leoni

Ryzhdi Baloku

Ryzhdi Baloku: Një thesar i çmuar i burimeve historike

(ISMAIL QEMALI “KUJTIME” Toena, Tiranë, 2009)

  Libri “Kujtime” i themeluesit të shtetit shqiptar, shkëlqesisë së tij, Ismail Qemal Bej Vlorës, është një thesar i çmuar i burimeve historike të përmbledhura në këtë vepër nga mendja e ndritur e këtij burrë-shteti.

  Këtë vepër, autori e ka shkruar në gjuhën angleze, botimi i të cilës u realizua me 1920 në Londër, një vit pas vdekjes së tij.

  Nga anglishtja në shqip ky libër u përkthye për herë të parë nga Reshad Agaj, i cili qe botuar në vitin 1968 në Toronto të Kanadasë, ndërsa për herë të dytë po ashtu nga origjinali në shqip u përkthye në Shqipëri nga Abdurrahim Myftiu, të cilin më 2009 e botoi shtëpia botuese “Toena” Tiranë, në formatin A5 (14 X 20 cm.) prej 495 faqesh.

  Libri është i shkruar në trajtë autobiografie, në të cilin autori Ismail Qemal Bej Vlora i ka prezantuar ngjarjet më me peshë, përmes të cilave ofron të dhëna historike me rëndësi të veçantë për ato periudha kohore, të cilat ai ia ka parashtruar vetes si objekt trajtimi.

  Libri si tërësi është i ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përmbledhur ngjarjet që kanë të bëjnë me zhvillimet historike të kohës, përderisa autori ishte duke punuar në shërbim të Perandorisë Osmane, ndërsa në të dytën ato që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët.

  Autori i këtij libri, shkëlqesia e tij, Ismail Qemal Bej Vlora nis librin e tij autobiografik me përshkrimin e të dhënave personale, për të kaluar pastaj më tutje në prezantimin e disa shënimeve për trungun e tij familjar, me qëllim që ta pasqyrojë lashtësinë e kësaj dere fisnike vlonjate, për të cilën thotë: “Themeluesi i derës Vlora, prej nga vija unë, ka qenë Sinan Pasha, i cili pasi kishte pasur postin e Vezirit të Madh, vajti në Vlorë në kohën e Sulejman të Madhërishmit, si Kapiten Pasha, ose Kryeadmiral i Flotës Ushtarake. Ai u ngul me banim aty përfundimisht dhe po atje i mbylli ditët e jetës” (f.25,26).

  Me rastin e përshkrimit të kësaj historie familjare, ai më tutje kthen kujtesën mbrapa edhe në pasqyrimin e marrëdhënieve në raport me pushtetin osman, me ç’rast thekson: “Për më se katër shekuj familja e jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë e sundimtarëve absolutë osmanë. Nganjëherë, kur i kaloj në kujtesë të gjitha peripecitë e jetës së stërgjyshërve të mi, habitem si ka mundësi që, me gjithë trajtimet e padrejta të përsëritura vazhdimisht, kjo familje të ketë mbetur e lidhur me Perandorinë” (f.26).

  Pos tjerash, në këtë vepër hasim edhe në shpjegime për kohërat e hershme të qytetërimit njerëzor, ku autori, Ismail Qemal Bej Vlora ka për qëllim dokumentimin e lashtësisë së popullit shqiptar si pasardhës të pellazgëve. Kështu, në kujtimet e tij ai flet edhe për Janinën, në të cilin vend kishte kryer studimet, e në të cilin rajon zbulon gjurmët e qytetërimit pellazg, nga ku kishte mbirë qytetërimi njerëzor, e prej të cilëve buron gjeneza e shqiptarëve.

  Libri në vete përmban një numër të madh të të dhënave të trajtuara në formë bisedash, të cilat janë zhvilluar në mes të pushtetarëve të Perandorisë, e ndonjëherë  edhe të bisedave me diplomatë të akredituar, qofshin ato me karakter të bisedave të lira apo zyrtare, institucionale apo shoqërore, brenda zyrave të institucioneve apo jashtë tyre. Ato biseda na japin mundësinë që para vetës ta kemi një pasqyrë të zhvillimeve historike për ngjarjet e caktuara të asaj kohe dhe njëkohësisht ta kuptojmë edhe mënyrën se si ka funksionuar shteti otoman.

  Po ashtu, në këtë libër autori na ofron mjaft të dhëna, të cilat e pasqyrojnë edhe historinë tonë kombëtare në raport me pushtetin osman, siç janë ngjarjet që do të pasojnë pas marrjes së vendimit nga Porta e lartë për zbatimin e ligjit të “Tanzimatit” në Shqipëri, për çfarë pati edhe gjakderdhje të mëdha pas kryengritjes së përgjithshme të shqiptarëve etj.

Pos shënimeve të cekura, dhe prezantimit të letërkëmbimeve me personalitete të rëndësishme jashtë qeverisë perandorake, siç është rasti me kolonelin anglez Gordon, ai në librin e tij shkruan edhe për ngjarje që ishin rrjedhojë e politikës së brendshme të shtetit, siç ishte rasti i shkarkimit të reformatorit të madh me pikëpamje liberale, Vezirit të Madh – Mit’hat Pashës në vitin 1877 dhe dhënia e dorëheqjes nga detyra e autorit të këtyre kujtimeve, mandej internimi i tij në Anadoll, e që më vonë Sulltani do ta emërojë guvernator në Bejrut, si dhe vali e guvernator në shumë rajone tjera të Perandorisë Osmane.

  Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, Ismail Qemali zgjidhet përfaqësues i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman, mandej në vitin 1909 zgjidhet edhe kryetar parlamenti, por pas pak ditësh detyrohet të largohet nga Stambolli përgjithmonë. Pas kësaj kohe, karriera e tij politike do të përqendrohet vetëm në çështjen kombëtare.

  Lidhur me këtë qëndrim, ja se çka thotë Ismail Qemal Bej Vlora, në librin e tij: “Veziri i madh, Qamil Pasha, nguli këmbë të qëndroja përkrah tij dhe më ofroi një portofol në qeveri. Në rrethana të tjera do ta kisha pranuar këtë detyrë të nderuar me kënaqësi, por tani një detyrë më e lartë më shtrëngonte ta hidhja poshtë. Nuk e kisha më vendin aty, e kisha tek atdheu im, të cilit ia kisha borxh t’i shërbeja deri në fund” (f.415).

 Pos rrjedhave të shumë ngjarjeve brenda Perandorisë, në këtë libër trajtohen edhe çështje të rëndësishme të politikës botërore të kohës dhe të zhvillimeve tjera, siç ishin: lufta franko-prusiane dhe pasojat e saj në Lindje, Traktati i Parisit, misionet e Bismarkut në Lindje, kryengritja bullgare dhe shtypja e saj, lufta ruso-turke, Traktati i Shën Stefanit, Konferenca e Londrës etj.

  Meqë autori i këtij libri, ndërron jetë në rrethana të dyshimta, para se ta përfundonte së shkruari këtë vepër, ky botim i përgatitur në gjuhën angleze do t’i rrumbullakojë ngjarjet nga kujtimet e Ismail Qemal Bej Vlorës me një shkrim të tij, i cili qe publikuar si artikull në vitin 1917.

  Ky shkrim fillon me përshkrimin e një telegrami të dt. 26 korrik të vitit 1880, që i adresohej Lordit Granville nga Lordi Goschen, një përkrahës i fuqishëm i çështjes së Shqipërisë, asokohe ambasador në Stamboll, në të cilin shkruan: “Si racë e lashtë dhe e shquar po aq sa të tjerat me të cilat kufizohen, ata (shqiptarët) kanë parë sesi kombësitë e këtyre racave fqinje janë marrë në mbrojtje nga fuqitë Evropiane të ndryshme, me çka u janë përmbushur aspiratat për ekzistencë kombëtare më të pavarur. Ata kanë parë bullgarët plotësisht të çliruar dhe zotër të Rumelisë Lindore. Ata kanë parë dëshirën e flaktë të Evropës për të çliruar territorin e banuar prej grekëve nga sundimi turk. Ata i kanë parë sllavët në Malin e Zi të mbrohen nga perandoria e madhe sllave e veriut me energji e vendosmëri. Ata kanë parë sesi Çështja Lindore është zgjidhur duke u bazuar në parimin e kombësisë dhe sesi Gadishulli Ballkanik ka ardhur ca nga ca duke u ndarë, siç ka ndodhur në fakt, ndërmjet racave të ndryshme mbi bazën e atij parimi. Ndërkaq, ata shohin sesi vetë nuk po gëzojnë të njëjtin trajtim. Kombësia e tyre po shpërfillet, kurse territori i banuar prej shqiptarësh po u jepet në veri malazezëve për të kënaqur Malin e Zi, nën mbrojtjen e Rusisë, dhe në jug Greqisë, nën mbrojtjen e Anglisë dhe Francës…

 Nëse do formuar një Shqipëri e fortë, arsyeja për pushtimin nga një Fuqi e huaj në rastin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane do të jetë mjaft e dobët. Një Shqipëri e bashkuar do të bllokonte hyrjet e mbetura nga veriu, kurse Gadishulli Ballkanik do të mbetej në duart e racave që banojnë aty dhe nën pushtetin e tyre. Përndryshe shqiptarët mund të përbënin një vështirësi të pakapërcyeshme në një kohë kur të kemi turbullira. Një popullsi në pjesën më të madhe myslimane do të ishin burim vështirësish të mëdha për vendet sllave a greke përreth… Mendoj se, në përpjesëtim me masën që shtetësia shqiptare mund të vendosej, gjasa e ndërhyrjes së Evropës në Gadishulli Ballkanik do të pakësohej” (f.398,399).

 Për këtë përkufizim vizionar të Lordi Goschen të cilin e ka shprehur në telegramin e cekur, Ismail Qemal Bej Vlora nënvizon: “Kjo paraqitje e shënuar dëshmon sa e drejtë ka qenë pikëpamja dhe sa e madhe mprehtësia e një shtetari anglez, i cili shumë kohë më parë jo vetëm e kuptonte dhe e përcaktonte statusin e Shqipërisë dhe pozitën, që me të drejtë i takonte …” (f.399).

Në vazhdim të kësaj pjese të librit, autori flet edhe për doket e zakonet e shqiptarëve, organizimin e brendshëm shtëpiak, për të drejtën e gruas, për mbajtjen e fjalës dhe nderit, për besën dhe besnikërinë e këtij populli etj.

  Gjatë këtyre shpjegimeve që kanë të bëjnë lidhur me besën apo fjalën e dhënë, ai sqaron: Shqiptari nuk e ka përfillë fjalën e dhënë vetëm atëherë kur pala tjetër e ka thyer atë, dhe më tutje shkruan: “… Kur Turqia, në kohën e Muradit të II, kishte pushtuar shtetet e tjera të Ballkanit, ajo u ndal prej qëndresës së befasishme e të vendosur të Shqipërisë. Në atë kohë kreu i dashur e i respektuar i vendit tim ishte Gjon Kastrioti. I ndodhur përballë dy rrugëve, të vazhdon një luftë të pasigurt kundër forcave më të mëdha në numër të Sulltanit apo të pranonte një zgjidhje miqësore me të, ai qëndroi në këtë të dytën, si plan që i garantonte autonominë e vendit të tij. Ai madje i dërgoi të katër bijtë në Edrene, kryeqytet i atëhershëm i Perandorisë, si peng; dhe për dhjetë vjet me radhë i mbeti rreptësisht besnik marrëveshjes. Pra Gjergji, më i vogli i djemve, bëmat e shquara të të cilit në luftë më pas hynë në thesarin e legjendave kombëtare, kur luftoi me emrin Skënderbeg, qysh në moshë të njomë ishte në oborrin e Muradit II, i cili i dha edukim të shkëlqyer dhe e çmonte shumë. Konsideratës së Sulltanit për të, Gjergj Kastrioti i përgjigjej me përkushtim të sinqertë. Mirëpo, kur Gjon Kastrioti vdiq dhe si trashëgimtar duhet të shkonte i biri Gjergj, Sulltani, në vend që ta dërgonte djaloshin në Shqipëri, dërgoi atje trupa për të pushtuar Krujën, kryeqendrën e vendit. Pavarësia e Shqipërisë mori fund; por, po ashtu, mori fund edhe besnikëria e Gjergj Kastriotit” (f.405,406).

  Gjatë këtij shpjegimi, lidhur me Skënderbeun – Gjergj Kastriotin, po në këtë kapitull, autori i këtij libri në mes tjerash shkruan: “Për tridhjetë vjet me radhë Evropa oshtiu nga gjëmimi i armëve dhe lavdia e emrit  të tij, në një luftë të gjatë kundër fuqisë turke, deri atëherë e parë si e pamposhtur. Në prag të vdekjes, ai ia besoi të birin, ende i mitur, Republikës së Venedikut, i bindur se kjo qe më e mira që mund të bënte për trashëgimtarin e fronit e për sigurinë e vendit të vet. Por zhgënjimi qe i rëndë. Në vend që t’ia merrte të birin në mbrojtje, Venediku ia dorëzoi vendin e tij Turqisë; dhe kështu, edhe një herë Perandoria Osmane mori me ujdi atë që nuk mund ta merrte me forcën e armëve” (f.406).

  Pos përshkrimit të ngjarjeve të caktuara nga koha e Perandorisë Osmane dhe prezantimit të zhvillimeve historike të cilat Ismail Qemal Bej Vlora si një dëshmitar kohe në cilësi të nëpunësit qeveritar, pastaj si funksionar-qeveritar, diplomat e deputet i atij shteti që ishte për një periudhë bukur të gjatë kohore, në librin e tij “Kujtime” pasqyron njëkohësisht edhe anën shpirtërore të njerëzve, atëherë kur të tjerët e identifikonin fenë me kombin, e që ky parim i asaj kohe për shqiptarët nuk vlente. Kështu, në këtë vepër për këto veti autori shkruan: “Ndonëse në përgjithësi ndikimi i fesë në mendjen dhe shpirtin e njerëzve nuk mund të mohohet, po ashtu as fuqia që Islami ka pasur në asimilimin e racave (lexo: kombeve, ngase shpeshherë Ismail Qemali i identifikon racat me kombe, vr. R.B.), Shqipëria përbën një përjashtim nga ai rregull aq i përgjithshëm në Lindje, se feja përbën kombësi” (f.407). Po aty, ai vazhdon me shpjegim dhe shkruan:  “… edhe pse janë të devotshëm për fetë e tyre gjegjëse… ata nuk bëjnë kurrfarë dallimesh mes tyre për shkak të fesë dhe askush syresh nuk i jep vetes, po për kësi shkaku, epërsi apo privilegje” (f.407).

  Nismën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Bej Vlora e përshkruan në këtë vepër, si vijon: “… Rrugës së kthimit u ndala në Bukuresht, ku jetonte një koloni e madhe shqiptare. Nga mbledhja që bëra atje, pesëmbëdhjetë bashkatdhetarë të mi vendosën të ktheheshin me mua në Shqipëri. U telegrafova të gjitha krahinave të Shqipërisë për të njoftuar se po vija, dhe deklarova, se kishte ardhur koha për të përmbushur aspiratat tona kombëtare. Njëkohësisht kërkova që nga çdo krahinë e vendit të niseshin delegatë për në Vlorë, ku do të mbahej një kuvend kombëtarë” (f.415,416).

  “Meqë Vlorën e kishte bllokuar flota greke, u gëzova që zbrita në Durrës”… (f.416).

  “Aty vumë re se populli i Durrësit nuk dinte kurrgjë fare për çka kishte pas ndodhur rreth e rrotull. I gënjyer prej lajmeve të rralla të ardhura nëpërmjet kanalesh të njëanshme, ata kujtonin se ushtria turke ishte fitimtare, se kishte pas pushtuar Filipopolin dhe se po marshonte t’i binte Sofjes dhe Beogradit. Ata madje as e dinin se serbët ndodheshin para portave të tyre. Ardhja e jonë shkaktoi njëfarë ankthi në qytet, i cili nxitej nga elementi turk, …” (f.416,417).

  “Rrugën e bëmë me kuaj dhe, para se të sosnim te vendi i parë, ku do të pushonim, mora vesh nga njëri prej parisë së krahinës, i cili erdhi tek unë, se komandanti turk i Janinës i kishte dhënë urdhër me telegram xhandarmërisë vendore të më arrestonin e të më shpinin te shtabi i tij” (f.417).

  “… Duke iu shmangur rrugës ku na kishin vënë re, morëm një drejtim më të sigurt dhe në fund sosëm në Vlorë. Këtu pritja qe ku e ku më e ndryshme se ajo në Durrës. Qyteti im i lindjes ishte ndezur i tëri nga flaka e patriotizmit dhe kudo populli na përshëndeste me gaz e hare. Brenda pak kohe u gjenda në mes të tetëdhjetetre delegatëve, myslimanë e të krishterë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga ato të pushtuarat ose jo prej ushtrive ndërluftuese…” (f.417).

  “Porta e lartë, sapo mori njoftimin për shpalljen e pavarësisë, u vu kundër aspiratave tona” (f.419).

  Autori i këtyre kujtimeve, siç edhe e kemi cekur më lart, ishte i punësuar në pozita të tilla shtetërore që nga mosha e re, të cilat pozita ia mundësuan prezencën pranë udhëheqësve më kyç dhe me ndikim më në Perandori. Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet se, ky libër ka karakterin edhe të një burimi shënimesh në cilësi të dokumenteve të dorës së parë të karakterit historik, për shumë ngjarje të asaj kohe.

Pra, shikuar nga një këndvështrim gjithëpërfshirës, mund të nxirret përfundimi se kjo vepër e Ismail Qemalit me titull “Kujtime” është një arkiv i ngjarjeve me tematikë historike të dokumentuara nga mendja dhe njohuritë e një eruditi, lidhur me zhvillimet historike të kohës, pjesën dërmuese të të cilave i ka përjetuar ai vetë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …