Disa njerëz, në mesin e tyre edhe intelektual tek ne, ose nuk duan ose nuk dëshirojnë të dinë se çka është Protesta?! Për të sqaruar këtë, më duhet të kthehem për një moment për disa dekada prapa. Këtë do ta bëjë krejt telegrafisht. Kur u mposhtë LNDSH, më pas, nga fundi i viteve të 50 të shekullit XX e sidomos në vitet e 60-ta kur filloj Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, në krye me Adem Demaçin, e cila Lëvizje ishte një protestë për pozitën e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavi, njerëzit e mbledhur rreth saj mund të numëroheshin në gishtërinj. Por kjo Lëvizje pas 10 viteve prodhoj Demonstratat e vitit 1968.
Në vitet e 70-ta ekzistonin disa Organizata të fshehta të cilat në programin e tyre e kishin çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar. Edhe në radhët e këtyre organizatave revolucionare, numri i të anëtarësuarve ishte tejet i vogël, por i mbështetësve te kauzës ishte shumë fish më i madh, për çka ai organizim prodhoi Pranverën Shqiptare të ’81. Konsideroj që përmasat e kësaj opinionit vendor dhe ndërkombëtar i janë të njohura. Ndoshta po të kishte sy dhe vesh udhëheqja e atëhershme jugosllave, historia do të ecte në rrjedha të tjera. Jugosllavia nuk do të shkatërrohej me luftëra çlirimtare siç ndodhi. Ndarja gjithsesi do të ndodhte, por ajo do të ishte paqësore. Ashtu siç ndodhi në mes Çekisë e Sllovakisë apo ashtu siç u ndan shtetet e Baltikut (Estonia, Lituania e Letonia) nga Rusia.
Në vitet e ’90-ta, veç organizimit në alternativën Demokratike, ekzistonte edhe organizimi i fshehtë – Lëvizja për Republikën e Kosovës nga gjiri i se cilës u krijua UÇK-ja, e cila nuk numëronte deri në vitin 1997/98 më shumë se 200/300 pjesëtarë. Por, pas Likoshanit / Qirezit e sidomos Epopesë së Prekazit, ku u flijua Komandanti Legjendar – Adem Jashari me familje, ndodh masivizimi i njerëzve për Luftën Çlirimtare e cila krijoj një realitet të ri në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës numerikisht ishte e vogël, por e madhe ishte ideja çlirimtare që barte ajo me veti.
I thash këto jo për të bërë analogji, por për të treguar se Protestën nuk e përcakton numri edhe pse në rastin tonë edhe numri është i rëndësishëm, por duhet parë shkaqet e protestës. Ka apo nuk ka arsye për Protestë? Ata që dolën dje mos i shikoni si numra, shikoni si njerëz që do të organizohen për një ndryshim të ri. Shikoni kërkesat që ata kanë. A janë apo nuk janë ato të qëndrueshme. Përqendrohuni në përmbajtje e në cilësi e jo vetëm në sasi. Sasinë e prodhon koha. Mos u mashtroni në numra. Ketë duhet ta ketë parasysh qeveria Mustafa-Thaçi.
Konsideroj që askush nuk do të duhet t’i ngatërronte kërkesat e protestës me numrin e pjesëmarrësve në protestë, pasi numri i qytetarëve që janë solidarizuar me kërkesën qendrore dhe kërkesat e veçanta ka qenë shumë më i madh. Shikuar në këtë rrafsh, protesta e 18 prillit e ka kryer misionin e saj. Sigurisht që në numrin e protestuesve ka ndikuar edhe terrori psikologjik i qeveritarëve dhe paralajmërimi i tyre se atë ditë do të ketë dhunë. Ndërsa masat e marra nga qeveria, kanë qenë adekuate për gjendje të jashtëzakonshme e jo për një Protestë paqësore. Pa dyshim që ky terror i paralajmëruar ka pasur reflektime negative për daljen e njerëzve në protestë.
Konsideroj që institucionet tona, duhet t’i analizojnë kërkesat e protestës së 18 prillit dhe jo numrin e protestuesve. Kjo është e domosdoshme për një zhvillim të ri në Republikën e Kosovës!
Protesta u zhvillua ashtu si ishte planifikuar e jo ashtu si u paragjykua.