Sjellja në Shqipëri e eshtrave të Mithat Frashërit dhe ceremonia shtetërore në nderim të tij sollën në skenën politike dhe mediatike shqiptare edhe një herë tjetër polemikën rreth teatrit politik shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roleve të individëve dhe forcave politike gjatë asaj periudhe dhe pas saj. Prej gati tri dekadash vazhdojnë përpjekje të mëdha e të pandalshme për të vlerësuar e rivlerësuar, mohuar e tjetërsuar ngjarje, individë dhe forca politike që kanë qenë të pranishme apo vepruar prej rreth një shekulli në Shqipëri.
Nuk ka asnjë dyshim se jo pak ngjarje dhe individë duheshin riparë nën dritën e të dhënave të reja por nuk ka arsye njerëzore që të pranojë se rënia e sistemit politik në vitin 1990 duhej të sillte përmbysjen njëqind për qind të çdo trajtimi apo vlerësimi të bërë deri atëherë për ngjarjet dhe njerëzit e veçantë. Skifterët e kësaj kryqëzate kundër së kaluarës kanë shkuar aq larg në fluturimet e tyre të marrëzishme saqë, bashkë me ngjarjet dhe njerëzit, besojnë dhe përpiqen të ndryshojnë edhe parimet universale të vlerësimit të së mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës, atdhetares dhe antikombëtares dhe e bëjnë këtë sa herë ndodhen përballë malit të pakalueshëm të fakteve dhe provave që dëshmojnë të kundërtën e atyre që dëshirojnë ata.
Në këtë kuadër ata kërkojnë të rivlerësojnë të gjithë të damkosurit e mëparshëm, ta kthejnë tradhtarin në hero, spiunin e të huajit në shërbëtor të atdheut, sakrifikuesin e interesave popullore në mbrojtës të shqiptarizmës, terroristin e pashpirt në humanistin më të madh dhe, më në fund, të shpallin, siç kanë bërë deri tani, një ushtri të tërë gjenish duke nisur me ndonjë mësues katundi që ka shkruar disa poezi e deri tek individë vërtetë të kulturuar ku bën pjesë edhe Mithat Frashëri. Kanë shpallur deri tani aq shumë gjeni sa që njeriu i gjorë habitet dhe pyet veten se si është e mundur që një popull i vogël në një cep të Evropës ka pasur kaq shumë gjeni dhe ka mbetur i fundit në zhvillimin kulturor, ekonomik dhe shoqëror ku vazhdon të jetë edhe sot i prapambetur. Një nga taktikat e tyre djallëzore për të zvogëluar apo shkualifikuar veprimtarinë antikombëtare të individëve të veçantë është vënia në dukje dhe hiperbolizimi i kontributeve të tyre në fushat e letërsisë, gjuhësisë, publicistikës apo momenteve të ndryshme historike dhe heshtja ose, akoma më keq, justifikimi i akteve të tyre kombëtarisht të dëmshëm dhe universalisht të dënueshëm.
Besoj fort se në jetën shoqërore duhet të gjejë zbatim thënia e Biblës “Jepi Zotit çfarë është e Zotit dhe jepi Cezarit çfarë i takon Cezarit”. Në këtë mënyrë duhet vlerësuar jo vetëm normale, por edhe e nevojshme që të vihen në dukje kontributet dhe meritat e cilitdo individ shqiptar dhe, nga ana tjetër, të mos mohohen apo justifikohen gabimet, fajet apo krimet e kryera. Përpjekjet për t’i paraqitur individë të ndryshëm si tërësisht të mirë e të pagabueshëm janë edhe më të padenja se ato të vlerësimeve të bëra para 1990 për ta kur viheshin në dukje gabimet dhe fajet dhe liheshin në heshtje vlerat dhe meritat.
Mithat Frashëri ka qenë pasardhës i njërës nga familjet më të vlefshme shqiptare dhe duket qartë që ai, si individ, ka pasur një kulturë të admirueshme dhe ka spikatur me rolin e tij në disa momente të rëndësishme kulturore e kombëtare, por shpallja e tij “gjeni kombëtar” dhe mohimi apo justifikimi i fajeve të tij politike as nuk i qëndrojnë të vërtetës dhe as i shërbejnë popullit në perspektivë. Prehja e tij në Shqipëri është legjitime. Vlerësimet e kontributeve të tij deri në vitin 1939 duhen bërë kryesisht nga njerëzit e fushave ku ai ka kontribuar, ndërsa shfajësimi dhe glorifikimi i qëndrimeve dhe veprimeve të tij pas atij viti është një ndërmarrje sa e turpshme aq edhe e pathemeltë. Fjala gjeni, përgjithësisht, dëshmon ekzistencën e një njeriu që zotëron shkallën më të lartë të fuqisë dhe mprehtësisë mendore, aftësisë dhe talentit në një fushë të veprimtarisë krijuese kulturore apo shkencore. Megjithëse unë nuk arrij ta shquaj gjëkundi këtë nivel gjenial të pretenduar, njerëzit e dijeve dhe fushave të veçanta do të mund të jenë më të përshtatshëm për të na bindur rreth këtij fakti. Sa i përket individit politik, konsiderohen gjeni individë të cilët, në momente të ndryshme historike, kanë qenë në gjendje jo vetëm të orientohen drejt në problemet kombëtare e ndërkombëtare, por edhe kanë pasur një ndikim vendimtar në pozitën dhe zhvillimin e vendit të tyre. Mjerisht, këtu Mithat Frashëri jo vetëm nuk shkëlqen, por me sjelljet dhe qëndrimet e tij e ka vënë veten në listën e njerëzve që historia dhe kodi moral i ndëshkon.
Avokatët dhe lustraxhinjtë e veprimeve të tij na ftojnë ta vëmë veten në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore dhe në fakt ashtu duhet bërë. Frashëri ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar të krijuar në nëntor 1942. Programi politik i kësaj organizate politike (dekalogu me dhjetë pika) i ngjan më shumë një udhëzuesi të përgjithshëm, është krejt i paqartë dhe, megjithëse vendi ndodhej nën pushtimin fashist, aty nuk përmendet askund pushtuesi. Përveç kësaj, aty nuk përmenden as forca apo aktorë të tjerë politikë, as qëndrimi i BK ndaj tyre dhe as kurrfarë ftese për bashkim kundër pushtuesve. Madje, edhe në traktin e parë të lëshuar nga BK pas pak muajve, as nuk përmendet pushtuesi dhe as flitet për luftë kundër tij. Ajo që nuk mungon është ftesa për “pritje”. Në të thuhej: “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”. Përmbajtja e këtij trakti i thotë thuajse të gjitha: “Me u armatosë”, por me çfarë qëllimi? Dhe përgjigjja është po aty “Për me pritë mbarimin e luftës”. Gjithë njerëzimi armatoset për të bërë luftën kurse ballistët tanë do të armatoseshin për mbas luftës, çka do të thotë se do të armatoseshin për luftë për pushtet ose “luftë civile”, meqë disave u pëlqen ta cilësojnë me këto fjalë Luftën Çlirimtare. Trakti tregon se në planet e tyre nuk ishte lufta kundër pushtuesve, por lufta kundër atyre që “do të shkelin besimin tonë”. Pra, qëllimi i armatosjes është për të luftuar ata që do të tentojnë të na marrin pushtetin.
Disa çeta të BK zhvilluan disa aksione të armatosura kundër italianëve, por disa eksponentë kryesorë të kësaj organizate politike u bënë ministra në qeveritë pushtuese, prefektë etj. dhe kontribuuan në spiunimet, arrestimet, vrasjet dhe internimet e atyre që luftonin pushtuesit. Madje, Ali Bej Këlcyra nënshkroi në mars 1943 një marrëveshje me komandantin e forcave italiane të pushtimit, gjeneralin Dalmaco me të cilën merrte përsipër t’i ndihmonte forcat pushtuese duke vendosur forca balliste në ruajtjen e rrugëve apo të shërbenin si pararojë e marshimeve të ushtrisë pushtuese. Në mënyrë të veçantë, forcat e Ballit u vunë në shërbim të ushtrisë gjermane duke spiunuar, arrestuar, vrarë njerëz e djegur fshatra sipas porosive dhe me ndihmën gjermane. Në përfundim të luftës figurat kryesore balliste, duke përfshirë edhe Frashërin, ikën së bashku me gjermanët ose në të njëjtën kohë me ta.
Thuajse të gjithë dokumentet gjermane si dhe ato të përfaqësuesve anglezë dhe amerikanë në Shqipëri e provojnë pa mëdyshje rënien e BK në pozita kolaboracioniste dhe kryerjen prej tyre të akteve kriminale ndaj popullit të vet dhe në shërbim të pushtuesve. Propaganda mashtruese e pas 1990 ka bërë çmos që BK ta paraqesë si një tufë pëllumbash, atdhetarë dhe paqësorë, si të sulmuar dhe asnjëherë sulmues, të larë nga mëkatet dhe të denjë për piedestal. Nga dhjetëra dëshmi e dokumente, po citoj ç’porosi u jep Mit’hat Frashërit me 7 tetor 1943 forcave të armatosura të BK: “Të sulmohen forcat partizane dhe të bëhet propagandë kundër FNÇL” (Fondi 270, dosja 11 AQP). Figura e dytë politike e BK, Abaz Ermenji thoshte: “Balli Kombëtar, që kishte shumicën në numër, çoi në këmbë fuqitë e veta të qarqeve të Beratit, Elbasanit dhe Korçës dhe nga gjysma e dhjetorit 1943 u hodh në sulm të përgjithshëm kundër komunistëve në një vijë që shkonte prej Mallakastrës në të gjitha pikat dhe u tërhoqëm në malësi të Përmetit dhe në Kurvelesh”. Dëshmia e Ermenjit provon jo vetëm qenien e Ballit aktiv me armë (jo në pozita mbrojtëse, siç mashtrohet), por vendosjen e tij në hapësirë dhe në kohë në shërbim të Operacionit të Dimrit të ndërmarrë nga ushtria gjermane ndaj FNÇL. Jo më kot historiani Berndt Fisher ka arritur në përfundimin se kolaboracionizmi ka qene tipari kryesor dallues i Ballit gjatë luftës.
Tani, Mithat Frashërin po na e shesin edhe si gjeni i politikës. Përpara se të shpreh mendimin tim rreth kolaboracionizmit, besoj se lindin disa pyetje legjitime: Ku ishte dhe çfarë bëri gjeniu Mithat Frashëri ditën e pushtimit të vendit nga Italia fashiste? Çfarë mendonte ai rreth ndryshimit “me një të rënë të lapsit” të formës së regjimit në Shqipëri nga republikë në mbretëri në vitin 1928? Cili ishte mendimi dhe qëndrimi i tij ndaj largimit nga atdheu të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mbretit Zog një ditë përpara pushtimit të vendit? Çfarë mendonte dhe si reagoi Frashëri ndaj pritjes ceremoniale që iu bë ushtrisë pushtuese në Tiranë si dhe ndaj dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut tek mbreti i Italisë duke e pranuar dhe shpallur kështu sundimtar të Shqipërisë? Si “demokrat liberal” cili ka qenë qëndrimi i tij ndaj burgosjeve, internimeve dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë nga regjimi monarkist i Zogut? Pse Mit’hat Frashëri dhe shokët e tij nuk e krijuan organizatën e tyre politike dhe formacionet e duhura ushtarake qysh në 1939, por në nëntor 1942, dy muaj pasi tri fuqitë e mëdha aleate (SHBA, Angli, BRSS) njohën luftën partizane në Shqipëri dhe kështu u krijua mundësia që ky Front të merrte edhe pushtetin pas luftës dhe të njihej si i tillë nga aleatët? Pse nuk mori pjesë Mithat Frashëri në Konferencën e Pezës? Cili ishte mendimi dhe qëndrimi i tij ndaj masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë dhe ndaj raprezaljeve dhe krimeve që kryenin qeveritë shqiptare nën pushtim kundër atyre që luftonin pushtuesit?
Në propagandën e pas vitit 1990 herë thuhet se BK ka luftuar dhe herë të tjera pohohet se ka qenë mosveprues dhe për këtë sillen, sipas rastit, tre pretekste. Preteksti i parë thotë se ne ishim një vend i vogël dhe nuk mund të bënim gjë kundër një fuqie si Italia prandaj lufta do të ishte gabim. Në këtë mënyrë zhvlerësohen si të kota dhe të gabuara të gjitha luftërat e popullit shqiptar, të paktën qysh nga koha e Skënderbeut e më pas, duke përfshirë edhe rezistencën dhe flijimin e Mujo Ulqinakut me shokë në 7 prill 1939, si dhe disa luftime të forcave balliste më vonë. Për zgjimin e popullit shqiptar dhe futjen e tij në rrugën e mëvetësisë dhe zhvillimit rilindësit shqiptarë, duke përfshirë edhe vëllezërit Frashëri, e vunë theksin tek lartësimi dhe dashuria për vendin dhe tek vlerësimi i figurës së Skënderbeut duke nxitur luftën kundër pushtuesit. Mirëpo, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte dhe mbetet mishërim dhe simbol i luftës dhe sakrificës për atdheun, madje i kryeluftëtarit kundër superfuqisë së kohës dhe jo i “të armatosurit që pret”. Në këtë kuptim, avokatët e Ballit duhet ta ndajnë një herë e mirë mendjen dhe të na tregojnë nëse duhej luftuar apo jo kundër pushtuesve italo-gjermanë.
Preteksti i dytë që përdoret për të justifikuar bashkëpunimin e “nacionalistëve” me pushtuesit është dëshira e krijimit të Shqipërisë Etnike që nënkupton bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet shqiptar. Lufta e Dytë Botërore kishte krijuar dy fronte: atë të forcave pushtuese të Boshtit dhe, nga ana tjetër, aleancën e madhe të shteteve që luftonin për çlirim kombëtar. Krerët kryesorë të Ballit e kishin aq nivel dhe ishin të mirinformuar për Traktatin e Atlantikut të gushtit 1941 të nënshkruar nga SHBA e Anglia dhe më vonë edhe BRSS dhe Franca etj. i cili e bënte të qartë se ndryshimet e kufijve që bëhen gjatë luftës nuk do të njihen kur të mbarojë lufta. Nëse të vetëquajturit nacionalistë shqiptarë i pranuan pushtimet dhe bashkëpunuan me fuqitë nazifashiste për këtë qëllim, atëherë kjo do të thotë se ata jo vetëm ishin dakord me ideologjinë e pushtuesit, por edhe besonin se sistemi i tyre politik do të bëhej mbarë botëror dhe do të ishte jetëgjatë. Si të tillë, ata ishin dakord që “Shqipëria Etnike” të ekzistonte edhe në formën e një territori të pushtuar dhe pa sovranitet kombëtar. Përndryshe, nëse ata e konsideronin pushtuesin si kalimtar, siç na thonë sot, atëherë alibia e “bashkimit kombëtar” nga një fuqi kalimtare bie vetvetiu dhe bëhet copë e thërrime.
Justifikimi i tretë që gjen edhe sot përkrahës, diku pa mend dhe jo rrallë pa moral, është se nacionalistët bashkëpunuan me pushtuesit për shkak të rrezikut të ardhjes së sistemit komunist. Ky lloj mashtrimi rreket të na bind se ushtria laramane e nacionalistëve tanë ishte kaq demokratike dhe parimore saqë po sakrifikonte atdheun për parime. Për cilat parime? Që ata u bënë vegla kriminale të pushtuesve për të mos lejuar ardhjen në pushtet të komunistëve, kjo është pjesërisht e vërtetë, por jo për shkak të parimeve dhe pikëpamjeve demokratike që përfaqësonin por për shkak të rrezikimit të pozitave të veta politike, ekonomike dhe sociale. Shumë prej tyre iu bashkuan pushtuesve italianë kur komunistët s’dukeshin askund në horizont, shpallën bashkimin e vendit me Italinë, e quajtën pushtimin “çlirim” ndonëse Ministri i Jashtëm Italian, Çiano, e quante “operacioni i tredhjes së pacientit pa bujë”, krijuan parti dhe rini fashiste dhe e propaganduan sistemin fashist si Rendi i Ri Botëror. Motivi kryesor i bashkëpunimit të tyre me pushtuesit nuk ishte lufta për parime demokratike, pasi ata e bënë vendin pjesë të shtetit diktatorial dhe ishin kështu të gatshëm të viheshin njëkohësisht edhe nën pushtimin e huaj, por edhe nën sundimin e një diktature, mjafton që kjo diktaturë t’i mbante ata në pushtete kukulla dhe të mos iu cenonte pozitat e tyre pasurore dhe sunduese. Si të tillë, ata nuk ishin as atdhetarë (nacionalistë) dhe as demokratë. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes nuk ishte shkak për të mos luftuar pushtuesin sepse, përndryshe, do të ishte arsye legjitime edhe për Frontin t’i ndërpriste luftimet dhe t’i përdorte të gjitha forcat dhe energjitë vetëm ndaj kundërshtarëve politikë dhe ushtarakë të brendshëm por ata s’e bënë këtë.
Meqë kolaboracionizmi tek ne ka ende ithtarë dhe avokatë duhet kujtuar se ky fenomen ka ekzistuar qysh në lashtësi edhe pse me këtë emër nisi të etiketohet kryesisht pas vitit 1945, por gjithmonë është përçmuar dhe dënuar nga shumica e njerëzimit. Gjithashtu, është e qartë se atdhetarizmi dhe ndjenjat e lirisë së vendit (antipushtuese) nuk kanë qenë dhe as janë atribute vetëm të majta, por janë cilësi të individëve pavarësisht pozitave ekonomike, sociale apo politike. Edhe historia e vendit tonë e vërteton këtë pa asnjë mëdyshje. Edhe në LNÇL morën pjesë njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore. Balli Kombëtar kishte në përbërje të tij njerëz që e donin atdheun po aq sa edhe komunistët dhe populli që luftoi me armë pushtuesit, por kjo organizatë politike pati në drejtim njerëz që nuk ishin të gatshëm të sakrifikonin as rehatin e jo më jetën për çlirim kombëtar. Nuk ishin thjesht politikisht dritëshkurtër, por, para së gjithash, njerëz që ndiheshin më keq në një Shqipëri të lirë që s’iu ofronte pushtet. Ata ndiheshin mirë në Shqipërinë e pushtuar se nuk iu cenoheshin pozitat dhe, siç i qesëndiste populli, silleshin rreth hoteleve dhe klubeve për të pirë “verën e dyqanit”, pra në të njëjtat mjedise ku pushonte dhe dëfrente hierarkia e pushtuesve.
Këto të vërteta i konfirmojnë edhe oficerët anglezë dhe amerikanë misionarë gjatë luftës në Shqipëri. Oficeri anglez Rexhinald Hibert, në librin e tij “Fitorja e Hidhur” thotë: “Ata (nacionalistët-V.M.) ishin kokëngjeshur ndaj çdo përpjekjeje për t’ua shpjeguar lojën e forcave më të mëdha botërore, nga e cila do të vendosej fati i Shqipërisë… Ndër ta nuk doli asnjë udhëheqës me vizionin për të parë se, për shkak të dhunës së egër që kishte shpërthyer në të gjithë Evropën, nga Italia e Gjermania, shqiptarëve dhe Shqipërisë do t’u duhej të kalonin përmes gjakut e zjarrit, që të fitonin të drejtën për një pozitë më të mirë kur të vinte paqja… Mosdëshira e krerëve nacionalistë për të luftuar ishte e kuptueshme. Në luftime do të shkatërroheshin bota e tyre, shoqëria e tyre, mënyra e jetesës së tyre dhe e pasuesve të tyre…” (faqe169). Dhe më poshtë:
“Në këtë pikë të luftës, kur dita e fitores së plotë ishte akoma disa muaj larg dhe kur komandantët aleatë kërkonin një sulm të përgjithshëm mbi gjermanët kudo ku mund të goditeshin, partizanët në Shqipëri ndërmorën atë veprim që kërkohej. Duke bërë këtë, ata e konsoliduan dorën e tyre mbi vendin dhe i goditën ashpër të gjithë ata që u zinin rrugën… “Nacionalistët” i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve. Ky ishte një gjykim i gabuar, i trishtueshëm e vdekjeprurës nga ana e tyre, që mund të shpjegohet me shkallën e lartë të verbimit… Enver Hoxha dhe kolegët e tij kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalist por ata, ose të paktën Hoxha, asnjëherë nuk e kishin vënë në dyshim se u duhej të luftonin me armë në dorë për çdo gjë që kërkonin”. (f. 293-294).
Ndërsa agjenti amerikan i OSS-it, Piter Stefens citohet të ketë thënë: “Radikalët e rinj (FNÇL- V.M.) bënin sakrifica sepse ata ishin trima dhe të guximshëm, sepse ata kishin aftësi të mira organizuese, sepse ata ishin të vendosur që idetë e tyre radikale t’i vinin në praktikë. Ballit Kombëtar i mungonte një udhëheqje e krahasueshme, i mungonin parimet themelore, i mungonte kurajoja për të sakrifikuar” ( Piter Lukas, “Misioni Amerikan në Shqipëri”, f. 230).
Prandaj çështja e kolaboracionizmit dhe dënimi i tij i kalon caqet e një individi si Mithat Frashëri dhe të forcave politike si komuniste apo antikomuniste. Ajo është një çështje shumë më e hershme në kohë e hapësirë dhe që do të ekzistojë edhe kur këto forca apo ideologji të mos ekzistojnë sepse mbi to ka ekzistuar dhe ekziston një ideologji më e vjetër dhe më jetëgjatë; ideologjia kombëtare, liria e Shqipërisë, sovraniteti kombëtar.
Ne sot çuditemi dhe ndiejmë keqardhje që midis nesh ka kaq shumë dalëzotës të kolaboracionizmit. Duket që edhe kjo është shenjë e kalbëzimit moral të shoqërisë shqiptare. Histeria antikomuniste ka sjellë një çmenduri morale duke rrëzuar çdo parim etik, kombëtar dhe shoqëror, duke i shndërruar shqiptarët, në një masë të madhe në tufa çakejsh që duan të shqyejnë të gjallë njëri-tjetrin, ku grabitësi më pak i dëmshëm është ai i rrugës, pasi të mëdhenjtë i gjen në politikë, gjykata, mjekësi apo administratën shtetërore. Humbja e çdo parimi dhe orientimi moral, nëpërkëmbja e çdo të drejte dhe të vërtete për të arritur pasurimin material kanë nxitur veset dhe shtrembëruar rëndë realitetin e sotëm, të djeshëm e të pardjeshëm. Në ballë të fushatës për shtrembërimin e së vërtetës duke propaganduar dhe glorifikuar të pavërtetat janë një pjesë e ish-të goditurve nga regjimi i para 1990, por sidomos një tufë ish-komunistësh dhe bij të elitës komuniste pa kurrfarë idealesh të cilët na e shitën antikomunizmin si ideal. Frymëzimi dhe histeria e tyre nuk buron nga idealet. Ai është produkt i dëshirave për të mbushur xhepat dhe për të siguruar një jetë vetjake luksoze në kurriz të popullit. Dhe, ia kanë arritur me sukses.
Kjo elitë ekonomike, politike dhe mediatike po na mëson çdo ditë se prona është “e shenjtë” dhe jo atdheu, as familja dhe as morali; po na mëson se puna për shoqërinë është skllavëri, ndërsa pasurimi vetjak me çdo kusht e mjet është zotësi; se familja s’ka ndonjë rëndësi kushedi çfarë, prandaj është më mirë të bashkëjetosh (nënkupto çfarë të duash kur s’ka familje); se përgatitja e dikurshme ushtarake ishte një çmenduri dhe jetë e shkuar dëm, qejfet dhe shthurjet janë ato që duhet të synojmë; se atdheu, flamuri, himni kombëtar janë nocione pa ndonjë domethënie të madhe në kohën që jetojmë etj. Po t’iu thuash gjë, të përgjigjen: Oh, akoma me parime ti! Juve u verbon liria dhe kërkoni të ktheni komunizmin! etj. (Dita)