Nuk mund t’i besoj, asaj që na u servirë nga mediat tona, se Kancelarja e vendit më të zhvilluar te Evropës dhe te Botës, Trari kryesor i shtëpisë së njohur më emrin Bashkimi Evropian, Kryeministrit të Kosovës, kryeministrit të vendit më të ri e më të prapambetur ekonomikisht të Evropës, vendit me mundësi të mëdha për zhvillim ekonomik, si me resurse njerëzore, tokësore e nëntokësore, të mos i fliste për zhvillim e punësim, për rend e ligj, por të përqendrohej vetëm në çështjen e dialogut, kompromisit e Gjykatës Speciale. Kjo është çështje për mos besim?! Ajo e di se problemi kryesor i Kosovës nuk është dialogu me ata që nuk janë të interesuar për dialog dhe as Gjykata Speciale e cila nuk do t’i përmbush pritjet e disa qytetarëve tanë (siç nuk i kanë përmbushur as pararendësit e saj)?!
Unë besoj që Kancelarja gjermane, edhe në Konferencën për shtyp më shumë e ka mbrojtur interesin e Kosovës, sesa kryeministri ynë, i cili ishte tepër i kompleksuar me bisedimet për Gjykatën Speciale, se me ato komplekse ishte nisur para se të shkonte në Bruksel e në Gjermanin Federale. Ndërsa ai do të duhej të përqendrohej në çështjet më substanciale te vendit për çka dhe e ka marrë përgjegjësinë, për të qeverisur me vendin. Do të duhej të përqendrohej në problemet ekonomike, për investime gjermane në energjetikë, për punësimin e njerëzve të ri, për sigurinë e stabilitetin, për rendin e ligjin, për lëvizjen e lirë dhe diversionin serb (politik e ekonomik) në Kosovë, si rrezikun kryesor të paqes në rajonit tonë.
Kryeministri ynë, në Konferencën për shtyp u përqendruar në tri çështje për të cilat kishte folur në Bruksel, si dialogu, kompromisi ( që është i gatshëm ta bëjë) dhe Gjykata Speciale (kjo do të ishte bërë sikur të varej prej ti dhe partisë se tij). Që të tria këto çështje, për qytetarët e Kosovës nuk janë kurrfarë prioriteti pasi varen kryekreje nga politikat e Beogradit, i cili nuk e ka prioritet normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, mbase as me Bashkimin Evropian. Ata si duket alternativë të parë e kanë Rusinë, por dëshirojnë që të nxjerrin sa më shumë përfitime (ndihma) nga BE-ja. Ata, bisedimet në Bruksel janë duke i shfrytëzuar për t’i shtyrë qeveritarët e Kosovës jo në kompromise, por në komprometim. A ishte pritja nga Kancelarja për duetin nga Kosova, një lloj karremi për ketë?!
Prioritete për Kosovën janë: Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, politikat fiskale, investimet në energjetikë, në miniera e bujqësi, punësimi, arsimi, shëndetësia, lëvizja e lirë e qytetarëve etj. Këto janë çështje më prioritet për qytetarët e vendit që e qeverisin dueti, Mustafa e Thaçi. Por, si duket ata nuk e kanë hallin e Kosovës, prandaj nuk folën për prioritetet e saja, por e kanë hallin e tyre, ku ata po mbesin në gjithë ketë hallakamë?! Prandaj kanë bërë prioritete të tyre: Dialogun e Gjykatën Speciale?! Prandaj këtu i kanë orientuar gjithë energjitë e fuqitë e tyre politike. Gjendja politike, ekonomike e sociale nuk ua lejon ketë komoditet!
Mashtruesit e qytetarëve te Kosovës (në zgjedhje) po mendojnë se e gjithë Bota, e sidomos ajo demokratike i han foret e tyre?!