Rexhep Kasumaj:E drejta që fitohet

Janë të shumta e, natyrisht, të ndryshme, qasjet e zjarrta a më pak të tilla, për Maqedoninë paskumanovare. Por pothuaj të gjitha, dhe ato më atdhetaresket, vujanë një defekt të keq: pranojnë njëjtësimin e falsuar sllav me hapsirën e të quajturës Maqedoni dhe, njëkohësisht, statusin e robit për shqiptarët! Thuhet përmbledhësisht se “maqedonësit duhet ti trajtojnë më mirë shqiptarët”! Që këtej, qarkullohen dy fillesa krejt të huqura: së pari, maqedonësia përskajim etnik, por një nocion gjeografik e shenjëzim shtetëror. Maqedonës në kuptimin e këtijlloj identiteti, janë, ndaj, të gjithë: edhe shqiptarë, edhe sllavë, mandej turqë e të tjerë. E ajo, sajesa e Titos, fytyrë tjetër nuk mund të ketë. As sot, e as kurrë! Dhe së dyti, shqiptarëve iu rezervohet, ashtu, pozicioni minoritar, e pra i mëposhtëm: si prani e si qytetërim! Nga ky rangim tabelar ata, rrjedhimisht, do të gëzojnë korpusin e të drejtave të rudhura që i përkasin rendit të dytë: qoftë si ardhacakë, qoftë si indigjenë inferiorë. Të drejtat me kursim e dorështrëngesë, jepen, por dhe mund të abrogohen prapë, në një kohë tjetër. Po, fundja, përse shqiptarët, që banojnë këtë tokë qysh kur zotërat jetonin mes njerëzish, të përgjërohen për “trajtim më të mëshirshëm”? Ata duhet të vetëtrajtohen. E drejta nuk lutet. Nuk falet. Ajo fitohet: me të drejtën e qiellit, truallit e gjakut.

Ali Ahmeti dhe përsëritja e fatit të keq

Pas një heshtjeje të gjatë (sa e gjatë për gjakun e dhimbjen!), Ali Ahmeti iu drejtua përmes Televizionit vernil shqiptar të Shkupit, bashkëkombësve të persekutuar. Pa holluar e tjerrë mendimet e tij të trasha, i referohemi shkurtas ca pikëpamjeve që flasin metaforikisht për meskinërinë e klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë. „Doja të shpëtoja jetë, por ata nuk më dëgjuan“, ishte teza e parë e florinjtë. Që në nisje do të shpaloste ai diskursin me pretendim këndellës e shfajsues: ruajtje e piramidës ku vegjeton politikisht dhe gllabëron pasurisht! E pra, po të qenkësh kështu aherë pse ky vetë ( nëse njëmend ka bërë farë lufte) nuk dëgjonte të tjerët që i thoshin po këtë gjë: nuk kishte të drejtë të rrezikonte jetët e pafaj. Këtë refren përsëriste dhe Maliqi për Ushtarët e Kosovës, në mbyllje të mijëvjeçarit. ” Nuk kanë parasysh jetët reale të njerëzve”, ankohej përhumbshëm, thuase jeta e tyre që jepej pikërisht për ata të cilëve ai u qante hallin, nuk ishte reale. Por vendlindja e shtetit është lufta dhe ky është alfabeti i pandryshueshëm i lirisë. Dhe, ndaj, kumanovarët, nuk e kishin dëgjuar atë dhe tani, për habi, ndjehej i lehtësuar. Ndërgjegja nuk do ta ndiqte pas…

„Kam vënë kontakt për të ndihmuar“, pohon ai pastaj për tu shpjeguar pas pritmërisë së turmës injorante që mvesh udhëheqësin me velin e idhujtarisë. Veçse çështjë është: në çfarë cilësie vallë? Ishte ndërmjetës anësor shërbimesh të mira, dinjitar faltoresh a pleqnar kullash? Oh, sa e çuditshme dhe, njëherësh, e përgaztë kjo fjalë e figurantit të glorifikuar! Ndonëse pjesë e pushtetit, ai nuk mund të flasë a veprojë asnjëherë në emër të institucioneve të tij. Por, disi, nga jashtë dhe pa fuqinë e autoritetit shtetëror: as për të prerë shkaqet e kryengritjes, e as për të ndaluar ndërhyrjen e gjakosur – jo kundër luftëtarëve se ata ishin ballas, por kundër popullit të pambrojtur!

Në turrin e lodhshëm të marrëzive, Ahmet-ziu hedh dhe këtë rrufe: kishte, ky i miri, i pafajshmi, maqedonomadhi, merakun e qëndrueshmërisë së vendit të tij, të cilin e do të integruar në ngutshëm në Aleancën atllantike dhe, më pas, në Bashkimin e largët europian. Po si kështu? Cilën Maqedoni? Këtë të tillë siç është? Që segregon egërsisht kombin e atjeshëm autokton dhe, etnikisht, vital shqiptar? Kujt i duhet aderimi i Maqedonisë në botën e lirë, pos armiqëve të shqiptarëve! Ajo duhet më parë të rikoncipohet federalisht ose të shuhet fare. Zona e hirtë ballkanëse, brutale me sistemet dhe fluide me kufijtë, nuk mund ta shohë atë dritë…

A s’është, rrjedhimisht, vetë pozicioni i tij politik si një dekor festivalor pa asnjë potencë vendimmarrëse, një “argumentum a contrario”, pra një argument që rrëzon vetëveten? Ja pra, për këtë ishte vrarë djemëria në Kumanovë: që dhe hierarku politik shqiptar të kishte zë. Të mos ishte qyq i shurdhër. Sherbëtor në Atdhe.

„Më kërkuan që tu ndihmoja për të dalë rrethimit“, krekoset ai tutje në rrëfimin e shpërfillshëm nga ambientet e qeta e komode të tij! Përveç palë me vrasësit dhe pjesë e autorsisë së krimit, ai, nga zilia e, natyrisht, më shumë akoma nga trëmbja mneruese për imazhin a privilegjet sulltanore, përpiqet ti poshtërojë ata. Dhe, ndaj, hedh gurë e drurë për ti paraqitur në një pamje të errtë: pa ide e ndjesi flijimi, të mashtruar e pendestarë! Shpirt më të lig e mëndje më të çoroditur, nuk kam parë as në në imagjinatön e bujshme negative sllave dhe, madje, as në lektyrat shkollore me prralla të frikshme…Mirëpo jo: ky, në fakt, është Minotauri i vockël, që ia ka dalë të ulet edipërisht mbi fatet e nëpërkëmbura të popullit të vet!..

Ndiqni tani përskajimin e tij të idiotshëm: në Maqedoni paskëshin ndodhur tevona „shumë gjëra interesante“! Domethënë: aspak të rënda, aspak prerëse, aspak tronditëse, aspak të përgjakshme, aspak tragjike! Por vetëm – interesante! Nëse, pra, ato na qenkëshin kaq të denja veç për soditje kotnare – aherë ai i bën, kësodore, figurës së vet një autoportret të rrallë: portretin e prijësit politik që është i pashkollë, i padije, i painteligjencë elementare, i paetikë e moral, i paedukatë qytetarie, i pakulturë kombëtare, i paidentitet, i paskrupullt e heroikisht mizor!..

Mandej, diku në mbyllje nënvizon ai përbuzshëm: „Nuk e di se ç’duan ata“! A nuk thoshte po kështu dhe Xhaferi për të në fillimvitet 2000, se rebelimi i armatosur ishte një  „kalkulim i gabuar i interesave nacionale“ nga Uçk-ja e atëbotshme?! Por, kushedi, ndoshta, kësaj here, ka të drejtë. Këta luftëtarët e Kumanovës, me gjasë, nuk e kanë të stërholluar instinktin përfitues të tij. Ishte, pra, Arbeni, e jo ky, që kishte gabuar. Rivali i ndërkryer i tij paskësh ditur mirë dhe mori gjithë ç’donte: pushtet pa fuqi, autoritet pa moral dhe pasuri pa fund!

Ah, ironi kohe! Po a nuk është, prandaj, ky vetë  – statusi i tij periferik në politikat shtetërore dhe profili i tij si personifikim i kastës politike shqiptare, bashkështypëse dhe e pabesë, – pra ky dhe askush e asgjë tjetër, prova e mjaftueshme, kauza legjitime e justifikimi absolut pse derdhet sërish e vazhdimisht gjak në këtë krah të.trojeve shqiptare?!

Dhe do të derdhet ende për lirinë dhe lavdinë e tyre!

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …