MINISTRI BYTYQI PRITI AMBASADOREN E IZRAELIT NË BEOGRAD

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, me të cilën ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës mes dy vendeve. Ministri Bytyqi ka falënderuar Ambasadoren për bashkëpunimin e deritanishëm të Izraelit me Kosovën, por ka theksuar nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi dhe në këtë drejtim ka përmendur historinë e mirë që ka populli ynë me popullin hebre gjatë holokaustit dhe në vazhdimësi. Ministri theksoi se në arsimin e Kosovës tashmë kanë filluar reforma dhe si fusha ku ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtarë përmendi zhvillimin në fëmijërinë e hershme, arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, mobilitetin e studentëve dhe mësimdhënësve, por edhe bashkëpunimin në shkencë, ku Izraeli ka shumë të arritura. Ministri Bytyqi tha se edhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes universiteteve izraelite dhe atyre në Kosovë do të ishte i një rëndësie të veçantë për arsimin e lartë, pasi që Izraeli është një prej vendeve që kanë praktika të mira në arsim të lartë dhe shkencë. Ndërsa, ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm theksoi se është e rëndësishme që të identifikohen fushat e bashkëpunimit, ndërsa përmendi disa mundësi që ofron shteti i saj dhe që janë më të lehta për t’u realizuar. Ambasadorja Alona Fisher-Kamm theksoi se Izraeli është i hapur për bashkëpunim institucional, por edhe me OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Në fund të këtij takimi, ministri Bytyqi me Ambasadoren u dakorduan që të vendosen pikat kontaktuese në mënyrë që të fillohet sa më parë bashkëpunimi për projekte konkrete. Më pas, ministri Bytyqi dhe ambasadorja Alona Fisher-Kamm kanë bërë homazhe te varrezat e hebrejve në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …