OVL-UÇK në Rahovec e përshendet emërtimin e disa institucioneve kulturore e sportive me emrat e dëshmorëve të kombit. “Emërtimi i disa institucioneve kulturore e sportive në komunën e Rahovecit me emrat e dëshmorëve ka qenë nevojë dhe obligim qytetar e institucional. Shoqatat e dala nga UÇK i kanë propozuar edhe më parë Kuvendi të Komunës, kompetencë e të cilit institucion është emërtimi i institucioneve komunale. Mirëpo, zvarritja e pakuptimtë ka shkaktuar debate dhe ngecje në këtë proces. Ishte koha e fundit që organet komunale të bënin diçka në këtë drejtim, dhe për fat të mirë kjo ndodhi pikërisht në prag të festave të nëntorit. Sqarojmë opinion publik se propozimet e shoqatave të dala nga UÇK kanë kaluar përmes një debati të brendshëm dhe janë bazuar në biografitë e dëshmorëve, emrat e të cilëve janë propozuar për këto institucione. Pothuajse të gjithë dëshmorët para se të vendosnin të kapnin pushkën në dorë janë marrë me aktivitete sportive e kulturore dhe propozimet e Shoqatave janë bazuar në këto të dhëna. Prandaj, asnjëri nga emrat e propozuar dhe të miratuar nga kuvendarët e Rahovecit, nuk ka njolla në biografi dhe janë emra të nderuar e të respektuar. Çfarëdo debati apo nxitje e debatit për motive të tjera, shkaktojnë huti dhe ofendojnë familjarët e këtyre dëshmorëve. Lusim qytetarët dhe njerëzit e vullnetit të mirë që të shmangin debatet, fyerjet dhe ofendimet e ndërsjella, sepse tashmë jemi para një vendimi të kryer dhe të pakthyeshëm. Shoqatat e dala nga UÇK do të vazhdojnë të mbeten në linjën e parë të mbrojtjes së figurave të dëshmorëve dhe ruajtjen e kultivimin e vlerave për të cilat ranë dëshmorët tanë. Përgëzojmë këshilltarët në Kuvendin e Komunës së Rahovecit për miratimin e propozimeve tona dhe ju japim mbështetje për vendimin që kanë marrë, ngase në këtë mënyrë ju shërbejnë qytetarëve dhe interesave të tyre afatgjata”, thuhet në komunikatën e OVL-UÇK-së.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …