Dilaver Goxhaj: Për kë bien kambanat e dënimit të Sami Lushtakut dhe Sylejman Selimit?

Të shumtë ishin shqiptarët që e prisnin me kureshtje vendimin e gjykatës së Mitrovicës së Veriut, për të akuzuarit e të ashtuquajturit, “Grupi i Drenicës”. Dhe, kur u publikua dënimi me 12 vjet burg për Sami Lushtakun, me akuzën hipotetike se paska vrarë një njeri,  që nuk dihet se kush është?, nga është?, çfarë emëri e mbiemr ka?, i kujt është?, ku  dhe kur është vrarë?, ku është varrosur?, kush është dëshmitari okular?, kush qe prezent në kohën që e kanë vrarë?, me çfarë arme është kryer krimi?, cila është ekspertiza?, cilët janë familjarët e tij që e kërkojnë? apo të afërm që të jenë interesuar për fatin e tij?, etj., jo vetëm që habitesh dhe ngelesh pa frymë nga ky gjykim farsë dhe i pashoq, por vë në dyshim edhe drejtësinë Perëndimore, të cilën deri para se të jepej ky vendim e kemi besuar, se me të drejtë ka anatemuar gjyqet e diktaturave të Lindjes!

Duke e dëgjuar arsyetimin e këtij vendimi absurd, menjëherë të kujtohet mesjeta dhe koha e ndjekjeve dhe e krimeve të Inkuizicionit spanjoll; të kujtohet edhe gjyqi i viteve 1920-1921 në Boston të SHBA kundër dy emigrantëve italianë, Sako e Veneti, të cilët gjykata i dënoi me vdekje se gjoja, duke shitur si tregëtarë ambulantë në anë të rrugës, pa u njohur me njeri-tjetrin, kishin vrarë një arkëtar fabrike, ku të gjithë organet e drejtësisë e të ruajtjes së rendit, shtypi dhe opinion zyrtar, njësoj si në rastin tonë në fjalë, thurrën një farsë të tërë tragjikomike për t’i dënuar medoemos ata të dy, vetëm pse nuk ishin amerikanë, duke ngjallur pakënaqësi në tërë opinionin e shëndoshë amerikan dhe atë botëror, sa u krijua edhe një Komitet Kombëtar për mbrojtjen e tyre me personalitetet më të shquara intelektuale të Amerikës dhe botës, duke organizuar mitingje të mëdha e demostrata të fuqishme. Ç’farë ngjashërie!: dy ishin Sako e Veneti, dy janë edhe këta tonët, Sami e Sulejman, veçse ata ishin katolikë dhe këta tanët janë myslimanë. Katolikët në SHBA nuk para pëlqeheshin, ngjashëm edhe myslimanët në Europë!

Duke e mësuar një vendim të tillë gjyqësor bindet edhe partizani më i flaktë i drejtësisë së ndërkombëtarëve në Kosovë se ai proces gjyqësor nuk ka qenë gjë tjetër veçse një thurrje dhe një farsë tragjikomike, për t’i dënuar medoemos këta ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me funksione të larta në atë ushtri gjatë luftës çlirimtare. Menjëherë të shkon mendja se kjo farsë gjyqësore nuk e ka qëllimin për të dënuar Samiun dhe Sulejmanin, por gjetkë flen lepuri.

Duke u dënuar këta dy, ish bashkluftëtarët e parë të Adem Jasharit, të komandantit legjendar të asaj lufte e asaj ushtrie, ngaqë ai nuk është gjallë, bëhet për disa qëllime. Së pari, për t’i thënë popullit në Kosovë e kombit shqiptar se edhe ai që ju e keni shpallur Komandant Legjendar dhe po përgatiteni ta shpallni edhe hero kombëtar, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një kriminel ordiner si këta të dy shokët e tij të ngushtë të orëve të para të asaj lufte; së dyti, për t’u thënë gjithë shteteve që intervenuan nëpërmjet NATO-s kundër ushtrisë serbe në Kosovë, se është bërë një gabim i madh që është marrë ai vendim, pasi Serbia ka pas të drejtë që ka përdorur terror ndaj këtij populli që nxjerrka vetëm vrasës ordinerë; së treti, indirekt t’i thonë popullin se Adem Jashari ka qenë thjeshtë një vrasës si këta të dy, por shyqyr që ai u vra dhe në krye të UÇK-së dolën ca të tjerë, se ndryshe të gjithë luftëtarët e UÇK-së do të ishin vrasës ordinerë, prandaj deklarohet edhe nga ish antarët e Drejtorisë Politike dhe Kryeimistri aktual se Gjykata Speciale e ka me disa individë dhe jo me UÇK-në.

 

Mirëpo, duke dënuar titullarët e formacioneve të mëdha të UÇK-së, të dy për kohën që akuzohen kanë qenë komandantë zonash operative, po t’i hedhësh një shikim Statutit të Romës, (i cili është Kodi Penal për Gjykatën Ndërkombëtare Penale me qendër në Hagë dhe është miratuar pasi mbaroi lufta në Kosovë),  në Nenin nr.8 të tij, nënkuptohet se këto krime “janë kryer si pjesë e një plani ose politike” të caktuar nga këta drejtues. Këtu është edhe qëllimi kryesor i atij vendimi, që do të thotë se e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zbatuar planet e këtyre, “komandantëve kriminelë ordinerë”. 

Mirëpo, nuk thonë më kot, se dardha e ka bishtit prapa. Po ta lexojmë me kujdes  Statutin e Romës, Nenin nr. 28 të tij, kuptojmë se ky dënim është paralajmërim për Hashim Thaçin, Xhavit Halitin e Kadri Veselin, si dhe për drejtuesin e LPK-së, të cilët deri tashti i kanë fituar zgjedhjet duke deklaruar se “ne e krijuam UÇK-në”, “ne e drejtuam luftën” dhe “ne e udhëhoqëm luftën dhe UÇK-në”, ngaqë në atë Nen thuhet shprehimishtë: “(a) komandanti ushtarak ose personi që në mënyrë efektive vepron si i tillë, është penalisht përgjegjës për krimet brenda juridiksionit të Gjykatës, të kryera nga forcat nën komandën a kontrollin efektiv të tij ose saj, ose autoritetin efektiv që mund të jenë si rezultat i dështimit të tij ose saj për të ushtruar kontrollin e duhur mbi ato forca, kur: (i) ai komandant ushtarak ose personi, ose ka ditur, ose duke marrë parasysh rrethanat e rastit, duhej të dinte se forcat ishin duke kryer ose do të kryenin krime të tilla.” Si të tillë, atyre, eprorëve të Sami Lushtaku dhe Sulejman Selimi po u vjen radha e dënimit ngjashëm si dhe këta, pasi këta të dy që na kanë vrarë një njeri që nuk ka ekzistuar, kanë qenë “nën komandën dhe kontrollin efektiv” të tyre dhe, sipas këtij neni, “duhej të dininin se forcat ishin duke kryer ose do të kryenin krime të tilla.”

Njëkohësisht ky vendim është pararendës i vendimeve të ngjashme që ka për të dhënë Gjykata raciste Speciale, (si ajo e Bostonit të vitit 1920), të cilën mezi e presin edhe disa nga drejtuesit e PDK bashkë me ata të LDK dhe serbët e Kosovës!

16.6.2015

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …