Ai ka theksuar se pa faj nuk janë as të gjitha qeveritë e pas luftës e sidomos qeveritë e pavarësisë të cilat sipas tij as edhe njëherë problemin e veriut nuk e shtruan si duhet në asnjë nivel politik, përkundrazi siç shprehet Krasniqi, nga viti 2012/13 e këndej në institucionet e Kosovës kanë sjellë struktura që i përgjigjën Beogradit e jo Kosovës e as interesave të qytetarëve serbë të cilët Serbia i konsideron “mish për top”. “Kulmi i krejt kësaj është arritur ketë vit në Kosovë, kur temë qendrore në çdo segment të shoqërisë sonë është bërë tema serbe për ndarjen e Kosovës. Zhvillimet e këtyre dite, sidomos taksa 100% për mallrat serbe ishte vetëm një shkas, shkaqet e vërteta të këtyre veprimeve të serbëve të veriut duhet kërkuar te politika serbe e pastaj edhe të bisedimet politike të Brukselit që prodhuan “Listën serbe” e cila i përgjigjet vetëm Beogradit. Te situata e sotme do të na sillte çdo përpjekje e Kosovës për ta vendosur atje sundimin e rendit e të ligjit, siç ishte taksa dhe arrestimi i vrasëseve të Oliver Ivanoviqit”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se të gjithë mbështetësit e ndarjes së Kosovës duhet ta dinë se pas një veprimi të tillë, të ndarjes së Kosovës, duhet të pushojnë të gjitha pengesat që çojnë në drejtim të bashkimit të Kosovës e trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë! “Mbase, kjo është mënyra e vetme për të garantuar paqen e sigurinë në Ballkan! Padrejtësia që ju bë shqiptarëve para 105 viteve në Konferencën e Fuqive të Mëdha në Londër duke i bërë copë-copë tokat shqiptare, ka krijuar disbalance e pasiguri në Ballkan, pasojat e të cilit vendim të padrejtë po i bartim edhe sot”, ka shkruar Krasniqi