Labinot Gjini: Të pagjeturit apo të pa kërkuarit e Kosovës?

Sot ishte Dita e të pagjeturve të Kosovës. Ose, për të thënë të vërtetën, siç shumë ditë përkujtimore në Kosovë edhe kjo është ditë ku, ata të cilët kanë gjetur njëri-tjetrin për të plaçkitur dhe shitur Kosovën (pushtetarët), luajnë teatër para mediave duke hedhur lotë krokodili për ata të cilët e paguajtën më së shtrenjti lirinë e kësaj toke shqiptare. Bile, dikush shkoj aq larg sa që tha se shpirti i tij do të gjente rehati vetem kur të pagjeturit të gjenden dhe të varrosen në Kosovë.


Në realitet, pushtetarët tanë e kanë gjetur formulën tek këto ditë përkujtimore (ditë teatrale) për të larguar nga agjenda politike çështjet më eminente të vendit tonë. Duke bërë përkujtime teatrale ku hidhen një seri fjalimesh të pakuptimta ose asgjëthënëse, por me dozë të fortë emocionësh, pushtetarët tanë shëndërrojn çështjet të cilat ishin politike- dhe do të duhej të jenë akoma politike – në probleme vetem historike, humanitare, shoqërore. Kështu manipulohet opinioni publik të cilin e bëjn të mendoj se përkujtimi i një çështje nga politikanët tanë është edhe riaktualizim, në të njejtën kohë, i agjendës politike për atë çështje. Por, e vërteta është krejt ndryshe në Kosovën tonë ! Kur diçka merrë formën e përkujtimit kolektiv, pikërisht atëherë ajo është larguar nga agjenda politike e vendit. Kjo ndodh edhe për shkak të popullit tonë, i cili ndalet apo mjaftohet me teatrinë e politikës dhe nuk kërkon edhe politikën reale e cila ndiqet për atë çështje.


Kjo distancë mes “lotëve” të pushtetarëve tanë dhe agjendës politike reale është e pa imagjinueshme në rastin e të zhdukurve të Kosovës. Ligji për të pagjeturit e Kosovës është bërë në gusht të vitit 2011. Asokohe pati përplasje të fuqishëme brenda politikës por edhe nga opinioni publik për një sërë arsyesh. Arsyeja e parë ishte sepse ligji kapte një periudhë prej 1998 deri më 31 dhjetor 2000 (në vend të qershorit 1999). Por, ishte edhe për shkak të emrimit “të pagjetur”, i cili ishte i papranueshëm. Sepse, atë që qytetari duhet të dijë është se emërtimi nuk ishte i rastësishëm dhe pa një prapavijë politike. Nëse emërtimi do të ishte “të zhdukurit”, gjë që është në të gjithë botën, atëherë mënjëherë ka të bëj me pyetjen kush dhe si i zhduki ?. Gjerësa, nocioni i gjërë, i trubëllt, “të pagjeturit”, jep një neutralitet të fuqishëm rreth kësaj çështje. Duket sikur ata kanë humbur vetë dhe janë të pagjetur. Pra, çështjen e vë larg të vërtetës historike që thotë se aty pati një plan, pati një strategji shtetërore dhe ushtarake për shfarosjen e një populli; që u krye e një gjenocidi në Kosovë. Ky neutralitet në fjalor është edhe një neutralitet në politikë të cilin e kërkoj Serbia dhe qarqet e caktuara ndërkombëtare që i erdhën në ndihmë asaj. Por, meritën më të madhe e kanë për këtë pushtetarët tanë të cilët e pranuan dhe e aplikuan atë. Kuptohet se pati një presion të madh nga pushtetarët tek deputetët tanë, të cilët realisht nuk e votuan me herën e parë. Është dashur një presion individual ndaj secilit që më në fund të gjendet një shumicë asokohe.


Përveç këtij ligji që u bë, për të pagjeturit e Kosovës pushtetarët tanë nuk kanë bërë asnjë gjë. Përkundrazi, ata ja kanë lënë këtë çështje të mirëfillët politike organizatave humanitare ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe përkujtimeve. Për të qenë, çështja e të zhdukurve është një çështje tërësisht politike. Ata u zhdukun për qëllime politike; për qëllime politike të shtetit serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë. Pra nga politika ata u zhdukën dhe prandaj se domosdo kjo çështje do të duhej të mbetët një çështje e politikës shtetërore. Jo vetëm të mbetët një çështje politike, por edhe një çështje diplomatike. Kjo dosie do të duhej të ishte në çdo tavolinë të negociatave me Serbinë. Dhe, do të duhej të ishte dosia e cila, sipas avancimit, të bllokoj dhe zhbllokoj bisedimet me Serbinë. Pa i gjetur të gjithë të zhdukurit dhe pa një kërkim falje nga Serbia, nuk do të duhej kurrë që Kosova të bisedoj për gjëra tjera me të.


Mirëpo këta pushtetarë që sot hedhin lot të krokodilit nëpër media, janë pikërisht ata të cilët gjatë këtyre vitëve të fundit ja kanë larë duartë Serbisë gjakatare nga gjaku i shqiptarëve. E kanë pastruar aq mirë Serbinë sa që ajo sot e ka mundësinë të thotë se i kam duart më të pastra se vetë shqiptarët (prandaj Gjykata Speciale). Janë këta pushtetarë, të cilët për 16 vjet pas lufte asnjëherë nuk e kanë përmendur fjalën gjenocid. Është dashur që vetë Lunaçeku ta përmend këtë vit se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë para Parlamentit Evropian që Edita Tahiri, një muaj më vonë, jo para diplomacive, por para opinionit shqiptar ta rithotë të njejtën gjë (për të marrur ca poena politik). Janë po këta pushtetarë që për 16 vjet kurrë nuk e kanë përmendur çështjen e të zhdukurve të Kosovës para diplomacive si çështje politike, humanitare dhe historike. Po të bëhej një punë e tillë, sot opinioni botërore do të kishte ende në qendër të debatit gjenocidin e Kosovës (ashtu siç atë armen) dhe jo aferën imagjinare të organëve serbe të Burrelit. Por, pushtetarët tanë ishin dhe mbetën ata të cilët ndihmuan më së shumti që Serbia të pastrohet nga e kaluara gjakatare e saj. Ata bën atë që të pagjeturit e Kosovës të mbetën të pakërkuarit e Kosovës. Sepse të pakërkuar i deshi Serbia që të shpëtoj të kaluarën e vetë dhe të rindërtoj sovranitetin e vetë mbi Kosovën.


 Sot, qytetarët tanë nuk duhet të mashtrohen nga këto vajtime të krokodilave të Kosovës, por duhet të kërkojn me ngulm që politika jonë ta fut në agjendën e saj politike dhe diplomatike çështjen e të zhdukurve të këtij vendi dhe të kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare që të njoh gjenocidin e Serbisë në Kosovë gjatë vitit 1998-Qershor 1999. Ndërkohë, do të duhej të ndalen bisedimet me të. Dhe, vetem pasi ta njoh Serbia këtë gjenocid, atëherë të rifillojn bisedimet për çështjet e tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker do të vizitojë so Shqipërinë

Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit

Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …