RKL: Marrëveshja e Ohrit duhet të shpallet edhe politikisht e vdekur, shqiptarët duhet të vetëvendosin
“Nëse nuk ndërmerren veprimet e duhura për 800 mijë shqiptarët që jetojnë atje, harroni shtetin që quhet Maqedoni -DioGuardi
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e vitit 2001 mori fund me nënshkrimin e së ashtuquajturës “Marrëveshje e Ohrit”, në gusht të vitit 2001, e cila i ideua dhe u vu në jetë nga disa autoritete ndërkombëtare, me qëllim për ta ruajtur Maqedoninë dhe “status quonë” në Ballkan, pas tronditjeve dhe kthesës që kishte sjellë lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe intervenimit të NATO-s kundër regjimit serb e shqiptar-vrasës të Beogradit.
Presioni ndërkombëtar për ndërprerjen e luftimeve në Maqedoni, (kur po kuptohej qartë se çlirimtarët shqiptarë po përgatiteshin ta merrnin Shkupin), bëri që të arrihej një marrëveshje paqësore, mes palëve ndërluftuese, e cila ndau në dysh Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, pikërisht në kohën kur ishte e gatshme ta korrte fitoren historike për çlirim nga robëria sllavo-maqedone. Një pjesë e SHP të UÇK-së iu dorëzua presionit ndërkombëtar dhe pranoi nënshkrimin e Marrëveshjes, duke pasur edhe bekimin e Tiranës zyrtare dhe politikanëve të Kosovës.
Një pjesë e kreut të luftës në krye me disa nga komandantët, të cilët edhe e kishin themeluar forcën kombëtare për çlirim, nuk u pajtuan me nënshkrimin e “Marrëveshjes së Ohrit”, që nuk ofronte as minimumin e të drejtave kombëtare të popullatës autoktone shqiptare në Maqedoni, e cila me qepjen e hartës së Ballkanit pas luftës së Parë Botërore, iu aneksua në fillim Bullgarisë, më vonë Jugosllavisë së Versajes së vitit 1918.
Periudha e pas luftës në ish-RJ të Maqedonisë u karakterizua me një situatë konfuze dhe të paqëndrueshme, sepse pjesa militante e luftëtarëve të lirisë, me të drejtë ndihej e tradhtuar, meqë lufta dhe gjaku i derdhur për liri kishte rënë nën hijen e një Marrëveshjeje, e cila nuk garantonte perspektivë për shqiptarët autoktonë.
Qeveria e sllavo-maqedonasve, nuk tregonte asnjë interesim për realizimin në jetë të Marrëveshjes dhe e shtynte atë me qëllim që shqiptarëve të mos iu krijohej asnjë perspektivë për të qëndruar në Maqedoni, e cila edhe me Marrëveshjen e Ohrit, që në preambulën e saj konsiderohej si shtet i maqedonasve sllavë, ndërsa pozita e shqiptarëve ishte ajo e një minoriteti, në mesin e minoriteteve të tjera, edhe pse shqiptarët aktualisht përbëjnë 40 për qind të popullsisë aktuale të këtij shteti të krijuar për herë të parë në vitin 1945, si republikë e Jugosllavisë federative.
Përderisa “Marrëveshja e Ohrit” nuk po realizohej dhe shumica e ish luftëtarëve të UÇK-së ndiqej dhe persekutohej nga regjimi, i cili nuk e përfillte amnistinë, shqiptarët liridashës filluan t’i kundërvihen politikës kolonizuese dhe shtypëse të këtij shteti, i cili në vazhdimësi ka ndjekur dhe ka zbatuar kundër shqiptarëve po ato metoda shfaronjëse e represive, që ka zbatuar regjimi i Beogradit në Kosovë deri në qershor të vitit 1999.
Prej vitit 2001 e deri te konfrontimi i fundit mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore sllavo-maqedonase, në Kumanovë më 9 maj 2015, kanë rënë duke luftuar apo kanë rënë në pritë të policisë së Shkupit qindra shqiptarë liridashës, në mesin e tyre edhe disa ish-komandantë të SHP të UÇK-së, në Maqedoni.
Pas konfrontimit të fundit, i cili shpërtheu edhe si rezultat i publikimit të aferave të përgjimit nga lideri maqedonas i opozitës, Nikolla Zaev, doli hapur në sipërfaqe qëndrimi racist e Qeverisë Gruevski kundër shqiptarëve. Fyerjet, poshtërimi dhe diskreditimi i shqiptarëve në fjalorin e kreut të këtij shteti ishte edhe çjerrja e maskave të fundit, që shkonin aq larg sa shqiptarët konsiderohen indixhmenë, skllevër të cilët mund të vriten si kafshët dhe të mos japë askush përgjegjësi. Ç’ është edhe më keq, shqiptarët në koalicionin qeveritar nuk dënuan qoftë edhe në mënyrë verbale fjalorin fyes të qeveritarëve më të lartë të shtetit, por vazhdojnë t’ i mbeten besnikë qeverisë më antishqiptare që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë shtet sllavo-bullgar me prejardhje gjuhë dhe histori, dhe me një emër shteti të cilin me të drejtë nuk e pranon Greqia, sepse në kohën e Maqedonisë antike, popujt sllavë ende jetonin nëpër shpellat e Uralit e nëpër luginat e Dnjeprit.
Shqiptarët në Maqedoni nuk mund ta ndryshojnë vetë gjendjen. Për zgjidhjen e vërtetë të pozitës së tyre duhet të angazhohet Shqipëria por edhe Kosova dhe shqiptarët kudo ku jetojnë. E vetmja zgjidhje reale dhe e qëndrueshme është zgjidhja mbi parimin historik dhe etnik, që do të thotë procesi i hapjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan. Pretendimet hileqare të politikanëve tanë në Tiranë, Shkup e në Prishtinë se problemi i shqiptarëve u zgjidhka me integrimin e shteteve të Ballkanit në BE, janë pretendime hipokrite të klasës pacifiste shqiptare, që për të ruajtur pozitat dhe pushtetin nuk dëshiron të kundërshtojë Brukselin zyrtar, i cili pranon ligjërisht dhe botërisht se, për hir të ruajtjes së kufijve të shteteve sllave në Ballkan, çështja shqiptare do të ngelet përgjithmonë pa u zgjidhur.
Është trimërues fakti se diplomacia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk po qëndron indiferente karshi Maqedonisë edhe me faktin se Qeveria e Gruevskit është deklaruar publikisht si pro lindore, pro ruse e pro serbe. Thirrja e ambasadorit amerikan në Shkup se problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, nënkupton faktin se ka shumë probleme të pazgjidhura, në Maqedoni, të cilat duhet të zgjidhen në një mënyrë apo në tjetrën, me hir apo pa hir.
Është sa trimëruese aq edhe domethënëse deklarata e ish- kongresistit amerikan DioGuardi, në një intervistë për gazetën “Zëri”. Ai thotë se “Shqipëria e Madhe”, tashmë ekziston, meqë ekziston populli shqiptar, i cili është ndarë nga kufijtë pa dëshirën e tij pas Luftës së Parë Botërore. Këta kufij nuk janë kufij të vërtetë, pasi që janë kufij politikë. Nëse shqiptarët do të kishin liderë të mirë, atëherë do të duhej ta konsideronin veten si një komb. Sot ata janë 7 milionë shqiptarë në Ballkan dhe afro 15 milionë në gjithë botën. Fatkeqësisht, janë 5 milionë shqiptarë në Turqi dhe nuk e flasin shqipen. Shqiptarët kanë qëndruar të fortë që nga romakët, turqit e gjer më sot. Për këtë arsye ndihem mirë kur them: “Jam krenar që jam shqiptar”… Ndërsa duke folur për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni, DioGuardi ka thënë se ky shtet nuk do të ekzistojë si i tillë nëse shqiptarëve nuk u jepet më shumë pushtet politik. Nëse nuk ndërmerren veprimet e duhura për 800 mijë shqiptarët që jetojnë atje, harroni shtetin që quhet Maqedoni”.
Hapja e çështjes shqiptare për zgjidhje përfundimtare edhe në Maqedoni i jep fund edhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftimet në Siri dhe në Irak. Ky është në radhë të parë interesi ynë, por edhe i Amerikës, sepse zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan krijon perspektivë për të gjithë shqiptarët, të cilët në mungesë të kësaj perspektive, të ndarë në pesë shtete, me ekonominë më të dobët në Ballkan, shpëtimin po e kërkojnë duke ikur nga Atdheu. Tashmë dihet botërisht se shqiptarët që po i bashkohen ISIS-it, nuk po shkojnë atje për ideale fetare, por po paguhen nga 30.000 euro, kesh. Me para të tilla ata i sigurojnë familjes një vend për banim, apo u sigurojnë ekzistencën e thjeshtë për disa vite.
Pa zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, kurrë nuk do të ketë paqe as siguri në rajon. Kjo u kuptua edhe njëherë më 9 maj, në Kumanovë dhe nuk do të ngelet me kaq. Shqiptarët nuk do të durojnë më poshtërimin dhe trajtimin e tyre si skllevër, sepse jetojnë në trojet e tyre historike, sepse nuk janë sllavë ardhacakë, por popullatë vendore, denbabaden. Kjo ide çlirimtare u konsolidua dhe u çelikos me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilat përbëjnë një trinitet të ekzistencës shqiptare, një kod të mbrojtjes dhe të mbijetesës, ashtu sikur kodi autentik i “besës”.