Behxhet Sh. Shala: Mos-votimi i Gjykatës Speciale nuk është fundi i botës

Dita e premte e datës 26 qershor ishte ditë e rëndë, edhe për ata që e urdhëruan formimin e kësaj gjykate të pazakontë, si për kah forma ashtu edhe për kah përmbajtja për një shtet sovran si dhe për ata që do të duhej ta votonin amendamentin  e Kushtetutës që i hapë rrugë kësaj Gjykate një etnike dhe ndarëse e drejtësisë në mënyrë selektive, që praktikat e mira të drejtësisë që mbështeten në respektimin e të drejtave të njeriut si parakusht për një gjykim fer, të paanshëm, të pa ndikuar politikisht, nuk e njohim, përjashtuar shteteve diktatoriale. Ishte ditë e vështirë edhe për ata që garantuan te “miqtë“ ndërkombëtarë se votimi do të jetë përmbushje formale e procedurave të parapara dhe se nuk do të ketë fare problem në përmbushje të zotimeve apo detyrimeve që i kanë marrë ndaj bashkësisë ndërkombëtare apo besës (si pjesë e traditës) e që nuk doli të jetë ashtu.


Nuk ishte ditë e lehtë as për ata deputetë apo deputete që shëtitnin në Washington, Bruksel dhe qendra të tjera, pasi që ishin zotuar për votimin e Gjykatës. Nuk ishte aspak lehtë as për “miqtë“ ndërkombëtarë përkatësisht përfaqësuesve të tyre diplomatike që kishin vendosur pika kontrolluese në Kuvendin e Kosovës, jo për të bërë presion te të zgjedhurit e popullit për të votuar sepse, në vendet demokratike votimi është çështje e vetëdijes dhe ndërgjegjes se si duhet t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e atyre që i kanë votuar por vetëm i pyesnin se a e kanë mendjen të votojnë pro ose kundër Gjykatës Speciale. Dhe kjo sipas kritereve tona nuk llogaritet presion në ndërkohë që në shtetet nga kanë ardhur, do të ishte e paimagjinueshme. Te ne llogaritet presion nëse na fusin revolen në gojë, na zhdëpin dajak me dru apo na vendosin në tavolinë ndonjë aktakuzë të rëndë, e improvizuar apo e vërtetë qoftë ajo. Paramendojeni ambasadorin e Holandës, z.Robert Bosh që në Kuvendin e Kosovës sillej sikur të ishte drejtor ekzekutiv i KDI-ë (OJQ që e monitoron punën e Kuvendit) duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të deputetes Albulena Haxhiu për shkak të refuzimit të saj që ta lexojë vendimin e Komisionit që ajo e drejton e që ndërlidhet me amandamentimin  e Kushtetutës së Kosovës (jo të Holandës)?!


Deri këtu shkon ndërhyrja e ndërkombëtarëve që jo rrallë herë kalon në arrogancë sepse nuk mund të paramendojnë që dikush të votojë jashtë asaj që ata kanë kërkuar. Kjo edhe ka ndikuar në disponimin e deputetëve ndryshe, ç’kuptim ka Kuvendi i Kosovës nëse duhet t’i votojë të gjitha kërkesat e ndërkombëtarëve edhe atëherë kur dëmtojnë rëndë interesat e vendit?! Në asnjë vend normal nuk votohet sipas një automatizmi të kurdisur nga të tjerët sikur që e kanë bërë ndërkombëtarët me ne. Prandaj jemi në situatë kur çështjet e brendshme të një shteti sikur janë ato të Kosovës bëhen çështje midis dy shteteve siç po bëhet me bisedimet në Bruksel. Merreni me mend, një barrikadë e ngritur nga strukturat kriminale të Serbisë, paradoksalisht i quajtur si Parku i Paqes, po imponohet si temë e rendit të ditës në këto bisedime që nuk do ta bënte asnjë shtet normal! Madje, tash, në fjalorin e komunikimit kjo krijesë kriminale “Parku i Paqes“ që e pengon lirinë e lëvizjes (edhe me vullnetin e ndërkombëtarëve) është shndërruar si diçka normale dhe tash më nuk po quhet i ashtuquajturi Parku i Paqes por është legalizuar verbalisht ky ndërtim i egër dhe monstruoz. Pse “miqtë” ndërkombëtarë nuk po lejojnë të bisedohet për pozitën e shqiptarëve në Luginë apo për kthimin e pronave të shqiptarëve të dëbuar dhunshëm pas formimit të shtetit serb në Sanxhakun e Nishit?! Ose për zhdëmtimin e pronarëve që u janë konfiskuar pronat, si bashkëpunëtorë të gjermanëve pas luftës së dytë botërore?! Pastaj, nuk po vendoset si pikë e rendit të ditës kompensimi i dëmeve që Serbia i ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ose kompensimi i kursimeve të vjedhura dhe Fondit pensional të plaçkitur nga Serbia. Dhe shumë të tjera që lirisht do të mund të bëheshin pjesë e bisedimeve. Në këtë mënyrë Serbia po bisedon me ne për tokat tona, pronat tona, zgjedhjet tona, rregullimin tonë të brendshëm, gjyqet tona, prokuroritë tona, të drejtat tona dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet si humbëse. Çdo gjë që e fiton, realisht është fitore e saj, materiale dhe politike!


 


Ishte situatë e vështirë për një pjesë të diskutuesve që kishin mungesë të sinqeritetit dhe haptazi përpiqeshin që një tragjedi të atyre që e pësuan ta kapitalizojnë politikisht përmes bombardimeve emocionale.


 


Ishte shumë e vështirë për ata që përcillnin këtë debat në Kuvend sikur edhe për shikuesit që përcillnin përmes ekraneve televizive ku gjërat personale dhe familjare përdoreshin dhe keqpërdoreshin pro dhe kundër Gjykatës e të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët, as me seancën e as me qëllimin për çka ishte bërë kjo seancë.


Edhe drejtuesit e seancës (kryetari apo kryesuesi) ishin në situatë të rëndë sepse gjërat dilnin nga kontrolli duke krijuar një gjendje anarkie. Anarkia lind për shkak të mungesës së demokracisë por edhe për shkak të demokracisë së tepruar. Është koha që kryetari i Kuvendit të veprojë sikur Krishti, çka i takon Cezarit i jepni atij, çka na takon neve i marrim ne. Përkthyer në shqip; çka u takon deputetëve me Rregullore të punës së Kuvendit duhet të respektohet për të gjithë dhe pa diskriminim por jo të flasë kush të dojë, çka të dojë dhe sa të dojë ndryshe nuk do të kishte fare nevojë të caktohej rend i ditës në mbledhjet e kryesisë së Kuvendit.


 


A po vjen fund i botës


 


Pas mosvotimit të Gjykatës Speciale në Kosovë po mbizotëron një mjedis sikur kur shkohet për kryeshëndosh për një tragjedi të përjetuar. Po thuhet se tash do të izolohemi nga ndërkombëtarët për shkak të mosbindjes në kohën kur jemi krejtësisht të izoluar. Se do ta kemi edhe më keq në kohën kur jemi në fund të pusit. Se do të përjashtohemi nga rruga e integrimeve evropiane etj., në kohën që trajtohemi sikur të ishim pjesë e Eritresë. Dhe shumë dyshime të tjera. Po thuhet se kanë sabotuar të akuzuarit potencialë. Nuk e besoj se Xhevahire Izmaku, Blerta Deliu, Flora Brovina dhe Ganimete Musliu do të akuzohen nga kjo Gjykatë. Sikur as të tjerët që kanë votuar kundër apo që kanë abstenuar. E kam fjalën për këta të pozitës sepse opozita nuk ka pasur fare mëdyshje se si do të votojë.


Natyrisht se është e papërgjegjshme dhe e papranueshme çdo përpjekje t’i iket përgjegjësisë për krime kundër së drejtës ndërkombëtare dhe zakoneve të luftës sepse ato nuk falen e as nuk parashkruhen. Për shkak të oportunitetit politik mund të arrihen marrëveshje të përkohshme që e dëmtojnë drejtësinë e sidomos i dëmtojnë viktimat sikur që është vepruar me Tribunalin e Hagës (krijesë krejtësisht politike e OKB-së) që vendimet dënuese dhe ato liruese i ka marrë në baza politike por ka pasur përfshirje multietnike të të akuzuarve dhe të dënuarve dhe rrjedhimisht edhe të liruarve. Drejtësinë dhe viktimat e kanë dëmtuar shumë edhe Gjykatat e UNMIK-ut sikur edhe këto të EULESH-it që po dalin të ndikuara politikisht dhe të korruptuara skajshmërisht. E tillë, me gjasë do të jetë edhe kjo Gjykatë Speciale e cila nuk e ka për qëllim vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe dënimin e krimeve të luftës por e ka për qëllim herrjen e skenës politike të Kosovës përmes largimit të disa figurave por jo edhe ndërhyrje kirurgjike për eliminimin e kancerit që ka metastazuar në tërë organizmin (shtetin) e Kosovës. Kjo Gjykatë duhet ta shpallë të dështuar dhe të pavlefshme Tribunalin e Hagës, gjykatat e UNMIK-ut dhe EULESH-it dhe t’ia nisë punën nga e para. Ashtu siç po thuhet, kjo Gjykatë do të ndajë drejtësi në baza etnike dhe në mënyrë shumë selektive ku pjesa dërrmuese e viktimave do të mbeten të pashpaguara. Kjo Gjykatë nuk do t’i trajtojë kriminelët si të tillë sikur as viktimat. Kjo Gjykatë nuk ofron drejtësi për të gjitha viktimat pavarësisht përkatësisë etnike sikur nuk e cakton përgjegjësinë për të gjithë ata që kanë kryer krime, pavarësisht përkatësisë etnike! Kjo Gjykatë është jashtë sistemit të drejtësisë kosovare, sepse të gjithë gjyqtarët janë të huaj, të gjithë prokurorët janë të huaj, të gjithë të akuzuarit dhe të dënuarit i përkasin një përkatësie etnike, dënimet i vuajnë si të syrgjunosur në shtete tjera, të gjithë gardianët janë të huaj si dhe personeli i administratës dhe të gjitha arkivat mbesin në pronësi të të huajve. E si mund të flasim pastaj se është pronësi e kosovarëve i tëri ky proces?! Dhe kush do ta besojë këtë ?!


 


Jam që të gjithë të dyshuarit të dënohen në Kosovë, t’i vuajnë dënimet në Burgun për Siguri të Lartë dhe që pjesë e të gjitha gjykimeve të dyshuarve, pavarësisht përkatësisë etnike, të jenë edhe të akuzuarit edhe nga raporti i Dik Martit. Arsyetimet se të dënuarit kohën më të madhe e kalojnë në spital nuk janë të qëndrueshme shkaku se asnjë i dënuar për krime lufte (të gjithë dënohen me vendime të gjykatësve ndërkombëtarë), nuk mund të dërgohet në spital pa lejen e gjyqtarit të procedurës ku në 100% të rasteve është ndërkombëtar! Bashkësia ndërkombëtare, përmes monitorimit të këtyre proceseve gjyqësore dhe ekzekutimit të dënimeve, lehtësisht do të kontrollonte situatën. Kosova është vend shumë i vogël dhe shumë i varfër prandaj thuaja 100% varet nga bashkësia ndërkombëtare prandaj do të vepronte në përputhje me rekomandimet, ndryshe do t’u nënshtrohej sanksioneve të papërballueshme të cilat nuk do t’i mbijetonte. Edhe Kina, si superfuqia e dytë politike, ushtarake dhe ekonomike, kur përballet me kërcënim për sanksione nga bashkësia ndërkombëtare, detyrohet të bëjë ndryshime, qoftë edhe simbolike apo kozmetike. Në këtë mënyrë do të forcohej dhe profesionalizohej edhe gjyqësia kosovare. Pse Kosova do të duhej të trajtohej ndryshe nga Kroacia, Bosnja, Serbia dhe Maqedonia në këtë rast?! Pse Kosova do të duhej të shantazhohej dhe kushtëzohej me humbje të përkrahjes nga amerikanët vetëm e vetëm ta votojë këtë Gjykatë Speciale. Apo, pse Kosova do të duhej të frikësohej me Rusinë dhe Putinin kur të gjithë e dinë se nuk ka gjë nga ajo se Kombet e Bashkuara do ta formojnë këtë Gjykatë. A nuk ishte Tribunali i dështuar i Hagës mekanizëm për vendosjen e drejtësisë që u formua nga OKB?! A nuk punuan sipas Rezolutës 1244 (e OKB-së) edhe gjykatat e UNMIK-ut apo të EULESH-it të cilat turpërisht dështuan në ndarjen e drejtësisë, mbrojtjen e dëshmitarëve të mbrojtur që i shndërroi në dëshmitarë të pambrojtur dhe gjah të lehtë për ata që akuzoheshin për krime të luftës dhe që dështuan që viktimat të shpaguhen?! Edhe kjo Gjykatë, nëse formohet sipas formatit dhe përmbajtjes të bërë publike do të dështojë sepse nuk do të sigurojë drejtësi për viktima e as përgjegjësi për ata që kanë bërë krime! Edhe kësaj radhe politika (ndërkombëtare) do ta dhunojë drejtësinë!


 


Dhe krejt në fund, kjo Gjykatë mund të formohet në formatin e imponuar që do të jetë drejtësi selektive dhe ku faktet mbështeten në përkatësi etnike por kjo do të sigurojë jostabilitet afatgjatë të rajonit. Stabilizimi i rajonit nënkupton dënimin e të gjithë atyre që ka fakte se kanë kryer krime lufte dhe, përmes ballafaqimit me të kaluarën mund të ndërtohet një e ardhme e pranuar nga të gjithë dhe për të gjithë. Përjashtuar këtu pjesën e kriminalizuar të shoqërisë të vendeve të rajonit. Dhe pjesën oportuniste dhe kalkuluese të bashkësisë ndërkombëtare!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …