edhe në LDK që të mund ta legalizonte një pjesë të veprimtarisë çlirimtare, ndërsa ushtarakisht ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (Zonën e Drenicës)! Këtë dëshmi e mbështet edhe me faktin, se me kërkesë të ndërlidhësit kryesor, heroit Fehmi Lladrovci, Lëvizja dhe Fondi “Vendlindja thërret” (në Gjermani), u dërguan ndihma financiare Ademit me bashkëluftëtarë…

 

Ndoshta Buxhovi duhet ta ketë marrë guximin për të plasuar këtë falsifikim hileçar e përvetësim të Adem Jasharit, duke pas mbështetjen edhe të kryeministrit Mustafa dhe zv-kryeministrit Thaçi, por edhe duke qenë i informuar se Xhavit Haliti dhe Azem Syla patën dezinformuar dhe diskualifikuar Adem Jasharin me bashkëluftëtarë si “grup i pa diciplinuar i komitaxhinjve”, që nuk i përkisnin UÇK-së, dhe prandaj ua sabotuan kudo që arritën ndihmat me financa dhe armatim. Por në anën tjetër Ali Ahmeti dhe Fehmi Lladrovci, kompetentë në struktura udhëheqëse në Lëvizje dhe në UÇK, ishin të përcaktuar e të angazhuar për ndihma organizative, financiare, me armatim, për Adem Jasharin me bashkëluftëtarë – si organizim zanafillor i UÇK-së në Zonën e Drenicës!

 

Është fatkeqësi e radhës që po vazhdojnë të ndodhin këso komplotesh e falsifikimesh, që po ndodhin garime primitive për të përvetësuar heronjtë, meqë, të paktën nga momenti i rënies së tyre, ata i takojnë gjithë popullit dhe përjetësisë!

 

Po shpresoj që kundër këtyre falsifikimeve hileçare të Jusuf Buxhovit do të reagojnë:

 

– ish’zëdhënësi i UÇK’së, historiani Jakup Krasniqi,

 

– ish’kryetari i Lëvizjes gjatë Lufte, Z. Bedri Islami,

 

– “komandanti i përgjithshëm” i UÇK-së, Z. Azem Syla,

 

– “bosi” i UÇK-së, Z. Xhavit Haliti,

 

– “drejtori” i UÇK-së, Z. Hashim Thaçi,

 

-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm Nahit Hasani, Rexhep Selimi, etj.

 

Mosreagimi i tyre mund të shpërdorohet si aprovim i ridimenzionimit të historisë, sipas përcaktimeve e synimeve të marionetës Jusuf Buxhovit dhe sojit të tij!

 

 

Jusuf Buxhoi kuadër i UDB-së

 

Ndihem i detyruar të informoj konkretisht për Jusuf Buxhovin, sepse ndihmohemi për të pas parasysh, jo vetëm çfarë shkruan ai, por edhe kush është e pse shkruan.

Qysh në vitin 1978 më ka rastis të konfrontohemi me Jusuf Buxhovin në Klubin shqiptar në Dyzeldorf të Gjermanisë. Ai u angazhua që të mbronte linjën e ashpër të UDB-së serbe, që atë Klub famëmadh të mos guxonim ta karakterizonim shqiptar, por vetëm jugosllav. Me ndihmën edhe të Sekretarit të parë të ambasadës jugosllave në Gjermani, Z. Shefqet Hashani (paraprakisht drejtor i drejtorisë së 5-të të UDB-së së KSA të Kosovës), i cili përfaqësonte linjën e UDB-së autonomiste të KSA të Kosovës, Klubin e emërtuam Klubi Shqiptar.

 

 Jusuf Buxhovi në Gjermani ishte i kamufluar si korrespondent i gazetës “Rilindja”, por ishte operativ i UDB-së serbe.

 

Në tetor 1980, në panair të librit në Frankfurt, te standi i “Rilindjes” takoj Z. Shefqet Hashani dhe Jusuf Buxhovin. Iu ofroi të pinim kafe. Z. Hashani, në prani të Jusuf Buxhovit, si në shaka, ma tërhoqi vërejtjen: “Mos flisni në prani të Jusufit ato që ju rrezikojnë, sepse është i detyruar të më informoi mua, kurse unë jam i detyruar t’i përcjell në Beograd.”

 

Edhe pse e kisha informimin dhe përvojën se ishte marionetë e UDB-së, nuk i jam frikësuar takimeve me te, meqë kisha konsideratë për profesionalizmin e tij dhe për talentin krijues (bile edhe i kam shkuar për vizitë në banesë të tij në Bonn). Gjykoja se edhe kuadrot e strukturave të KSA të Kosovës (edhe të UDB-së) janë të interesuar për sa më shumë autonomi e zhvillim të Kosovës, si dhe doja ta (dez)informoja për angazhimet tona, që të mos dezinformoheshin vetëm nga spiunët injorantë.

 

Pasi vuajti dënimin bashkëveprimtari Hysen Gega, ai i informoi Ibrahim Rugovën (në prani edhe të Bujar Bukoshit), drejtues tjerë të LDK-së dhe bashkëveprimtarët në Lëvizje, se Jusuf Buxhovi kishte marrë pjesë në hetime kundër tij në Prizren, si specialist për veprimtarinë tonë në Gjermani. Aty e tutje Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi dhe të tjerë në LDK simuluan largimin e heshtur të Jusuf Buxhovit…

 

Në vitin 2004 takova Z. Shefqet Hashani (për një intervistë). Ai vërtetoi angazhimin e Jusuf Buxhovit si kuadër i UDB-së, bile informoi edhe për pjesëmarrjen e tij në hetimet kundër vet Shefqet Hashanit, i burgosur në maj 1981 në Beograd dhe i dënuar me 7 vite burg, Etj.

 

Pra, më se e logjikshme është se një kuadër i tillë, nuk mund të ketë marrë vendim autentik për të themeluar LDK-në dhe për të vënë në krye të saj Ibrahim Rugovën. Logjike është të thuhet se ai ka qenë i urdhëruar nga eprorët e tij të Beogradit.

Sa njerëzore dhe shqiptare do të ishte që Jusuf Buxhovi tani të bënte catarsis (pastrim shpirti), duke rrëfyer edhe për angazhimet e tij si kuadër i shërbimeve inteligjente, pavarësisht se u frikësohet ndëshkimit nga shërbimet serbe

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …