leoni

A ka marrë fund durimi 16-vjeçar i veteranëve të UÇK-së?

A ka marrë fund durimi 16-vjeçar i veteranëve të UÇK-së

 

Përderisa një deputet i Kuvendit të Kosovës merr dhjetëfishin e eurove mujore që pret t’ i marrë një veteran pa punë, përderisa deputeti, kryeministri, kryetarja dhe krejt kreu institucional ka të zgjidhur edhe benificionet jetësore  pas ushtrimit të detyrës, veterani i UÇK-së edhe 16 vjet pas luftës nuk ka marrë qoftë edhe një rrogë të vetme të mësuesit, apo një pension mesatar të varfërisë, asnjë donatori, asgjë fare.

 

Ja pse protestojnë veteranët!

Ata tashmë janë mbështetur për muri dhe nuk kanë më nga t’ ia mbajnë.

Këta janë ata, që po të rrezikohet Kosova, edhe në varfërinë e tyre sërish do t’ i marrin armët në duar për ta mbrojtur vendin,  ndërsa deputetët, ministrat, zyrtarët prapë do t’ ia mbathin e do t’ ia lagin nga të mundin, ashtu sikur ka ndodhur në të kaluarën, ashtu sikur ka ndodhur jo vetëm njëherë.

Ja, pse veteranët kanë të drejtë të protestojnë.

Ja, pse nuk janë të manipuluar nga askush.

 

 …

 

Protesta e sotme e veteranëve të UÇK-së në bllokimin e magjistrales Prishtinë-Hani i Elezit ka përfunduar me disa veteranë të lënduar, në mesin e tyre edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi. Protesta, edhe pse ishte paralajmëruar dhe kishte filluar paqësisht, ajo eskaloi me ultimatumin, që dhanë forcat e Policisë së Kosovës, të cilët përdorën edhe gazin lotsjellës për t i shpërndarë ata.  Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka lutur protestuesit që sot të shpërndahen, ndërkohë që ka paralajmëruar se  nëse Qeveria nuk merr asnjë vendim brenda dy ditëve, protestat nuk do të ndalojnë.

Veteranët e UÇK-së po protestojnë kundër zvarritjes së punëve nga Komisioni qeveritar për verifikimin e listave të kategorive të luftës. Kjo  zvarritje ka ngjallë reagimin e veteranëve të pa punë dhe me gjendje të rënduar ekzistenciale.  Kohë më parë kryetari i Komisionit për verifikim, Agim Çeku ka deklaruar se procesi shtyhet në afat të pacaktuar, sepse numri i atyre që janë ankuar arrin rreth 20.ooo dhe nuk ka mundësi që ky proces të përfundojë shpejt.

 

Protestat e veteranëve krejtësisht kanë karakter social dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë prapavijë politike, sepse ato janë të drejtuara kundër neglizhencës 16-vjeçare të pozitës së tyre nga të gjitha qeveritë e deritanishme.

 

Në kohën kur pas luftës së UÇK-së, profiteterët dhe matrapazët që kishin sabotuar luftën kishin filluar të pasuroheshin brenda natës, duke përvetësuar pronat shoqërore, fabrikat, kombinatet, uzinat dhe tërë pasurinë e vendit si dhe duke plaçkitur dhe duke stërshitur pronat e disa serbëve të ikur pas luftës, veteranët e luftës së UÇK-së, shumica syresh kishte mbetur në mëshirë të kohës. Ata, që nuk iu bashkuan radhëve të plaçkitjes, shantazhit, uzurpimeve, reketimit, zhvatjes, ata që nuk pranuan ta kthejnë në përfitime ekonomike kapitalin e tyre kombëtar, u gjenden në pozitën zero, meqë as u pranuan në punë, as u shpërblyen sado pak për meritat, as u mor kush me ta.

 

Kjo masë morale e veteranëve të luftës, kurrë nuk ka menduar se një ditë, kur do të shteroheshin të gjitha mundësitë për një ekzistencë minimale, do të detyrohet të protestojë, në radhë të parë kundër institucioneve, për  ndërtimin e të cilave ka marrë pjesë aktive në çlirimin e vendit,  por edhe kundër të gjithë atyre që brenda natës varrosen varfërinë dhe iu qepen burimeve të pasurimit të paligjshëm.

 

Pas luftës në Kosovë, në radhë të parë përfituan të gjitha ata që iu kishin shërbyer të gjitha regjimeve. Të tillët u morën në punë, në administratë, në institucionet e shtetit, në polici, në administratën ndërkombëtare. Pjesa dërrmuese e luftëtarëve të lirisë, me rastin e demobilizimit të UÇK-së mbeti në mëshirë të kohës. Gjeten punë vetëm ata që kishin lidhje me kreun politik e institucional të vendit,  ata që kishin ishin pranuar në TMK, fillimisht edhe ata që u pranuan në Shërbimin Policor të Kosovës, nga ku muaj pas muaji e vit pas vitit u larguan të gjithë. Nga 20.000 veteranët e luftës, as një e pesta e tyre nuk ndodhet e sistemuar.  Kjo shtresë e luftëtarëve, të cilët tashmë kanë fituar statusin e veteranit, me të drejtë kërkon edhe një shpërblim sado modest nga Buxheti i Kosovës, sepse ai Buxhet nuk iu takon vetëm: Isa Mustafës, Hashim Thaçit, zonjës Atifete, ministrave, zëvendës-ministrave e zyrtarëve të tyre, por u takon të gjitha shtresave të shoqërisë, sepse buxheti rrjedhë nga taksapaguesit nga tatimet e nga të hyrat në dogana dhe jo nga paratë, pronat, fabrikat, kompanitë e zyrtarëve të lartë të vendit.

 

Përderisa një deputet i Kuvendit të Kosovës merr dhjetëfishin e eurove mujore që pret t’ i marrë një veteran pa punë, përderisa deputeti, kryeministri, kryetarja dhe krejt kreu institucional ka të zgjidhur edhe benificionet jetësore  pas ushtrimit të detyrës, veterani i UÇK-së edhe 16 vjet pas luftës nuk ka marrë qoftë edhe një rrogë të vetme të mësuesit, apo një pension mesatar të varfërisë, asnjë donatori, asgjë fare.

 

Ja pse protestojnë veteranët!

Ata tashmë janë mbështetur për muri dhe nuk kanë më nga t ia mbajnë.

Këta janë ata, që po të rrezikohet Kosova, edhe në varfërinë e tyre sërish do t i marrin armët në duar për ta mbrojtur Kosovës ndërsa deputetët, ministrat, zyrtarët prapë do t’ ia mbathin e do t’ ia lagin nga të mundin, ashtu sikur ka ndodhur në të kaluarën.

Ja, pse veteranët kanë të drejtë të protestojnë.

Ja, pse nuk janë të manipuluar nga askush.

Ata nuk iu besojnë më premtimeve të kota por kërkojnë zbatimin e ligjit, kërkojnë ato para që i ka ndarë Buxheti i vendit për të arritur të mbijetojnë deri diku me minimumin ekzistencial.

Vonesave të deritanishme, me çfarëdo arsyetimesh, iu ka ardhur fundi, sepse bëhet fjalë për një vonesë 16-vjeçare. Ata nuk po kërkojnë shpërblim për të gjitha këto vite, edhe pse do të duhej ta kërkonin  në mënyrë retroaktive, sepse është faji i Qeverive të deritanishme që nuk e ka bërë punën si duhet, është faji i Qeverisë që ka shpallur konkurs për kategori të luftës dhe e ka bllokuar vetveten.

 

Veteranët që po protestojnë nuk janë nga mesi i invalidëve që për vjet të tëra kanë përfituar pa ligjshëm, as nga mesi i veteranëve që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për luftën dhe janë shpallur veteranë me lidhje miqësie e farefisnie, as nga mesi i veteranëve, që kanë ardhur në Kosovë pas me lirinë, por jo gjatë luftës.

Nuk janë nga mesi i atyre që kanë ndërtuar pallate, që kanë uzurpuar prona qindra hektarë, nuk janë nga radhët e deputetëve, të ministrave të zëvendësministrave, nuk janë nga administrata shtetërore, nuk janë nga mesi i OJQ-ve dhe medieve mercenare, nuk janë as nga radhët e arsimit e shëndetësisë, por rrjedhin nga armata  e të papunëve, nga proletariati më i nëpërkëmbur i vendit dhe i Evropës.

 

Janë këta veteranë, që janë nëpërkëmbur që 16 vjet, të cilët kanë protestuar me grevë urie, të cilët nuk kanë lënë të drejtë qytetare, demokratike e paqësore pa përdorur duke i ikur dhunës e konfrontimit, por nuk janë tërhequr  asnjëherë nga e drejta e tyre për një jetesë minimale, ekzistenciale, në një shtet, të cilin  në çdo pore e ka kapluar korrupsioni, trafiqet, abuzimet, krimi i organizuar ekonomik, plaçka hajnia dhe anarkia e përgjithshme. 

 

Durimit moti i ka ardhur fundi. Dhe kur ndodh që durimi shpenzohet, atëherë gjithçka mund të shkojë drejt rrokullisjes, ku humbës mbesin ata që kanë krijuar pasuri, ndërsa veteranët nuk mund të humbin asgjë më shumë sesa këmishën e tyre të varfërisë.  ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …