Kadri Rexha: Roli i klasës vasale dhe i forcave të organizuara ilegale në demonstratat e vitit 1981

      1.


      Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, klasën politike shqiptare e zuri të papërgatitur dhe të pa aftë për t’i dalë përballë situatës së krijuar, krizës politike, krizës ekonomike dhe krizës morale në të cilën ishte zhytur Kosova dhe mbarë Jugosllavia. Ndonëse kishte vite që Serbia, Kroacia dhe Sllovenia po përgatiteshin, secila në mënyrën e vet, që vdekja e Titos t’i zërë sa më të forta dhe sa më të pavarura, ndonëse qarqe të ndryshme nacionaliste dhe shoviniste serbomëdha po përgatiteshin hapur me program për kryqëzatat e tyre antishqiptare dhe vetëm po e prisnin vdekjen e Titos për t’u hedhë në sulm, klasa politike shqiptare, me besim të patundur në pathyeshmërinë e sistemit vetëqeverisës jugosllav, në bashkim-vëllazërimin e rrejshëm dhe në komunizmin e pamoralshëm jugosllav, bënte gjumin e rehatshëm dhe, si dëshmi besnikërie ndaj Federatës, me përulësinë e zagarit të bindur, burgosnin pa mëshirë bijtë dhe bijat më të mirë të Kosovës. Të dehur nga arritja e disa rezultateve pozitive, si Kushtetuta e vitit 1974, Universiteti, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, fillimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, etj. klasa politike shqiptare me kohë e kishte braktisë dhe lënë fare në harresë nismën e vitit 1968 për avancimin e statusit të Kosovës në nivelin e Republikës, e cila do të ishte garancia dhe siguria më e mirë për çfarëdo të papriture në të ardhmen. Ndonëse edhe fshatarët në ara, edhe punëtorët në fabrika, edhe barinjtë në bjeshkë e kishin kuptuar gjëmën që po i përgatitej Kosovës dhe shqiptarëve, politikanët tanë, në vend që të përgatitin strategjinë për mbrojtje, ata, të mbytur në luks dhe në shkëlqimin marramendës, ende bënin luftë t’i ruanin pozitat e veta dhe epokën që kish nisur të perëndojë.


 


Prandaj, demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, klasën politike shqiptare i zunë në huti dhe në befasi të pashpjegueshme. Kësisoj, klasa politike e Kosovës, nuk e pati kurajën të ngrihet mbi vetveten që të kalojë në anën e popullit të vetë si mbrojtëse e saj, si mbrojtëse e vetvetes dhe si mbrojtëse e Kosovës para rrebeshit shovinist dhe rrezikut që iu kish përgatitur. Në vend që të qëndrojë në nivelin e detyrës, si përfaqësuese e popullit, siç ia kishte ënda të thirrej, burokracia politike e Kosovës, që në hapin e parë kapitulloi dhe, si nxënësi i dëgjueshëm, filloi t’i përsërisë dhe t’i ripërtypë qëndrimet, diskutimet, platformat dhe konkluzionet e forumeve politike, kulturore, fetare dhe shtetërore serbe, të cilat për bazë kishin dhunën, gjenocidin dhe degradimin e pozitës së Kosovës. Në përpjekje titanike për t’i mbrojtur postet e veta, të rrezikuara seriozisht, apo në luftë për ta shfrytëzuar rastin e bekuar serbian që u kishte trokitur në derë për t’u ngritur hala më shumë në hierarkinë politike, politikanët shqiptarë, në shëmbëllesë të Kainit dhe si dorë e zgjatur e armikut serb, me zell të madh dhe me energji të pakufishme do të shkelin me të dy këmbët mbi vullnetin, mbi të drejtën, mbi dinjitetin dhe mbi gjakun e popullit të vet. Dhe, për të qenë më bindës në këtë rrugë, dhe për të qenë sa më të përpiktë në zbatimin e dhunës brutale mbi masat e gjëra, në zbatimin e furishëm të fushatës antishqiptare kundër historisë, kulturës dhe mbarë kombit shqiptar, burokracia politike e Kosovës, me lehtësi të madhe, angazhuan një pjesë të inteligjencies së Kosovës, intelektualë servilë, intelektualë të pakarakter, intelektualë të dështuar, të cilët, pa vrasje të ndërgjegjes dhe me kënaqësi të veçantë, do të hyjnë në shërbim të kësaj politike.


 


Ajo politikë shtypëse dhe shfarosëse antishqiptare nuk do të zgjatë me ditë apo me muaj, por me dekada të tëra. Dhe, tek diku, pas tetë vitesh, kur Serbia arriti ta plagosë rëndë mbarë një popull, duke e rrahë, duke e fyer, duke e vrarë dhe duke e burgosë pothuajse gjysmën e popullatës së moshës madhore, tek atëherë kur Serbia arriti ta degradojë pozitën kushtetuese të Kosovës, pra, tek atëherë, klasa politike e Kosovës zu të zgjohet nga gjumi i gomarit në gojë të ujkut dhe ta kuptojë se gjatë tërë jetës paska qenë vetëm kukull dhe marionetë në dorë të armikut dhe se rruga e tradhtisë paska vetëm një përfundim: limoni i shtrydhur hidhet në pleh, ai që ia bën gropën vëllait bie vetë në të, ndërsa gjykimi i historisë është i pamëshirshëm.


 


    2.


    Shpërthimi i demonstratave në Kosovë, forcat tona të organizuara politike patriotike ilegale i gjeti në krye të detyrës. Ato, që gjatë gjithë kohës kishin vepruar hapur dhe në ilegalitet, ato që gjatë gjithë kohës kishin ndjekur me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve politike dhe shoqërore në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavi, tashti, me shpërthimin e trazirave të reja, me ngritjen e një populli në këmbë, shihnin riaktivizimin e një vullkani që nuk jepte shenja të fashitjes për një kohë të gjatë. Nisur nga gjendja e re e krijuar në Kosovë pas demonstratave të para, këto organizata dhe grupe do të mobilizohen në shkallën më të lartë dhe do ta analizojnë situatën e krijuar për të marrë pastaj qëndrim sa më të drejtë lidhur me rrugën e zhvillimit të ngjarjeve në perspektivë. Ndonëse në ilegalitet të thellë dhe të rrezikuar nga dënimet drakonike që i pritnin, anëtarët e forcave të organizuara patriotike bënë një punë të pashembullt dhe vetëmohuese në propagandimin dhe sqarimin e kërkesave të ditës, në sqarimin e taktikës dhe të strategjisë së luftës, ku me fjalë, ku me trakte, ku me pamflete, ku me shembullin personal dhe ku me gazeta ilegale.


 


      Në përballimin e sulmit të ushtrisë dhe të policisë nga masat e gjëra të popullit shqiptar, në vënien e gjoksit përpara tankeve nga djalëria heroike shqiptare, në qëndrimin e drejtë dhe në aktivitetin e rrufeshëm të punëtorëve dhe të fshatarëve, në mbajtjen heroike gjatë procesit të hetimeve dhe të gjykimeve të vajzave dhe të djemve të arrestuar për politikë, në qëndrimin e paluhatshëm të popullit gjatë procesit të diferencimeve politike, në shkrimin e parullave në mure, në asfaltin e rrugëve, në shpate të kodrave e gjetiu, në organizimin e bojkotit dhe të grevave, në çarmatosjen dhe likuidimin e patrullave të policisë, në zënien e rrugëve me gurë nga rinia, në prishjet e mbledhjeve diferencuese nëpër bashkësitë lokale të fshatrave dhe të lagjeve të qyteteve, në heshtjen e bllokut të pathyeshëm të intelektualëve kosovarë, që aq shumë e vriste armikun, në filozofinë e qëndresës vepruese të intelektualëve, organizatat dhe grupet politike ilegale shihnin guximin dhe vendosmërinë e popullit për rezistencë dhe luftë të pa kompromis deri në fitoren e vërtetë. “Sa më i egër që bëhet sulmi frontal antishqiptar i serbomëdhenjve me masa politike e shtetërore, aq më e vetëdijshme po bëhet popullsia jonë për rrezikun më të ri nga zhdukja fizike e asimilimi, aq më shumë rinia e populli ynë po i shtrëngojnë radhët e veta, aq më shumë forcat tona të organizuara patriotike po e marrin veten dhe po përgatiten që lufta e ardhshme të mos i zërë ngushtë për asgjë”, thuhej në një gazetë ilegale të asaj kohe dhe vazhdohej: “Rinia me hovin e saj që doli në dritë sidomos gjatë demonstratave dhe pas tyre, duhet ta intensifikojë edhe më tej iniciativën për aksione që armikut s’i lënë mundësi dhe kohë të mendojë e të planifikojë në mënyrë komode.


 


Tashmë ka ardhur koha që punëtorët tanë trima, të cilët iu bashkuam me aq vendosmëri rinisë patriotike në demonstrata dhe u përleshën heroikisht me milicinë fashiste serbe, të mendojnë më seriozisht për ngritjen e vetes së tyre në një shkallë më të organizuar. Si shtyllë e luftës së ardhshme, ata duhet të marrin masa përgatitore që lufta të mos i zërë ngushtë. Për këtë arsye është e nevojshme që si në qytet ashtu në fshat, të tregohen më të hapur ndaj agjitacionit dhe propagandës së forcave tona të organizuara dhe më të mbyllët për propagandën e armikut. Punëtorëve u bie barra e rëndë që armikut t’ia japin grushtin më të madh, në fillim në planin ekonomik, me bojkotime e greva, e më vonë edhe në frontin e luftës. Asnjë ditë nuk duhet të na kalojë pa i sjellë një dëm sado të vogël armikut të egër serbomadh, deri sa të mos ngrihemi në një shkallë të tillë që të mund të organizojmë edhe aksione të tipit më të lartë të organizimit revolucionar, siç janë grevat e përgjithshme në shkallë kombëtare”


      Në kohën kur mjeteve të informimit, gazetave, radios dhe televizionit si dhe mbarë inteligjencies atdhetare shqiptare ua kishin mbyllur gojën me dhunë, si çështje tjetër e ngutshme e forcave të organizuara patriotike, që koha ua shtroi si imperativ të dorës së parë, ishte edhe propagandimi i luftës së drejtë të popullit shqiptar, si brenda ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar, demaskimi i deklaratave të shovinistëve serbë lidhur me situatën e përgjakshme që mbretëronte në Kosovë, demaskimi i deklaratave të cilat dezinformonin opinionin se gjoja në ngjarjet e Kosovës ka gisht RPS e Shqipërisë apo diplomacitë e huaja, e kështu me radhë.


      Demonstratat gjithëpopullore dhe ngritja e mbarë popullit në kryengritje kishin shtruar objektiva të reja dhe të ngutshme. Më në fund, filozofia e të vepruarit deri në vdekje për lirinë e popullit dhe të atdheut ishte bërë pjesë e punës dhe e jetës, moto dhe betim i të gjitha forcave të organizuara patriotike ilegale: “Me një popull që ka tradita si ky yni dhe me një shkallë të ndërgjegjes së tillë shoqërore e kombëtare që ka sot populli dhe rinia jonë, forcat patriotike nuk kanë si të vënë në peshojë mundin dhe sakrificat nga ana e tyre. “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur dhe më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”, thoshte asokohe, veprimtari më i angazhuar i kohës, Jusuf Gërvalla.


 

Kontrolloni gjithashtu

Ish-negociatorja, Edita Tahiri, dikur i nënshtrohej Serbisë në Bruksel, tani kërcënon me luftë

Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …