E pata hartuar këtë shkrim me një ngarkesë të rëndë sarkastike, por e kam vështirë t’i publikoj të tillë tekste, prandaj hoqa dorë dhe, variantin me ngarkesë sarkastike, po e ruaj në arkivin tim. Kombit tonë dhe vendit tonë, jo vetëm po u mohohet e drejta për të qenë pjesë E BARABARTË e Evropës së Bashkuar, por edhe po na fyejnë rëndë. Po vazhdojmë të fyhemi prej të atillë subjektesh, të cilët PËR VETE janë shumë më poshtë kombit tonë.
S’pat gjëkundi, në atë seancë parlamentare kushtuar Republikës së Shqipërisë, zë burrash apo grashë të vërteta, nga ata zëra për të cilët do të kish shumë nevojë një parlament që pretendon të mbajë kryvendin e parlamentarizmit botëror!
E quajtën TË NEVOJSHME ta gjykojnë ashpër Ed Ramën, që e kish përmendur shkarazi edhe “mundësinë klasike” të bashkimit të kombit shqiptar, por NUK E QUAJTËN TË NEVOJSHME të thonë se, ky bashkim eventual i shqiptarëvet, më shumë ëndërr se sa projekt konkret, është 1000 HERË MË PAK I RREZIKSHËM për Evropën se sa aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, i cili sapo u bë, me forcën e armëvet.
E quajtën TË NEVOJSHME ta qortojnë Ed Ramën, qoftë edhe për një aludim shkarazi lidhur me opcionet e bashkimit të kombit shqiptar, por NUK E QUAJTËN TË DOMOSDOSHME ta thonë, me zë parlamentarësh dinjitozë, që Sërbia, shtetin e Kosovës, të njohur tashmë prej më se 100 shtetesh të botës, po vazhdon ta konsiderojë si pjesë të shtetit sërb, EDHE NË KUSHTETUTË.
Që të gjithë ata (nuk po dua ta përsëris tani metaforën sarkastike), rreth 30 sa diskutuan, u shprehën se, për aderim të Republikës së Shqipërisë në BE, “DUHEN SHTYRË NEGOCIATAT”. Përse u dashkan shtyrë ato farë „negociatash“?! Duhen shtyrë, thonë ata, pra, nuk duhen filluar “negociatat”, për “SHKAK” të korrupsionit që ekziston ende në Republikën e Shqipërisë, për “SHKAK” se gjykatat nuk janë ende në lartësinë e duhur, për “SHKAK” të trafiqevet të paligjshëm, për “SHKAK” të grindjevet midis partivet politike, si dhe për “SHKAQE” të tjerë e të tjerë.
Ç’kërkojnë kështu prej nesh këta politikanë që s’dinë të bëjnë politikë, këta burokratë dhe konformistë sklerotikë?!
Kërkojnë që ne shqiptarët të jemi më pak të korruptuar se ata, apo kërkojnë që zanatin e të korruptuarit t’ua lëmë vetëm atyre?!
Kërkojnë që trafiqet e të gjithë llojevet t’i bëjnë ata e jo ne?!
Kërkojnë që gjykatat tona, ndërtuar pikërisht sipas modelit të vendevet të BE-së, të jenë „më të pastra“ se gjykatat e tyre?!
Kërkojnë që në vendet e tyre të mund të veprojnë deri edhe parti fashiste, ndërsa partitë tona t’u ngjajnë delevet?! E kishim një parti me parime që u quajtën ekstremistë dhe evropianët nuk na e deshën atë parti. Bënë çmos për ta rrëzuar. Tash s’po u pëlqejnë as këto që i kemi ndërtuar pikë për pikë sipas mënyrës së tyre! Vetëm partitë shqiptare u dashka të jenë tufa dhensh, ndërsa ato të tyret, si ajo e z. D.Kameron, mundkan të kërcënojnë deri edhe me largim nga BE-ja?! Një parti e Skocisë mundka të kërkojë, me referendum, shkëputje të Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar, një tjetër, atje në Spanjë, mundka gjithashtu të kërkojë shkëputje, pra ndryshim kufijsh, ndërsa një udhëheqës partie i Republikës së Shqipërisë nuk mundka as ta përmendë bashkimin me Republikën e Kosovës?!
Askush nuk tha, ashtu si duhej të thoshte: “Ta pranojmë Republikën e Shqipërisë në BE, madje SA MË PARË, sepse vetëm ashtu mund të shëndoshet gjendja në Ballkan!” Askush nuk e parashtroi dot, nuk e pa të arsyeshme ta parashtrojë, që lënia e Republikës së Shqipërisë jashtë BE-së, e afron përditë e më shumë DESTABILIZIMIN në këtë gadishull e, rrjedhimisht, edhe në krejt Evropën. Parlamentarët e BE-së, s’e quajtën të nevojshme as ta përmendin faktin që Rusia po i fut hundët në Ballkan, tinëz edhe hapur. Amerikanët e thanë, evropianët, të cilëvet do t’u kërcasë kurrizi nga çorba që po gatuajnë rusët në Ballkan, nuk e thanë.
Përfundimisht, a nuk mund të themi që, në Parlamentin e BE-së, vendin e burravet e të gravet e kanë zënë rrogëtarët e gjithfarë egoizmavet, të rutinavet e deri edhe të agjenturavet antievropiane?! Në të vërtetë, në atë parlament as që ka pasur ndonjëherë burra të vërtetë e gra të vërteta. Të kish pasur aty burra të vërtetë e gra të vërteta, s’do të kish arritur Evropa në gjendjen që është sot. Të kish pasur aty burra të vërtetë dhe gra të vërteta, Evropa sot do të ishte NJË SHTET I STABILIZUAR dhe popujt nuk do të shikonin aty shanse emigrimesh dhe gjithfarë spekullimesh, por do të shikonin MODELIN, si duhet ndërtuar një SHTET I BASHKUAR. Si duhet ndërtuar, fundja, një BOTË E BASHKUAR, në mënyrë që njerëzimin të mos e kërcënojnë KRIZAT FINANCIARE, URREJTJET FETARE, LAKMITË SHOVINISTE, ANTAGONIZMAT KLASORË, ÇORODITJET FILOZOFIKE E SHTHURJET MORALE. Të kish pasur në parlamentin e BE-së burra të vërtetë e gra të vërteta, Evropa nuk do të kish rezultuar sot e ndotur prej të gjitha këtyre që i numëruam.
Kur, këta parlamentarë të së quajturës Evropë e Bashkuar mezi po e durojnë VETË përbashkësinë dhe s’po mund të bëjnë as edhe një KUSHTETUTË solide, a mund të pritet prej këtyre që ta mirëpresin një bashkim të kombit shqiptar?! A mund ta pranojnë tani bashkimin e shqiptarëvet, pikërisht këta, të parët e të cilëvet e kanë copëzuar e sakatuar DISA HERË Shqipërinë?!
Një shqiptar mund të jetë trafikues organesh dhe kjo gjithsesi është e dënueshme. Por, KU BËHEN TRANSPLANTIMET E ORGANEVET TË TRAFIKUAR?! NË SHQIPËRI APO NË BE?! U munduan t’ia ngjisin këtë njollë një shtëpie „të verdhë“ të Matit, ndërsa nëpër spitalet më modernë pikërisht të asaj Evrope, ku realisht bëhen transplantime, EDHE ME ORGANE TË TRAFIKUAR, askush prej atyre parlamentarëve “të nderuar” nuk është dëgjuar të jetë marrë.
Një shqiptar mund edhe të prodhojë apo trafikojë lëndë narkotike dhe, doemos, kjo është për t’u dënuar. Por, KUSH E KONSUMON ATË LËNDË NARKOTIKE, SHQIPËRIA APO BE-JA?! KUSH E PAGUAN LËNDËN NARKOTIKE, SHQIPËRIA APO BE-JA?! KUSH E POROSIT LËNDËN NARKOTIKE?!
Duket sikur flasin seriozisht, pa le!
Mirëpo, ne shqiptarët e tjerë, që nuk merremi as me trafikim organesh, as me transplant organesh, as me prodhim droge, as me transport droge, ne shqiptarët e tjerë, që i urrejmë njëlloj si evropianët e BE-së, edhe korrupsionin, edhe padrejtësitë e gjyqevet, e që bëjmë SHUMICËN e shtetasvet të Republikës së Shqipërisë, ç’kusur kemi?!
Të drejtat kombëtare të pakicavet shkelen SHUMËFISH MË EGËR në ndonjë shtet të BE-së, psh, në shtetin GREK, se sa këtu në Republikën e Shqipërisë. Ç’kusur kemi, ne shqiptarët, që të akuzohemi për shkelje të drejtash të pakicavet, kur na ka mbërritur nami deri në Izrael se jemi kombi më tolerant në botë sa i përket qëndrimit ndaj kombevet të tjerë?! A e dinë parlamentarët e BE-së sa i duam e i nderojmë ne, një Mentor Xhemal, një Laver Bari, një Bujar Qamil, një Kreshnik Qato e qindra të tjerë?! Një Sterjo Spasse, një Irini Qirjako, një Filip Çakuli, a e dinë parlamentarët e BE-së sa i nderojmë ne, ndonëse ata janë pjesëtarë të pakicavet?!
U përdor në atë parlament shprehja “Shqipëri e Madhe”, me pretendimin që dikush, këtu në Shqipëri, po kërkoka krijimin e një të tillë Shqipërie “të madhe”. Kushdo që e ka një kulturë minimale mbi kuptimin që bartin me vete togfjalëshat „Sërbi e Madhe“, „Greqi e Madhe“ dhe “Shqipëri e Madhe”, duhet ta dijë që kjo e fundit, e quajtur “Shqipëri e Madhe”, asnjëherë nuk ka nënkuptuar pushtimin e tokavet të kombevet të tjerë. Janë 2 të parët ata që pretendojnë përjetësim pushtimi dhe pushtime të mëkëndejshëm të territorevet të Shqipërisë. Mirëpo, anëtarët e një parlamennti, që pretendojnë se janë „SHEMBULLI BOTËROR“ i ligjvënësvet, as që mund t’i bëjnë të këtillë diferencime THELBËSORË.
Tanimë askush nuk po mund ta përcaktojë se çfarë TEATRI po luhet në të quajturën Evropë e Bashkuar. Tragjeditë janë luajtur e tejkaluar, edhe në jetë, edhe në skenë. Komeditë janë luajtur e tejkaluar. Tash edhe teatri absurd po tejkalohet.
Rumania dhe Bullgaria u kooptuan në BE. Thjeshtë u kooptuan. Nuk pyeti kush a ka apo s’ka korrupsion në ata vende. Nuk pyeti kush ishin apo s’ishin “komunistë” ata vende, të lustruar apo të palustruar. Të gjitha “detyrat e tyre të shtëpisë” u kryen brenda natës. Në mëngjes u gdhi krejt Ballkani Lindor në BE.
Edhe Sërbinë janë gati ta kooptojnë brenda natës. Askush nuk e ngarkon me “detyra” Sërbinë, siç bëjnë me Republikën e Shqipërisë, me Republikën e Kosovës, me Bosnjë Hercegovinën dhe me Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë. Deri edhe kur ajo ngul këmbë për të mos e njohur “KURRË” shtetin e Kosovës, nuk i thotë askush asgjë. “Mirë po bën” i thonë. “Mos e njih Kosovën. Quaje Sërbi Kosovën se askush nuk ta zë për të madhe.”
T.Nikoliqi hartoi pardje një “platformë për Kosovën”, ndërsa “Teatri i Brukselit” i tregon me gisht kasollet e romëvet në periferi të Tiranës. Ç’do të thoshte “Teatri i Brukselit”, nëse edhe Turqia do të hartonte një “platformë” për Kosovën apo për krejt Shqipërinë, bazuar në faktin që këta vende kanë qenë pjesë e shtetit osman madje 100 vjet më shumë se ç’kanë qenë pjesë e shteteve sllavë?! ( Pashtriku).
Italia e Musolinit e pat hartuar një “platformë” për Shqipërinë, “bazuar” në „faktin“ që Perandoria e Romës i ka pasur dikur pjesë të vetat këto toka. Musolini e zbatoi edhe në praktikë atë farë “platforme” dhe u pa çfarë doli prej krejt asaj pune. Prej krejt asaj pune doli që “na paskan qenë shqiptarët fajtorë që më vonë u lidhën me rusët”. Askush nuk tha që lidhja e shqiptarëvet me rusët erdhi si pasojë e gomarllëqevet të Evropës!
Njërit nga aktorët e atij “teatri” nuk iu ndejt pa e vënë në dukje se shqiptarët janë “MYSLIMANË”. Ka qenë një kohë, jo e largët, kur shqiptarët i akuzonin për “ATEISTË”. Por ka qenë një kohë, shumë më e hershme (kujto informacionet e Brokardit në shekullin XIV), kur arbërit, të parët e shqiptarëvet, i akuzonin për “HERETIKË”, sepse ishin KATOLIKË, dhe donin t’i asgjësonin që të gjithë.
Tani, për të mos i pranuar në BE, për ta shtyrë në Kalendat Greke afatin e pranimit të shqiptarëvet në BE, shpiket alibia se ne qenkemi “MYSLIMANË”. (Sado që unë e kam emrin Gjokë, emër, i cili vjen nga emri Gjergj, dhe të gjithë të parët e mi, që nga koha e Shën Palit e këndej, kanë qenë TË KRISHTERË). Shpiket kjo alibia se shqiptarët qenkan “MYSLIMANË” dhe askush prej atyre parlamentarëve nuk thotë që, në Evropë (në Gjermani, në Francë, në Angli e gjetkë), jetojnë DYFISH apo TREFISH më shumë myslimanë se në Shqipëri, shtetas të atyre vendeve.
Përfundimisht, KY LLOJ TEATRI NJERËZISH TË PAAFTË PËR TA ZOTËRUAR KOHËN, s’ka ku të përfundojë gjetkë, veçse nën “SHIUN PREJ SQUFURI” të Sodomës dhe Gomorrës. Në këta vite evropianët po u afrohen më shumë se kurrë sodomasvet dhe gomorrasvet, të kohës pak para se Zoti të vendoste për t’i ndëshkuar.