leoni

Rumania, një shtet i orientuar armiqësisht kundër Kosovës, mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian

Besnik Avdiaj: Simbioza “Bashkimi Evropian” drejt fundit?

Ky është hapi i parë drejt ndryshimit të hartës së bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë mes shteteve të Evropës. Kjo i hap derën lëvizjeve të tjera që do të krijojnë aleanca të tjera dhe BE-ja do të mbetet vetëm një histori suksesi që preku gjysmat e dy shekujve. A do të jetë kjo melodia e fundit e Bashkimit Evropian? Mbetet të shihet viteve në vijim. Por një gjë është e sigurt. Çdo histori ka një fund, dhe një fat të tillë do ta ketë edhe kjo.

Bashkimi Evropian po shkon drejt fundit. Dhe kjo nuk ka kthim prapa. Mund të ketë ngadalësim, zvarritje, përpjekje për të krijuar status quo në procesin e pakthimtë, mirëpo, fatkeqësisht, BE-ja është e destinuar të zhbëhet.

Të paktën sistemi që është krijuar dhe ndërtuar gradualisht që nga viti 1950 me themelimin e Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Qymyrit, shumë shpejt do të ketë fatin e dëshmuar historik, që aleancat gjeopolitike nuk mund të vazhdojnë në përjetësi. Ndonëse qëllimi i këtij Komuniteti, i cili sublimoi në atë që e njohim sot si Bashkim Evropian, ishte simbiozë ekonomike dhe politike e shteteve të Evropës për të siguruar një paqe të qëndrueshme, ky qëllim po zbehet dita-ditës. E këtë, më së miri mund ta shohim në zhvillimet e viteve të fundit. Është e kuptueshme që secili nga argumentet e mëposhtme është i kundërshtueshëm, por edhe qëllimi i këtij trajtimi është të nxisë debat mbi një supozim të bazuar e njëkohësisht tabu, që BE-së po i vjen fundi.

Evropa ndodhet në kaos

Divorci i Britanisë së Madhe, pavarësisht që statistikat reale tregojnë për manipulimin e opinionit publik në mesin e grupeve të caktuara në kohën e fushatës së referendumit, ka qenë një goditje e fortë për stabilitetin e BE-së, në veçanti për ambiciet e zgjerimit. Rritja e përkrahjes në mesin e partive ekstremiste të krahut të djathtë në të gjitha vendet anëtare, ka lëkundur fuqishëm demokracinë, shtyllën që mban të bashkuar njëzet e tetë (tash njëzet e shtatë) shtetet e këtij blloku. Fatmirësisht, deri sot, me disa përjashtime, që, prapë fatmirësisht, janë të vogla, në shoqëritë dhe shtetet e BE-së, këtyre rrymave radikale nuk u është dhënë hapësira për dominim. Të paktën, akoma jo.

Shumë prej këtyre partive euroskeptike të krahut të djathtë, ia kanë dalë që deri diku të fitojnë një rol kyç në shumë procese, që edhe është rezultat, por edhe rezulton në influencë tek masat e njerëzve. Një nga shembujt më të freskët e kemi partinë politike UKIP (UK Independence Party) që në kohën e fushatës për referendumin BREXIT, udhëhiqej nga Nigel Farage. Populizmi i skajshëm, manipulimi i fakteve, irritimi në rritje i popullsisë ndaj partive politike të zakonshme, informimi i rrejshëm, influenca e shtuar tek grupet me edukim të ulët dhe te grupmoshat më të vjetra, bëri që UKIP të udhëheqë kursin drejt daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja me një epërsi të lehtë, pra 51.9%. E kjo në demokraci përkthehet në votë vendimtare që një nga vendet më të zhvilluara të botës, të lërë prapa punën 60 vjeçare të ndërtimit të bllokut me inicialet BE.

Në anën tjetër, Fronti Nacional i Marine Le Pen në Francë, që nga themelimi ka kundërshtuar Bashkimin Evropian. Dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale në Francë, pavarësisht humbjes, na përçoi një mesazh të fuqishëm. Krahu radikal po shënon rritje në përkrahje. Pothuajse e njëjta situatë ishte në Austri në zgjedhjet e fundit. Grupet populiste po përhapen gjithandej shteteve të BE-së dhe slloganet e tyre janë muzikë tërheqëse për veshët e atyre që janë lodhur me politikat e konsumit ditor. Në anën tjetër, fuqizimi i Polonisë dhe Rumanisë dhe mosndjekja e vazhdueshme e kursit të politikave të përbashkëta evropiane, ka ndryshuar kalkulimet e konsensusit të brendshëm të BE-së.

Deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel, që de facto po udhëheq me Bashkimin Evropian, se nuk do të kandidojë për të parën e partisë CDU në zgjedhjet e ardhshme, ka rritur skepticizmin në të gjitha nivelet mbi të ardhmen e BE-së. Megjithatë, ajo do të vazhdojë të qëndrojë kancelare e Gjermanisë dhe si e tillë na bën të shpresojmë që pasuesi i saj të ndjekë politika të fuqishme pro-evropiane.

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm për institucionet e Bashkimit Evropian janë referendum i politikave aktuale. Këto zgjedhje, përveç që do të përcaktojnë kursin e BE-së, do të testojnë edhe gatishmërinë e shteteve të ndryshme për të qëndruar apo për të ndjekur shembullin e Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE-ja.

Roli i paparashikueshëm i SHBA-së nën udhëheqjen Trump

Tërheqja nga marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike, vendosja e barrierave tarifore dhe jotarifore për eksportet e shteteve të BE-së në SHBA, kritikat e ashpra drejtuar anëtarëve të NATO-s dhe tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe nga traktati bërthamor i Luftës së Ftohtë, janë vetëm disa nga veprimet e Shtëpisë së Bardhë, që nën udhëheqjen presidenciale të mandatit të pasurive të paluajtshme, Donald Trump, kanë trazuar gjithë botën demokratike dhe kanë ndjellë frikë te vendet që varen politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht nga SHBA-të.

Ndërsa Arabia Saudite është shndërruar në partner strategjik të SHBA-ve në Lindje të Mesme, Donald Trump po ndjek një rrugë të ngjashme të partneritetit edhe me vende të cilat deri dje ishin cilësuar si skajshmërish agresore dhe shtypëse të të drejtave të njeriut, siç janë Rusia dhe Korea e Veriut. Kjo përveç se i dëmton lidhjet me BE-në dhe vë në pikëpyetje rolin udhëheqës të SHBA-ve në paktin NATO, në mes tjerash, shfaq edhe një rrezik potencial në horizont, e që vjen pikërisht nga shteti më demokratik në botë. Ky rrezik mban emrin dhe vulën e presidentit Trump, i cili ka dëshmuar që nga fillimi se qasja e tij radikale populiste, jo vetëm që nuk është në favor të njerëzve të zakonshëm, por është tërësisht e orientuar drejt politikave shitblerëse.

Ndonëse në zgjedhjet e mesmandatit, Republikanët humbën vende të konsiderueshme në Kongres, dominimi i tyre në Senat na jep mesazh të qartë se për projektin e Bashkimit Evropian kërcënimet nga SHBA-ja trumpiste nuk mbarojnë me kaq. Ajo që mediat shfaqin çdo ditë, është vetëm maja e ajsbergut. E paimagjinueshmja dhe e paparashikueshmja e veprimeve të Shtëpisë së Bardhë mbetet një mister dhe ankth për secilin individ që beson në konceptet e demokracisë së pas Luftës së Dytë Botërore.

Fuqizimi gjeopolitik i Turqisë dhe agresioni rus

Jemi dëshmitarë që një nga vendet më me ndikim në botë, Republika e Turqisë, po shndërrohet nga një shtet reformues progresist dhe pro-evropian, në një vend ku pushteti është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, të Presidentit Rexhep Taip Erdogan. Arsyet që kanë shtyrë drejt një “reformimi” të tillë janë të shumta, por, pa diskutim, faktori BE zë një vend të veçantë. Duke pasur një qasje selektive dhe zvarritëse ndaj procesit të integrimit të Turqisë në BE, kjo padyshim ka shtyrë lidershipin turk të kërkojë për alternativa dhe aleanca të tjera. Migrimi nga vendet në gjendje lufte, fuqizimi ushtarak dhe politik i Rusisë, rritja e influencës kineze në ekonominë dhe politikën globale, rënia e SHBA-ve nga froni udhëheqës dhe ndryshime të tjera në botë, kanë bërë që Turqia ta rishqyrtojë pozicionin e saj, duke u afruar me vendet si Rusia dhe Irani, për të ndërtuar aleanca të reja, të cilat, qysh në shikim të parë, janë re stuhie për botën perëndimore.

Fuqia ushtarake dhe ekonomike e Turqisë, pa diskutim që e bën këtë të fundit të jetë lidere rajonale, por ndikimi global, statistikisht e vendos Turqinë në top njëzet vendet më të zhvilluara të botës. Dhe kjo është e mjaftueshme që një konstelacion shtetesh, siç është BE-ja, të ketë një konsideratë serioze lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve BE-Turqi.

Në anën tjetër, tronditjet në politikën globale kanë krijuar një momentum të ri, ku Rusia është e përfshirë në pothuajse çdo lëvizje. Kjo e bën këtë të fundit lojtar kyç dhe vendimtar për shumë ndryshime. Për fatin e keq të botës perëndimore, fuqizimi i Rusisë aktuale nuk është pozitiv. Rreziku dhe pasojat e lëvizjeve që i shkaktojnë agjenturat ruse po rriten dita ditës, në veçanti për demokracitë e brishta. Fake news, përkrahja e partive radikale të krahut të djathtë në Evropë, destabilizimi i zonave multietnike, financimi i organizatave me veprimtari të dyshimtë, lidhjet ushtarake të përditësuara me Turqinë, fuqizimi në Lindjen e Mesme pas Pranverës Arabe, janë vetëm disa pika ku Rusia ka gjetur hapësirën për t’u transformuar nga një shtet pasiv në lojën e fuqive botërore, në një shtet që vendos vulën e vet në rivizatimin e hartave të botës.

Për Bashkimin Evropian, ky fuqizim dhe ky ndryshim i bilancit të pas Luftës së Ftohtë është një stuhi, që, jo vetëm që po mban në mjegull të ardhmen e këtij organizmi supranacional, por edhe po shkakton çarje të thella në themelet e paqes dhe interesave gjeo-politike që mbajnë bashkë njëzet e shtatë shtetet e BE-së. Dhe, ky uragan rus, nuk është stuhi e thjeshtë dhe kalimtare.

 

Paqëndrueshmëria në Ballkan

Si gjithmonë, vatra e përplasjeve mes lindjes dhe perëndimit, Ballkani, vazhdon të jetë vijë ndarëse mes ideologjive kontradiktore. Brishtësia që karakterizon ndërtimin e shteteve të vogla në këtë rajon, është e patjetërsueshme dhe vështirë që do të arrihet ndonjëherë një stabilitet solid. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të BE-së, SHBA-ve dhe vendeve të tjera demokratike, për të investuar në paqe afatgjatë në gadishullin e ballkanasve, tensionet janë gaca të pashuara dhe mjafton një rrymim ajri për të hedhur në erë gjithë angazhimin disa-dekadash.

Marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit janë dëshmuar historikisht të luhatshme dhe përplasjet e herëpashershme na bindin edhe më shumë që nevojitet një kohë më e gjatë dhe një investim më i madh për t’i ftohur gjakrat nacionalistë. Me kohë të gjatë nuk nënkuptoj një zvarritje të përjetshme sikurse po ndodh në raportet mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Integrimi i këtyre gjashtë vendeve vlerësohet si i domosdoshëm, në mënyrë që politikat nacionaliste të orientuara kundër njëri-tjetrit, të shkrihen me politikat e Bashkimit Evropian. Mirëpo, këtij procesi nuk i shihet fundi akoma, dhe kjo nuk është gjë e mirë për asnjërën palë. Në njërën anë kemi BE-në që i frikësohet integrimit të vendeve që akoma nuk i kanë zgjidhur problemet me fqinjët dhe në anën tjetër kemi gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë duke u lodhur nga pafundësia e këtij procesi integrues. Kjo situatë e bën këtë rajon një terren të përshtatshëm për veprime destabilizuese dhe për fuqizim të eksponentëve të jashtëm.

Qasja skajshmërish selektive e BE-së ndaj Kosovës është vetëm një nga shembujt e shumtë se si kjo organizatë nuk është e interesuar që të punojë sipas parimeve të veta demokratike. Pasojat janë të prekshme dhe irritimi është në rritje. Të mos flasim për premtimet e tjera të kota, fjalë të thata në ajër, për integrim të mëtutjeshëm. Koha po ikën dhe alternativa të tjera po shtrohen para politikë-bërësve të këtyre vendeve. Alternativa jo të mira. Por tunduese. Dhe nëse dyert e BE-së vazhdojnë të jenë të mbyllura, tundimi do t’i shtyjë këto vende të eksperimentojnë me të tjera “integrime”.

Kjo rrit rrezikun që një zonë jostabile, si Ballkani, do të shkaktojë trazira lehtësisht të transferueshme edhe në vendet e BE-së. Shto këtu faktin që ky konstelacion po përballet me sfida të tjera, më të mëdha se problemet e Ballkanit, është vështirë e parashikueshme që këto gjashtë vende do të arrijnë të rritin ndonjëherë numrin e anëtarëve në BE nga njëzet e shtatë në tridhjetë e tre. Andaj do të ishte e udhës, dhe kjo edhe do të ndodhë, që këto shtete të orientohen në krijimin e aleancave të tjera, qoftë përmes marrëdhënieve bilaterale me fuqitë botërore, qoftë përmes krijimit dhe/apo anëtarësimit në mekanizma që rrisin sigurinë, fuqizojnë ekonominë dhe krijojnë perspektiva të reja për pothuaj njëzet milionë banorët e këtyre gjashtë vendeve.

Bashkimi Evropian përfundimisht nuk po arrin të ofrojë siguri dhe paqe as për vendet e veta, e pastaj as qëndrueshmëri në marrëdhëniet me vendet e tjera, veçanërisht ato që shohin anëtarësimin e tyre në BE, si destinacion kryesor. Megjithatë, shpresa që do të ketë reforma të thella në mënyrën sesi funksionon kjo simbiozë, pastaj edhe ndryshimet e tjera gjeo-politike në botë, na mbajnë optimistë që këto ditë të zymta do të tejkalohen me sa më pak dëme.

Sidoqoftë një gjë është e sigurt, herët ose vonë, aleanca e quajtur Bashkim Evropian, është e destinuar të shuhet. Ky është hapi i parë drejt ndryshimit të hartës së bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë mes shteteve të Evropës. Kjo i hap derën lëvizjeve të tjera që do të krijojnë aleanca të tjera dhe BE-ja do të mbetet vetëm një histori suksesi që preku gjysmat e dy shekujve. A do të jetë kjo melodia e fundit e Bashkimit Evropian? Mbetet të shihet viteve në vijim. Por një gjë është e sigurt. Çdo histori ka një fund, dhe një fat të tillë do ta ketë edhe kjo.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …