leoni

Bardhyl Mahmuti: Përballë rrezikut për padrejtësi historike!

Sa më shumë që po afrohet koha kur Kuvendi i Kosovës duhet të marrë qëndrim për propozimin e ndryshimit të Kushtetutës që i hapë rrugë krijimit të një sistemi paralel të drejtësisë (me dhomë të veçante nga gjykata kushtetuese, prokurori speciale, gjykata speciale, burgje speciale…) aq më shumë dëgjojmë nga personalitetet të ndryshme se këto ndryshime “janë përmbushje e obligimit ndërkombëtar “ dhe se gjoja “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Madje edhe më keq se kaq. Në rast të refuzimit që të votojnë këto ndryshime atëherë deputetëve u ngarkohet përgjegjësia e dërgimit të kësaj çështje në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Nuk po përmend emrat e personaliteteve që mbrojnë këto teza sepse qëllimi im nuk është të polemizoj me ata që mendojnë se gjoja “alternativa të shkojmë në Këshillin e Sigurimit është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe qytetarët e saj” por të sqaroj se bartja e kësaj çështje në kompetencat e Këshillit të Sigurimit është e vetmja zgjidhje e drejtë.

I

Raporti i Dick Marty-t bazë për krijimin e «Gjykatës speciale»

Motivet politike dhe ideologjike të Raportit të Dick Marty-t

Kushdo që ka përcjellë zhvillimet e procesit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe luftërave që ndodhën gjatë këtij procesi e di se edhe në Kosovë gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj u vranë civilë. Rreth këtij fakti ka një konsensus të përgjithshëm. Divergjencat fillojnë kur kërkohet të dihet se kush i kreu vrasjet e tyre.

Këtë temë e kam trajtuar gjerësisht në librin «Mashtrimi i madh» dhe në këtë shkrim po kufizohem vetëm në disa aspekte që do të na mundësojë të kuptojmë pse Gjykata e krijuar nga Kuvendi i Kosovës do të ishte padrejtësia më e madhe që mund të bëhet në raste të tilla.

Shkurtimisht po përmend faktin se në funksion të strategjisë së stigmatizimit të aspiratave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar «Libri i bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi», të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, medieve ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.

Versioni i këtij «Libri të bardhë» u ribotua nga regjimi i Milosheviqit në vitin 1999 dhe në vitin 2000, ndërsa në vitin 2001 dhe 2003, i plotësuar dhe i modifikuar në përputhje me ndryshimin e konteksteve politike ndërkombëtare, u publikua nga regjimi i “ri” i Beogradit.

Përderisa në versionin e parë të këtij materiali dominonin “etiketimet” politike dhe ideologjike (separatizmi dhe fondamentalizmi islamik), në versionet e mëvonshme shtohet stigmatizimi i bartësve të aspiratave politike të shqiptarëve të Kosovës si të ishin “grupe kriminale” dhe “mafioze”. E vetmja gjë që mbetet e përhershme në të gjitha publikimet e Beogradit, lidhur me mobilizimet e shqiptarëve të Kosovës, është kualifikimi i shqiptarëve si “terroristë”.

Që të sigurohet mbështetja ndërkombëtare në luftë kundër “terrorizmit shqiptar”, organizatat politike që veprojnë në Kosovë paraqiten si “grupe terroriste që përdorin dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…) Krahas aksioneve terroriste në nivelin lokal ata vendosin lidhje me grupet terroriste islamike që veprojnë në planin global dhe financohen në mënyrë të ngjashme si grupet e tjera terroriste, duke siguruar mjetet financiare me dhunë ose nga trafiqet me drogë.” Sipas po të njëjtës propagandë  “Përveç tregtisë me lëndë narkotike, mafia shqiptare vuri nën kontrollin e saj edhe prostitucionin ndërkombëtar, tregtinë ilegale të armëve, të cigareve dhe të mallrave të tjera me akcizë, të automobilave të vjedhur, trafikimin me njerëz dhe shitjen e organeve njerëzore (…)” (Qeveria e Serbisë, «Libri i Bardhë», f 23

http://www.media.srbija.gov.rs/medsrp/dokumenti/bela_knjiga1.pdf)

Krahas aspekti propagandistik, Shtabi Strategjik i Millosheviqit vendosi që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe në të njëjtën kohë, t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë …( Kurir, «Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!»

http://www.kurir.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359)

Pra, VRASJA E CIVILËVE dhe SHITJA E ORGANEVE NJERËZORE që i visheshin UÇK-së u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb.

Fillimisht, stigmatizimet e tilla patën efekte të vogla në rrafshin ndërkombëtar. Por, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër regjimit të Milosheviqit mobilizoi të gjitha qarqet anti-NATO dhe antiamerikane dhe bëri që propaganda e shpërndarë përmes «librave të bardhë» të shndërrohet në burim kryesor. Vetëm në kontekst të kësaj ndërhyrje mund të kuptohen arsyet e rreshtimit në një front të përbashkët personalitete të orientimeve politike diametralisht të kundërta si  komunistë, socialistë, social-demokratë, të së djathtës (të vjetër e të re), neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, autorë të orientimit të djathtë e të majtë që ishin të verbuar ideologjikisht nga antiamerikanizmi.

Nga të gjitha shpërndarjet e materialeve të lartpërmendura po veçoj faktin se Carla Del Pontes iu dorëzuan mbi 27 mijë faqe të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb “me të dhëna për strukturën e organizimit terrorist të ekstremizmit shqiptar, të dhëna për viktimat, për veprimtarinë e mafies shqiptare në botë… për listën e terroristëve dhe strukturave të organizuara kriminale në Kosovë… për liderët politikë të Kosovës që ishin në të njëjtën kohë edhe udhëheqës të klaneve kriminale… për trafikimin e organeve njerëzore të serbëve të burgosur…” (për referencat shih: «Mashtrimi i madh», f. 413-416 dhe f. 459-460)

Ndërsa, Vladimir Bozhoviqi (funksionar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Drejtorisë për Jurisprudencë në Qendrën Koordinuese të udhëhequr nga Nebojsha Çoviqi) të njëjtat materiale ia dorëzoi edh Clint Williamsonit, Shefit të Departamentit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut.

Pesë vjet pas shpifjeve që shpërndau Shërbimi Sekret Serb përmes të ashtuquajturit «Libër i bardhë» për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” dhe po aq vite pasi Carla Del Ponte, në mungesë të provave, kishte ndërprerë hetimet lidhur me supozimet për një krim të tillë, botimi i librit të saj «Përndjekja: unë dhe kriminelët e luftës» i dha zjarr propagandës që akuzonte UÇK-në për krimet më të përbindshme.

Publikimi i librit të Carla Del Pontes, pikërisht në kohën kur debati rreth ligjshmërisë së aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte në qendër të vëmendjes, u dha pretekst kundërshtarëve të pavarësisë që të drejtojnë gishtin akuzues drejt ish-drejtuesve të UÇK-së, që udhëhiqnin shtetin më të ri në botë. Nga data e publikimit të këtij libri e deri më 22 korrik të vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhej të merrte vendimin lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, stigmatizimi i UÇK-së si “organizatë terroriste dhe kriminele” dhe propaganda për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore” nuk u hoq nga arsenali propagandistik që kishte për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Ky aspekt i problematikës u trajtua hollësisht në librin tim. Tani po kufizohem vetëm në faktin se pas hetimeve disa vjeçare që përfunduan pa gjetur asnjë provë për krimet që i visheshin UÇK-së, Carla Del Ponte mbylli hetimet. Sa i përket kësaj çështjeje ajo deklaron se: “Këto lloj historish të burgosurish të vrarë nga trafikantët e organeve rikthehen mjaft shpesh në zonat e konflikteve, por shumë rrallë ka prova konkrete për t’i argumentuar këto tregime, të cilat përfundojnë si legjenda të thjeshta. (Carla Del Ponte, La traque, les criminels de guerre et moi, f. 471)

Megjithatë, shpallja e pavarësisë së Kosovës riktheu “legjendën për trafikim organesh”.

Pas dështimeve diplomatike për të penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, diplomacia serbe u mobilizua për ta paraqitur këtë shpallje si të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Nga të gjithë intelektualët e profesioneve të ndryshme që kishin për emërues të përbashkët antiamerikanizmin si këndvështrim ideologjik që u rreshtuan përkrah interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare po përmend vetë dy raste:

Tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Carla Del Ponte, e cila e kishte përfunduar mandatin e Prokurores së Përgjithshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe ishte emëruar ambasadore e Zvicrës në Argjentinë që nga 1 janari i vitit 2008, i dha një intervistë ekskluzive Swissinfo-s.

Në këtë intervistë, të publikuar më 11 mars 2008, Carla Del Ponte, në “cilësinë e juristes”, këmbëngul se gjoja “ pavarësia e Kosovës nuk është në përputhje me dispozitat e vendosura nga tradita e të drejtës ndërkombëtare.”

Vetëm një ditë pas publikimit të intervistës së Carla Del Pontes, Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Këshillit të Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dick Marty, në një intervistë ekskluzive me gazetaren Silvia Cattori, të publikuar më 12 mars 2008, u deklarua haptazi kundër pavarësisë së Kosovës dhe e cilësoi si të ishte “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

Krahas përvetësimit të interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty shpreh revoltën e tij për prezantimin e “UÇK-së si një organizatë e virgjër dhe bamirëse” sepse sipas këndvështrimit ideologjik të lartpërmendur “UÇK-ja është organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm…” dhe që u shndërrua në “instrument të amerikanëve për t’u mundësuar atyre krijimin dhe mbajtjen e bazës ushtarake më të madhe në botë”.

Në kontekst të mobilizimit kundër pavarësisë së Kosovës botimi i librit autobiografik të Carla Del Ponte-s, më 11 prill të 2008, zë një vend të rëndësishëm. Nga tërë vepra e saj mediet fokusuan vëmendjen në një element që trajton Carla Del Ponte: supozimet për trafikim të organeve njerëzore që gjoja ishte bërë nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky libër i dha flakë propagandës kundër pavarësimit të Kosovës. Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev-i, dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve.” Projekt-rezoluta ishte nënshkruar nga 17 deputetë (1 serb, 2 rusë, 2 ukrainas, 1 azerbajxhanas, 1 gjeorgjian, 1 polak, 1 hungarez, 1 qipriot, 1 belg, 1 zviceran, 1 britanik, 1 holandez, 1 portugez, 1 suedez dhe 1 finlandez)

Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në projekt-rezolutën e tyre citohet nga libri i saj se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”

Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me «pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës». Gjatë këtij debati, që u zhvillua më 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Marty-t.

Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen për kriminalitetin e dinë se Kosova ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofike (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë…!”

Nuk mund ta di saktësisht se deri në cilën shkallë ndikoi fjalimi i Dick Marty-t, i mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill 2008, por, ajo që konstatohet pas këtij fjalimi është fakti se hetimet lidhur me thëniet për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” iu ngarkuan Dick Marty-t.

Fushata kundër pavarësisë së Kosovës vazhdoi me intensitet të pandalshëm gjatë gjithë kohës kur pritej që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sillte vendim lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pesë muaj pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori vendimin se përmes shpalljes së pavarësisë së Kosovës deputetët e Kuvendit nuk e kishte shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese të Kosovës dhe asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty, më 12 dhjetor 2010, dorëzoi projekt-raportin për «Trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë». Më 16 dhjetor propozimi që prezantoi Dick Marty u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ndërsa më 7 janar 2011 u dorëzua në formën e Rezolutës, të cilën Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi më 25 janar 2011.

 

Për të mos lënë asnjë dyshim lidhur me atë se çka nënkupton me fjalën «Kosovë», Dick Marty që në titullin e projekt-raportit, fjalën «Kosovë» e shënon me yll (*) për ta sqaruar në fund të faqes se “të gjitha referimet që kanë të bëjnë me Kosovën, qoftë territori, qofshin institucionet apo popullata e saj, duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.”

Dick Marty kërkon që të mos paragjykohet statusi i Kosovës! Contradictio in adjecto!

Ai, për të cilin shqiptarët e Kosovës nuk janë popull të cilit i takon e drejta për vetëvendosje, por, “shqipfolës” që kishin shpallur “pavarësinë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare”;

Ai, për të cilin “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara flet në tri vende për integritetin territorial serb dhe thotë se Kosova është krahinë serbe që do të administrohej përkohësisht nga ndërkombëtarët”;

Ai që deklaroi se “shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin Kosovën” nxori në shesh paragjykimet e veta për Kosovën si territor, institucione dhe popullsi nën sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë;

I njëjti Dick Marty, me dinakërinë që e karakterizon, përmes kërkesës për të mos e “paragjykuar statusin e Kosovës”, u përpoq të mbajë gjallë interpretimin serb të rezolutës 1244, sipas të cilës “Kosova është pjesë e Serbisë”! Dhe gjithë kjo fushatë u bë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Besoj që për lexuesin është e qartë se raporti i Dick Marty-t që u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është raport ideologjik me prapavijë politike.

  

 

II

Institucionet që krijohen në bazë të Raportit të Dick Marty-t e gjykojnë

Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

 

Fillimisht po përmend faktin se mekanizmat e lartpërmendur krijohen mbi bazën e këtij raporti ideologjik me prapavijë politike (të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011) që ishte objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale.

Për të kuptuar se sa i paqëndrueshëm është qëndrimi se gjoja gjykata, prokuroria dhe tërë mekanizmat ndëshkues që dëshirojnë të krijohen mbi këtë bazë “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” po sjell disa fakte.

Në përputhje të plotë me orientimin propagandistik të regjimit të Milosheviqit, Dick Marty hedhë poshtë “imazhin që ishte krijuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si një ushtri guerilase që ka luftuar trimërisht për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve të tyre për të jetuar në territorin e Kosovës” dhe deklaroi se ai dhe ekipi i tij “kishin zbuluar se ky imazh është në kundërshtim me realitetin!” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 31)

Nga paragrafi i 29 i raportit politik që mban emrin e Dick Marty-t e deri në paragrafin 92 të tij kemi një sintezë të imazhit të sajuar nga Shërbimi Sekret Serb si imazh “i vërtetë” i UÇK-së!

Për t’u treguar “i kujdesshëm” dhe “jo përgjithësues” ndaj stigmatizimit të UÇK-së, Dick Marty nuk e mohoi se “një numër ushtarësh trima kanë qenë të gatshëm për të shkuar në front dhe për t’i bërë ballë kundërshtarit dhe nëse ishte nevoja edhe të vdisnin për çështjen e atdheut të pavarur të shqiptarëve kosovarë.  Por, luftëtarët e tillë nuk përbënin shumicën e UÇK-së.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 32) Sipas Dick Marty-t dhe bashkëpunëtorëve të tij, shumica, nënkuptohet, janë kriminel dhe se “njësitë kryesore të UÇK-së dhe komandat e zonave të tyre operative përkatëse, ishin pothuajse një kopje e strukturave që kontrollonin disa forma krimi të organizuar në territoret ku vepronte UÇK-ja.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 54). Ata shkojnë edhe më larg se kaq. “Për ta kuptuar se kush i udhëhiqte tregtitë e ndryshme dhe aktivitetet e kontrabandës që lulëzonin në rajon, mjafton ta dimë se kush komandonte në atë zonë të caktuar të Kosovës apo Shqipërisë” pohon Dikc Marty në Raportin e tij, në paragrafin 54.

Kjo logjikë interpretimi ndërtohet në atë mënyrë që gjërat të duken të “qarta” dhe të “kuptueshme”! Në një shoqëri “pa shoqëri civile, ku klanet mafioze kanë imponuar ligjin e heshtjes” ku “komandantët e zonave operative të UÇK-së ishin kopje e strukturave që kontrollonin krimin e organizuar në territoret ku vepronte ajo” ku “pas tërheqjes së forcave serbe komandantët e UÇK-së morën pushtetin politik në duart e veta”, pra “në një shoqëri të tillë klanore ku përveç krimit nuk funksion asgjë” “UÇK-ja kishte imponuar heshtjen qoftë përmes kërcënimeve, qoftë përmes përfitimeve duke u ofruar shuma të konsiderueshme parash, alkooli, droge dhe prostituta.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafët 145-147)

Në këtë raport ai nuk la pa përmendur shumicën e “klaneve mafioze” të ekspozuara në «Librin e bardhë» serb, por pa e cituar burimin e informacioneve. Nga të gjitha “strukturat e UÇK-së që depërtuan në proceset politike dhe ekonomike” në Kosovë, Dick Marty veçoi «Grupin e Drenicës» si më të rrezikshmin në krahasim me “strukturat e tjera mafioze që sundonin” në Kosovë.

Në këtë raport, përmendja e formave të ndryshme të veprimtarive kriminale dhe lidhja e këtyre veprimtarive me udhëheqësit e UÇK-së u bë në funksion të “përgatitjes së terrenit” për të shtruar bazat e krimit më të shëmtuar që mund t’u vishej udhëheqësve të një lufte çlirimtare: “nxjerrja e organeve nga të burgosurit serbë dhe shitja e këtyre organeve në tregun e zi të shteteve perëndimore”!

Në paragrafin 74 të raportit të tij ai akuzon “udhëheqësit e «Grupit të Drenicës» si “përgjegjës për dy seri të krimeve: për udhëheqjen e qendrave të paraburgimit të UÇK-së në territorin shqiptar dhe për përcaktimin e fatit të burgosurve në këto ndërtesa, duke përfshirë zhdukjen e shumë civilëve të rrëmbyer në Kosovë dhe të marrë përtej kufirit, në Shqipëri.”

Dick Marty dhe ekipi i tij këmbëngulin se “gjatë hulumtimit” të tyre ata kishin “zbuluar” se UÇK-ja kishte “aplikuar metodën e nxjerrjes së organeve nga kufomat” dhe se “është aplikuar një metodologji  e besueshme dhe koherente për vrasjen e të gjithë të burgosurve, zakonisht me nga një plumb në kokë, para se të bëheshin operacion për heqjen e njërit apo më shumë organeve.” (Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 162)

Në përputhje me Rezolutën 1782 të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, John Clint Williamson u emërua shef i TASK Forcës Speciale të EULEX-it për të udhëhequr hetimet lidhur me thëniet për tregti me organe njerëzore.

Pas më shumë se gjashtë vite propagande për “trafikimin e organeve”, kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale, Clint Williamson-i, shpalli rezultatet e hetimeve në konferencën e shtypit të mbajtur në Bruksel më 29 korrik 2014.

Gjatë kësaj konference, kryeprokurori Williamson sqaroi se “(…) Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) zhvilloi hetime të hollësishme për pohimet e raportit të Dick Marty-t. Gjatë dy viteve e gjysmë të këtij hetimi u morën në pyetje qindra dëshmitarë nëpër vendet e Evropës dhe gjetiu. U shqyrtuan mijëra faqe dokumentesh të përpiluara nga organizata dhe individë të shumtë që ishin të angazhuar në Kosovë gjatë periudhës ku është përqendruar hetimi ynë, por, edhe pas asaj periudhe (…). Prokurorë, hetues, oficerë ligjorë, analistë dhe specialistë të tjerë nga 18 shtete të BE-së, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar në rrethana tronditëse për të zhvilluar këtë hetim (…) Qeveria e Serbisë ka bërë gjithçka që ka mundur për të na ndihmuar në këtë proces e sidomos kryeprokurori për krimet e luftës, Vladimir Vukčević-i, i cili, së bashku me zyrën e tij, na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë…”

“Përkundër ndihmës së madhe” – vazhdon Kryeprokurori Williamson – “detyra e TFHS-së ishte tepër sfiduese. Ne po shqyrtojmë ngjarjet që ndodhën afërsisht 15 vjet më parë dhe për të cilat ekzistojnë shumë pak, ose aspak, prova materiale. Shumë dëshmitarë, të cilët ne besojmë se kishin informata që mund të kishin lidhje me hetimin tonë, kanë vdekur ose janë aq të drobitur saqë nuk janë në gjendje të japin dëshmi. Po ashtu disa dëshmitarë të mundshëm, të identifikuar nga ana e TFHS-së, nuk janë intervistuar sepse vendndodhjet e tyre aktuale nuk mund të zbuloheshin (…) Sa i përket pjesës së raportit që ka tërhequr shumicën e vëmendjes, për shkak të natyrës së saj sensacionale, e që lidhet me pretendimet e vrasjeve për qëllimet e nxjerrjes dhe të trafikimit të organeve njerëzore, ne kemi ardhur te konkluzioni se, për të ndjekur veprat të tilla penale, duhet një nivel provash që ende nuk e kemi siguruar. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që këto prova nuk do të materializohen dhe sigurisht ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë ato. Kështu, në asnjë mënyrë nuk e kemi hedhur poshtë vërtetësinë e këtyre pretendimeve. Megjithëse unë ende nuk e ndjej se ka bazë mjaft të fortë të provave për të ardhur te përfundimi se mund të ngrihet aktakuza në lidhje me këtë aspekt të lëndës…”

Përkundër ndihmës së madhe që kanë pasur nga të katër anët e botës, ndihmës së prokurorëve, hetuesve, oficerëve ligjorë, analistëve dhe specialistëve nga 18 shtete të BE-së, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës TFHS-ja nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë për vrasje me qëllim të nxjerrjes dhe të trafikimit të organeve njerëzore. E megjithatë kryeprokurori Williamson nuk e hedh poshtë vërtetësinë e këtyre pretendimeve.

Me gjithë vështirësitë për t’i siguruar provat Clint Williamsoni deklaron se “ TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që ishte drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999, të cilët i etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve (…) dhe janë përgjegjës për veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë …”

Qëndrimi i ekspozuar në këtë konferencë nuk dallon në asnjë fjalë nga propaganda që është shpërndarë vazhdimisht nga regjimet e Beogradit për ta stigmatizuar UÇK-në. Të gjithë atyre që dëshirojnë të binden se këtu kemi një përsëritje të fjalëpërfjalshme të «Librit të bardhë» serb u sugjeroj të shohin pjesën e dytë të librit «Mashtrimi i madh».

Sinteza e mësipërme nxjerr në shesh shtyllat kryesore rreth të cilës është artikuluar e tërë strategjia serbe e stigmatizimit të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.

Për çdo lexues të vëmendshëm të Raportit të  Dick Marty-t dhe konferencës së Clint Williamsonit është e qartë se qëndrimet që përmban ky raport dhe ajo që u tha gjatë kësaj konference e paragjykojnë rëndë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo që vlen të theksohet në këtë kontekst ka të bëjë me faktin se akuza për “fushatë persekutimi kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999…vrasjet, rrëmbimet, zhdukjet, burgimet, dhuna seksuale dhe format tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë …” që i vishen UÇK-së nuk mund të jenë punë individësh por sikur të ndodhte realisht një gjë e tillë ajo kërkon mobilizimin e strukturave të tëra të të gjitha niveleve të një ushtrie.

Prandaj, të gjithë ata që pretendojnë se nuk paragjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krijimin e gjykatës, prokurorisë dhe tërë mekanizmat ndëshkues që dëshirojnë të krijohen mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t dhe hetimeve të Clint Williamson-it ose nuk i kanë lexuar raportin dhe deklaratën e shpërndarë në konferencë ose dëshirojnë të manipulojnë qëllimisht.

Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar në emisionin Rubikon të KTV-së të 13 majit 2015 deklaroi se : “Gjykata Speciale do të pastrojë historinë e luftës së UÇK-së nga dyshimet për krime dhe transplantim organesh, pasi këto akuza janë duke qëndruar mbi Kosovë si re të zeza, ose si litar rreth fytit për shumë vjet.” Pa marrë parasysh se kjo deklaratë u bë në funksion të fushatës për të imponuar krijimin e institucioneve të lartpërmendura ajo nxjerr në shesh se kjo gjykatë vë në bankë të akuzës luftën e UÇK-së, historia e të cilës na u dashka të pastrohet!!! Jo vetëm kaq. Samuel Zhbogar e sheh këtë akuzë si litar që i ri rreth fytit qe disa vite Kosovës.

Të jemi të qartë për një çështje: askund në botë nuk krijohen institucione për të dëshmuar pafajësinë e dikujt, “gjykatë për të pastruar historinë e dikujt” e kështu me radhë. Gjykatat krijohen për të dënuar kriminelët që kryejnë vepra penale dhe ndriçimin e asaj që lidhet me veprat e caktuara. Ndodh që gjatë këtij procesi të akuzohen edhe njerëz të pafajshëm, madje edhe të dënohen të pafajshëm. Por, pohimet se po krijohen dhoma të veçante nga gjykata kushtetuese, prokurori speciale, gjykata speciale, burgje speciale… për të dëshmuar pastërtinë e UÇK-së janë të pakuptimta.

Në pjesën e më sipërme theksova se askush nuk e mohon faktin që në Kosovë janë vrarë civilë. Divergjencat fillojnë kur duhet të përcaktohet se kush qëndron prapa këtyre vrasjeve.

Vrasjet e civilëve që kryheshin nga Shërbimi Sekret Serb me qëllim që t’i visheshin UÇK-së u shoqëruan me një propagandë të gjithanshme. Në arsenalin propagandistik për ta paraqitur

UÇK-ja si organizatë terroriste janë listat e përpiluara me emrat e atyre civilëve që pretendohet se i ka vrarë UÇK-ja.

Kundërthëniet e shumta që përmbajnë listat e botuara në vitin 1998, 1999, 2000, 2001 dhe 2003 janë analizuar në librin «Mashtrimi i madh». Po ndalem vetëm në botimin e fundit të regjimit të Millosheviqit.

Në «Librin e bardhë» të Shërbimit Sekret Serb, të botuar dhe të shpërndarë në mars të vitit 2000, domethënë 9 muaj pas përfundimit të luftës, publikohen listat e civilëve të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur që i atribuohen UÇK-së. Edhe në këtë botim, që përfshin periudhën nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999, pra deri në datën që për Serbinë konsiderohet përfundimi i luftës, numri zyrtar i serbëve të vrarë ishte 75 ndërsa i atyre që pretendohej se ishin rrëmbyer apo zhdukur nga UÇK-ja ishte fiks “100 civilë serbë dhe malazez të rrëmbyer dhe të zhdukur.” (Federal Republic of Yugoslavia, Federal Ministry of Foreign Affairs,  Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija, f.960-967).

Kësaj shifre i shtohen edhe emrat e 196 shqiptarëve dhe 15 pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike.

Pra, propaganda e regjimit të Millosheviqit në «Librat e bardhë» ia vesh UÇK-së vrasje e 286 civilëve dhe rrëmbimin e 100 të tjerëve nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999.

Lexuesi i vëmendshëm SKANDALIZOHDET nga propaganda e Carla Del Pontes e cila shpërndan gënjeshtrën edhe më të madhe se regjimi i Millosheviqit! Kjo prokurore e verbuar ideologjikisht shkruan në “librin e vet të zi” se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”

Propaganda e Carla Del Pontes ia tejkalon edhe propagandës së regjimit të Millosheviqit për 200 civil të rrëmbyer. Dhe mbi bazën e kësaj gënjeshtre dhe iniciativës ruso-serbe u ndërtua raporti i Dick Marty-t dhe procesit që pasoi e që ende nuk ka përfunduar.

 

Nuk do të ndalem hollësisht në analizën e asaj se çka përmbajnë listat serbe për krimet që i vishen UÇK-së. Këtë çështje e kam trajtuar hollësisht në librin tim. Po përmend vetëm disa raste që më duken domethënëse:

Në listën përfundimtare të civilëve të rrëmbyer, Shërbimi Sekret Serb i kohës së Milošević-it përmend emrat e 11 personave, të cilëve nuk ka mundur t’ua përcaktojë moshën (!) por për të cilët “e dinë se i kanë rrëmbyer dhe zhdukur terroristët e UÇK-së!”

 

Shërbimi Sekret i një shteti nuk i di të dhënat e shtetasve të vet!

Që të duket sa më tragjik “veprimi i terroristëve shqiptarë”, në listën e personave të “rrëmbyer” përmenden njerëz të moshave të shtyra, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të mbrohen. Në këtë listë përmenden emrat e Miroslav Šmigić-it, 80 vjeçar, Sultana Šmigić-it, 76 vjeçare, Aleksandar Šmigić-it, 75 vjeçar, Jovan Vasić-it 74 vjeçar, Vitko Kostić-it, 70 vjeçar, Stajko Andjelković-it, 69 vjeçar, Darinka Vujošević-i, 69 vjeçare, Dragoljub Voštić-i, 69 vjeçar, Živorad Krstić-i, 68 vjeçar, Radomir Voštić-i, 67 vjeçar e kështu me radhë.

Është interesant se që nga data 1 janar 1998 e deri më 10 qershor 1999, në Librin Amëz të të vdekurve në komunën e Deçanit, të Pejës, të Rahovecit, të Skenderajt dhe të Drenasit, pra në komunat ku intensiteti i luftës ishte më i madh, asnjë serb nuk ishte regjistruar si i vdekur nga vdekje natyrore!

Në strategjinë e vrasjes së civilëve me qëllim që UÇK-ja të paraqitet si organizatë terroristë rasti i vrasjes së gjashtë të rinjve serbë dhe malazezë (Ivan Radević-i, Ivan Obradović-i, Dragan Trifović-i Vukota Gvozdenović-i, Svetislav Ristić-i dhe Zoran Stanojević-i) të vrarë në Kafenenë «Panda» në Pejë është më i njohur dhe më i mediatizuar. Emrat e këtyre gjashtë të rinjve figurojnë në numrat rendorë 36-41 në listën e civilëve të vrarë nga UÇK-ja ((Federal Republic of Yugoslavia, Federal Ministry of Foreign Affairs,  Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija, f. 906).

Në listat e civilëve shqiptarë të cilësuar si bashkëpunëtorë dhe besnik të regjimit serb,  vrasja e të cilëve i vishet UÇK-së, janë futur emrat e njohur të skenës politike dhe intelektuale të Kosovës. Aty janë profesorët Fehmi Agani dhe Latif Berisha, avokati Bajram Kelmendi dhe djem e tij (Kushtrimin 18 vjeçar dhe Kastriotin 31 vjeçar), sindikalisti Agim Hajrizi me nënën (Nazmijen) dhe djalin e tij 13 vjeçar (Ilirin), veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Gafurr Loku… Aty renditen edhe Sebahate Zukaj (17 vjeçare), Vlora Humolli (18 vjeçare), Agon Ajeti (20 vjeç), Xhemajl Smaçi (20 vjeç), Driton Loku (20 vjeç) djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Gafurr Lokut, Adriana Abdullahu (23 vjeçare), aktorja e re e teatrit, dhe shumë të rinj të tjerë që nuk kishin as moshë për ta dëshmuar “besnikërinë e tyre ndaj Republikës së Serbisë”. Krahas një numri të madh të rinjsh në listë nuk mungojnë as njerëzit e moshuar: Ahmet Kokollari, 74 vjeçar, i ekzekutuar në shtëpinë tij, Ismajl Ademi, 83 vjeçar, invalid i paralizuar, që nuk kishte pranuar të largohej nga fshati, dhe gruan e tij, Fatimja, 81 vjeçare që qëndroi pranë burrit të paralizuar, Hasan Ademi, 90 vjeçar, Rrahim Rrahmani, 71 vjeçar, Naxhije Bunjaku, 72 vjeçare, …

Të gjithë të interesuarit për të ditur se kush i vrau këta civilë mund të gjejnë të dhënat e nevojshme dhe referencat bibliografike në librin «Mashtrimi i madh».

Mund ta vazhdoj me listën e përgatitur nga Shërbimi Sekret Serb që u bë në funksion të të stigmatizimit të UÇK-së dhe të arrij te i njëjti konkluzion: PRAPA VRASJEVE TË CIVILËVE SHQIPTARË, SERBË DHE PJESËTARËVE TË PËRKATËSIVE TJERA ETNIKE QËNDRON SHËRBIMI SEKRET SERB.

 

Strategjia e vrasjeve të civilëve serbë, shqiptarë dhe të pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike në funksion të stigmatizimit të UÇK-së si organizatë terroriste u bë publike pas dëshmive të Shefit të Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqit dhe të Komandantit të Njësisë për Operacione Speciale, Milorad Ulemek-Legijas. Ata nxorën në shesh (madje duke ia hedhur njëri-tjetrit përgjegjësinë) se “në funksion të strategjisë së lartpërmendur, më 14 dhjetor 1998 Sigurimi Shtetëror i Serbisë kreu masakrën kundër gjashtë të rinjve serbë në kafenenë «Panda» në Pejë.” (Kurir, «Rade Marković dao nalog da se ubiju srpska deca u Peći 1998», 17.01.2014)

Pra, pas 15 vitesh akuzua ndaj UÇK-së dhe tortura ndaj qindra shqiptarë vetëm e vetëm për të pranuar këtë krim (Shih Kapitullin e Dytë të «Mashtrimi i madh») doli në shesh se ishte kryer nga vet shteti serb. Edhe pse ky fakt është bërë publik para një viti e gjysmë nga kryeministri aktual i Serbisë ende nuk është arrestuar askush nga ekzekutuesit e këtij krimi.

Krahas zbulimit të këtij krimi Radomir Marković-i nxorri në shesh se shteti serb kishte kryer aq shumë krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë sa nëse e bënte publike listën e civilëve të vrarë do të gjunjëzohej Serbia. (Kurir, «Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!», 19.01.2014)

Ndriçimi nga ana e politikanëve dhe bartësve të institucioneve shtetërore të Serbisë se prapa këtyre akteve terroriste të vrasjes së civilëve të pafajshëm qëndronin strukturat e shtetit të Serbisë është një hap i madh drejt ndriçimit të plotë të asaj që ka ndodhur në Kosovë. Pa marrë parasysh se përmes hedhjes së përgjegjësive te njëri-tjetri Milorad Ulemek-Legija dhe Radomir Markoviqit ( të dy të dënuar me nga 40 vjet burg) dëshirojnë të nxjerrin përfitime individuale, duhet të gjendet mënyra se si të sillen para drejtësisë edhe ekzekutuesit e këtij krimi dhe krimeve tjera të kësaj natyre.

Fatkeqësisht procesi i ndriçimit të krimeve që kishte kryer shteti serb në Kosovë u stopua pas konkluzioneve të John Clint Williamson-it për krijimin e një Gjykate Speciale për t’i gjykuar krimet e UÇK-së.

Nuk ka hipokrizi më të madhe se sa heshtja ndërkombëtare në rastin kur shefi i Shërbimit Sekret Serb deklaron se janë vrarë me urdhër të këtij shërbimi 6 serbë dhe malazezë që figuronin në listën e civilëve të vrarë nga UÇK-ja dhe kërcënon se po zbuloi tërësinë e listës së krimeve që shteti serb ka kryer kundër civilëve në Kosovë do të gjunjëzohet Serbia. Shtetet e demokracive perëndimore është dashur urgjentisht ta mbledhin Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të gjejnë modalitetet juridike për transferimin e Radomir Markoviqit dhe Milorad Ulemek-Legijan në ndonjë vend të sigurt ku do t’u krijonin kushtet e nevojshme për ndriçimin e të gjitha krimeve.

Por, jo! Në vend të ndërhyrjes energjike në këtë drejtim ata i kanë futur veshët në lesh dhe insistojnë që të krijohet dhomë e veçante nga gjykata kushtetuese, prokurori speciale, gjykata speciale, burgje speciale … për ta “pastruar historinë e luftës së UÇK-së nga dyshimet për krime dhe transplantim organesh, pasi këto akuza janë duke qëndruar mbi Kosovë si re të zeza, ose si litar rreth fytit për shumë vjet.”

Fakti se asnjëri nga këto institucione ndëshkuese që propozohet të krijohen në Kosovë nuk ka kompetenca të merr në pyetje Radomir Markoviqin dhe Milorad Ulemek-Legijan nxjerr në shesh se përmes këtij veprimi pengohet ngadhënjimi i drejtësisë.

Askush në Kosovë dhe në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor nuk ka nevojë për të dëshmuar pafajësinë e dikujt. Familjarët e viktimave të këtyre krimeve të shëmtuar presin ndriçimin e plotë të asaj se kush i kreu krimet dhe kërkojnë dënimin e përgjegjësve.

Gjykata Speciale në Kosovë është padrejtësia më e madhe që mund të bëhet kundër atyre që presin ndriçimin e krimeve dhe dënimin e kriminelëve. Është padrejtësi e dyfishtë sepse nga njëra anë kjo pamundëson marrjen në përgjegjësi të kriminelëve të vërtetë dhe nga ana tjetër përgatitet maltretimi dhe ushtrimi i dhunës ndaj atyre që dihet se janë të pafajshëm por dikush paska nevojë që “të dëshmohet pafajësia e tyre”.

Po e përsëris: Shefi i Shërbimit Sekret Serb deklaron se nëse publikohet lista e civilëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë të vrarë nga shteti serb do të gjunjëzohet Serbia ndërsa drejtësia ndërkombëtare nuk bën asgjë për t’i siguruar dëshmitë e tij. Ky fakt është dashur t’i alarmojë të gjithë ata që janë të interesuar për ngadhënjimin e drejtësisë sepse ndriçimi i të gjitha krimeve dhe ngadhënjimi i drejtësisë janë njëri nga kushtet e domosdoshme për mbylljen e një kapitulli të përgjakshëm të kësaj pjese të Ballkanit. Të gjithë ata që janë të interesuar për mbylljen e këtyre plagëve të rënda duhet urgjentisht të gjejnë modalitetet se si ta sigurojnë dëshminë e Radomir Markoviqit, ta sigurojnë këtë dëshmi shumë të rëndësishme para se shteti serb t’i gjej modalitetet e fshehjes së gjurmëve përmes ndonjë sëmundje e “papritur”.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të gjejë formën se si të vihet drejtësia në vend. Vazhdimi i mandatit të Gjykatës për ish-Jugosllavinë apo krijojë i një gjykate tjetër  është më se e domosdoshme sepse vetëm institucionet e tilla të drejtësisë do të kishin kompetencë për të marrë në pyetje Radomir Markoviqin, Milorad Ulemek-Legijan, Lubisha Dikoviqin, Bozhidar Deliqin, Goran Radosavljeviq Gurin, Slavko Nikiqin dhe kriminelë të tjerë që dinë për krimet në Kosovë dhe që kanë qenë pjesëmarrës në këto krime.

Në të kundërtën, duke krijuar Gjykatë Speciale të konstruktuar mbi supozimet e listave të shpërndara nga Shërbimi Sekret Serb i regjimit të Millosheviqit dhe pasardhësve të tij është krimi më i rëndë që mund t’i bëhet procesit të ndriçimit të plotë të vrasjes së civilëve në Kosovë.

Nëse Kosova nuk është në gjendje të imponojë krijimin e institucioneve të mirëfillta ndërkombëtare që do të dënonin krimin ajo nuk mund të bëhet pjesë e fshehjes së krimit.

Akuzat e raportit ideologjik dhe me prapavijë politike kundër UÇK-së duhet të hidhen poshtë me argumente shkencore. Libri «Mashtrimi i madh» është njëri nga punimet shkencore për të hedhur dritë rreth kësaj çështjeje. Krijimi i një gjykate speciale mbi bazën e akuzave  ideologjik dhe me prapavijë politike nuk i ndihmon drejtësisë. Por, insistimi që të krijohen këto institucione ndëshkuese kundër udhëheqësve të UÇK-së pas zbulimit nga shefi i Shërbimit Sekret Serb se kush qëndron realisht prapa listës së civilëve të vrarë është KRIM I DYFISHTË të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet ta bëjnë.

 

Bardhyl Mahmuti

14 maj 2015

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …