Me një varg aktivitetesh Vitia festoi 28 Nëntorin –Ditën e Flamurit

Festa e Flamurit kombëtar dhe 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, është shënuar në Viti me një varg aktivitetesh. Në orët e paradites, janë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Viti nga udhëheqës të Institucioneve komunale, subjekteve politike, organizatat e dala nga lufta, policia e Kosovës , Institucione tjera e qytetarë të shumtë. E më pas është mbajtur tubimi qendror në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, me që rast fjalën e rastit e mbajti kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i cili mes tjerash tha se dita e flamurit dhe shpalljes së pavarësisë- 28 Nëntori, është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë të rilindjes kombëtare, në gjithë historinë tonë. “Liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash. Sot, ne krenohemi me vlerat dhe kujtesën historike të popullit tonë të lavdishëm. Dhe në këtë mënyrë, sot këtu së bashku po nderojmë Ismail Qemal Bej Vlorën, burrin e madh të kombit shqiptar, nderojmë presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari, dhe përulemi para gjakut të derdhur të dëshmorëve të kombit të cilët dhanë jetën që ne sot të jemi këtu e të festojmë së bashku”, tha Haliti.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …