…”Nuk mund të pajtohemi me padrejtësitë që i bëhen kësaj pjese të kombit tonë, më zi se në çdo regjim totalitar! S’e lëmë dot Shqipërinë Etnike të pabërë! Luftëtari gjithnjë mbetet luftëtar! Unë nuk kam lindur të plakem, por kam lindur të kryej misionin ndaj atdheut! Shqiponjat mbeten shqiponja e tjetër nuk bëhen!
Jo, s’e japim frymën e fundit pa i bashku trojet shqiptare! Kumanova është gjaku im! Kumanova është gjaku i shokëve të mi! Kumanova është gjaku i popullit tim, që nuk falet! Beg Rizaj
Heronjtë e Betejës së Kumanovës:
BEG (MIFTAR) RIZAJ, XHAFER (HYSEN) ZYMBERI, MIRSAD (OSMAN) NDRECAJ, VALON (SELIM) KABASHI, SAMID (BAJRAM) KASTRIOTI, TURGAJ (MEHMET) GASHI, HYSEN (LATIF) RUSHITI, FATLUM (KADRI) VISHESELLA, ARBEN (QERIM) REXHAJ dhe NUSRET ELMAZ KALOSHI, janë heronjtë e kombit që e përmbyllin epokën e ndarjeve dhe e fillojnë një epokë të re, epokën e bashkimit të kombit shqiptar!
Dy javë më parë, më 9 e 10 maj, nga Lagjja e Trimave në Kumanovë, jehonën e armëve tuaja e dëgjoi mbarë bota. BEG, XHAFË, MIRSAD, VALON, SAMID, TURGAJ, HYSEN, FATLUM, ARBEN, NUSRET – Heroizmi juaj nuk është legjendë, por është realitet. Dhe këtë të gjithë ne po e shohim, të gjithë ne po e prekim. Mbi 30 orë luftuat e qëndruat, luftuat e kënduat, e bëtë vdekjen si me le! 40 vetë u përballët me tërë fuqinë e një shteti të tërë. 10 ratë dëshmorë, por me mijëra u ngritën! E shihni si mbarë kombi shqiptar bashkëndjen me ju dhembjen, bashkëndjen me ju sakrificën dhe krenarinë. Jo, gjaku nuk bëhet ujë!
Kush ka thënë se Deçani sot ka mort! Jo, jo more jo! Sot nuk ka mort Kosova, sot nuk ka mort Kumanova, sot nuk ka mort kombi shqiptar. Jo! Sot ka dasmën e madhe të njërit prej dhjetë krushqve të parë të lirisë, të lajmëtarëve të Shqipërisë, as të Vogël as të Madhe, por të Shqipërisë së bashkuar, të Shqipërisë Etnike.
Jam Begu. Po, unë jam Begu i Rizajve të Prokollukut. Jam djalë Vokshi. Jam djalë Dukagjini. Jam djalë Kosove. Jam djalë Shqipërie. Të parët e mi asnjëherë nuk janë pajtuar me copëtimin e atdheut, asnjëherë nuk janë pajtuar me ndarjen e kombit. Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishin në çdo ngjarje të madhe kur bëhej fjalë për fatet e kombit, madje edhe në luftërat për mbrojtjen e Pazarit të Ri, të Plavës e të Gucisë…
Unë jam sugari i nënë Zojës e i babë Miftarit, nga shtatë fëmijët e tyre. Veç katër vjeç isha, kur mbeta pa babë, në Shkup e dha frymën e fundit. E nëna, e mira nënë, ishte me mua deri para shtatë-tetë vjetësh.
Jam 37 vjeç. Asnjëherë nuk kam folur për veten, por shumë më shumë se vite kam beteja të fituara në shërbim të atdheut. Nuk jam nga ata që luftojnë për grada e nishane, nuk jam nga ata që lavdërohen për të bëmat e tyre. Nuk jam nga ata që heshtin e pajtohen me robëri e padrejtësi, nuk jam nga ata që shantazhohen, nuk jam nga ata që u ikin përgjegjësive, nuk jam nga ata që i shkelin betimet, nuk jam nga ata që i shkelin premtimet, nuk jam nga ata që heqin dorë prej idealeve të lirisë e të bashkimit të kombit, nuk jam nga ata që nuk flijohen për njerëzit e vet, nuk jam nga ata që nuk flijohen për kombin e vet kur thërret kushtrimi, kur thërret zëri i atdheut.
Në ’97-tën ende s’i kisha mbushur të njëzetat e jetës sime. Në Gjermani isha. Isha bashkë me vëllezërit e mi. Të gjitha kushtet i kisha, por s’më mjaftonte. Shpirti im s’gjente qetësi. S’mund të rrija duarkryq kur lajmëtarët e lirisë me gjakun e tyre po e shkruanin historinë e lavdishme në Kosovën time. Ndaj, pas 28 Nëntorit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli haptazi në varrimin e mësuesit në Llaushë, u nisa drejt Kosovës, u nisa drejt luftës në udhëtimin e gjatë. Po. Jam i pari i të parëve të fshatit tim të lindjes që u mobilizova në radhët e UÇK-së, menjëherë pas Betejës së 24 Marsit të vitit 1998 në Gllogjan. Pas asaj beteje ku iu tregua pushtuesve serbë se dimë të jetojmë, se dimë të vdesim, se dimë të luftojmë e të fitojmë mbi ju, pavarësisht epërsisë që keni në njerëz e në teknikë lufte.
Heu, sa e sa herë e kam kapërcyer këmbë kufirin e dhunshëm ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, duke kaluar nëpër terrene të minuara e të kontrolluara nga armiku, i kam shkelur pëllëmbë për pëllëmbë bjeshkët tona, jo Bjeshkët e Nemuna, por Bjeshkët e Bekuara, Alpet Shqiptare, duke u sjellë armë e barot shokëve, që e barta me krahët e mi.
Po. Unë isha një nga djemtë e Njësisë Speciale për Intervenime të Shpejta të Zonës Operative të Dukagjinit, “Shqiponjat e Zeza”. Isha kudo në vijat e para të frontit, sa në Baballoç, sa në Rastavicë, sa në Prejlep, sa në Junik, sa në Gllogjan, po ku nuk isha? Isha me Blerim Lokajn e Armend Kuklecin në Drenoc, isha me Altinin e Haskajve në Voksh, kur të tre ranë dëshmorë. Isha edhe me vëllanë e shpirtit Fadil Malokun, kur ra për të mos vdekur kurrë në Betejën e Koshares. Aq shumë i doja shokët, sa asnjëherë nuk kam menduar për vete. Isha në beteja edhe me kryetrimin Shkëlzenin e Haradinajve, që u bë mburojë e popullsisë civile, që dëshmoi se për të gjallë nuk i lë shokët të bien në duart e armikut. Isha edhe me Sali Çekun e Agim Ramadanin në Koshare. Isha, po në cilën betejë nuk isha? Bile në fundmajin e ’99-tës, atje në Koshare, kufirin që na e vunë të tjerët e që e shembëm me luftë e lava edhe me gjakun tim. Po, edhe sot në kokë i kam predhat e atyre plumbave, i mbaj me vete ngado që shkoj.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, një kohë isha në Gardën Kombëtare të TMK-së, që mbante emrin e heroit Adem Jashari. E më pas iu bashkova radhëve të UÇPMB-së dhe u nisa drejt Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, për të luftuar për lirinë time, për lirinë e vëllezërve të mi, se luftëtari gjithnjë mbetet luftëtar. Unë asnjëherë s’jam pajtuar me ndarjen, asnjëherë s’e kam shkelur betimin e bërë për atdhe.
Në 2001-tën isha ndër të parët kosovarë që shkova në Iliridën time, në Iliridën tonë, për të luftuar për lirinë e vëllezërve të mi, për lirinë e kësaj pjese të pandarë të popullit tim. Isha ndër dy-tre të parët që e themeluam Shtabin e UÇK-së në Tanushë që përfshinte rajonin e Karadakut të Kumanovës. Aty që nga 24 shkurti i vitit 2001 e themelova dhe e ngrita edhe Njësinë Speciale “Skënderbeu” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e për sukseset e saj në luftë s’kam çfarë t’u them, keni dëgjuar të gjithë. Bashkë me Malën, Samiun, Fadilin, Mirsadin… i themeluam njësitet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në gjithë Zonën e Karadakut të Kumanovës. Isha në betejën e Tanushës, ku ra dëshmor kushëriri im Shpend Mazrekaj, isha në betejën e Malinës, në atë të Brezës, të Gushincës, të Likovës, të Vaksincës ku ra dëshmor Fadil Nimani, isha në Orizare, po në Orizaren e Ismet Jasharit, isha në Sllupçan, në Hotël e në vet qytetin e Kumanovës, isha edhe në Shkup. Po more po, kam luftuar e i kam rënë skaj më skaj kësaj krahine të Shqipërisë. Si askush tjetër ia njoh vuajtjet, ia njoh dhimbjet, e njoh çdo pëllëmbë të saj…
Heu vëlla Ramiz, që u rrita në duart e tua me aq dashuri e përkushtim, të pata edhe vëlla edhe prind! Heu kombi im! Besoni se nuk është aspak e lehtë udha e lirisë! Jeta është e shtrenjtë, po mbi të gjitha liria është e paçmueshme! Nuk është e lehtë të lësh familjen, të lësh nusen e re me pesë fëmijë, siç bëra unë, siç bënë shokët e mi të armëve, siç bënë shtegtarët e lirisë, por më besoni e më kuptoni se s’mund të hiqja dorë nga betimi.
Nuk mund të pajtohemi me padrejtësitë që i bëhen kësaj pjese të kombit tonë, më zi se në çdo regjim totalitar! S’e lëmë dot Shqipërinë Etnike të pabërë! Luftëtari gjithnjë mbetet luftëtar! Unë nuk kam lindur të plakem, por kam lindur të kryej misionin ndaj atdheut! Shqiponjat mbeten shqiponja e tjetër nuk bëhen!
Jo, s’e japim frymën e fundit pa i bashku trojet shqiptare! Kumanova është gjaku im! Kumanova është gjaku i shokëve të mi! Kumanova është gjaku i popullit tim, që nuk falet!
Deçan, 24 maj 2015