Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, të cilin e ka uruar për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të plotë institucional në funksion të përmbushjes së detyrave dhe misionit të tij në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Në këtë takim, Veseli dhe komandanti i ri i KFOR-it kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet forcave të NATO-s në Kosovë dhe institucioneve kosovare. Komandanti i ri i KFOR-it, D’Addario, e ka njoftuar Kryeparlamentarin Veseli për gjendjen e sigurisë në Kosovë e cila është e qetë dhe stabile, ndërsa theksoi se KFOR-i ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë. Veseli dhe D’Addario, po ashtu kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe për të arriturat e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat. Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmerrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ai tha me këtë rast se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …