Fatmir Humolli: Pse kuvendi i Kosovës nuk duhet ta votojë Gjykatën Speciale

Politika primitive antishqiptare në Evropë nuk është e sotme.

Urrejtja primitive kundër hebrenjve ka qenë për arsye se populli hebre ka besuar në një zot kur të gjithë të tjerët besonin ndryshe.

Urrejtja kundër Shqiptarëve është po ashtu e njëjtë, se Ilirët janë të parët në Evropë që e kanë përhap besimin në një zot dhe kanë dhënë dëshmorët e parë në Evropë, kur të gjithë të tjerët besonin ndryshe nga ajo e sotme.              

Kjo urrejtje primitive është bartë nga koha primitive e tyre. Kjo politikë e urrejtjes ka ndërtuar shtetin Serb dhe Grek duke bërë gjenocid mbi Shqiptarët,  këtë e kanë bërë në bashkëpunim me Perandorinë Otomane e cila  ka urryer Shqiptarët për arsye se e kanë penguar shkatërrimin e kulturës evropiane që është ndërtuar nga Ilirët e tutje. Për këtë arsye ajo nuk e ka lënë popullin Shqiptar që të zhvillohet dhe arsimohet, kurse popujve sllav ju ka dhënë hapësirë të zhvillimit dhe shkollimit në gjuhën e tyre.

Evropa nuk ndihmoi Skenderbeun, nuk e ndihmoi Ali Pashë Tepelenën, nuk i ndihmoi Bushatlinjtë kundër Otomanve. Politikat primitive në Evropë dhe Azi janë bërë bashkë kundër kombit tonë dhe janë përgjegjëse për krimet kundër Shqiptarëve ndër shekuj, e sidomos shekujt XIX e XX. Kjo politikë primitive i ka dhënë Malit të Zi Tivarin, Ulqinin, Plavën dhe Gucinë përmes presionit të flotës Anglo-Franceze në njërën anë dhe ushtrisë Otomane në anën tjetër në vitet  1878-1881.

Pas luftës së parë Botërore, Evropa bëri kufijtë në dëm të shqiptarëve.

Ndërsa, pas luftës së dytë Botërore i forcoi themelet e krimit kundër shqiptarëve, këtë mund ta dëshmojnë historianët tanë të cilët e dinë se çfarë krimi është bërë kundër shqiptarëve 1876-78, 1912-21, 1944-60, krime në përmasa gjenocidiale, Evropa prapë ka heshtë! Politika primitive në Evropë dhe Botë është në luftë të vazhdueshme me politikën përparimtare, dhe kanë përdorë mjete të ndryshme në këtë luftë. Në shumicën e shteteve Evropiane ka fituar politika përparimtare. Janë demokrat brenda shteteve të veta, por jashtë !? (Mendo Francën brenda Francës dhe atë jashtë. Brenda ka politikë përparimtare, jashtë primitive)

Për fat populli ynë ka qenë gjithnjë përkrah forcave përparimtare në Botë nga antika e gjerë më sot, edhe kur ka pasur pasoja për vete, por janë bërë gabime dhe janë përdorur mjete joadekuate në kohë e hapësirë !!!???

Serbia dhe Greqia kanë dashur ta shkatërrojnë popullin tonë për atë se kanë pas përkrahjen e Politikës primitive të Evropës.

Ne si Shqiptar  kemi arritur të mbijetojmë përmes luftës së vazhdueshme por edhe ndihmës së politikës përparimtare të popujve Evropian .

 

Organizata revolucionare e Adem Demaçit e vitit 1964 dhe demonstratat e 68-ës e detyruan  Serbinë ta bëjë kushtetutën e 74-tës, e jo klasa politike në pushtet. 74-a është bërë me qëllim të amortizimit të politikës përparimtare shqiptare. Pastaj vjen 81-shi i cili ka luajtur themelet e shtetit fallc-përparimtarë të  Jugosllavisë e jo klasa politike në pushtet. 89-shi i preu rrënjët e pushtetit Serb në Kosovë  dhe e ndërgjegjësoi tërë popullin kundër pushtuesit. Ky angazhim shqiptar e ndihmoi politikën primitive në Evropën lindore që të humbë dhe tu hiqet  maska pushtetit pseudo- demokratik jugosllavë.

Politika shqiptare ka mbetur prapa në luftën kundër pushtuesit për shkak se nuk e ka gjetur  mjetin e duhur dhe është ndikuar nga pushteti primitiv evropian. Kështu politika qe nuk ka pas besim në vetvete është lejuar të funksionoj nga Serbia, dhe e  trimëruar nga jashtë, kurse politika qe  i ka besuar vetvetës dhe popullit tonë ka qenë e pafuqishme përballë naivitetit politik në Kosovë dhe mentaliteti të robit,  i mbjellë nga pushtuesit dhe aleatët e tyre ndër vite. Një e mirë e shqiptarëve ishte se e gjithë lufta politike bëhej ne lidhje me mjetin dhe mënyrën se si duhet luftuar Serbia, dhe nuk ishte në pyetje se a duhet të rreshtohemi me ta, apo kundër tyre. Për këtë, mund të themi se është rast unik në Botë.

Evropa e ka njohur dhe e njeh popullin shqiptar fort mirë. Ne  kemi mësuar historinë tonë nga arkivat e Romës, Vjenës, Parisit e vendeve tjera Evropiane, kurse politikanët tanë mundoheshin me i tregu Evropës se kush jemi (një mënyrë si Kol Shiroka në kuvendin e Kosovës të viteve 80 e pat nxjerrë letërnjoftimin për ti treguar kuvendarëve se kush ishte ai). Kjo sjellje naive i shkonte për shtati Serbisë dhe aleatëve politik  të saj, kurse ishte e disfavorshme për politikën përparimtare Evropiane e Botërore. Kjo politikë e çorientonte popullin nga mundësia për ta luftuar pushtuesin dhe në 98-ën na dërgoi në prag të shfarosjes, për shkak të përdorimit të mjeteve të gabuara dhe duke dëgjuar mësuesit e gabuar politik botëror (është sjellë si njeriu i pa armatosur në xhungël tek egërsirat). Përdorimi i këtyre mjeteve të gabuara e ka trimëruar politikën shovene Serbe dhe aleatët e saj, kurse aleatët e popullit tonë i dekurajoi (politiken përparimtare botërore).

Në anën tjetër ishte politika çlirimtare e cila bënte luftë kundër injorancës politike shqiptare dhe kundër pushtuesit Serb e aleatëve të saj politik. Përmes kësaj lufte të vështirë e me sakrifica u bë përpjekje që ti zinim hapat e humbur historik, duke mos i dëgjuar “ miqtë”  që na mësonin keq por duke i parë ata se si punojnë në vendin e tyre, për vendin e tyre. Populli thotë: zanati nuk blihet por ai vidhet!

Edhe kur këta “mësuesit”  UÇK-në dhe forcat çlirimtare i quanin terroristë, njëjtë siç i quante Serbia, forcat çlirimtare nuk dekurajoheshin sepse kishin besim në popullin tonë dhe botën përparimtare.

 Serbia dhe aleatët e saj kanë bërë përpjekje maksimale që të mos krijohet UÇK-ja, e kur ajo u bë realitet, bota përparimtare e njohu si të tillë dhe si të drejtë, ndërsa bota primitive luante letra të ndryshme, deri në embargon për armatosjen e UÇK-së në kohën kur Serbia kishte fabrika të armëve e i shiste ato edhe në tregun Botëror.

Por UÇK shkonte duke u rritur pavarësisht prej pengesave e betejave të ashpra me pushtuesin serb, arsyeja e vetme ishte se përdorte mjetin qe e kuptonte pushtuesi dhe që ishte i duhuri kundër tij. Numri i ushtarëve të UÇK-së shkonte duke  u rrit  sepse populli filloi me e pa se rrugë tjetër nuk ka kundër Serbisë. Politika çlirimtare shkonte duke u rritë dhe duke u fuqizuar edhe me aleancën përparimtare evropiane, të cilët tani nuk mund të përdornin dy masa, të ndryshme për vendin e tyre dhe të ndryshme për të tjerët. Pra, ishte lufta e UÇK-së që i ndihmoi politikës përparimtare në Evropë të fuqizohej në raport me atë primitiven e logjikën antike.

Në anën tjetër pushtuesi dobësohej dhe humbte besimin se mund ta mbante nën robëri shqiptarin. Ushtarët serb filluan të dezertojnë dhe kërkonin ndihmë nga populli shqiptar me qëllim që t’i dërgonin deri në kufi me Serbinë.

Politika çlirimtare filloi të organizohej nga niveli i grupeve në nivelin institucional. Adem Demaçi kishte bërë thirrje që deri me 10 shkurt 1999 i gjithë spektri politik në Kosovë të rreshtohet në një institucion çlirimtar me qëllim që mjeti i luftës çlirimtare të drejtohet me politikën çlirimtare.

Këtu aleatet e Serbisë dhe mësuesit e partive shqiptare bën përpjekjen e re që ti çorientonin shqiptarët. Ato iu bënë thirrje qe me 6 shkurt të shkohet në Rambuje për bisedime me Serbinë, për të gjitha problemet, vetëm për vija kufitare  jo.

 Adem Demaçi dhe LKÇK-ja që kishin politikë  çlirimtare dhe besim në vetvete e në botën përparimtare, ishin kundër shkuarjes në bisedime me shtetin terrorist dhe gjenocidial, se kështu kishim parë që bota përparimtare nuk bisedon me terroristë dhe me shtete raciste. Kurse te gjithë ata që nuk i besonin popullit të vetë dhe botës përparimtare pranuan të bisedohet me shtetin terrorist që kishte shkatërruar gati gjysmën e popullit shqiptar dhe territorit të tij. Por ata dëgjuan aleatët politik të Serbisë.

Sikur të ishin miq të vërtetë të shqiptarëve ata do u thoshin që të ndërtonin institucione, siç thoshte edhe Demaçi, dhe pastaj bisedojmë për më tutje, por me shantazhe e me lojëra të ndryshme quan në Rambuje individ të ndryshëm që ata të bëjnë delegacionin. Rugova si përfaqësues i politikës të qyqarllëkut, Veton Surroi kinse i pavarur, Qosja  intelektual, dhe Hashim Thaçi si përfaqësues i UÇK-së (kur UÇK-ja ende nuk ishte ndërtuar si institucion qe merr urdhëra dhe jep llogari institucionit politik). Kjo mënyrë e thirrjes ka qenë ofenduese, ky pranim ka qenë shumë naiv, më së paku e thënë. Këtu është trimëruar Serbia dhe aleatët e saj dhe janë dekurajuar aleatët e mundshëm të Shqiptarëve sepse ata nuk patën adresë kujt dhe si ti ndihmonin.

Pranimi i nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujes ka qenë shumë i dëmshëm. U nënshkrua një marrëveshje që për herë të parë vetë shqiptarët i njohën sovranitetin Serbisë mbi Kosovën. U nënshkrua shkatërrimi i UÇK-së edhe pse Serbia me forca ushtarake nuk mund ta shkatërronte. Serbia nuk nënshkroi marrëveshjen sepse ajo ia la aleatëve të vetë në dorë, e lodhur nga lufta  e duke e ditur që me këtë marrëveshje nuk do të ndalte luftën për shkak se nënshkrimi i saj do të ishte pa efekt, sepse kishim provuar me Rrahmon Morinën e të tjerët, pa efekt.

Pjesa dërmuese e ushtarëve të UÇK-së ishin kundër kësaj, dhe filloi të bëhej rirreshtimi brenda UÇK-së, dhe UÇK-ja nga ajo pa orientim të qartë filloi të reflektonte seriozisht. Ky reflektim, ky orientim, ky organizim garantonte çlirimin e vendit.

Serbia e tmerruar nga perspektiva e zezë ajo e detyron NATO-n ta sulmojë me qëllim që luftën ta humbë nga një aleancë e madhe ushtarake e jo nga shqiptarët që filluan të organizohen dhe të bëhen adresë për forcat përparimtare botërore.

Mënyra e bombardimit të NATO-s ka qenë një kompromis në mes aleatëve të Serbisë dhe aleatëve potencial të Shqiptarëve. Kompromisi brenda NATO-s ka qenë që të ruhet politika që nuk i beson popullit të vetë. Sikur të ishte në interes të Shqiptarëve ky variant i bombardimit,  Greqia, Spanja, Qipro, Sllovakia, Rumania, Franca, a thua do e qonin dorën për ta bombarduar Serbinë!? – Besoj se kurrë, por përmes kësaj rruge ato ia kanë dhënë Serbisë edhe një mundësi.

Sikur politika Shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri të bëhej adresë serioze për çlirimin e vendit, ndihmat ushtarake nuk do të kishin munguar dhe dëmet në njerëz do të ishin shumë më të vogla, lufta jonë do të përfundonte më lehtë se e Kroatëve e ndoshta afër Sllovenëve, sepse UÇK nuk kishte mungesë të ushtarëve por mungesë të armëve dhe municioneve. Sikur të ishte furnizuar mjaftueshëm nuk do të bëhej eksodi i popullit Shqiptar, nuk do të bëhej poshtërimi i shqiptarëve dhe poshtërimi i UÇK-së për shkak të pa mundësisë për të mbrojtur popullin.

 Politika naive shqiptare me “mësuesin” e vet u bënë bashkë për ta shkatërruar UÇK-në në mënyra tinëzare dhe çdo vlerë të krijuar me mund e gjak.

Rezoluta 1244 ishte produkt i Rambujesë, marrëveshja teknike e Kumanovës në mes NATO-s dhe Serbisë ishte produkt i aleatëve të Serbisë në NATO, kurse sjellja e shqiptarëve i ka lënë aleatët potencialë tanë pa mundësi të bëjnë më shumë. Aleatët e Serbisë poshtëruan gjithçka që u ndërtua nga Shqiptarët. Shkatërruan një kuvend, një president, shkatërruan një ushtri. Ata nga institucionet ndërtuan një këshill (këshilli i përkohshëm administrativ).   Rugovën nga President që e kishte zgjedhur populli e bënë këshilltar të zbatuesit të rezolutës 1244 dhe të MTN në Kumanovë. Hashim Thaçi nga drejtues politik i UÇK u bë këshilltar i zbatuesit të 1244. Çfarë niveli politik kanë pas këta që pranuan , mund ta gjykoni vetë.

Rezoluta 1244 dhe zbatuesit e saj bënin përpjekje që të afrohen shqiptarët sa më shumë me Serbinë, kjo ishte detyrë e çdo administratori ndërkombëtar. Për t’ia arritur qëllimit, duhej bërë një klasë politike që e pranon me dëshirë apo me naivitet këtë, ose një klasë politike që nuk ka qenë luftarake, duhej bërë një klasë ekonomike që ka lidhje me Serbinë sa më shumë,  një gjyqësor sa më të pranueshëm për ta, një prokurori që nuk guxon ta luftoj të keqen, një polici pa shpirt kombëtarë dhe sa më të pranueshme për të huajt.

Vetëm mallrat e Serbisë hynin pa doganë në Kosovë, kurse mallrat e vendeve anëtare të NATO-s doganoheshin edhe pse ato kishin bërë shpenzime në këtë luftë. E gjithë kjo liri në tregun e Kosovës që iu dha Serbisë, bëhej për t’ia shpaguar dëmet që NATO i bëri Serbisë.

Ata të cilët e kanë ndërtuar këtë klasë politike me mentalitet të robit dhe si vegla të politikës ndërkombëtare primitive akuzojnë dhe pengojnë popullin tonë të ec përpara në zhvillim. Ata të cilët kanë ndërtuar bazat e gjyqësorit në Kosovë, pengojnë sot popullin tonë duke na akuzuar se ne nuk respektojmë rendin dhe ligjin. Ata të cilët kanë bërë bazat e prokurorisë së Kosovës, pengojnë dhe akuzojnë popullin se nuk e luftojnë krimin dhe korrupsionin. Ata të cilët kanë bërë policinë e Kosovës e akuzojnë dhe e pengojnë popullin tonë të lëvizë lirshëm si popujt e tjerë në Evropë. Dhe ky ka qenë interesi i politikës shovene Serbe, ta bindë popullin tonë dhe botën përparimtare se shqiptarët janë e keqja e Botës dhe Evropës. Ata dëshirojnë që populli jonë të mendoj se e tërë bota është kundër tyre, dhe të na hasmëroj me botën.

Marshi për Mitrovicën dhe demonstrata e 16 marsit 2004 ja u ka prishë rehatinë  aleatëve të Serbisë  për ta realizuar rezolutën 1244.

Ardhja e Presidentit Bush në Tiranë dhe vizita e Krujës si qytetar ishte një mesazh vendimtar kundër politikës primitive në botë në raport me Shqiptarët.

Aleatët e Serbisë kanë bërë lojën e radhës që përmes pakos së Ahtisarit ti mbaj Shqiptarët në robëri përmes pakicës Serbe. Ku asnjë ligj bazik nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Serbëve, e kjo është peshqesh i politikës naive Shqiptare dhe aleatëve të Serbisë në Evropë.

Politika primitive në Evropë dëshiron që ti mbaj në konflikt të vazhdueshëm popullin Shqiptar dhe atë Serb.

 

Unë u bëj thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën popullit tonë, që e duan lirinë e popullit tonë,që kanë besim në botën përparimtare, përmes veprimeve të menqura të pengojnë sjelljen e fuqizimin e barbarisë, sepse është kjo sjellje naive e klasës sonë politike që ka fuqizu politiken kriminale në Serbi, në Maqedoni e tutje. Është kjo sjellje naive dhe primitive që politika shqiptare, Serbia, Evropa dhe e tërë Bota kanë nevojë ta mundin.

Për të na respektuar të tjerët, ne duhet ta respektojmë vetëveten. Për t’i penguar ndikimet e dëmshme duhet ti besojmë vetëvetes. Për t’i dhënë mundesi aleatëve përparimtarë të na ndihmojnë, ne duhet ta dimë rrugën vetë kurse mjetet të na i sigurojnë aleatet, e jo të na e tregojnë ata rrugën e ne të ecim qorrazi, kjo është perspektiva e botës përparimtare.

Kur sillemi me dinjtet, do ta kemi respektin dhe nderimin e popullit dhe  botes perparimtare, do të detyrohen të na respektojnë edhe armiqët tanë.

Mosvotimi i Gjykatës Speciale do të jetë hapi kyq që t’i tregojmë Botës se ne do të zgjedhim vetë rrugën tonë, një rrugë drejt përparimit e cila është e mirë dhe e domosdoshme për tërë rajonin dhe Botën.

Kuvendi i Kosovës duhet të bëj një gjykatë, prokurori, e polici në interes të vendit tonë, që i lufton e dënon të gjitha të këqijat dhe që t’i riparoj pasojat e një politike shumë të dëmshme që është zhvilluar deri më sot.

Populli jonë e do dhe e respekton drejtësinë dhe përparimin.

 Përshëndetje për të gjithë bashkëluftëtarët që e kanë humbur busullën, me shpresën se do ta gjejnë sa më shpejtë atë !

Kontrolloni gjithashtu

Në Ditën Forcës, dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë hapur për të gjithë qytetarët e vendit

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në shënim të  Ditës së Forcës …