Përurohet stadiumi i parë ndihmës në Skenderaj

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kanë bërë përurimin e stadiumit ndihmës në Skenderaj. Ky është stadiumi i parë ndihmës që u ndërtua në kuadër të 12 stadiumeve ndihmëse që do të ndërtohen në Republikën e Kosovës për klubet që janë pjesë e Superligës së Kosovës në futboll. Ministri Gashi pasi uroi të gjithë për inaugurimin e këtij stadiumi tha se “këto stadiume financohen nga MKRS-sa dhe FFK-ja me qëllim të ngritjes së infrastrukturës sportive por edhe me qëllim të krijimit të hapësirave të përshtatshme për klubet e futbollit të Republikës së Kosovës”. Po ashtu ministri Gashi theksoi se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes Ministrisë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës ka bërë që UEFA ta ndihmojë pjesërisht financimin e këtyre 12 stadiumeve ndihmëse në komunat e Republikës së Kosovës. Gjithashtu ministri theksoi se këto stadiume ndihmëse janë stadiume me standarde të larta. “Sot është stadiumi i parë që po e inaugurojmë në mënyrë që 12 klubeve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Superligës t’iu krijojmë kushtet dhe mundësitë që secila ta ketë stadiumin e saj. Është një fat i mirë dhe një mundësi e jashtëzakonshme e një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm që kemi edhe me Federatën edhe me UEFA-n”. Ministri po ashtu e konfirmoi se 12 stadiumet për 12 klubet e Superligës do të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u shpreh i kënaqur me ndërtimin e këtij stadiumi. Ai përgëzoi ministrin Gashi për punën e bërë dhe tha: “Falënderojmë federatën dhe Ministrinë për këtë investim të jashtëzakonshëm. Po bëhet një punë shumë e mirë, vet fakti që është një nga 12 stadiumet ndihmëse që do të ndërtohen në Republikën e tregon përkushtimin tonë për sportin, për futbollin”. Ndërkaq kryetari i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Federatën dhe sportistët. Ai tha se “është një rast shumë me rëndësi për neve që po fillojmë t’i përurojmë terrenet që i kemi bërë bashkërisht me Ministrinë dhe me Komunat. I plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e standardeve dhe niveleve të Evropës dhe është hera e parë që një teren i tillë qitet në Ballkan. Besoj që nuk do të ketë më probleme për futbollistët sepse është thuajse sikur të jetë një teren natyral”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …