Arben Hoxha: Listat e veteranëve dhe kaosi aksiologjik

Kaosi aksiologjik për luftën e UÇK-së, i normativizuar në Ligjin për Veteranët e UÇK-së dhe i shpërfaqur praktikisht në listat e veteranëve, është shprehje e kaosit të vetëdijes sonë për kuptimin dhe vlerën e lirisë. Është e tmerrshme kur një vetëdije kaotike vlerore pajiset me pushtet ligjvënës dhe vendos paqe të dhunshme ndërmjet vlerave dhe antivlerave.

 

Këto ditë u shpallën listat e veteranëve të UÇK-së të të gjitha Zonave Operative të UÇK-së. Bashkë me listat e shpallura të veteranëve, nga individë dhe nga organizata të ndryshme u shpalosen një mori pakënaqësish, në njërën anë, për përfshirjen në lista të shumë të pamerituarve dhe, nga ana tjetër, për lënie pas dore, për mospërfshirjen në to të shumë të tjerëve të merituar. Reagime dhe mospajtime për emrat e shpallur në lista erdhën nga të gjitha ish-Zonat Operative të UÇK-së. Për lëshimet, për padrejtësitë, për falsifikime të mundshme, për mashtrime, në të shumtën e rasteve, u akuzuan komandantët, si përgjegjësit kryesorë për hartimin e listave.

 

Si është e mundur që Ligji për Veteranët e UÇK-së, fillimisht, me ekzistencën e vet, e më pas me efektet në rezultatet e listave të publikuara, të zgjojë kaq shumë pakënaqësi? Si është e mundur që, në njërën anë, penguesit dhe shantazhuesit e djeshëm të luftës së UÇK-së si dhe ndonjë ish-bashkëpunëtor i pushtuesit serb, të marrin guximin dhe të aplikojnë për statusin e veteranit, ndërsa, nga ana tjetër, në lista të mos përfshihen edhe disa emra dëshmorësh, meritorë për lirinë tonë? Si është e mundur që të pajiset me statusin e veteranit njësoj sikur ai, që nëpër fshatra ka iniciuar dhe organizuar dorëzimin te forcat serbe të armëve të sjella nga Shqipëria në Kosovë me djersën dhe gjakun e pjesëtarëve të UÇK-së, ashtu dhe ai që, për ta poseduar një armë, ka rrezikuar jetën e tij duke kaluar midis pritave të ushtrisë serbe në kufirin shqiptaro-shqiptar dhe e ka ruajtur dinjitetin e asaj armeje edhe me jetën e vet?

 

Mbi kë bie përgjegjësia për situatën e tillë kaotike të krijuar: mbi aplikantët, mbi hartuesit e listave, mbi ligjin apo mbi ligjvënësit?

 

 

Dy tipat e qëndrimeve mohuese

 

Kundërshtitë dhe mospajtimet që solli shpallja publike e listave të përfitueseve të së drejtës në beneficione për veteranët e UÇK-së janë në vazhdën e qëndrimeve pohuese dhe mohuese që e kanë shoqëruar shoqërinë tonë për dhe rreth qenies dhe ekzistencës së UÇK-së. Opinionet, gjykimet dhe vlerësimet mospajtuese, refuzuese, dyshuese ndaj përmbajtjes së listave të publikuara janë shprehje e kaosit aksiologjik të qëndrimeve tona morale, politike, historike që kemi pasur dje dhe që kemi sot për luftës e UÇK-së.

 

Vetëdija jonë kolektive kundërthënëse për dhe rreth qenies dhe ekzistencës së UÇK-së është manifestuar gjatë viteve të ’90-ta dhe vazhdon të manifestohet edhe sot.

Qëndrimet mohuese ndaj luftës së UÇK-së që vinin prej institucioneve “demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës” nën pushtimin e egër serb, janë të njohura që në fillimet e shfaqjes së UÇK-së. Qëndrime të tilla vazhdojnë të manifestohen edhe sot përmes shkrimeve publicistike të autorëve të ndryshëm brenda në Kosovë dhe jashtë saj. Megjithatë, mund të thuhet se ekziston dallim i mohimit që i bëhej dje ekzistencës së UÇK-së dhe mohimit që i bëhet sot asaj. Dallimin dhe karakterin e ndryshëm të mohimit e përcaktojnë objektivat e tyre. Në rastin e parë, gjatë luftës, objektivi i mohimit të UÇK-së drejtohej në realitetin e ekzistencës së saj fizike, ndërsa pas lufte, objektivi i mohimit të UÇK-së do të drejtohet kah realiteti i ekzistencës së saj morale. Mundësitë vepruese të formës së parë të mohimit do të jenë të kufizuara në kohë, ndërsa mundësitë vepruese të formës së dytë të mohimit do të jenë të shumanshme, të shumëllojshme dhe të pa kufizuara në kohë, shumë më të dëmshme se të trajtës së parë të mohimit.

 Objektivi i mohimit që i bëhet sot UÇK-së legjitimitetin e ekzistencës së vet e bazon në premisat e ideologjisë së humanizmit liberal, i cilit më shumë përqëndrohet në të drejtën e lirisë së individit se sa të lirisë së një kombi. Duke u bazuar në një ideologji të tillë, në shkrime të ndryshme publicistike mohohet qenia dhe ekzistenca e UÇK-së përmes logjikës relativizuese dhe përmbysjes së të vërtetave: imagjinohen situata të paqena se lufta e UÇK-ës është vazhdimësi dhe formë komplementare e rezistencës paqësore të fillim viteve 90-të; se pjesëtarët e UÇK-së janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit po aq, në mos më shumë, sa edhe shteti gjenocidial i Serbisë; se themeli i Gjykatës Speciale nuk ka synim rrënimin moral të UÇK-së etj., etj.

 

Pas lufte, në punë të relativizmit të vlerës së UÇK-së, nuk janë treguar të devotshëm vetëm partiakët e shndërruar në historianë, apo historianët që i konstruktojnë faktet historike me kutin e mendjes partiake; apo publicistët e dështuar në politikë që historinë e konstruktojnë sipas kutit të mendjes së tyre OJQ-iste; por edhe bartësit e luftës së UÇK-së, të cilët me mendimin, me gjestin, me sjelljen, në njërën anë, përjashtuese, mohuese ndaj bashkëluftëtarëve, të njerëzve me të cilët i kanë ndarë bashkë istikamet e luftës, dhe, nga na tjetër, afrimin dhe privilegjimin e kundërshtarëve të tyre të djeshëm për interesa meskine materiale e pushtetore, do ta cenojnë rëndë trashëgiminë morale të UÇK-së.

 

Kur ish-komandantët, bartësit e vërtetë të luftës së UÇK-së, për interesa partiake i vënë në treg dhe i barazojnë ata që nuk mund të barazohen, pse të mos konkurrojnë edhe ish UDB-ët për veteranë të UÇK-së?

 

Kur u barazuaka Adem Jashari, që ka flijuar veten me familje, me Ibrahim Rugovën, që në Beograd ka kërkuar ndaljen e sulmeve të NATO-s për të shpëtuar ”veten dhe familjen e vet”, pse të mos guxojmë të hyjmë në listën e veteranëve edhe ne dezertorët, edhe ne organizuesit e dorëzimit të armëve te forcat serbe!? Pse ne njerëzit e vdekshëm të kësaj bote të mos zhvatim pak, meqë na u dha rasti, kur komandantët në emër të vlerës së UÇK-së kanë grumbulluar pasuri milionëshe!? Pse të mos rrejmë ne të vdekshmit e kësaj bote për të përfituar diçka padinjitetshëm nga shteti i Kosovës, kur ata, që dje morën mbi shpatulla misionin e shenjtë për ta mbrojtur dinjitetin tonë kolektiv njerëzor, sot e kanë e vënë në treg dinjitetin e dytë për të mbetur në pushtet, ose për ta marrë pushtetin – varësisht se në cilën anë gjenden– me çdo kusht dhe në mënyrë të padinjitetshme, në luftë të pakompromis dhe dhëmbë për dhëmbë me njëri tjetrin?!

 

Sjellja e papërgjegjshme morale ndaj trashëgimisë së UÇK-së e manifestuar jo vetëm në sferën politike, ekonomike, por, në mënyrë të veçantë, në sferën njerëzore të ish-komandantëve të UÇK-së, ka hapur rrugë për keqpërdoruesit dhe manipulantët e të gjitha ngjyrave. Prijësit, thotë Konfuçi, janë si era, ndërsa populli është bari: nga frynë era, në atë drejtim do të lakohet bari! Me mendimet, me sjelljen, me punën e tyre, sidomos pjesa e ish-komnadantëve të UÇK-së të shndërruar në politikanë, nuk arritën të prodhojnë modelin moral të qëndrimit vleror ndaj trashëgimisë së UÇK-së. Përkundrazi, ata u bënë e kundërta e atij modeli.

 

Karakteri kundërthënës i Ligjit

 

Ligji për Veteranët e UÇK-së, është mishërim i kësaj vetëdijeje kundërthënëse dhe i shërben asaj. Karakterin e tij kundërthënës dhe parcial e përcakton mbivendosja e parimit të së drejtës sociale mbi parimin e së drejtës ndërkombëtare të popujve për liri dhe pavarësi, prej të cilit ai do të duhej të rridhte dhe të cilin do të duhej ta përmbante. Po të ishte një Ligj i cili të drejtën sociale të veteranëve do ta derivonte nga e drejta ndërkombëtare për liri dhe pavarësi kolektive të popullit shqiptar, ai nuk do të tregonte të njëjtin kujdes si për dezertorët ashtu edhe për heronjtë. Duke qenë se Kushtetua e Kosovës është ndërtuar mbi të drejtën e logjikës formale ku përfshihen dhe bashkekzistojnë gjykime të ndryshme për të drejtën sovrane se kush mund ta ushtrojë kontrollin brenda territorit të Kosovës (p.sh. 2/3 e votave të pakicave në Kuvendin e Kosovës e përcaktojnë (pa)mundësinë e eliminimit të përmbajtjeve të Planit të Ahtisarit nga Kushtetuta e Kosovës, përmbajtje këto kufizuese për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. Shih Neni 81. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës), rrjedhimisht, është e natyrshme që edhe Ligji për Veteranët e UÇK-së, të jetë në suaza të së njëjtës logjikë.

 

Ligji, me objekt rregullimin e statusit të veteranëve, i ndërtuar mbi të drejtën e logjikës formale, në të cilin krijohet hapësirë e mjaftueshme për bashkekzistencën e gjykimeve të ndryshme vlerësuese për luftën e UÇK-së që e përjashtojnë njëra tjetrën, do të bëhet shprehja më domethënëse (e normativizuar) e entropisë sonë morale, shoqërore, politike, ekonomike, kulturore për lirinë njerëzore, kombëtare e shtetërore.

 

Ligji për Veteranët e UÇK-së dhe listat si produkt i Ligjit, në vend se të bëhet instancë juridike përmes së cilës do të normativizohej konsensusi social-historik, politik-juridik dhe kulturor i shtetësisë së Kosovës, është bërë simptomë e entropisë sonë vlerore për të djeshmen dhe të ardhmen tonë. Ligji është prodhuar nga kundërthënia për ta mirëmbajtur gjendjen e vetëdijes sonë kundërthënëse për dhe rreth qenies dhe ekzistencës së UÇK-së. Ligji për Veteranët nuk e normativizon UÇK si vlerë fundamentale morale të shtetësisë së Kosovës, por si një vlerë instrumentale, e cila duhet të garantojë paqe sociale dhe paqe mes rivalëve politikë në betejat e tyre të padinjitetshme për pushtet, sot dhe nesër. Realitetin kundërthënës të vetëdijes sonë morale, historike, politike, kulturore për dhe rreth qenies dhe ekzistencës së UÇK-ës, nuk mund ta relativizojë apo çrrënjosë as themelimi i një Ministrie të veçantë për Veteranët, e as një Ligj për Veteranët, i cili synon të jetë gjithëpërfshirës në dimensionin e realizimit të së drejtës sociale në dëm të gjithëpranisë së domosdoshme të dimensionit të tij etik brenda realitetit tonë politik, historik, kulturor e shoqëror, sot dhe nesër.

 

Kaosi aksiologjik për luftën e UÇK-së, i normativizuar në Ligjin për Veteranët e UÇK-së dhe i shpërfaqur praktikisht në listat e veteranëve, është shprehje e kaosit të vetëdijes sonë për kuptimin dhe vlerën e lirisë. Është e tmerrshme kur një vetëdije kaotike vlerore pajiset me pushtet ligjvënës dhe vendos paqe të dhunshme ndërmjet vlerave dhe antivlerave.

 

Kjo është dëshmia më e mirë për nivelin e ulët të marrëdhënies që në kemi me lirinë dhe të ardhmen tonë!

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …